BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/6 f. 24-28
  • «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përçarja fetare
  • Farisenjtë
  • Ata ishin novatorë fetarë
  • Shfuqizim
  • Saducenjtë
  • Persekutues të Jezuit dhe ithtarëve të tij
  • Nevoja për të qenë vigjilentë
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • «Mësoni prej meje»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Jezui denoncon kundërshtarët e tij
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
  • Jezui shton bukët dhe jep paralajmërim për majanë
    Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/6 f. 24-28

«Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve»

KUR Jezu Krishti shqiptoi këto fjalë, 19 shekuj më parë, ai po i paralajmëronte dishepujt e tij kundër mësimeve dhe praktikave të dëmshme fetare. (Mateu 16:6, 12) Tregimi i Markut 8:15 saktëson: «Ruhuni nga majaja e farisenjve dhe majaja e Herodit.» Përse përmendi Herodin? Sepse disa nga saducenjtë ishin herodianë, ithtarë të një grupi politik.

Përse ishte i nevojshëm ky paralajmërim i posaçëm? A nuk ishin si farisenjtë edhe saducenjtë kundërshtarë të shpallur të Jezuit? (Mateu 16:21; Gjoni 11:45-50) Po, ishin. Por disa prej tyre më vonë do të pranonin krishterimin dhe më pas do të përpiqeshin të futnin idetë tyre në kongregacionin e krishterë.​—Veprat 15:5.

Ekzistonte, gjithashtu, rreziku që vetë dishepujt të imitonin këta udhëheqës fetarë, nën ndikimin e të cilëve ishin rritur. Ndonjëherë, vetë fakti se vinin nga një ambient i tillë fetar, përbënte një pengesë për kapjen e kuptimit të mësimeve të Jezuit nga ana e tyre.

Përse mësimet dhe qëndrimi i farisenjve e saducenjve ishin kaq të rrezikshme? Një vështrim i rrethanave fetare në ditët e Jezuit do të na japë një ide.

Përçarja fetare

Lidhur me komunitetin hebre të shekullit të parë, historiani Maks Radin shkroi: «Pavarësia e kongregacioneve hebreje nga njëri-tjetri ishte shumë e dukshme, e madje ngulej këmbë lidhur me të. . . . Shpesh, kur nderimi për tempullin dhe qytetin e shenjtë theksohej në mënyrë të fuqishme, mund të manifestohej përbuzje e madhe për ata që në atë moment ishin mbajtësit e autoriteteve më të larta të mëmëdheut.»

Vërtet një gjendje e mjerë frymore! Cilët ishin disa nga faktorët që i kontribuonin? Hebrenjtë nuk jetonin të gjithë në Palestinë. Ndikimi i kulturës greke, sipas së cilës priftërinjtë nuk ishin në krye të komunitetit, luajti rolin e vet në minimin e respektit për rregullimin e Jehovait për priftërinë. (Të Dalët 28:29; 40:12-15) Nuk duhej kaluar pa vënë re edhe ndikimi i laikëve të shkolluar dhe i skribëve.

Farisenjtë

Emri farisenj ose Peru·shimʹ ka mundësi të nënkuptojë «të përçarët». Farisenjtë e quanin veten ithtarë të Moisiut. Ata formuan ligën ose vëllazërinë e tyre (në hebraisht chavu·rahʹ). Për t’u pranuar anëtar, duhej bërë një betim para tre anëtarëve të tjerë të ligës për ruajtjen me fanatizëm të pastërtisë levitike, për shmangien e shoqërisë së ngushtë me ʽam-ha·ʼaʹrets (shumicën e pashkolluar) dhe për pagimin me përpikmëri të të dhjetave. Marku 2:16 flet për «skribët e farisenjve». (BR) Disa anëtarë të kësaj partie ishin skribë dhe mësues profesionistë, ndërsa të tjerët ishin laikë.​—Mateu 23:1-7.

