KAPITULLI 73
Një samaritan tregon me vepra se është i afërm i vërtetë
SI TË TRASHËGOJMË JETËN E PËRHERSHME
SAMARITANI BËHET I AFËRM
Jezui është akoma në rrethinat e Jerusalemit, kur i afrohet një grup judenjsh. Disa duan të mësojnë prej tij, ndërsa të tjerë, ta vënë në provë. Dikush që njeh mirë Ligjin, e pyet: «Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»—Luka 10:25.
Jezui dallon se ai nuk po kërkon thjesht informacion, por ndoshta po përpiqet ta nxitë të japë një përgjigje që do t’i ofendonte judenjtë. Meqë e kupton se burri ka tashmë një pikëpamje të përcaktuar, me mençuri Jezui i përgjigjet në një mënyrë që ai ta shprehë atë që mendon.
Jezui e pyet: «Çfarë është shkruar në Ligj? Ç’ke kuptuar nga ajo që ke lexuar?» Ky person ka studiuar Ligjin e Perëndisë, ndaj përgjigjet duke cituar Ligjin e përtërirë 6:5 dhe Levitikun 19:18: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde’, si edhe ‘të afërmin tënd si veten’.» (Luka 10:26, 27) A është e saktë përgjigjja?
Jezui i thotë: «U përgjigje drejt. Vazhdo ta zbatosh këtë, dhe do të fitosh jetën.» Por, a mbyllet këtu kjo bisedë? Jo, burri nuk mjaftohet me përgjigjen. Ai po përpiqet ‘të nxjerrë veten të drejtë’, pra që Jezui t’i thotë se pikëpamja e tij është e duhura, e kështu të justifikojë mënyrën si i trajton të tjerët. Prandaj pyet: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» (Luka 10:28, 29) Përgjigjja e kësaj pyetjeje në dukje e thjeshtë, do të ketë ndikim të thellë te dëgjuesit. Si kështu?
Judenjtë besojnë se fjala ‘i afërm’ vlen vetëm për ata që mbajnë traditat judaike, dhe duket sikur Levitiku 19:18 e mbështet këtë pikëpamje. Madje judenjtë e konsiderojnë ‘të paligjshme’ të shoqërohesh me një jojude. (Veprat 10:28) Prandaj, ky burrë e ndoshta edhe disa dishepuj të Jezuit mendojnë se janë të drejtë nëse i trajtojnë me mirësi judenjtë e tjerë. Ama nuk e konsiderojnë të gabuar nëse keqtrajtojnë jojudenjtë, me justifikimin se nuk janë ‘të afërm’.
Si mund ta ndreqë Jezui këtë pikëpamje pa e ofenduar atë dhe judenjtë e tjerë? Ai u thotë këtë tregim: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko. Rrugës ra në duart e kusarëve, që e zhveshën dhe i hynë në dru; pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.» Jezui vazhdon: «Rastësisht në atë rrugë po zbriste një prift. Por, kur e pa, vazhdoi rrugën në anën tjetër. Po njësoj, në atë vend kaloi edhe një levit, i cili e pa dhe vazhdoi rrugën në anën tjetër. Tani, nëpër atë rrugë po udhëtonte edhe një samaritan. Me të mbërritur atje, e pa dhe iu dhimbs shumë.»—Luka 10:30-33.
Ky burrë me siguri e di se shumë priftërinj dhe levitë që punojnë në tempull, jetojnë në Jeriko. Për t’u kthyer nga tempulli, duhet të zbresin nëpër një rrugë rreth 23 kilometra. Ky është një udhëtim i rrezikshëm, sepse mund të të sulmojnë kusarët. Normalisht nga priftërinjtë dhe levitët pritet që ta ndihmojnë një bashkëkombës në hall. Por në tregimin e Jezuit nuk e bëjnë një gjë të tillë. Ai që e ndihmon, është një samaritan, pjesëtar i një kombi të përbuzur nga judenjtë.—Gjoni 8:48.
Si e ndihmoi samaritani judeun e plagosur? Jezui vijon: «Iu afrua, ia fashoi plagët dhe derdhi mbi to vaj dhe verë. Pastaj e hipi në kafshën e vet dhe e çoi në një han, ku u kujdes për të. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha hanxhiut dhe i tha: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më tepër, do të ta paguaj kur të kthehem.’»—Luka 10:34, 35.
Pasi përfundon tregimin, Mësuesi i Madh, Jezui, i bën burrit një pyetje që të vë në mendime: «Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërm i njeriut që ra në duart e kusarëve?» Ai i përgjigjet: «Ai që tregoi mëshirë për të.» Atëherë Jezui e bën fare të qartë mësimin duke e nxitur: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.»—Luka 10:36, 37.
Ç’metodë e efektshme mësimdhënieje! A do ta kishin pranuar mësimin ky burrë dhe judenjtë e tjerë nëse Jezui thjesht do t’u kishte thënë se edhe jojudenjtë janë të afërm? Me shumë gjasa jo. Megjithatë, përmes një tregimi të thjeshtë, me detaje që kuptohen lehtësisht nga dëgjuesit, bëhet e qartë përgjigjja e pyetjes: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» I afërm i vërtetë është kushdo që shfaq me vepra atë lloj dashurie e mirësie që na urdhërojnë Shkrimet.