MISHI
Termi hebraik basár dhe ai grek sarks u referohen kryesisht pjesëve të tulta të trupit të njeriut, kafshëve, zogjve ose peshqve; në mënyrë më specifike, u referohen pjesëve që përbëhen kryesisht nga muskujt dhe dhjami. Bibla tregon se llojet e ndryshme të gjallesave nuk kanë të njëjtin mish. (1Ko 15:39) Këtë e kanë zbuluar edhe kërkuesit, të cilët kanë vënë re se përbërja kimike dhe struktura qelizore e mishit të njerëzve, të kafshëve, të zogjve dhe të peshqve ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra.
Çdo mish ia detyron jetën Krijuesit, Perëndisë Jehova. Në Bibël ai quhet «Jehova, Perëndi i frymës [ku përfshihet edhe forca e jetës] së çdo krijese [«mishi», shën.]». (Nu 27:16; krahaso Zn 6:17.) Ai thotë se shpirti (jeta) i gjallesës prej mishi është në gjak. (Le 17:11-14, shën.) Në fillim, Perëndia i dha njeriut për të ngrënë bimësi dhe fruta, jo mish. Megjithatë, pas Përmbytjes, Perëndia u dha edhe mishin e kafshëve, por i urdhëroi ‘të mos e hanin mishin me shpirtin e tij, domethënë me gjakun e tij’.—Zn 9:3, 4.
Kanibalizmi, ngrënia e mishit të njeriut, që në vetvete është një gjë e pështirë, ishte i urryer për Perëndinë dhe Izraelin, popullin me të cilin kishte bërë besëlidhje në lashtësi. (Lp 28:53-57; 2Mb 6:28-30) Izraelitët s’mund të hanin as mishin e një kafshe të shqyer nga egërsirat ose që kishte ngordhur vetë. Kjo do të ishte e pështirë, përveç faktit që nuk i ishte hequr gjaku siç duhej.—Da 22:31; Le 17:15, 16; Lp 14:21.
Perëndia e urdhëroi popullin e tij që, para se të hanin mishin e një kafshe, ta derdhnin gjakun përtokë dhe ta mbulonin me dhé. Nëse e hanin me gjak, do të vdisnin. (Lp 12:23-25; Le 7:27) Trupi udhëheqës i kongregacionit të hershëm të krishterë e përsëriti këtë urdhër, duke ndaluar ngrënien e kafshëve të mbytura ose që nuk u ishte hequr gjaku. Gjithashtu, i ndaloi të krishterët të hanin mishin e një blatimi në bashkësi të bërë për idhujt, praktikë e zakonshme mes paganëve të asaj kohe. (Ve 15:19, 20, 28, 29) Të krishterët mund të hanë mish, por apostulli Pavël tregoi se mishi nuk është patjetër i domosdoshëm si ushqim për njeriun kur tha se ‘nuk do të hante më kurrë mish’, nëse kjo bëhej pengesë për të krishterët e tjerë.—Ro 14:21; 1Ko 8:13.
Njeriu duhej ta konsideronte si të shenjtë trupin prej mishi që iu dha e as ai, as dikush tjetër s’duhej ta keqtrajtonte ose ta gjymtonte qëllimisht.—Le 19:28; Lp 14:1; Da 21:12-27.
Farefisnia. Termi «mish» përdoret edhe për farefisninë. Eva ishte farefisi më i afërt i Adamit, sepse, siç tha vetë ai, ishte ‘kockë e kockave të tij dhe mish i mishit të tij’. (Zn 2:23; shih edhe Zn 29:14; 37:27; 2Sa 5:1.) Lidhja e ngushtë mes burrit dhe gruas pohohet me forcë: «Ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zn 2:24; Mt 19:5, 6) Pavli e quan Jezuin ai «që erdhi nga fara e Davidit sipas mishit».—Ro 1:3; krahaso 9:3.
Individi, njerëzimi, krijesat prej mishi. Fjala «mish» përdoret për pjesët e dukshme e të prekshme të trupit, dhe në kuptim më të gjerë i referohet trupit në tërësi. (Le 17:11, shën.; 2Mb 6:30) Kjo fjalë përdoret edhe për individin si njeri prej mishi. (Ro 7:18) I gjithë njerëzimi, sidomos nga pikëpamja e Perëndisë që është Frymë, quhet «mish» (Jb 12:10, shën.; Jr 32:27; Lu 3:6), e nganjëherë ky term përfshin edhe kafshët. (Zn 7:16, 21) Shpesh Bibla e vë mishin në kontrast me Perëndinë që është Frymë për të nxjerrë në pah veçanërisht sa i papërfillshëm është njeriu në krahasim me të. (Zn 6:3; 2Kr 32:8; Ps 56:4, shën.) Megjithatë, në pozitën e tij më të lartë, Jehovai e di këtë dhe e merr parasysh, duke e trajtuar njerëzimin me dashamirësi të jashtëzakonshme dhe shpirtgjerësi të mëshirshme.—Ps 78:39; krahaso Ps 103:13-15; 1Pj 1:24, 25.
Fjala «mish» mund t’i referohet edhe një pjese të trupit, në veçanti organit gjinor mashkullor. Te Levitiku 15:2 thuhet: «Në rast se dikush ka rrjedhje nga organi gjinor [fjalë për fjalë ‘mishi i tij’], rrjedhja e tij është e papastër.»—Krahaso Zn 17:11; Da 28:42; Ef 2:11.
Trupat frymorë. Apostulli Pavël thotë se «nëse ka trup fizik, ka edhe frymor». (1Ko 15:44) Këtë e vërteton edhe apostulli Pjetër kur u thotë atyre që janë me natyrë mishore, pra njerëzore, të thirrur si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, se do të bëhen pjesëmarrës të «natyrës hyjnore», domethënë të jetës frymore në qiejt e padukshëm. (2Pj 1:4) Kjo kërkon një ndryshim të organizmit, sepse «mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë, dhe as prishja nuk trashëgon paprishje».—1Ko 15:50-54.
Trupi mishor i Jezu Krishtit. Jezui, i cili ishte «Fjala» e Perëndisë dhe erdhi «nga qielli», u zhvesh nga natyra frymore dhe «u bë mish». (Gjo 1:1; 1Ko 15:47; Fi 2:5-8; Gjo 1:14; 1Ti 3:16) Kur lindi si njeri, Jezui nuk ishte më frymë dhe nuk mori thjesht një trup prej mishi, siç kishin bërë në të kaluarën engjëjt. (Zn 18:1-3; 19:1; Js 5:13-15) Këtë e dëshmon apostulli Gjon i cili thotë se antikrisht është ai që mohon se Jezu Krishti erdhi «në mish». (1Gjo 4:2, 3) Që të siguronte shpërblesën për njerëzimin dhe me anë të saj të ndihmonte ata që do të bëheshin shokët e tij në thirrjen qiellore, Fjala u bë mish, duke lindur tërësisht si njeri, jo duke u trupëzuar. Bibla na thotë: «Përderisa ‘fëmijët e vegjël’ janë prej gjaku e mishi, edhe ai, në mënyrë të ngjashme, u bë prej gjaku e mishi.» (He 2:14-16) Koha që jetoi në tokë përshkruhet si «ditët e mishit të tij». (He 5:7) Jezui tha: «Buka që do të jap, është mishi im për jetën e botës.» Pastaj tha se ata që shpresonin të mbeteshin në unitet me të, duhej ‘të hanin mishin e tij dhe të pinin gjakun e tij’. Ngaqë nuk e kuptuan domethënien frymore e simbolike të këtyre fjalëve, disa menduan se po fliste për kanibalizëm dhe u tronditën.—Gjo 6:50-60.
Edhe pse gjatë shërbimit në tokë Jezui e dinte se do të vdiste si flijim shpërblyes, mishi i tij ‘prehej me shpresë’. Ai e dinte se Ati do ta ringjallte, se flijimi i tij do të përmbushte me sukses qëllimin e shpërblesës dhe se mishi nuk do t’i kalbej. (Ve 2:26, 31) Perëndia Jehova e zhduku sipas mënyrës së vet trupin mishor të Jezuit (ndoshta duke e shpërbërë në atomet nga të cilat përbëhej). (Lu 24:2, 3, 22, 23; Gjo 20:2) Jezui nuk mori prapë trupin e tij mishor, pasi kështu do të anulonte shpërblesën për të cilën u dha ai trup. Apostulli Pjetër dëshmon se Krishti shkoi në qiell, në sferën e krijesave frymore, jo mishore, «duke u vrarë në mish, por duke u ngjallur në frymë». (1Pj 3:18) Para se të ngjitej në qiell, tashmë si një person frymor i fuqishëm e i pavdekshëm, Krishti u materializua dhe mori disa trupa prej mishi sipas rastit, për t’u dhënë dishepujve prova të dukshme e të prekshme se ishte ringjallur.—Gjo 20:13-17, 25-27; 21:1, 4; Lu 24:15, 16.
Në Letrën e Pavlit drejtuar Hebrenjve tregohet se perdja e shenjtërores që ndodhej para Më të Shenjtës, e cila përfaqësonte vetë qiellin, ishte simbolike; ajo paraqiste mishin e Jezuit, sepse, para se të flijonte trupin e tij mishor, udha për jetën qiellore nuk ishte e hapur.—He 9:24; 10:19, 20.
Njeriu i papërsosur. Në Bibël, «mishi» përdoret shpesh për të paraqitur njeriun e papërsosur, ‘të ngjizur në mëkat’ si pasardhës i Adamit rebel. (Ps 51:5; Ro 5:12; 2Pj 2:18) Te njerëzit që po përpiqen t’i shërbejnë Perëndisë, «fryma [forca nxitëse që buron nga zemra e figurshme] është gati, por mishi është i dobët». (Mt 26:41) Këta shërbëtorë të Perëndisë kanë një luftë të vazhdueshme të brendshme: nga njëra anë fryma e shenjtë e Perëndisë vepron si një forcë për të ndjekur drejtësinë, kurse nga ana tjetër mishi mëkatar lufton pareshtur kundër ndikimit të frymës dhe ushtron presion që ta shtyjë njeriun të kryejë veprat e mishit. (Ro 7:18-20; Ga 5:17) Te Galatasve 5:19-23, veprat e mishit mëkatar vihen në kontrast me frytin e frymës.
Gjithashtu, apostulli Pavël na thotë se Ligji që iu dha Izraelit me anë të Moisiut, ishte «i dobët për shkak të mishit», domethënë mishit të papërsosur të atyre që ishin nën Ligj. Ligji nën të cilin shërbente priftëria aaronike ishte frymor, pra nga Perëndia. Mirëpo me anë të tij njerëzit prej mishi, ‘të shitur që të ishin skllevër të mëkatit’, nuk shpalleshin të drejtë, por dënoheshin. (Ro 8:3; 7:14; He 7:28) Kryepriftërinjtë me prejardhje nga trungu i Aaronit, të caktuar nga Ligji, nuk ishin në gjendje të paraqitnin një flijim të përshtatshëm për mëkatin.—He 7:11-14, 23; 10:1-4.
Kur pohon se «mishi . . . nuk është i nënshtruar ndaj ligjit të Perëndisë, madje, as që mund të jetë», apostulli Pavël nuk nënkupton se mishi në vetvete duhet të jetë medoemos i korruptuar. Ai na thotë se ndonëse u bë prej gjaku e mishi, «si ‘vëllezërit’ e tij», Jezu Krishti ishte «i patëkeq, i pandotur, i ndarë nga mëkatarët», «[i] sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat». (Ro 8:7; He 2:14, 17; 4:15; 7:26) Jehovai tregoi se mishi njerëzor mund të jetë pa mëkat. «Perëndia, duke dërguar Birin e vet në formë të ngjashme me mishin mëkatar dhe për të hequr mëkatin, e dënoi mëkatin në mish.» (Ro 8:3) Në fund, nëpërmjet flijimit të Krishtit, të gjithë ata që tregojnë besim do të bëhen të përsosur dhe atëherë njerëzimi do t’i zbatojë në mënyrë të përsosur ligjet e drejta të Perëndisë.—Zb 21:4.
Një nga tundimet që e shtynë Evën të mëkatonte, ishte ‘dëshira e mishit’. Këtë Djalli e përdori edhe në rastin e Krishtit, por nuk ia doli. (1Gjo 2:16; Zn 3:6; Lu 4:1-4) Ithtarët e Jezuit e mundin mishin mëkatar, ngaqë lejojnë që fryma e Perëndisë të veprojë lirisht në jetën e tyre dhe ngaqë Jehovai u tregon dashamirësi të pamerituar.—Ga 5:16, 22-26; Ro 8:1-4.
Nuk luftojnë me njerëz prej mishi. Njerëzve me besim ua zbulon qëllimet hyjnore dhe i udhëheq fryma e Jehovait, jo arsyetimet njerëzore. (Mt 16:17; 1Ko 2:9, 14; Ef 3:5) Prandaj, të krishterët nuk luftojnë ‘sipas mishit’, kundër njerëzve prej mishi e gjaku, dhe as përdorin armët njerëzore kundër askujt. Ata luftojnë «me forcat e liga frymore në vendet qiellore». (2Ko 10:3, 4; Ef 6:12) Ata nuk kanë besim te ‘krahu i njeriut [fjalë për fjalë “mishit”]’, por te Jehovai që është Fryma. (Jr 17:5; 2Ko 3:17) Me ndihmën e Perëndisë, ata përpiqen të pastrohen nga «çdo ndotje e mishit dhe e frymës» dhe ai i sheh e i gjykon sipas asaj që janë frymësisht, jo sipas asaj që janë në mish, siç bëjnë shpesh njerëzit.—1Ko 4:3-5; 2Ko 5:16, 17; 7:1; 1Pj 4:6; shih SHPALL TË DREJTË; SHPIRTI; FRYMA.