MARIA
[nga emri hebraik Miriam që ndoshta do të thotë «rebele»].
Në Bibël përmenden 6 Mari.
1. Maria, nëna e Jezuit. Ishte e bija e Helit, ndonëse në gjenealogjinë e Lukës si «bir i Helit» renditet Jozefi, burri i Marisë. Një enciklopedi (Cyclopædia e Mekklintokut dhe Strongut 1881, vëll. III, f. 774) thotë: «Në hartimin e listave gjenealogjike, dihet se judenjtë përfshinin vetëm meshkujt. Nëse lidhja e gjakut nga gjyshi te nipi kalonte nëpërmjet vajzës, emri i saj fshihej dhe i shoqi llogaritej si bir i gjyshit (Num. xxvi, 33; xxvii, 4-7).» Pra, kjo është arsyeja pse historiani Lukë thotë se Jozefi ishte «bir i Helit».—Lu 3:23.
Maria ishte nga fisi i Judës dhe pasardhëse e Davidit. Prandaj mund të thuhej se i biri, Jezui, «erdhi nga fara e Davidit sipas mishit». (Ro 1:3) Nga i ati birësues, Jozefi, që ishte pasardhës i Davidit, Jezui kishte të drejtën ligjore për të trashëguar fronin e Davidit, kurse nga e ëma, si ‘pasardhëse’, ‘farë’ dhe ‘rrënjë’ e Davidit, ai ishte trashëgimtari natyror i ‘fronit të Davidit, të atit’.—Mt 1:1-16; Lu 1:32; Ve 13:22, 23; 2Ti 2:8; Zb 5:5; 22:16.
Nëse tradita është e saktë, gruaja e Helit, nëna e Marisë, ishte Ana, motra e së cilës kishte një vajzë që quhej Elizabeta dhe ishte nëna e Gjon Pagëzorit. Sipas kësaj, Elizabeta ishte kushërirë e Marisë. Vetë Shkrimet tregojnë se Maria kishte lidhje gjaku me Elizabetën që ishte «nga bijat e Aaronit» nga fisi i Levit. (Lu 1:5, 36) Disa janë të mendimit se motra e Marisë ishte Saloma, gruaja e Zebedeut. Dy bijtë e tij, Jakovi dhe Gjoni, ishin mes apostujve të Jezuit.—Mt 27:55, 56; Mr 15:40; 16:1; Gjo 19:25.
E viziton engjëlli. Nga fillimi i vitit 2 p.e.s., Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel te virgjëresha Mari në Nazaret. «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty»,—qe përshëndetja e pazakontë e engjëllit. Kur i tha se do të mbetej shtatzënë dhe do të lindte një djalë që do t’i vinte emrin Jezu, Maria që asokohe ishte vetëm e fejuar me Jozefin, pyeti: «Si do të ndodhë kjo, kur unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie me një burrë?» «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë»,—i shpjegoi engjëlli. E emocionuar nga ç’e priste, por prapë me modesti dhe përulësi, ajo tha: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.»—Lu 1:26-38.
Për t’ia forcuar edhe më shumë besimin për këtë përvojë të paharrueshme, engjëlli i tha Marisë se e afërmja e saj, Elizabeta, edhe pse e shkuar në moshë, ishte 6-muajshe shtatzënë, pasi fuqia mrekullibërëse e Jehovait i kishte hequr shterpësinë. Maria shkoi ta vizitonte dhe, kur hyri në shtëpinë e saj, foshnja në barkun e Elizabetës hovi nga gëzimi. Ajo e përshëndeti Marinë me fjalët: «E bekuar je mes grave dhe i bekuar është fryti i barkut tënd!» (Lu 1:36, 37, 39-45) Atëherë Maria madhëroi Jehovain për mirësinë e tij me fjalë të frymëzuara.—Lu 1:46-55.
