A do ta kishe pranuar Mesinë?
JEZU KRISHTI kaloi tre vjet e gjysmë duke predikuar Fjalën e Perëndisë mes izraelitëve, por në kohën kur shërbimi i tij tokësor po i afrohej fundit, pjesa më e madhe e bashkëkohësve të tij e kishin hedhur poshtë atë si Mesia apo si «i Mirosuri» i premtuar i Perëndisë. Përse?
Bibla na ndihmon për të identifikuar disa arsye se përse judenjtë e shekullit të parë nuk e pranuan Jezuin si Mesia. Tri prej këtyre arsyeve e pengojnë shumë pranimin e pozicionit të tanishëm të Jezuit si Mbreti Mesianik që sundon.
«Ne duam të shohim ndonjë shenjë»
Një arsye për të cilën hebrenjtë e shekullit të parë nuk e pranuan Mesinë, ishte refuzimi i tyre për pranimin e shenjave të Shkrimeve që tregonin pozitën e tij si Mesia. Ndonjëherë, njerëzit që e dëgjonin Jezuin, i kërkonin të kryente një shenjë, për të provuar se ai ishte prej Perëndisë. Për shembull, Mateu 12:38 tregon se disa nga skribët dhe farisenjtë i thanë: «Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.» A nuk u kishte treguar tashmë disa shenja Jezui? Sigurisht që po.
Deri në atë kohë, Jezui tashmë kishte kryer një numër mrekullish. Kishte kthyer ujin në verë, kishte shëruar një djalë që po vdiste, kishte kuruar sëmundjen e vjehrrës së Pjetrit, kishte pastruar një burrë lebroz, kishte bërë të aftë për të ecur një burrë të paralizuar, i kishte rikthyer shëndetin një burri që kishte qenë i sëmurë për 38 vjet, një burri ia kishte kthyer dorën e fishkur në gjendje normale, kishte çliruar shumë njerëz nga sëmundjet e tyre të rënda, kishte shëruar skllavin e një oficeri ushtrie, kishte kthyer nga vdekja në jetë djalin e një të veje dhe kishte kuruar një burrë të verbër dhe memec. Këto mrekulli kishin ndodhur në Kanë, Kapernaum, Jerusalem dhe Nain. Për më tepër, lajmet mbi mrekulli të tilla u përhapën në mbarë Judenë dhe në krahinat përreth.—Gjoni 2:1-12; 4:46-54; Mateu 8:14-17; 8:1-4; 9:1-8; Gjoni 5:1-9; Mateu 12:9-14; Marku 3:7-12; Luka 7:1-10; 7:11-17; Mateu 12:22.
Është e qartë, pra, se nuk kishte mungesë shenjash që provonin se Jezui ishte Mesia. Megjithëse ai kreu kaq shumë shenja para njerëzve, ata nuk e besuan. Ata që panë provat se Jezui ishte i dërguar nga Perëndia, por nuk e pranuan si Mesia, ishin të verbër frymësisht. Zemrat e tyre ishin të forta dhe të padepërtueshme prej së vërtetës.—Gjoni 12:37-41.
Ç’mund të themi për ditët tona? Disa njerëz deklarojnë: «Unë besoj vetëm atë që shoh me sytë e mi.» Por, a është kjo një rrugë e mençur për t’u ndjekur? Profecia biblike tregon se Jezui tashmë është ngjitur në fron si Mbret qiellor në Mbretërinë Mesianike. Meqenëse ai është i padukshëm, ne kemi nevojë për një shenjë që të na ndihmojë për të shquar sundimin e tij, gjë e cila shënoi fillimin e ditëve të fundit të këtij sistemi të lig gjërash. A e njeh shenjën?—Mateu 24:3.
Sipas Biblës, fillimi i sundimit të Krishtit si Mbret Mesianik, do të bëhej i dukshëm nëpërmjet luftërave, tërmeteve, mungesës së ushqimit dhe murtajës në një shkallë pa precedent. Në «ditët e fundit» marrëdhëniet njerëzore do të karakterizoheshin nga egoizmi, lakmia dhe mungesa e përmbajtjes. (2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:6, 7; Luka 21:10, 11) Pavarësisht nga provat kronologjike, mbi 20 karakteristika të ndryshme të ditëve të fundit, përcaktojnë fillimin e mbretërimit të Mesisë në vitin 1914.—Shiko Kullën e Rojës, 1 gusht 1993, faqe 5.
«Dashurues të parasë»
Materializmi ishte një tjetër arsye, për të cilën hebrenjtë e hodhën poshtë Jezuin si Mesia. Dhënia e një rëndësie të madhe pasurisë, i pengoi shumë persona që ta ndiqnin Jezuin. Për shembull, farisenjtë ishin të njohur si «dashurues të parasë». (Luka 16:14, BR) Le të shqyrtojmë rastin e një sundimtari të ri pasanik, i cili iu afrua Jezuit dhe e pyeti se si ta fitonte jetën e përhershme. «Zbato urdhërimet vazhdimisht»,—ishte përgjigjja e Jezuit. «Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar; çfarë më mungon tjetër?»,—pyeti i riu, duke lënë të kuptohej se ishte i vetëdijshëm që nevojitej diçka më shumë sesa zbatimi i disa ligjeve. «Shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua»,—i tha Jezui. Çfarë mundësie: të jesh një dishepull i Mesisë! Por sundimtari u largua i pikëlluar. Përse? Sepse për të, thesari në tokë ishte më i rëndësishëm se thesari në qiell.—Mateu 19:16-22, BR.
Situata nuk ka ndryshuar. Të bëhesh ithtar i vërtetë i Mbretit Mesianik do të thotë të vendosësh interesat frymore mbi çdo gjë tjetër, duke përfshirë këtu edhe gjërat materiale tokësore. Për të gjithë ata që kanë një botëkuptim materialist, kjo është një sfidë. Për shembull, një çift i martuar misionarësh në një vend të Lindjes, i foli një gruaje mbi Biblën. Duke menduar se asaj do t’i pëlqente të dinte më shumë mbi Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, çifti i ofroi Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! Si reagoi ajo? «A do të më ndihmojnë këto revista për të fituar më shumë para?»—i pyeti. Gruaja ishte më shumë e interesuar për gjërat materiale sesa për çështjet frymore.
I njëjti çift studionte Biblën me një burrë të ri, i cili filloi të merrte pjesë në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. «Po e harxhon kohën kot,—i thanë prindërit,—duhet të bësh një punë të dytë në mbrëmje dhe të fitosh më shumë para.» Sa e trishtueshme është kur prindërit i inkurajojnë fëmijët e tyre që t’i vendosin gjërat materiale përpara të mësuarit mbi Mbretin Mesianik! Një fjalë e urtë kineze thotë: «Edhe sikur të ketë shumë pasuri, një sundimtar nuk mund të blejë dhjetëmijë vjet jetë.»
Tani, shumë e kanë kuptuar se të mësosh mbi Mbretin Mesianik dhe ta ndjekësh atë, nuk të lejon të kesh dashuri për paranë. Një Dëshmitare e Jehovait, e cila kishte një biznes të sajin me fitime të mëdha, tha: «Të kesh shumë para është gjë shumë e këndshme, por nuk është e domosdoshme. Nuk është paraja, ajo që e bën të lumtur një njeri.» Tani, ajo është anëtare e familjes Bethel në një degë të Shoqatës Watch Tower në Evropë.
«Frika nga judenjtë»
Frika nga njeriu ishte një tjetër arsye, për të cilën judenjtë nuk e pranuan Jezuin si Mesia. Pranimi hapur i faktit që ai ishte Mesia, do të thoshte vënie në rrezik e reputacionit të tyre. Për disa, ky çmim ishte shumë i lartë. Le të marrim në shqyrtim Nikodemin, anëtar i një gjyqi të lartë jude, i quajtur Sanhedrin. Duke qenë se i kishin bërë përshtypje shenjat dhe mësimet e Jezuit, ai pranoi: «Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.» Megjithatë, Nikodemi e vizitoi Jezuin në errësirën e natës, ndoshta që të shmangte njohjen e tij nga judenjtë e tjerë.—Gjoni 3:1, 2.
Për shumë nga ata që e dëgjuan Jezuin tek fliste, aprovimi i njerëzve ishte më i rëndësishëm se ai i Perëndisë. (Gjoni 5:44) Kur Jezui ishte në Jerusalem për festën e Tabernakujve, në vitin 32 e.s., «në turmë pëshpëritej shumë për të». Askush nuk foli hapur për Jezuin «nga druajtja e judenjve». (Gjoni 7:10-13) Madje edhe prindërit e një burri, të cilin Jezui e shëroi nga verbëria, nuk qenë të gatshëm ta pranonin mrekullinë si të ardhur nga përfaqësuesi i Perëndisë. Edhe ata «kishin frikë nga judenjtë».—Gjoni 9:13-23.
