LINDJA, II
Fjala hebraike jaládh do të thotë «lind; bëj». (Zn 4:1, 2; 16:15; 30:39; 1Kr 1:10) Lidhet me fjalët jéledh («fëmijë» [Zn 21:8]), mohlédheth (vendlindje; shtëpi; farefis [Zn 31:13, shën., NW]) dhe tohledhóhth (histori; prejardhje historike; gjenealogji [Zn 2:4, shën., NW; Mt 1:1, shën., NW]). Termi hebraik ħil (ose ħul), ndonëse kryesisht është përdorur në lidhje me përjetimin e dhembjeve të lindjes, te Jobi 39:1 dhe te Proverbat 25:23 është përdorur për lindjen. (Krahaso Is 26:17, 18; shih DHEMBJET E LINDJES.) Termi grek gennáo do të thotë «lind; sjell në jetë; lindje». (Mt 1:2; Lu 1:57; Gjo 16:21; Mt 2:1) Edhe termi tíkto është përkthyer ‘lind’.—Mt 1:21.
Krijuesi ua ka dhënë privilegjin e lindjes së fëmijëve vetëm grave, prandaj i projektoi dhe i formoi në mënyrë të veçantë. Urdhri që iu dha në Eden çiftit të parë njerëzor, e që më vonë iu përsërit të mbijetuarve nga Përmbytja, përfshinte ngjizjen dhe lindjen e fëmijëve. (Zn 1:28; 9:7) Megjithatë, për shkak të mëkatit e mosbindjes, Jehovai i tha Evës: «Do të t’i shtoj së tepërmi dhembjet e shtatzënisë. Me dhembje do të sjellësh në jetë fëmijë.»—Zn 3:16; shih DHEMBJET E LINDJES.
Ka «një kohë për të lindur» tha Solomoni, dhe te njerëzit, normalisht, kjo ndodh rreth 280 ditë pas ngjizjes. (Ek 3:2) Për prindërit, dita kur lind fëmija është zakonisht një nga ditët më të gëzuara, ndonëse sipas mbretit të mençur Solomon, për individin dita e vdekjes është edhe më e mirë se dita e lindjes, nëse lë pas një jetë plot arritje dhe një emër të mirë para Perëndisë.—Lu 1:57, 58; Ek 7:1.
Që nga kohët e hershme, mamitë kanë ndihmuar në lindje. Për të ndihmuar nënën dhe maminë gjatë lindjes, përdoreshin disa ndenjëse të veçanta. Si të tilla mund të kenë shërbyer dy gurë apo tulla mbi të cilat gruaja përkulej ose ulej galiç. (Da 1:16) Fjala e përkthyer ‘ndenjëse e lindjes’ te Dalja (ʼovnájim), ka lidhje me fjalën «gur» në hebraisht dhe në Bibël shfaqet vetëm një herë tjetër (Jr 18:3), ku është përkthyer «rrotovile». Një enciklopedi thotë: «Në të dy rastet fjala është përdorur në formën e dyzuar dhe, pa dyshim, kjo tregon se rrotovilja përbëhej nga dy rrota; po kështu, kjo nënkupton se ndenjësja e lindjes përbëhej nga dy pjesë.» (The International Standard Bible Encyclopedia, vëll. 1, 1979, f. 516) Hieroglifet e lashta tregojnë se këto ndenjëse përdoreshin edhe në Egjipt.
Edhe pse në mënyrë figurative, Ezekieli 16:4 flet për disa nga veprimet që kryheshin pas lindjes, në më të shumtën e rasteve nga mamitë. Fëmijës i pritej kërthiza, pastaj e lanin, e fërkonin me kripë dhe e mbështillnin me pelena. Ndoshta kripa përdorej për të tharë lëkurën e për ta forcuar atë. Si në rastin e Jezuit (Lu 2:7), foshnja mbështillej me pelena nga koka te këmbët dhe dukej si mumie; kjo e mbante trupin e të sapolindurit ngrohtë e drejt. Thuhet se duke ia kaluar pelenat poshtë mjekrës e deri te maja e kokës, fëmija stërvitej të merrte frymë me hundë. Kjo lloj përkujdesjeje për foshnjat e sapolindura është mjaft e lashtë, sepse edhe Jobi e njihte zakonin e mbështjelljes me pelena.—Jb 38:9.
