Imito mëshirën e Jehovait
«Vazhdoni të bëheni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj.»—LUKA 6:36, BR.
1. Si u treguan farisenjtë se ishin të pamëshirshëm?
EDHE pse janë krijuar në shëmbëllimin e Perëndisë, shpesh njerëzit dështojnë ta imitojnë mëshirën e tij. (Zanafilla 1:27) Shqyrto, për shembull, farisenjtë. Si një grup, ata nuk arritën dot të gëzoheshin kur Jezui me mëshirë shëroi dorën e tharë të një burri ditën e shtunë. Në vend të kësaj, ata u këshilluan kundër Jezuit «që të mund ta shkatërronin». (Mateu 12:9-14, BR) Në një rast tjetër, Jezui shëroi një burrë që ishte i verbër nga lindja. Edhe një herë, «disa farisenj» nuk gjetën shkak për t’u gëzuar në dhembshurinë e Jezuit. Përkundrazi, ata u ankuan: «Ky nuk është një njeri nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën.»—Gjoni 9:1-7, 16.
2, 3. Çfarë donte të thoshte Jezui me shprehjen «ruhuni nga majaja e farisenjve»?
2 Qëndrimi i pandjeshëm i farisenjve përbënte një krim kundër njerëzimit dhe një mëkat kundër Perëndisë. (Gjoni 9:39-41) Me arsye të vlefshme, Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij, duke u thënë «ruhuni nga majaja» e këtij grupi elitar dhe e fetarëve të tjerë, siç ishin saducenjtë. (Mateu 16:6, BR) Majaja në Bibël përdoret për të paraqitur mëkatin ose prishjen. Kështu, Jezui po thoshte se mësimi i «skribëve dhe farisenjve» mund ta prishte adhurimin e pastër. Në ç’mënyrë? Duke i mësuar njerëzit që ta shihnin Ligjin e Perëndisë vetëm sipas rregullave dhe riteve të tyre arbitrare, duke shpërfillur «gjërat më të rëndësishme», ku përfshihej edhe mëshira. (Mateu 23:23) Kjo formë rituale e fesë e bënte adhurimin e Perëndisë një barrë të patolerueshme.
3 Në pjesën e dytë të shëmbëlltyrës së tij me plëngprishësin, Jezui demaskoi mënyrën e korruptuar të të menduarit të udhëheqësve fetarë judenj. Në shëmbëlltyrë, ati, që paraqet Jehovain, ishte i etshëm ta falte birin e tij të penduar. Por vëllai më i madh i djalit, i cili tipizonte «farisenjtë dhe skribët» kishte ndjenja krejt të ndryshme mbi çështjen.—Luka 15:2.
Inati i vëllait
4, 5. Në cilin kuptim ishte i «humbur» vëllai i plëngprishësit?
4 «Tani biri i tij më i madh ishte në fushë dhe ndërsa erdhi e iu afrua shtëpisë dëgjoi një koncert me muzikë dhe vallzim. Kështu, thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë donin të thoshin këto gjëra. Ai i tha: ‘Ka ardhur vëllai yt dhe ati yt theri demin e ri të majmur, sepse ai u kthye shëndoshë e mirë.’ Por, ai u mbush me inat dhe nuk donte të hynte brenda.»—Luka 15:25-28, BR.
5 Qartë, në shëmbëlltyrën e Jezuit, plëngprishësi nuk ishte i vetmi që kishte probleme. «Që të dy bijtë e portretizuar këtu janë të humbur,—thotë një vepër referimi,—njëri për shkak të padrejtësisë që e degradon, tjetri për shkak të drejtësisë së vetëshpallur që e verbon.» Vëreni se vëllai i plëngprishësit jo vetëm që refuzoi të gëzohej, por edhe «u mbush me inat». Rrënja greke për fjalën «inat» sugjeron, jo aq shumë një shpërthim zemërimi, por një gjendje të vazhdueshme të mendjes. Me sa duket, vëllai i plëngprishësit ushqente një mëri të rrënjosur thellë, prandaj mendonte se ishte e papërshtatshme të kremtohej kthimi i dikujt që pikësëpari nuk duhej të kishte ikur kurrë nga shtëpia.