Farisenjtë besonin në një Perëndi të kudondodhur. Ata arsyetonin se përderisa «Perëndia ishte kudo, ai mund të adhurohej si brenda, ashtu edhe jashtë tempullit dhe nuk duhej thirrur vetëm përmes sakrificave. Kështu, ata kujdeseshin për sinagogën si për një vend adhurimi, studimi e lutjesh dhe i rezervuan një vend qendror dhe të rëndësishëm në jetën e njerëzve, duke rivalizuar tempullin.»​—Encyclopaedia Judaica.

Farisenjtë nuk e çmonin tempullin e Jehovait. Kjo mund të shihet nga fjalët e Jezuit: «Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar.’ Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin? ‘Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por në qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar.’ Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën? Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është mbi të.»​—Mateu 23:16-20.

Si mund të bënin farisenjtë arsyetime kaq të shtrembra? Çfarë kalonin pa vënë re? Vëre çfarë tha më pas Jezui. «Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.» (Mateu 23:21) Lidhur me këtë varg, dijetari E. P. Sanders, vërejti: «Tempulli ishte i shenjtë jo vetëm sepse atje adhurohej Perëndia i shenjtë, por edhe sepse ai ishte atje.» (Judaism: Practice and Belief, 63 BCE—66 CE) Megjithatë, prania e veçantë e Jehovait nuk do të thoshte shumë për ata që mendonin se ai ishte kudo.

Farisenjtë besonin, gjithashtu, në një kombinim të paracaktimit me vullnetin e lirë. Me fjalë të tjera, «çdo gjë është e parashikuar, megjithatë jepet liria e zgjedhjes». Gjithashtu, ata besonin se ishte paracaktuar që Adami dhe Eva të mëkatonin dhe madje se ishte shkruar edhe prerja më e vogël e gishtit.

Ndoshta Jezui kishte pasur në mend këto ide të gabuara kur foli për shembjen e një kulle që shkaktoi vdekjen e 18 personave. Ai pyeti: «A mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?» (Luka 13:4) Si në shumicën e aksidenteve, ky ishte rezultat i «kohës dhe ngjarjes së paparashikuar» e jo i fatit siç mësonin farisenjtë. (Eklisiastiu 9:11, BR) Si do t’i konsideronin urdhërimet biblike këta njerëz që mbaheshin si të ditur?

Ata ishin novatorë fetarë

Farisenjtë mendonin se urdhrat biblike duheshin interpretuar nga rabinët e çdo brezi sipas ideve të fundit më të përparuara. Kështu, Encyclopaedia Judaica thotë se ata «nuk e patën shumë të vështirë të harmonizonin mësimet e Torës me idetë e tyre më të përparuara ose të gjenin hije ose hamendje të ideve të tyre në fjalët e Torës».

Përsa i përket ditës vjetore të shlyerjes, ata e transferuan fuqinë e shlyerjes së mëkateve nga kryeprifti tek dita vetë. (Levitiku 16:30, 33) Në kremtimin e Pashkës, ata i kushtuan një rëndësi më të madhe recitimit të mësimeve nga tregimi biblik Të Dalët mbi verën dhe bukët e ndorme, sesa qengjit të Pashkës.

Me kalimin e kohës, ndikimi i farisenjve u ndie edhe në tempull. Vendosën një grup njerëzish për të ngarkuar ujë nga pellgu i Siloamit, një libacion nga ai ujë gjatë festës së korrjes, rrahjen e degëve të shelgut mbi altar në përfundim të festës dhe lutjet e rregullta çdo ditë që Ligji as që i përmendte.

«Veçanërisht domethënëse» ishin «novacionet e farisenjve lidhur me sabatin»,—thotë The Jewish Encyclopedia. Nga gruaja kërkohej që ta priste sabatin duke ndezur llampa. Në qoftë se dukej se ndonjë aktivitet çonte në një punë të paligjshme, farisenjtë e ndalonin. Ata arritën deri aty sa vendosën rregulla mbi kurat mjekësore dhe u irrituan lidhur me shërimet e mrekullueshme të Jezuit në sabat. (Mateu 12:9-14; Gjoni 5:1-16) Megjithatë, këta novatorë fetarë nuk u mjaftuan vetëm me vendosjen e institucioneve të reja, në përpjekje për të formuar një gardh për mbrojtjen e ligjeve nga Shkrimet.

