Zi buke e parashikuar
NË VITET e fundit, sipas treguesve të rinj botërorë, fantazma e zisë së bukës është bërë një problem i dhimbshëm familjar. Nga Etiopia dhe nga shumë vende të tjera, vijnë imazhe të paharrueshme të vuajtjes. Në 1992 vëmendja botërore u përqendrua në ngjarjet tragjike në Somali, të shkaktuara nga thatësira dhe lufta. Në shtator 1992, The International Herald Tribune njoftoi: «Askush nuk e di numrin e saktë të somalezëve të vdekur, por sipas shifrave të dhëna nga Kryqi i Kuq arrijnë deri në 100.000. Çdo ditë vdesin me qindra në mos me mijëra.»
Shifrat nuk mund të tregojnë saktësisht mjerimin dhe dhimbjet e viktimave. Yvette Pierpaoli, përfaqësuese evropiane e Refugjatëve Ndërkombëtarë, shkroi në revistën Refugees: «Në Nju Jork apo në Gjenevë, çështja e refugjatëve duket e përcaktuar mirë; citohen shifra dhe vargu i zerove lidhur me to është i vështirë për t’u kuptuar. Por, miliona kilometra larg, përgjatë kufijve të vendeve që tashmë janë nën kontroll, mallëngjimi të mbërthen për gryke dhe vuajtjet e mëdha të bëjnë të ulërish.»
Megjithëse Kryqi i Kuq thotë se përpjekjet e tij për të ndihmuar Somalinë paraqesin operacionin më të madh humanitar të ndërmarrë ndonjëherë, shumë hulumtues ankohen se në përgjithësi ndihma është shumë e vogël dhe arrin tepër vonë. Pierpaoli ankohet: «Vendet dhuruese janë dorështrënguara dhe të lodhura për të mbështetur një Afrikë që po shkon drejt dezintegrimit. . . . Ata fajësojnë afrikanët për administratën e tyre të varfër, për lakminë e udhëheqësve të tyre dhe për konfliktet që duken sikur nuk do të marrin fund ndonjëherë.»
Bibla ka parathënë se do të vijë një kohë kur do të ketë mungesa ushqimi «nga njëri vend në tjetrin». Këto mungesa ushqimi bashkë me shumë ngjarje të tjera, si luftërat, tërmetet dhe epidemitë tregojnë se Mbretëria e Perëndisë është shumë afër. (Luka 21:11, 31) Përveç kësaj, Bibla na tregon se nën Mbretërinë bujare të Perëndisë do të ketë ushqim me bollëk për gjithë njerëzimin. «Do të ketë bollëk gruri në tokë,—shkroi psalmisti,—në majat e maleve do të ketë një vërshim.»—Psalmi 72:16, BR.