6. Kë përfaqëson vëllai i plëngprishësit dhe pse?
6 Vëllai i plëngprishësit paraqet shumë mirë ata njerëz, të cilëve s’u pëlqeu mëshira dhe kujdesi që u kushtoi Jezui mëkatarëve. Këta njerëz të vetëshpallur të drejtë jo vetëm që nuk i preku mëshira e Jezuit, por as nuk pasqyruan gëzimin në qiell që shkaktohet kur falet një mëkatar. Përkundrazi, mëshira e Jezuit u provokoi atyre inat dhe ata filluan ‘të mendonin gjëra të liga’ në zemrën e tyre. (Mateu 9:2-4, BR) Në një rast, zemërimi i disa farisenjve ishte kaq i madh, saqë e ndoqën një burrë që kishte shëruar Jezui dhe «e nxorën jashtë» sinagogës, me sa duket e përjashtuan. (Gjoni 9:22, 34) Ashtu si vëllai i plëngprishësit, i cili «nuk donte të hynte brenda», udhëheqësit fetarë judaikë refuzuan prerazi kur kishin rast për të ‘gëzuar me ata që gëzoheshin’. (Romakëve 12:15) Jezui e demaskoi më tej arsyetimin e tyre të lig, ndërsa vazhdoi të tregonte shëmbëlltyrën e tij.
Arsyetim i gabuar
7, 8. (a) Në ç’mënyrë vëllai i plëngprishësit nuk e kishte kapur kuptimin e birërisë? (b) Ku qëndron ndryshimi mes birit më të madh dhe atit të tij?
7 «Pastaj i ati doli përjashta dhe filloi t’i lutej. Duke u përgjigjur, ai i tha të atit: ‘Ja ku janë kaq shumë vite që unë jam skllavëruar për ty dhe as edhe një herë nuk e kam shkelur urdhërimin tënd e, megjithatë, ti nuk më dhe as edhe një herë një kec që të gëzohesha me miqtë e mi. Por sapo mbërriti ky biri yt që i harxhoi mjetet e tua të jetesës me prostituta, ti there demin e ri të majmur për të.’»—Luka 15:28-30, BR.
8 Me këto fjalë, vëllai i plëngprishësit e bëri të qartë se nuk e kishte kapur kuptimin e vërtetë të birërisë. Ai i shërbente të atit gati-gati ashtu si një punëtor i shërben punëdhënësit të tij. Në fakt, ai i tha të atit: «Unë jam skllavëruar për ty.» Vërtetë, ky bir më i madh nuk ishte larguar kurrë nga shtëpia ose nuk e kishte shkelur kurrë urdhërimin e të atit. Por a ishte e motivuar nga dashuria bindja e tij? A gjente ai gëzim të vërtetë duke i shërbyer të atit apo në vend të kësaj kishte rënë gradualisht në një vetëkënaqësi të fryrë, duke besuar se ishte një bir i mirë thjesht sepse i kryente detyrat e tij «në fushë»? Nëse ishte vërtet një bir i devotshëm, përse dështoi ai të pasqyronte mendimet e të atit? Kur iu dha rasti për t’i treguar mëshirë vëllait të tij, pse në zemrën e tij nuk pati vend për mëshirë?—Krahaso Psalmin 50:20-22.
9. Shpjego se si i ngjanin birit më të madh udhëheqësit fetarë judenj.
9 Udhëheqësit fetarë judenj i ngjanin këtij biri më të madh. Ata besonin se ishin besnikë ndaj Perëndisë, sepse i përmbaheshin rreptësisht një kodi ligjesh. Kuptohet, bindja është jetësore. (1. Samuelit 15:22) Por, theksi i tepërt që ata i vinin veprave të tyre, e ktheu adhurimin e Perëndisë në një rutinë mekanike, thjesht në një vitrinë devocioni pa një brendi të vërtetë frymore. Mendjet i kishin të fiksuara te traditat. Zemrat e tyre ishin pa dashuri. E, pra, ata i konsideronin njerëzit e thjeshtë si pluhurin nën këmbët e tyre, madje duke iu referuar me përbuzje si «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:49, BR) Vërtet, si mund t’i bënin përshtypje Perëndisë veprat e këtyre udhëheqësve, kur zemrat e tyre ishin shumë larg tij?—Mateu 15:7, 8.