Shfuqizim

Farisenjtë i dhanë vetes autoritet për të pezulluar apo anuluar ligjet nga Shkrimet. Arsyetimi i tyre pasqyrohet në aforizmin talmudik: «Më mirë të zhduket një ligj i vetëm, sesa të harrohet e gjithë Tora.» Një rast ishte ndërprerja e kremtimit të Jubileut, sepse përndryshe me afrimin e tij, askush nuk do t’u kishte dhënë hua të varfërve nga frika se mos ajo që kishin dhënë nuk u kthehej më.​—Levitiku, kapitulli 25.

Shembuj të tjerë ishin shfuqizimi i procesit gjyqësor ndaj një gruaje që dyshohej për kurorëthyerje, për rastin e pazgjidhur të një vrasjeje dhe pezullimin e procedurës së shlyerjes së fajit. (Numrat 5:11-31; Ligji i përtërirë 21:1-9) Ishte vetëm çështje kohe para se farisenjve t’u jepej mundësia të shfuqizonin kërkesën biblike lidhur me kujdesin për prindërit në nevojë.​—Të Dalët 20:12; Mateu 15:3-6.

Jezui paralajmëroi: «Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizia.» (Luka 12:1) Fariseizmi me gjithë qëndrimet e tij joteokratike ishte krejtësisht hipokrizi, diçka saktësisht e përcaktuar për të mos u futur në kongregacionin e krishterë. Megjithatë, veprat konsultuese hebreje i paraqesin farisenjtë në një dritë më të favorshme sesa saducenjtë. Le të shohim tani këtë grup më konservator.

Saducenjtë

Emri saducenj ka mundësi të rrjedhë nga emri Zadok, kryeprift në ditët e Solomonit. (1. Mbretërve 2:35) Saducenjtë formonin një parti konservatore që paraqiste interesat e tempullit dhe të priftërisë. Ndryshe nga farisenjtë që e reklamonin autoritetin në saje të njohurisë dhe devotshmërisë së tyre, saducenjtë i bazonin të drejtat e veta në gjenealogjinë dhe pozitën e tyre. Ata i kundërshtuan novacionet e farisenjve deri në shkatërrimin e tempullit në vitin 70 të e.s.

Përveç faktit se hidhnin poshtë paracaktimin e fatit, saducenjtë nuk pranonin edhe çdo mësim që nuk përmendej qartësisht në Pentateuk, edhe po të ishte shpallur në ndonjë vend tjetër në Fjalën e Perëndisë. Në fakt, «ata e konsideronin një virtyt të debatonin» mbi këto çështje. (The Jewish Encyclopedia) Kjo të sjell ndër mend rastin kur ata sfiduan Jezuin lidhur me ringjalljen.

Duke përdorur ilustrimin e vejushës që kishte pasur shtatë burra, saducenjtë pyetën: «Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua?» Pa dyshim, vejusha e tyre hipotezë fare mirë mund të kishte pasur 14 ose 21 burra. Jezui shpjegoi: «Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë.»​—Mateu 22:23-30.

Duke ditur se saducenjtë nuk i pranonin shkrimtarët e tjerë të frymëzuar përveç Moisiut, Jezui vërtetoi qëndrimin e Tij duke cituar nga Pentateuku. Ai tha: «Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’? Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve.»​—Marku 12:26, 27.

Persekutues të Jezuit dhe ithtarëve të tij

Saducenjtë preferonin përdorimin e diplomacisë në marrëdhëniet me kombet e tjera, në vend se të prisnin Mesinë, po të besonin se do të vinte. Një marrëveshje me Romën u besonte atyre administrimin e tempullit e nuk donin që asnjë mesi të vinte e t’i ngatërronte gjërat. Duke e parë Jezuin si një kërcënim të pozitës së tyre, ata i bashkuan forcat me farisenjtë për të thurur komplotin e vdekjes së tij.​—Mateu 26:59-66; Gjoni 11:45-50.