Sot, disa njerëz e kuptojnë se Jezui është tashmë duke mbretëruar në qiell si Mbret Mesianik, por kanë frikë ta pranojnë hapur këtë gjë. Për ta, është shumë i lartë çmimi i humbjes së pozitës në shoqëri. Për shembull, në Gjermani, një Dëshmitar i Jehovait pati një diskutim biblik me një burrë, i cili pranoi: «Ajo që ju Dëshmitarët predikoni për Biblën është e vërtetë, por nëse sot unë do të bëhesha një Dëshmitar, që nesër do ta merrnin vesh të gjithë. Ç’do të mendonin për mua në punë, në lagje dhe në rrethin shoqëror të cilit i përkas unë dhe familja ime? Nuk do të mund ta duroja një gjë të tillë.»
Ç’gjë e shkakton frikën nga njeriu? Krenaria, dashuria për popullaritet në familje dhe mes miqve, tmerri nga talljet dhe poshtërimi, ankthi i të qenit i ndryshëm nga pjesa më e madhe e njerëzve. Ndjenja të tilla paraqesin një sprovë, veçanërisht për ata që fillojnë të studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, një grua e re u drithërua kur mësoi mbi parajsën që Mbretëria Mesianike do të vendosë në tokë nën sundimin e Jezu Krishtit, por ajo ishte një adhuruese e zjarrtë e diskove dhe frika nga njeriu e pengonte që t’u fliste të tjerëve mbi këtë shpresë. Më në fund, ajo mori guximin të fliste lirisht mbi Biblën. Miqtë e saj të diskos e hodhën tej, por burri dhe prindërit e saj treguan interes. Së fundi, ajo grua dhe nëna e saj u pagëzuan, ndërsa burri dhe babai filluan të studionin Biblën. Çfarë shpërblimi për kapërcimin e frikës nga njeriu!
A e pranon me të vërtetë Mesinë?
Kur Jezui po vdiste në shtyllën e torturës, disa nga dishepujt e tij ishin të pranishëm. Ata e kishin pranuar atë si Mesian e parathënë. Të pranishëm ishin, gjithashtu, edhe sundimtarët judenj, të cilët duke folur në mënyrë të figurshme i kërkonin ende një shenjë. «Le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti [apo Mesia], i zgjedhuri i Perëndisë.» (Luka 23:35) A do të pushonin ndonjëherë së kërkuari një shenjë? Jezui kishte kryer shumë mrekulli. Përveç kësaj, lindja, shërbimi, sprova, ekzekutimi dhe ringjallja e tij, kishin përmbushur shumë profeci të Shkrimeve Hebreje.—Shiko «I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqe 343-344.
Ata që kalonin andej e fyenin, duke hedhur kështu tej provën se ai ishte Mesia. (Mateu 27:39, 40) Ushtarët, në mënyrë materialiste ndanë mes tyre rrobat e Jezuit, duke hedhur short për veshjen e tij të brendshme. (Gjoni 19:23, 24) Frika nga njeriu, në disa raste ka luajtur rol në mospranimin e Jezuit si Mesia. Për shembull, të shqyrtojmë rastin e Jozefit nga Arimatea, anëtar i Sanhedrinit. Ai «ishte dishepull i Jezuit, por fshehtas nga druajtja e judenjve». Pas vdekjes së Mesisë, Jozefi dhe Nikodemi u kujdesën për trupin e Jezuit. Në këtë mënyrë, Jozefi e kapërceu frikën e tij nga njeriu.—Gjoni 19:38-40.
Nëse do të kishe jetuar në shekullin e parë, a do ta kishe pranuar Jezuin si Mesia? Të vepruarit në këtë mënyrë do të kishte kërkuar që ti të pranoje provën nga Shkrimet, të hidhje tej mënyrën materialiste të të menduarit dhe të mos i dorëzoheshe frikës së njeriut. Në këto ditë të fundit, secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A e pranoj tani Jezuin si Mbretin Mesianik qiellor?» Së shpejti, ai do të marrë në dorë çështjet e tokës. Kur të ndodhë kjo, a do të jesh mes atyre që e pranojnë me të vërtetë Jezu Krishtin si Mesinë e premtuar?
[Figurat në faqen 28]
Mos e shpërfill asnjëherë provën që Jezui është Mbreti Mesianik
[Figura në faqen 31]
Shpesh, të mësosh mbi Mesinë do të thotë kapërcim i frikës nga ajo se çfarë mund të thonë të tjerët