Fillimisht i plotësoheshin nevojat e menjëhershme nënës dhe foshnjës; pastaj, të atit i çonin ose lajmin e lindjes, ose fëmijën, që e pranonte si të vetin. (Jr 20:15) Edhe kur shërbyesja e një zonje shterpë lindte një fëmijë nga burri i zonjës, fëmija njihej si i zonjës. (Zn 16:2) Me sa duket, Rakela ka pasur këtë gjë ndër mend kur kërkoi që skllavja e saj, Bilhaja, ‘të lindte në gjunjët [e saj]’ e kështu ‘të kishte fëmijë prej saj’. (Zn 30:3) Kjo s’nënkupton se do të lindte vërtet në gjunjët e Rakelës, por se ajo do të kishte mundësi ta përkundte fëmijën në prehër sikur të ishte i veti.—Krahaso Zn 50:23.
Në momentin e lindjes ose kur rrethpritej, tetë ditë më vonë, një nga prindërit i vinte emrin foshnjës. Nëse s’binin në një mendje, fjalën e fundit e kishte babai. (Zn 16:15; 21:3; 29:32-35; 35:18; Lu 1:59-63; 2:21) Zakonisht fëmijës i jepte gji e ëma (Zn 21:7; Ps 22:9; Is 49:15; 1Se 2:7), ndonëse, me sa duket, në disa raste këtë e bënin edhe gra të tjera. (Da 2:7) Normalisht fëmijës i hiqej gjiri vetëm kur ishte dy, tre ose më shumë vjeç. Nga sa duket, Isaku ishte pesë vjeç kur iu hoq gjiri dhe në rastin e tij u festua dhe u shtrua një gosti.—Zn 21:8; 1Sa 1:22, 23.
Sipas Ligjit të Moisiut, gruaja që lindte djalë ishte e papastër ceremonialisht për 7 ditë dhe për pastrimin e saj duheshin edhe 33 ditë të tjera. Në rast se lindte vajzë, nëna konsiderohej e papastër për 14 ditë dhe nevojiteshin edhe 66 ditë të tjera për pastrimin. Në fund të periudhës së pastrimit, për të duhej bërë një blatim i djegur dhe një blatim për mëkatin: një qengj motak mashkull dhe një turtull a një zog pëllumbi, ose dy turtuj a dy zogj pëllumbash, sipas mundësive të prindërve. (Le 12:1-8; Lu 2:24) Nëse djali ishte i parëlinduri, do të shpengohej duke paguar pesë sikla argjendi (11 dollarë).—Nu 18:15, 16; shih PARËLINDURI (I), PJELLA E PARË.
Në lidhje me lindjen e fëmijëve dhe amësinë, apostulli Pavël i porositi vejushat më të reja, të cilat mund të shpërqendroheshin kollaj nëse nuk plotësonin instinktet e tyre amënore, që të martoheshin e të lindnin fëmijë, në vend që të vinin kot vërdallë ‘duke u marrë me thashetheme e duke futur hundët në punët e të tjerëve’. (1Ti 5:11-15) Pavli tha se gratë në kongregacionin e krishterë ‘do të ruhen nëpërmjet lindjes së fëmijëve, me kusht që të qëndrojnë me besim, dashuri, shenjtëri dhe me mendje të shëndoshë’.—1Ti 2:15.
Disa terma që kanë lidhje me lindjen, janë përdorur shpesh në Shkrime në kuptimin e figurshëm. (Ps 90:2; Pr 27:1; Is 66:8, 9; Jk 1:15) Dhembjet e forta të lindjes përshkruajnë më së miri vuajtjet e pashmangshme që vijnë nga faktorë të tjerë. (Ps 48:6; Jr 13:21; Mi 4:9, 10; Ga 4:19; 1Se 5:3) Në kuptimin frymor, Jezui tha se «nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma», nuk mund të hyjë në Mbretëri. Kjo përfshin të pagëzohesh në ujë e të lindësh nga fryma e Perëndisë, duke u bërë bir i Perëndisë me perspektivën për të marrë pjesë në Mbretërinë qiellore. (Gjo 3:3-8; 2Ko 5:17; 1Pj 1:3, 23) Me një gjuhë simbolike, Zbulesa përshkruan lindjen në qiell ‘të një fëmije, të një djali’, pas një periudhe me dhembje të mëdha.—Zb 12:1-5.