Ç’do të thotë të lindësh përsëri?
Përgjigjja e Biblës
Shprehja «lind përsëri» i referohet një fillimi të ri në marrëdhënien midis Perëndisë dhe personit që lind përsëri. (Gjoni 3:3, 7) Zoti i birëson si bij ata që lindin përsëri. (Romakëve 8:15, 16; Galatasve 4:5; 1 Gjonit 3:1) Ashtu si ata që birësohen ligjërisht, edhe këta ndryshojnë status dhe bëhen pjesë e familjes së Perëndisë.—2 Korintasve 6:18.
Pse lind përsëri një person?
Jezui tha: «Në qoftë se dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:3) Pra, duke lindur përsëri, ai përgatitet të qeverisë me Krishtin në Mbretërinë e Perëndisë. Kjo Mbretëri qeveris nga qielli, prandaj Bibla thotë se ‘lindja e re’ i siguron një trashëgimi të «rezervuar në qiej». (1 Pjetrit 1:3, 4) Atyre që lindin përsëri, u jepet siguria se ‘do të mbretërojnë bashkë’ me Krishtin.—2 Timoteut 2:12; 2 Korintasve 1:21, 22.
Si lind përsëri një person?
Kur Jezui foli për këtë temë, tha se ata që lindin përsëri, ‘do të lindnin nga uji dhe nga fryma’. (Gjoni 3:5) Kjo shprehje i referohet pagëzimit në ujë që pasohet nga pagëzimi me frymë të shenjtë.—Veprat 1:5; 2:1-4.
Jezui ishte i pari që lindi përsëri. U pagëzua në lumin Jordan, dhe pas kësaj Zoti e mirosi (ose e pagëzoi) me frymë të shenjtë. Pra, Jezui lindi përsëri si bir i Perëndisë i mirosur me frymë të shenjtë, me shpresën se do t’i rikthehej jetës në qiell. (Marku 1:9-11) Dhe Perëndia e realizoi këtë shpresë duke e ringjallur si krijesë qiellore.—Veprat 13:33.
Edhe të tjerë që lindin përsëri, pagëzohen në ujë para se të marrin frymën e shenjtë.a (Veprat 2:38, 41) Pas kësaj kanë shpresën e sigurt se do të jetojnë në qiell, shpresë që Perëndia do ta realizojë kur t’i ringjallë.—1 Korintasve 15:42-49.
Ide të gabuara për konceptin ‘të lindësh përsëri’
Ide e gabuar: Një person duhet të lindë përsëri që të shpëtojë ose që të bëhet i krishterë.
Fakt: Flijimi i Krishtit u siguron shpëtimin jo vetëm atyre që lindin përsëri për të mbretëruar me Krishtin në qiell, por edhe nënshtetasve tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë. (1 Gjonit 2:1, 2; Zbulesa 5:9, 10) Ky grup i dytë i të krishterëve ka mundësinë të jetojë përgjithmonë në Parajsën në tokë.—Psalmi 37:29; Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:1-5.
Ide e gabuar: Një person mund të zgjedhë të lindë përsëri.
Fakt: Të gjithë kanë mundësi t’i afrohen Perëndisë e të fitojnë shpëtimin. (1 Timoteut 2:3, 4; Jakovi 4:8) Megjithatë është Perëndia që i zgjedh ata që do të lindin përsëri, ose që do të mirosen me frymë të shenjtë. Sipas Biblës, lindja përsëri «nuk varet as nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon [ose që përpiqet], por nga Perëndia». (Romakëve 9:16) Shprehja «lind përsëri» do të thotë edhe ‘të lindësh nga lart’b, duke mbështetur edhe një herë faktin se zgjedhja e atyre që lindin përsëri, bëhet nga lart, domethënë nga Perëndia.—Gjoni 3:3.
a Përjashtim bën rasti i Kornelit dhe i atyre që ishin me të.—Veprat 10:44-48.
b Mjaft versione biblike e përkthejnë Gjonin 3:3 në këtë mënyrë. Për shembull, përkthimi Simon Filipaj thotë: «Kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.»