10. (a) Pse fjalët «dua mëshirë, jo flijim» ishin një këshillë e përshtatshme? (b) Sa serioze është mungesa e mëshirës?
10 Jezui u tha farisenjve: «Shkoni . . . e mësoni se çfarë do të thotë ‘dua mëshirë e jo flijim’.» (Mateu 9:13, BR; Hozea 6:6) Përparësitë e tyre ishin turbulluar, sepse pa mëshirën të gjitha sakrificat e tyre do të ishin të kota. Kjo është në fakt një çështje serioze, pasi Bibla pohon se «të pamëshirshmit» numërohen mes atyre që Perëndia i konsideron se «meritojnë vdekjen». (Romakëve 1:31, 32) Nuk habitemi, pra, që Jezui tha se, si klasë, udhëheqësit fetarë ishin të paracaktuar për shkatërrimin e përhershëm. Duket se mungesa e mëshirës nga ana e tyre kontribuoi në një masë të madhe që ata ta meritonin këtë gjykim. (Mateu 23:33) Por ndoshta individë nga kjo klasë mund të ndihmoheshin. Në përfundim të shëmbëlltyrës së tij, Jezui u përpoq ta ndreqte mendimin e këtyre judenjve nëpërmjet fjalëve që ati i thotë birit të tij më të madh. Le të shohim se si.
Mëshira e të atit
11, 12. Si përpiqet të arsyetojë ati në shëmbëlltyrën e Jezuit me birin e tij më të madh dhe çfarë mund të jetë domethënëse në frazën «vëllai yt» që përdori ati?
11 «Pastaj ai i tha atij: ‘Bir, ti ke qenë gjithnjë me mua dhe të gjitha gjërat që janë të miat janë të tuat, por ne duhej të gëzoheshim dhe të ngazëllonim, sepse ky vëllai yt ishte i vdekur dhe erdhi në jetë, ishte i humbur dhe u gjet.’»—Luka 15:31, 32, BR.
12 Vëreni se ati përdori shprehjen «vëllai yt». Pse? Mirë, pra, kujto se duke folur me të atin, biri më i madh e kishte quajtur plëngprishësin «biri yt», jo «vëllai im». Nuk dukej se ai e pranonte lidhjen familjare që ekzistonte mes tij dhe vëllait të tij. Kështu që, në fakt, ati po i thotë djalit të tij më të madh: ‘Ky nuk është vetëm biri im. Ai është vëllai yt, mishi dhe gjaku yt. Ti ke të gjitha arsyet që të gëzohesh për kthimin e tij!’ Mesazhi i Jezuit duhej të kishte qenë i qartë për udhëheqësit judenj. Mëkatarët që ata i përbuznin ishin në fakt «vëllezërit» e tyre. Në të vërtetë, «nuk ka asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë». (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:20) Judenjtë kishin çdo arsye për t’u gëzuar kur mëkatarët pendoheshin.
13. Me çfarë pyetje të thellë na lë përfundimi i menjëhershëm i shëmbëlltyrës së Jezuit?
13 Pas lutjes së të atit shëmbëlltyra mbaron menjëherë. Është njësoj sikur Jezui po i fton dëgjuesit e tij t’ia japin vetë përfundimin tregimit. Cilado të kishte qenë përgjigjja e birit më të madh, çdo dëgjues ballafaqohet me pyetjen: ‘A do të marrësh pjesë ti në gëzimin që përjetohet në qiell kur një mëkatar pendohet?’ Edhe të krishterët sot kanë mundësi ta bëjnë të dukshme përgjigjen e tyre ndaj asaj pyetjeje. Si?