Pasi qëndroi rreth 3 muaj me Elizabetën në kodrat e Judesë, Maria u kthye në Nazaret. (Lu 1:56) Kur Jozefi mori vesh se Maria ishte shtatzënë (ka të ngjarë t’ia ketë treguar ajo vetë), mendoi të divorcohej fshehurazi që ajo të mos turpërohej para të gjithëve. (Të fejuarit konsideroheshin si të martuar dhe për të prishur fejesën duhej divorci.) Por engjëlli i Jehovait iu shfaq Jozefit për t’i treguar se fëmija ishte ngjizur me frymën e shenjtë. Atëherë Jozefi ndoqi udhëzimet hyjnore dhe e mori Marinë për grua, «por nuk pati marrëdhënie seksuale me të, derisa ajo lindi një djalë; dhe ia vuri emrin Jezu».—Mt 1:18-25.
Lind Jezuin në Betlehem. Ndërsa ngjarjet ndiqnin njëra-tjetrën, Cezar Augusti nxori një dekret sipas të cilit të gjithë duhej të regjistroheshin në qytetin e lindjes. Faktikisht këtë e shkaktoi Perëndia, sepse ishte koha të përmbushej profecia për vendin ku do të lindte Jezui. (Mi 5:2) Kështu, Jozefi mori Marinë ‘e rënduar nga barra’ në një udhëtim të mundimshëm rreth 150 km nga shtëpia e tyre në Nazaret, në veri, deri në Betlehem, në jug. Meqë nuk kishte vend për ta në bujtinë, ajo e lindi fëmijën në kushte tepër të varfra, në një grazhd. Kjo duhet të ketë ndodhur aty nga 1 tetori i vitit 2 p.e.s.—Lu 2:1-7; shih FIGURAT, vëll. 2, f. 537 në botimin anglisht; JEZU KRISHTI.
Pasi dëgjuan engjëllin t’u thoshte: «Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria», barinjtë nxituan në Betlehem dhe atje gjetën foshnjën e Marisë «të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një grazhd», siç u kishte thënë engjëlli. Ata i treguan familjes së lumtur atë që kishin kënduar engjëjt në një kor madhështor: «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij.» Kështu, Maria «nisi t’i ruante të gjitha këto fjalë e të arsyetonte në zemër për kuptimin e tyre».—Lu 2:8-20.
Ditën e 8-të Maria e çoi djalin të rrethpritej siç e kërkonte Ligji i Jehovait. Ditën e 40-të ajo dhe i shoqi e çuan fëmijën në tempullin e Jerusalemit për të paraqitur flijimin që kërkohej nga Ligji. Ligji kërkonte të flijohej një qengj motak dhe një zog pëllumbi ose një turtull. Nëse familja nuk mund të flijonte një qengj, duhej të flijonte dy turtuj ose dy zogj pëllumbash. Përderisa Maria paraqiti «një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash», i bie që Jozefi ishte i varfër. (Lu 2:21-24; Le 12:1-4, 6, 8) Kur pa fëmijën, Simeoni, një njeri i drejtë, i dha lavdi Jehovait që e lejoi të shihte Shpëtimtarin para se të vdiste në atë moshë të shkuar. Duke u kthyer nga Maria, ai tha: «Ty do të ta tejshpojë shpirtin një shpatë e gjatë.» Me këtë nuk donte të thoshte se do ta shponin vërtet me shpatë, por se do të vuante kur të shihte vdekjen e parathënë të të birit në një shtyllë torture.—Lu 2:25-35.
Kthehet në Nazaret. Ca kohë më vonë, një engjëll e paralajmëroi Jozefin për komplotin që kishte kurdisur Herodi i Madh për të vrarë fëmijën dhe e udhëzoi të merrte Jezuin e të ikte në Egjipt. (Mt 2:1-18) Pas vdekjes së Herodit, familja u kthye dhe u vendos në Nazaret, ku gjatë viteve pasuese, Maria lindi fëmijë të tjerë, të paktën katër djem dhe disa vajza.—Mt 2:19-23; 13:55, 56; Mr 6:3.
Megjithëse në Ligj nuk kërkohej që gratë të ishin të pranishme, Maria e kishte zakon ta shoqëronte Jozefin vit për vit në Jerusalem për kremtimin Pashkës, udhëtim afro 150 km i gjatë. (Da 23:17; 34:23) Në një nga këto udhëtime, rreth vitit 12 të e.s., kur po ktheheshin nga Jerusalemi, ata kuptuan pas një dite rrugë se Jezui i vogël nuk ishte me ta. Maria dhe Jozefi u kthyen menjëherë në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në tempull tek dëgjonte dhe pyeste mësuesit. Maria thirri: «Bir, ç’na bëre kështu? Yt atë dhe unë të kemi kërkuar me ankth.» Jezui u përgjigj: «Pse duhej të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» Pa dyshim, ishte më se e logjikshme që Biri i Perëndisë të gjendej në tempull, ku mund të mësonte rreth Shkrimeve. Maria «i ruante me kujdes në zemër tërë këto fjalë».—Lu 2:41-51.
Jezui 12-vjeçar tregoi se kishte njohuri të shkëlqyera për moshën e tij. «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.» (Lu 2:47) Njohuria dhe kuptueshmëria e Jezuit për Shkrimet pasqyronte stërvitjen e shkëlqyer që i kishin dhënë prindërit. Maria dhe Jozefi duhet ta kenë mësuar e stërvitur me zell, duke e rritur «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait» dhe duke i kultivuar dëshirën që të shkonte në sinagogë çdo sabat.—Lu 4:16; Ef 6:4.
Jezui e respektoi dhe e deshi. Pasi u pagëzua, Jezui nuk e mbajti me hatër Marinë; ai nuk e thërriste «nënë», por thjesht «grua». (Gjo 2:4; 19:26) Kjo nuk tregonte aspak mungesë respekti, siç mund të lërë përshtypjen kjo fjalë sot në shqip. Maria ishte nëna e Jezuit prej mishi e gjaku, por përderisa gjatë pagëzimit ai lindi nga fryma, mbi të gjitha ishte Biri frymor i Perëndisë dhe «nëna» e tij ishte «Jerusalemi lart». (Ga 4:26) Jezui e theksoi këtë fakt në një rast kur Maria dhe vëllezërit e tij e ndërprenë ndërsa mësonte dhe i kërkuan të dilte jashtë e të fliste me ta. Jezui tregoi se nëna dhe të afërmit e tij të vërtetë ishin ata që bënin pjesë në familjen frymore dhe se gjërat frymore kishin më shumë rëndësi sesa interesat fizike.—Mt 12:46-50; Mr 3:31-35; Lu 8:19-21.
Kur në një dasmë në Kanë të Galilesë mbaroi vera, Maria i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë.» Ai u përgjigj: «Ç’punë kam unë me ty, o grua? Ora ime ende nuk ka ardhur.» (Gjo 2:1-4) Në këtë rast, Jezui përdori një formë të lashtë pyetëse që del tetë herë në Shkrimet Hebraike origjinale (Js 22:24; Gjy 11:12; 2Sa 16:10; 19:22; 1Mb 17:18; 2Mb 3:13; 2Kr 35:21; Ho 14:8) dhe gjashtë herë në Shkrimet Greke. (Mt 8:29; Mr 1:24; 5:7; Lu 4:34; 8:28; Gjo 2:4) E përkthyer fjalë për fjalë, pyetja do të ishte: «Çfarë me mua dhe me ty?», domethënë: «Çfarë ka të përbashkët mes meje dhe teje?» ose «Çfarë kemi të përbashkët unë dhe ti?» ose «Ç’punë kam unë me ty?» Në të gjitha rastet, kjo pyetje bëhet për të kundërshtuar diçka që sugjerohet, propozohet ose dyshohet. Pra, me dashuri, Jezui e shprehu në këtë formë të butë qortimin e tij, duke i treguar së ëmës se nuk merrte urdhra nga ajo, por nga Autoriteti Suprem që e kishte dërguar. (1Ko 11:3) Maria me natyrë të ndjeshme dhe të përulur e kuptoi menjëherë dhe e pranoi ndreqjen. Ajo u tërhoq, la Jezuin të merrte në dorë situatën dhe u tha shërbëtorëve: «Bëni ç’t’ju thotë ai.»—Gjo 2:5.
