KAPITULLI 92
Një i lebrosur mirënjohës
JEZUI SHËRON DHJETË TË LEBROSUR
Sinedri ka komplotuar vrasjen e Jezuit, por plani dështon sepse Jezui largohet për në Efraim, diku në verilindje të Jerusalemit. Ai qëndron atje bashkë me dishepujt, larg armiqve. (Gjoni 11:54) Megjithatë po afron Festa e Kalimit e vitit 33 të e.s., ndaj Jezui do të niset prapë për rrugë. Udhëton drejt veriut, nëpër Samari dhe ngjitet në Galile. Është hera e fundit që shkon në këtë zonë para se të vdesë.
Jezui është duke udhëtuar nga njëri fshat në tjetrin, kur takon dhjetë burra të sëmurë me lebër. Në disa raste, kjo sëmundje shkakton rënie graduale të mishit, si për shembull te gishtërinjtë dhe te veshët. (Numrat 12:10-12) Sipas Ligjit të Perëndisë, një i lebrosur duhet të thërrasë: «I papastër! I papastër!», dhe të jetojë i izoluar.—Levitiku 13:45, 46.
Ja pse dhjetë të lebrosurit mbajnë njëfarë distance nga Jezui. Megjithatë thërrasin me zë të lartë: «Jezu, Mësues, ki mëshirë për ne!» Me t’i vënë re, Jezui u thotë: «Shkoni dhe paraqituni te priftërinjtë.» (Luka 17:13, 14) Kështu tregon respekt për Ligjin e Perëndisë, sipas të cilit priftërinjtë kanë autoritet t’i shpallin të pastër të lebrosurit e shëruar. Pas kësaj, ish të lebrosurit mund të jetojnë sërish mes njerëzve të shëndetshëm.—Levitiku 13:9-17.
Dhjetë të lebrosurit kanë besim te fuqia e Jezuit për të bërë mrekulli. Ja pse, ndonëse s’janë shëruar akoma, ata nisen për te priftërinjtë. Dhe besimi i tyre shpërblehet: gjatë rrugës, shohin dhe ndiejnë se janë shëruar!
Nëntë nga të lebrosurit e shëruar vazhdojnë rrugën, kurse njëri jo. Ky burrë, një samaritan, kthehet të kërkojë Jezuin. Pse? Sepse është tejet mirënjohës. Ai ‘i jep lavdi Perëndisë me zë të lartë’, pasi e kupton se është shëruar vetëm falë Tij. (Luka 17:15) Kur e takon Jezuin, burri përkulet dhe e falënderon.
Jezui u thotë njerëzve përreth: «A nuk u pastruan dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? Asnjë tjetër nuk u kthye që t’i jepte lavdi Perëndisë, përveç këtij njeriu nga një komb tjetër?» Pastaj i thotë samaritanit: «Ngrihu dhe vazhdo rrugën. Besimi yt të shëroi.»—Luka 17:17-19.
Shërimi i dhjetë të lebrosurve tregon se Jezui ka mbështetjen e Perëndisë Jehova. Falë kësaj mrekullie, një prej burrave jo vetëm shërohet, por ka të ngjarë që është në udhën e jetës. Sot Perëndia nuk bën mrekulli të tilla me anë të Jezuit. Ama, po të tregojmë besim te Jezui, mund të hyjmë në udhën e jetës—jetës së përhershme. A jemi mirënjohës si ai samaritan për këtë mundësi?