Të imitojmë sot mëshirën e Perëndisë
14. (a) Si mund ta zbatojmë këshillën e Pavlit që gjejmë në Efesianëve 5:1, kur bëhet fjalë për mëshirën? (b) Kundër cilit keqkuptim në lidhje me mëshirën e Perëndisë duhet të ruhemi?
14 Pavli i këshilloi efesianët: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur.» (Efesianëve 5:1) Kështu, si të krishterë ne duhet të arrijmë të çmojmë mëshirën e Perëndisë, ta mbjellim atë thellë në zemrën tonë dhe pastaj ta shfaqim këtë cilësi në marrëdhëniet tona me të tjerët. Sidoqoftë, këtu duhet pasur kujdes. Përdëllimi i Perëndisë nuk duhet keqkuptuar si një minimizim i mëkatit. Për shembull, ka disa që me mospërfillje mund të arsyetojnë: ‘Po të kryej një mëkat, unë mund t’i lutem Perëndisë për falje dhe ai do të jetë i mëshirshëm.’ Një qëndrim i tillë do të përbënte atë që shkrimtari biblik Juda e quajti ‘ta shndërrosh dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë tonë në një justifikim për sjellje të shthurur’. (Juda 4, BR) Edhe pse Jehovai është i mëshirshëm, «në asnjë mënyrë ai nuk do të përjashtojë nga ndëshkimi» kur të gjykojë keqbërësit e papenduar.—Dalja 34:7, BR; krahaso Josiun 24:19; 1. Gjonit 5:16.
15. (a) Pse në veçanti pleqtë duhet të mbajnë një pikëpamje të ekuilibruar mbi mëshirën? (b) Edhe pse nuk tolerojnë keqbërjen e vullnetshme, çfarë duhet të përpiqen të bëjnë pleqtë dhe pse?
15 Nga ana tjetër ne duhet të jemi po kaq të kujdesshëm për t’u ruajtur nga ekstremi tjetër: prirja për t’u bërë të ngurtë dhe gjykues ndaj atyre që shfaqin pendim të vërtetë dhe trishtim sipas Perëndisë për mëkatet e tyre. (2. Korintasve 7:11) Meqë pleqve u është besuar kujdesja për delet e Jehovait, është thelbësore që ata të mbajnë një pikëpamje të ekuilibruar në këtë aspekt, veçanërisht kur trajtojnë çështjet gjyqësore. Kongregacioni i krishterë duhet mbajtur i pastër dhe është e përshtatshme nga ana biblike të ‘nxirret i ligu’ me anë të përjashtimit. (1. Korintasve 5:11-13) Në të njëjtën kohë, është e shkëlqyer të ofrojmë mëshirën kur ka një bazë të qartë për të. Prandaj, edhe pse pleqtë nuk e tolerojnë keqbërjen e vullnetshme, ata përpiqen të kërkojnë një rrugë të dashur dhe të mëshirshme, brenda kufijve të drejtësisë. Ata janë gjithnjë të vetëdijshëm për parimin biblik: «Ai që nuk praktikon mëshirën do ta ketë pa mëshirë gjykimin e tij. Mëshira ngazëllohet triumfalisht mbi gjykimin.»—Jakovit 2:13, BR; Proverbat 19:17; Mateu 5:7.
16. (a) Duke përdorur Biblën, trego se Jehovai dëshiron me të vërtetë që personat, të cilët gabojnë, të kthehen tek ai. (b) Si mund ta demonstrojmë se edhe ne e mirëpresim rikthimin e mëkatarëve të penduar?
16 Shëmbëlltyra e plëngprishësit e bën të qartë se Jehovai dëshiron që ata, të cilët gabojnë, të kthehen tek ai. Në fakt, ai ua ofron ende ftesën atyre deri në momentin kur ata tregohen absolutisht të papenduar. (Ezekieli 33:11; Malakia 3:7; Romakëve 2:4, 5; 2. Pjetrit 3:9) Ashtu si ati i plëngprishësit, Jehovai i trajton me dinjitet ata që kthehen, duke i pranuar përsëri si pjesëtarë të familjes me të drejta të plota. A po e imiton Jehovain në këtë aspekt? Kur rivendoset një bashkëbesimtar, i cili për njëfarë kohe ka qenë i përjashtuar, si reagon ti? Ne e dimë tashmë se ekziston ‘gëzim në qiell’. (Luka 15:7) Por a ka gëzim në tokë, në kongregacionin tënd, madje edhe në zemrën tënde? Apo, ashtu si biri më i madh në shëmbëlltyrë, ka ndopak mëri, sikur dikush që pikësëpari nuk duhet ta kishte lënë kopenë e Perëndisë të mos meritonte asnjë mirëseardhje?