Maria ishte aty kur Jezuin e vunë në shtyllë. Për të, Jezui ishte më shumë se një bir i dashur. Ai ishte Mesia, Zotëria dhe Shpëtimtari i saj, Biri i Perëndisë. Në këtë kohë ajo duhet të ketë qenë vejushë. Prandaj, si i parëlinduri i shtëpisë së Jozefit, Jezui përmbushi përgjegjësinë e tij duke i kërkuar apostullit Gjon, që mund të ketë qenë kushëriri i tij, ta merrte Marinë në shtëpi dhe të kujdesej si për nënën e vet. (Gjo 19:26, 27) Pse Jezui nuk ia besoi njërit prej vëllezërve të tij? Askund nuk thuhet se ndonjëri prej tyre ishte aty. Veç kësaj, ata nuk ishin bërë ende besimtarë dhe për Jezuin lidhjet frymore ishin më të rëndësishme se ato të gjakut.—Gjo 7:5; Mt 12:46-50.
Dishepulle besnike. Herën e fundit që flet për Marinë, Bibla e paraqet si një grua me besim e përkushtim që vazhdonte të shoqërohej ngushtë me besnikë të tjerë edhe pas ngjitjes së Jezuit në qiell. Të 11 apostujt, Maria dhe të tjerë ishin mbledhur në një dhomë të sipërme e «të gjithë së bashku ngulmonin në lutje».—Ve 1:13, 14.
2. Maria, motra e Martës dhe e Lazarit. Në Betani, rreth 2 milje romake (2,8 km) larg malit të tempullit në Jerusalem dhe në shpatin lindor të Malit të Ullinjve, Jezui shkonte si mysafir në shtëpinë e këtyre miqve të cilët i kishte shumë për zemër. (Gjo 11:18) Gjatë një vizite të Jezuit vitin e 3-të të shërbimit të tij, Marta, donte të ishte mikpritëse e mirë, por u shqetësua së tepërmi për rehatinë e Jezuit. Maria nga ana tjetër, shfaqi një lloj tjetër mikpritjeje. Ajo «ishte ulur te këmbët e Zotërisë dhe dëgjonte fjalët e tij». Kur Marta u ankua se e motra s’po e ndihmonte, Jezui e lavdëroi Marinë: «Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.»—Lu 10:38-42.
Sheh Lazarin të ringjallur. Pak muaj pas vizitës së lartpërmendur, Lazari u sëmur dhe ishte pranë vdekjes. Maria dhe Marta i çuan fjalë Jezuit, që ka mundësi të gjendej diku në lindje të Jordanit, në Pere. Megjithatë, kur mbërriti Jezui, Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur. Me të marrë vesh se po vinte Jezui, Marta menjëherë i doli para, kurse Maria «ndenji ulur në shtëpi». Vetëm kur Marta u kthye nga rrethinat e fshatit dhe i pëshpëriti motrës së dërrmuar nga pikëllimi «mësuesi është këtu pranë dhe po të thërret», Maria nxitoi t’i dilte para. I ra ndër këmbë dhe duke ngashëryer i tha: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.» Ajo tha të njëjtat fjalë që kishte thënë e motra, Marta, kur shkoi të takonte Jezuin. Kur pa lotët e Marisë dhe të atyre që ishin me të, Zotëria rënkoi dhe qau. Pasi Jezui ringjalli me një mrekulli të mahnitshme Lazarin, «shumë judenj që kishin vajtur te Maria [për ta ngushëlluar] . . . treguan besim tek ai».—Gjo 11:1-45.
Derdh vaj mbi Jezuin. Pesë ditë para Pashkës së tij të fundit, Jezui dhe dishepujt kishin shkuar përsëri mysafirë në Betani, këtë herë në shtëpinë e një të lebrosuri me emrin Simon, ku ishin edhe Maria me familjen e saj. Marta po shërbente darkën, kurse Maria ishte përsëri duke dëgjuar me vëmendje Birin e Perëndisë. Ndërsa Jezui ishte shtruar për të ngrënë, Maria «mori një libër vaj aromatik, nard të pastër, shumë të kushtueshëm» (pak a shumë sa paga e një viti) dhe i leu kokën e këmbët. Pavarësisht se askush nuk e kuptoi në atë moment, ky akt i bërë nga dashuria dhe vlerësimi për Jezuin, në të vërtetë ishte përgatitje për vdekjen dhe varrimin e tij, që tashmë ishte shumë afër. Njësoj si më parë, të tjerët e kritikuan këtë shprehje dashurie të Marisë e, njësoj si më parë, Jezui e çmoi shumë dhe e mbrojti për dashurinë e përkushtimin e saj. Ai tha: «Kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, edhe ajo që bëri kjo grua, do të tregohet në kujtim të saj.»—Mt 26:6-13; Mr 14:3-9; Gjo 12:1-8.
Rasti kur Maria derdhi vaj mbi Jezuin, që dokumentohet nga Mateu, Marku dhe Gjoni, nuk duhet ngatërruar me atë që përmendet te Luka 7:36-50. Të dyja ngjarjet kanë ngjashmëri, por edhe ndryshime. E para, e treguar nga Luka, ndodhi në veri, në Galile, kurse e dyta në jug, në Betani të Judesë. E para ishte në shtëpinë e një fariseu, kurse e dyta në shtëpinë e një të lebrosuri me emrin Simon. Herën e parë Jezuin e leu me vaj një grua e panjohur që njihej si «mëkatare», mbase prostitutë, kurse herën e dytë e bëri Maria, motra e Martës. Veç këtyre, nga njëra ngjarje te tjetra kishte kaluar më shumë se një vit.
Disa kritikë pretendojnë se Gjoni bie ndesh me Mateun dhe Markun kur thotë se parfumi iu derdh Jezuit në këmbë dhe jo në kokë. (Mt 26:7; Mr 14:3; Gjo 12:3) Ja çfarë thotë Albert Barnsi në lidhje me Mateun 26:7: «Megjithatë, nuk ekziston asnjë kontradiktë. Ka mundësi që ajo t’ia ketë derdhur vajin si në kokë, edhe te këmbët. Përderisa Mateu dhe Marku përmendin kokën, Gjoni, që e shkroi ungjillin e tij pjesërisht për të dokumentuar gjërat që s’kishin përmendur ata, tregon se vaji iu derdh Shpëtimtarit edhe te këmbët. Derdhja e vajit në kokë ishte e zakonshme. Derdhja e vajit te këmbët tregonte përulësi dhe përzemërsi të pazakontë ndaj Shpëtimtarit, prandaj meritonte të kujtohej.»—Barnes’ Notes on the New Testament, 1974.
3. Maria Magdalena. Emri i saj dallues (që do të thotë «i Magdalës») ka të ngjarë që vjen nga emri i qytetit Magdala (shih MAGADANI) në bregun perëndimor të detit të Galilesë, pak a shumë në gjysmë të rrugës nga Kapernaumi në Tiberiadë. Nuk ka asnjë dëshmi se Jezui ka qenë në këtë qytet, megjithëse kaloi mjaft kohë në zonën përreth. Madje nuk është e sigurt nëse ishte vendlindja e Marisë apo qyteti ku banonte. Përderisa Luka e quan «Maria, që e thërrisnin Magdalena», disa mendojnë se ai nënkuptonte diçka të veçantë ose të pazakontë.—Lu 8:2.
Meqë Jezui dëboi prej saj shtatë demonë, Maria Magdalena u bind se ai ishte Mesia dhe e tregoi besimin e saj duke shërbyer e duke treguar përkushtim të jashtëzakonshëm. Përmendet për herë të parë në tregimin që dokumenton vitin e 2-të të predikimit të Jezuit, kur ai dhe apostujt e tij ‘nisën të shkonin nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë’. Bashkë me Joanën, gruan e kujdestarit të shtëpisë së Herodit, Suzanën dhe gra të tjera, Maria Magdalena vazhdoi të kujdesej për nevojat e Jezuit dhe të apostujve duke përdorur pasuritë e saj.—Lu 8:1-3.
Maria Magdalena del më në pah në rastin e vdekjes dhe të ringjalljes së Jezuit. Kur Jezuin, si Qengji i Perëndisë, e morën për ta vrarë, ajo ishte një nga ato që e «kishin shoqëruar . . . nga Galilea për t’i shërbyer» dhe po e «shikonin nga larg» të varur në shtyllën e torturës. Me të ishte edhe Maria, nëna e Jezuit, Saloma dhe «Maria tjetër» (nr. 4).—Mt 27:55, 56, 61; Mr 15:40; Gjo 19:25.
Pas varrimit të Jezuit, Maria Magdalena dhe gra të tjera shkuan të përgatitnin erëza dhe vaj aromatik para se të fillonte sabati në perëndim të diellit. Pastaj, pas sabatit, në të zbardhur, ditën e parë të javës, Maria dhe gratë e tjera çuan vajin aromatik te varri. (Mt 28:1; Mr 15:47; 16:1, 2; Lu 23:55, 56; 24:1) Kur pa që varri ishte i hapur dhe bosh, e tronditur, ajo vrapoi t’ia tregonte këtë Pjetrit e Gjonit që nxituan për te varri. (Gjo 20:1-4) Maria u kthye te varri, por Pjetri dhe Gjoni kishin ikur. Atëherë ajo pa brenda dhe shtangu kur pa dy engjëj të veshur me të bardha. Pastaj, u kthye prapa dhe pa Jezuin që po rrinte në këmbë. Duke kujtuar se ishte kopshtari, ajo e pyeti se ku gjendej trupi që të kujdesej për të. Kur ai i thirri: «Mari!», ajo e kuptoi menjëherë se kush ishte dhe, pa u menduar gjatë, iu hodh në qafë duke thënë: «Rabóni!» Por nuk kishte kohë për shprehje përzemërsie njerëzore. Jezui do të ishte me ta për pak kohë. Maria duhej të nxitonte të njoftonte dishepujt e tjerë se Jezui ishte ringjallur dhe se po ngjitej, siç tha ai «tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj».—Gjo 20:11-18.
4. «Maria tjetër.» Ishte gruaja e Klopës (Alfeut) (shih KLOPA) dhe nëna e Jakovit të Vogël dhe e Jozeut. (Mt 27:56, 61; Gjo 19:25) Sipas traditës, ndonëse pa asnjë bazë biblike, Klopa ishte vëllai i Jozefit, babait birësues të Jezuit. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë kjo Mari ishte nusja e xhaxhait të Jezuit dhe fëmijët e saj ishin kushërinj të tij.
Maria nuk ishte vetëm një nga gratë që «e kishin shoqëruar Jezuin nga Galilea për t’i shërbyer», por edhe një nga ato që panë vënien e tij në shtyllë. (Mt 27:55; Mr 15:40, 41) Bashkë me Maria Magdalenën, ajo qëndroi ulur para varrit atë pasdite të trishtë të 14 nisanit. (Mt 27:61) Ditën e tretë, të dyja ato bashkë me disa gra të tjera vajtën te varri me erëza e vaj aromatik për të lyer trupin e Jezuit, por u tronditën kur e panë varrin hapur. Një engjëll u shpjegoi se Krishti ishte ngritur nga të vdekurit dhe i urdhëroi: «Shkoni, tregojuni dishepujve të tij.» (Mt 28:1-7; Mr 16:1-7; Lu 24:1-10) Rrugës, Marisë dhe të tjerave iu shfaq Jezui i ringjallur.—Mt 28:8, 9.
5. Maria, nëna e Gjonit që mbiquhej Mark, i cili ishte kushëri i Barnabës. (Ve 12:12; Kl 4:10) Në shtëpinë e saj mbante mbledhjet kongregacioni i parë i krishterë i Jerusalemit. I biri, Marku, ishte mjaft i lidhur me apostullin Pjetër që duhet të ketë kontribuar shumë në rritjen e tij frymore, pasi Pjetri e quan «Marku, biri im». (1Pj 5:13) Pasi e liruan nga burgu i Herodit, Pjetri vajti drejt e te shtëpia e saj «ku ishin mbledhur së bashku mjaft veta dhe po luteshin». Shtëpia duhet të ketë qenë mjaft e madhe dhe fakti që kishte një shërbëtore tregon se Maria ishte në gjendje të mirë. (Ve 12:12-17) Meqenëse shtëpia përmendet si shtëpia e saj dhe jo e të shoqit, ka të ngjarë që të ketë qenë vejushë.—Ve 12:12.
6. Maria në Romë. Pavli i dërgoi të fala në Letrën drejtuar Romakëve dhe e lavdëroi që ‘ishte munduar shumë’ për kongregacionin e Romës.—Ro 16:6.