Pyetje nga lexuesit
A ishte tashmë Marija, e cila u bë nëna e Jezuit, shtatzënë kur shkoi të vizitonte kushërirën e saj, Elizabetën?
Me sa duket, po, ishte.
Në kreun 1 të Lukës, së pari lexojmë se ishte shtatzënë Elizabeta, gruaja e priftit Zaharia, e cila lindi Gjonin (Pagëzorin). Kur Elizabeta ishte «në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel» vizitoi Marijen, për t’i njoftuar se do të mbeste shtatzënë e do të lindte ‘Birin e Shumë të Lartit’. (Luka 1:26, 30-33) Por, kur mbeti shtatzënë Marija?
Tregimi i Lukës vazhdon të tregojë se pak kohë më vonë Marija mori udhën për në Jude, që të vizitonte kushërirën e saj shtatzënë, Elizabetën. Kur të dy gratë u takuan, foshnja në barkun e Elizabetës (Gjoni) kërceu. Elizabeta foli për ‘frytin e barkut të Marijes’ dhe e quajti atë «nëna e Zotit tim». (Luka 1:39-44) Prandaj, përfundimi logjik është se Marija tashmë ishte ngjizur, pra, ishte shtatzënë kur shkoi për të parë Elizabetën.
Në Lukën 1:56 lexojmë: «Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.» Ky varg nuk bën një llogaritje të saktë, në mënyrë që të saktësojmë datën e saktë kalendarike. Ai thotë «gati tre muaj», pra, ndoshta në muajin e nëntë të shtatzënisë së Elizabetës.
Pasi ndihmoi Elizabetën gjatë periudhës së fundit të shtatzënisë së saj, Marija u kthye në shtëpinë e saj, në Nazaret. Ndoshta Marija mund të ketë menduar se pasi Elizabeta të lindte (Gjonin), do të vinin shumë vizitorë, madje disa prej tyre mund të ishin edhe kushërinj. Kjo gjë, mbase mund ta vinte një siklet në grua të re dhe të pamartuar, e cila ishte edhe vetë shtatzënë. Sa kohë kishte Marija shtatzënë, kur u nis për në Nazaret? Pasi qëndroi me Elizabetën «gati tre muaj», kur u kthye në Nazaret, Marija mund të ketë qenë në fund të muajit të tretë apo në fillim të muajit të katërt të shtatzënisë.