17. (a) Cila situatë u zhvillua në Korintin e shekullit të parë dhe si i këshilloi Pavli ta trajtonin çështjen ata që ishin në kongregacion? (b) Pse këshilla e Pavlit ishte praktike dhe si mund ta zbatojmë atë sot? (Shiko edhe kutinë në të djathtë.)
17 Që të ndihmohemi të shqyrtojmë veten nën këtë aspekt, konsidero çfarë ndodhi rreth vitit 55 të e.s. në Korint. Atje, një njeri që ishte përjashtuar nga kongregacioni më në fund e pastroi jetën e tij. Çfarë do të bënin vëllezërit? A duhet ta konsideronin ata me skepticizëm pendimin e tij dhe të vazhdonin ta shmangnin? Përkundrazi, Pavli i nxiti korintasit: «Ju me dashamirësi duhet ta falni dhe ta ngushëlloni atë, që ky njeri të mos gëlltitet në ndonjë farë mënyre duke qenë tepër i trishtuar. Prandaj, ju bëj thirrje që t’ia vërtetoni dashurinë tuaj për të.» (2. Korintasve 2:7, 8) Shpesh, keqbërësit e penduar janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndjenjave të turpit dhe të dëshpërimit. Prandaj, këta kanë nevojë t’iu sigurohet se bashkëbesimtarët dhe Jehovai i duan akoma. (Jeremia 31:3; Romakëve 1:12) Kjo është jetësore. Pse?
18, 19. (a) Si e kishin treguar më parë korintasit se ishin tepër tolerantë? (b) Në ç’mënyrë një qëndrim i pamëshirshëm mund të ketë sjellë si rezultat që të krishterët ‘t’i mashtronte Satanai’?
18 Duke u bërë thirrje korintasve të praktikonin faljen, Pavli dha si një nga arsyet që «të mos na mashtrojë Satanai, sepse ne nuk jemi në padije të planeve të tij». (2. Korintasve 2:11, BR) Çfarë donte të thoshte? E pra, më parë Pavlit iu desh ta qortonte kongregacionin sepse ishte tepër tolerant. Ata e kishin lejuar po këtë njeri që të vazhdonte mëkatin e tij pa u ndëshkuar. Duke bërë kështu, kongregacioni, e në veçanti pleqtë, po bënin lojën e Satanait, të cilit do t’i kishte pëlqyer ta sillte kongregacionin në një gjendje të diskredituar.—1. Korintasve 5:1-5.
19 Sikur ata tani të shkonin në ekstremin tjetër dhe të refuzonin ta falnin të penduarin, Satanai do t’i mashtronte në një drejtim tjetër. Si? Ai mund të përfitonte nga fakti që ata tregoheshin të ashpër dhe të pamëshirshëm. Nëse mëkatari i penduar ‘gëlltitej duke qenë tepër i trishtuar’, ose siç e përkthen Today’s English Version, ‘kaq i trishtuar sa të dorëzohej plotësisht’, sa përgjegjësi të rëndë do të mbanin pleqtë para Jehovait! (Krahaso Ezekielin 34:6; Jakovit 3:1.) Me arsye të vlefshme, pasi i paralajmëron ithtarët e tij ndaj pengimit të «njërit prej këtyre të vegjëlve», Jezui tha: «Kushtojini vëmendje vetes. Nëse vëllai juaj kryen një mëkat jepini një qortim dhe nëse pendohet faleni.»a—Luka 17:1-4, BR.
20. Në ç’mënyrë ka gëzim si në qiell, ashtu edhe në tokë kur pendohet një mëkatar?
20 Mijëra personat që rikthehen çdo vit në adhurimin e pastër janë mirënjohës për mëshirën që u ka treguar Jehovai. «Nuk kujtoj ndonjë kohë tjetër në jetën time kur kam qenë kaq e lumtur për ndonjë gjë»,—thotë një motër e krishtere për rivendosjen e saj. Sigurisht, gëzimit të saj i bëhet një jehonë ndër engjëjt. U bashkofshim edhe ne me ‘gëzimin në qiell’ që ndodh kur pendohet një mëkatar. (Luka 15:7) Duke bërë kështu, ne do të jemi duke imituar mëshirën e Jehovait.
[Shënimi]
a Edhe pse duket që keqbërësi në Korint u rivendos brenda një periudhe të shkurtër kohe, kjo nuk duhet përdorur si një standard për të gjitha përjashtimet. Secili rast është i ndryshëm. Disa keqbërës fillojnë të shfaqin pendimin e vërtetë pothuaj menjëherë pasi janë përjashtuar. Për disa të tjerë, duhet të kalojnë ca kohë para se të bëhet i dukshëm ky qëndrim. Sidoqoftë, në çdo rast, ata që rivendosen së pari duhet të tregojnë dëshmi të trishtimit sipas Perëndisë dhe, atje ku është e mundur, të shfaqin veprat e përshtatshme të pendimit.—Veprat 26:20; 2. Korintasve 7:11.
Rishikim
◻ Në ç’mënyrë vëllai i plëngprishësit u ngjante udhëheqësve fetarë judenj?
◻ Në cilën mënyrë nuk e kapi vëllai i plëngprishësit kuptimin e vërtetë të birërisë?
◻ Duke medituar mbi mëshirën e Perëndisë, cilat dy ekstreme duhet të evitojmë?
◻ Si mund ta imitojmë sot mëshirën e Perëndisë?
[Kutia në faqen 17]
«VËRTETONI DASHURINË TUAJ PËR TË»
Në lidhje me keqbërësin e përjashtuar që kishte shfaqur pendim, Pavli i tha kongregacionit të krishterë: «Ju bëj thirrje t’ia vërtetoni dashurinë tuaj për të.» (2. Korintasve 2:8, BR) Fjala greke e përkthyer «vërtetoj» është një term ligjor që do të thotë të «ratifikosh». Po, të penduarit që rivendosen duhet ta ndiejnë se i duan dhe se janë përsëri të mirëpritur si pjesëtarë të kongregacionit.
Sidoqoftë, duhet të mbajmë në mend se shumica e pjesëtarëve të kongregacionit nuk janë në dijeni të rrethanave të veçanta që çuan në përjashtimin e një personi ose në rivendosjen e tij. Përveç kësaj, në kongregacion mund të jenë disa që janë ndikuar ose dëmtuar personalisht, ndoshta edhe për një kohë të gjatë, nga keqbërja e të penduarit. Prandaj, duke qenë të ndjeshëm ndaj këtyre gjërave, kur bëhet një njoftim rivendosjeje, në mënyrë të kuptueshme ne nuk do të shfaqim shprehje mirëseardhjeje, derisa kjo gjë të mund të bëhet personalisht.
Sa e forcon besimin e atyre që janë rivendosur dijenia se janë të mirëpritur përsëri si pjesëtarë të kongregacionit të krishterë! Ne mund t’i inkurajojmë këta të penduar, duke biseduar me ta dhe duke gëzuar shoqërinë e tyre në Sallën e Mbretërisë, në shërbim dhe në raste të tjera të përshtatshme. Duke e vërtetuar ose ratifikuar në këtë mënyrë dashurinë tonë për këta persona të dashur, ne nuk e minimizojmë në asnjë mënyrë seriozitetin e mëkateve që kryen ata. Në vend të kësaj, bashkë me moritë qiellore, ne gëzohemi për faktin se ata e kanë hedhur poshtë drejtimin mëkatar dhe janë rikthyer te Jehovai.—Luka 15:7.
[Figura në faqen 15]
Biri më i madh refuzoi të gëzohej për rikthimin e vëllait të tij