Duke qenë të orientuar politikisht, ishte e logjikshme që saducenjtë të tregonin besnikërinë e tyre ndaj Romës dhe të thërrisnin me sa kishin në kokë: «Ne s’kemi mbret tjetër përveç Çezarit!» (Gjoni 19:6, 12-15) Ishin saducenjtë që pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit morën në dorë drejtimin, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e krishterimit. (Veprat 4:1-23; 5:17-42; 9:14) Pas shkatërrimit të tempullit në vitin 70 të e.s., ky grup pushoi së ekzistuari.

Nevoja për të qenë vigjilentë

Sa me vend është treguar paralajmërimi i Jezuit! Po, duhet të ‘ruhemi nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve’. Mjafton të shohim frytet e këqija si të judaizmit, ashtu edhe të të ashtuquajturit krishterim të sotëm.

Megjithatë, në ndryshim të theksuar pleqtë e kualifikuar të krishterë në më shumë se 75.500 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës ‘i kushtojnë kujdes të vazhdueshëm vetes dhe mësimit të tyre’. (1. Timoteut 4:16, BR) Ata e pranojnë gjithë Biblën si të frymëzuar nga Perëndia. (2. Timoteut 3:16) Në vend që të kenë një frymë novatore dhe të mbështesin procedurat e veta fetare, ata punojnë të bashkuar nën drejtimin e një organizate të bazuar në Bibël, e cila përdor këtë revistë si mjetin e saj kryesor të arsimimit.​—Mateu 24:45-47.

Me çfarë rezultati? Miliona njerëz rreth botës rriten frymësisht, ndërsa kuptojnë Biblën, e zbatojnë atë në jetën e tyre dhe ua mësojnë edhe të tjerëve. Për të parë se si kryhet kjo, përse të mos vizitosh kongregacionin më të afërt të Dëshmtarëve të Jehovait ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste?

[Kutia në faqen 26]

JEZUI KISHTE PARASYSH AUDITORIN E TIJ

JEZU KRISHTI mësoi me qartësi, duke pasur parasysh mendimet e dëgjuesve. Për shembull, bëri kështu kur foli me fariseun Nikodem mbi çështjen e të «rilindurit». Nikodemi pyeti: «Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?» (Gjoni 3:1-5) Përse Nikodemi ishte në mëdyshje, duke qenë se farisenjtë besonin se rilindja ishte e nevojshme për t’iu kthyer judaizmit dhe se një thënie rabinike e krahasonte prozelitin me «një fëmijë të sapolindur»?

Në një vepër të tij, Xhon Lajtfut, vëren se, «opinioni i zakonshëm i hebrenjve mbi kualifikimin e një izraeliti . . . është akoma i rrënjosur në mendjen e këtij fariseu», i cili nuk mund «të lirohet kollaj nga paragjykimi i tij fillestar . . . : ‘Kur izraelitët . . . e kanë të drejtën për t’u pranuar në mbretërinë e Mesisë, mos do të thuash me këtë shprehjen tënde se është e nevojshme të hyhet për së dyti në barkun e nënës që të mund të quhesh izraelit i rilindur?’»​—Krahaso Mateun 3:9.

Megjithëse e pranonte nevojën e rilindjes për prozelitët, Nikodemi e quante aq të pamundur për hebrenjtë natyrorë, me pak fjalë sikur t’u duhej të hynin për së dyti në barkun e nënës.

Në një rast tjetër, shumë persona u ofenduan, kur Jezui foli për ‘ngrënien e mishit të tij dhe pirjen e gjakut të tij’. (Gjoni 6:48-55) Megjithatë, Lajtfut lë të kuptohet se «në shkollat hebreje s’kishte gjë më të zakonshme se fraza ‘ngrënia dhe pirja’ në kuptimin metaforik». Ai vëren, gjithashtu, se në Talmud përmendet koncepti «ngrënia e Mesisë».

Për këtë arsye, pikëpamjet e farisenjve dhe saducenjve ndikuan dukshëm në mendimet e hebrenjve të shekullit të parë. Prandaj, Jezui në mënyrë të përshtatshme merrte gjithmonë parasysh njohurinë dhe përvojën e auditorit. Ky ishte një ndër faktorët e shumtë që e bëri atë Mësuesin e Madh.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo