BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bt kap. 4 f. 28-35
  • «Njerëz të pashkolluar e të thjeshtë»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Njerëz të pashkolluar e të thjeshtë»
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Jo ‘me fuqinë e tyre’ (Veprat 3:11-26)
  • «Ne s’rrimë dot pa folur» (Veprat 4:1-22)
  • «Iu lutën . . . Perëndisë» (Veprat 4:23-31)
  • Nuk u japim llogari ‘njerëzve, por Perëndisë’ (Veprat 4:32–5:11)
  • Ai mësoi nga zotëria të falte
    Imitoni besimin e tyre
  • Ai mësoi nga Zotëria të falte
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Ai luftoi me frikën dhe dyshimin
    Imitoni besimin e tyre
  • Ai qëndroi besnik në sprova
    Imitoni besimin e tyre
Shih më tepër
‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
bt kap. 4 f. 28-35

KAPITULLI 4

«Njerëz të pashkolluar e të thjeshtë»

Apostujt vepruan me guxim dhe Jehovai i bekoi

Bazuar te Veprat 3:1–5:11

1, 2. Ç’mrekulli kryen Pjetri e Gjoni pranë portës së tempullit?

NËN diellin e pasdites rrugët gëlonin nga njerëzit. Në tempull po mbërrinin judenj të devotshëm dhe dishepuj të Krishtit. Pas pak do të ishte ‘ora e lutjes’.a (Vep. 2:46; 3:1) Pjetri dhe Gjoni çanë përmes turmës dhe u ngjitën drejt portës së tempullit të quajtur Porta e Bukur. Mes zhurmës së bisedave dhe të hapave, u dëgjua zëri i një lypësi mbi të dyzetat, të çalë që nga lindja, i cili kërkonte lëmoshë.—Vep. 3:2; 4:22.

2 Me t’u afruar Pjetri dhe Gjoni, lypësi përsëriti kërkesën e zakonshme për pará. Apostujt ndaluan, dhe kjo i tërhoqi vëmendjen lypësit me shpresën se do të merrte lëmoshë. Pjetri i tha: «Argjend e ar s’kam, por të jap atë që kam. Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, çohu dhe ec!» Përfytyro shtangien e turmës kur Pjetri e kapi për dore burrin e çalë dhe, për herë të parë në jetën e tij, ai qëndroi në këmbë! (Vep. 3:6, 7) E imagjinon dot burrin tek shihte këmbët e tij të shëruara dhe i pasigurt hidhte hapat e parë? S’është për t’u habitur që pastaj hovi përpjetë nga gëzimi dhe lëvdoi Perëndinë me zë të lartë!

3. Cilën dhuratë të mrekullueshme mund të merrnin turma dhe burri që dikur ishte i çalë?

3 Turma entuziaste vrapoi për te Pjetri e Gjoni, që ndodheshin në kolonadën e Solomonit. Në këtë vend ku dikur Jezui kishte qenë e kishte mësuar, Pjetri u tregoi domethënien e vërtetë të asaj që sapo ndodhi. (Gjoni 10:23) Ai i ofroi një dhuratë që vlente më tepër se ari e argjendi qoftë turmës, qoftë burrit që më parë ishte i çalë. Kjo dhuratë përfshinte shumë më tepër se rikthimin e shëndetit: mundësinë që të pendoheshin, t’u fshiheshin mëkatet dhe të bëheshin ithtarë të Jezu Krishtit, ‘Kryepërfaqësuesit të jetës’ të caktuar nga Jehovai.—Vep. 3:15.

4. (a) Për çfarë do të bëhej shkak shërimi i mrekullueshëm që bëri Pjetri dhe Gjoni? (b) Cilat janë dy pyetjet që do të marrin përgjigje tani?

4 Ç’ditë e paharrueshme! Një burrë u shërua dhe tani mund të ecte. Mijëra të tjerëve iu dha mundësia të kuptonin vullnetin e Perëndisë dhe kështu të ecnin denjësisht për Perëndinë. (Kolos. 1:9, 10) Veç kësaj, ngjarjet e asaj dite do të bëheshin shkak që dishepujt besnikë të Krishtit të përballeshin me njerëz të pushtetshëm, të cilët do të bënin çmos që ata të mos e përmbushnin urdhrin e Jezuit për të predikuar mesazhin e Mbretërisë. (Vep. 1:8) Ç’mund të mësojmë nga metodat që përdorën dhe nga qëndrimi që shfaqën Pjetri e Gjoni, «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë», teksa i predikonin turmës?b (Vep. 4:13) Gjithashtu, si mund ta imitojmë mënyrën si reaguan ata dhe dishepujt e tjerë ndaj kundërshtimit?

Jo ‘me fuqinë e tyre’ (Veprat 3:11-26)

5. Ç’mësojmë nga mënyra si iu drejtua turmës Pjetri?

5 Pjetri dhe Gjoni dolën para turmës. Ata ishin të vetëdijshëm se ndoshta disa prej tyre kishin thërritur që Jezui të ekzekutohej. (Mar. 15:8-15; Vep. 3:13-15) Mendoni ç’guxim shfaqi Pjetri kur shpalli me forcë se njeriu i çalë u shërua në emër të Jezuit! Pjetri nuk e zbuti të vërtetën. Ua tha në sy se ishin bashkëfajtorë në vdekjen e Krishtit. Gjithsesi, ai nuk ushqente mëri ndaj tyre, sepse ‘kishin vepruar në padije’. (Vep. 3:17) Iu drejtua si vëllezër dhe u përqendrua në aspektet pozitive të mesazhit të Mbretërisë. Po të pendoheshin e të tregonin besim te Krishti, për ta do të vinin «stinë freskuese» nga Jehovai. (Vep. 3:19) Edhe ne duhet të jemi të guximshëm e të drejtpërdrejtë kur shpallim gjykimin që do të sjellë Perëndia. Njëkohësisht s’duhet të tregohemi kurrë të sertë, të ashpër ose kritikues. Përkundrazi, i shohim si vëllezër të mundshëm njerëzit të cilëve u predikojmë dhe, ashtu si Pjetri, përqendrohemi veçanërisht në aspektet pozitive të mesazhit të Mbretërisë.

6. Si treguan përulësi e modesti Pjetri dhe Gjoni?

6 Apostujt ishin modestë. Nuk e morën për vete meritën për mrekullinë që kryen. Pjetri i tha turmës: «Pse na i ngulni sytë a thua se këtë njeri e bëmë të ecte me fuqinë ose me përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?!» (Vep. 3:12) Pjetri dhe apostujt e tjerë e dinin se çdo gjë e mirë që kryenin në shërbim, vinte falë fuqisë së Perëndisë, jo së tyres. Rrjedhimisht, gjithë lavdinë për arritjet e tyre ua drejtuan me modesti Jehovait dhe Jezuit.

7, 8. (a) Ç’dhuratë mund t’u ofrojmë njerëzve? (b) Si po përmbushet sot premtimi për ‘rivendosjen e të gjitha gjërave’?

7 Të tillë modesti duhet të shfaqim edhe ne kur jemi në predikim. Natyrisht, sot fryma e Perëndisë nuk u jep të krishterëve fuqinë të kryejnë shërime të mrekullueshme. Prapëseprapë mund t’i ndihmojmë njerëzit të kenë besim te Perëndia Jehova e te Krishti dhe të marrin të njëjtën dhuratë që u ofroi Pjetri njerëzve, domethënë mundësinë që t’u falen mëkatet e të freskohen nga Jehovai. Çdo vit, qindra mijë veta e pranojnë këtë dhuratë dhe bëhen dishepuj të pagëzuar të Krishtit.

8 Në fakt, po jetojmë në kohën e «rivendosjes së të gjitha gjërave», për të cilën foli Pjetri. Në përmbushje të fjalës që Perëndia tha «nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë», Mbretëria u vendos në qiell në vitin 1914. (Vep. 3:21; Psal. 110:1-3; Dan. 4:16, 17) Pak më vonë, Krishti nisi të mbikëqyrte veprën e rivendosjes së adhurimit të vërtetë në tokë. Si rezultat, miliona veta janë bërë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë dhe e adhurojnë Jehovain në paqe e unitet. Kanë hequr personalitetin e vjetër e të korruptuar dhe ‘kanë veshur personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë’. (Efes. 4:22-24) Ashtu si shërimi i lypësit të çalë, edhe kjo vepër mahnitëse nuk kryhet me forcat e njeriut, por me frymën e Perëndisë. Njësoj si Pjetri, edhe ne duhet ta përdorim me guxim e me efektshmëri Fjalën e Perëndisë për të mësuar të tjerët. Sado sukses të kemi kur i ndihmojmë njerëzit të bëhen dishepuj të Krishtit, këtë e arrijmë me fuqinë e Perëndisë, jo me forcat tona.

«Ne s’rrimë dot pa folur» (Veprat 4:1-22)

9-11. (a) Si reaguan udhëheqësit judenj ndaj mesazhit të Pjetrit e të Gjonit? (b) Për çfarë ishin të vendosur apostujt?

9 Fjalimi i Pjetrit dhe burri dikur i çalë që tani hovte përpjetë nga gëzimi, shkaktuan gjullurdi të madhe. Si pasojë, kapiteni i rojave të tempullit, i caktuar të mbikëqyrte zonën e tempullit, dhe krerët e priftërinjve u turrën të shihnin ç’bëhej. Ata burra ndoshta ishin saducenj, një sekt i pasur e i fuqishëm politikisht që përpiqej të ruante marrëdhënie paqësore me romakët, nuk pranonte ligjin gojor që e donin aq shumë farisenjtë dhe përçmonte besimin te ringjallja.c Sa u acaruan kur morën vesh se Pjetri dhe Gjoni ishin në tempull dhe po mësonin me guxim se Jezui ishte ringjallur!

10 Kundërshtarët e zemëruar i futën në burg Pjetrin e Gjonin, dhe të nesërmen i nxorën para gjykatës së lartë judaike. Nga pikëpamja e krerëve që e mbanin veten më superiorë se të tjerët, Pjetri dhe Gjoni ishin «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë» që s’kishin të drejtë të mësonin në tempull. Ata s’kishin studiuar në ndonjë shkollë fetare me emër. Po gjithsesi, ngaqë flitnin haptazi dhe me bindje, gjykata u çudit me ta. Pse ishin aq bindës Pjetri e Gjoni? Një arsye ishte se «kishin qenë me Jezuin». (Vep. 4:13) Zotëria i kishte mësuar me autoritet të vërtetë, jo si skribët.—Mat. 7:28, 29.

11 Gjykata i urdhëroi apostujt të mos predikonin më. Në shoqërinë e atëhershme, urdhrat e asaj gjykate kishin shumë peshë. Vetëm pak javë më parë, kur Jezui kishte dalë përpara të njëjtit trup gjykues, ata kishin shpallur: «Meriton vdekjen!» (Mat. 26:59-66) Prapëseprapë, Pjetri e Gjoni nuk u frikësuan. Para këtyre burrave të pasur, të arsimuar e të pushtetshëm, ata u përgjigjën pa frikë, por me respekt: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë; sepse ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.»—Vep. 4:19, 20.

KRYEPRIFTI DHE KRERËT E PRIFTËRINJVE

Kryeprifti përfaqësonte popullin para Perëndisë. Në shekullin e parë të e.s., ai ishte edhe kreu i Sinedrit. Mes udhëheqësve të judenjve ishin edhe krerët e priftërinjve, ku përfshiheshin ish-kryepriftërinj, si Hanai, dhe burra të tjerë të katër a pesë familjeve nga zgjidheshin kryepriftërinjtë. Studiuesi Emil Shyrer shkruante se «edhe vetëm fakti që i përkitnin një prej familjeve të privilegjuara, duhet t’u ketë dhënë atyre një pozitë të veçantë» mes priftërinjve.

Shkrimet tregojnë se kryepriftërinjtë shërbenin si të tillë gjatë gjithë jetës. (Num. 35:25) Por, gjatë periudhës për të cilën flet libri i Veprave, guvernatorët romakë dhe mbretërit e emëruar nga Roma, i emëronin dhe i çemëronin sipas qejfit. Gjithsesi, duket se këta sundimtarë paganë i zgjidhnin kryepriftërinjtë nga linja priftërore e Aronit.

12. Ç’mund të na ndihmojë të kemi më tepër guxim e vendosmëri?

12 A mund të tregosh edhe ti një guxim të tillë? Si ndihesh kur të jepet rasti t’u predikosh të pasurve, të arsimuarve ose njerëzve me pushtet në zonën tënde? Po në qoftë se familjarët, shokët e shkollës ose të punës, të tallin për bindjet që ke? A frikësohesh? Nëse po, mund të arrish t’i mposhtësh këto ndjenja. Kur ishte në tokë, Jezui i mësoi apostujt si ta mbronin besimin me bindje e me respekt. (Mat. 10:11-18) Pasi u ringjall, ai u premtoi dishepujve se do të vazhdonte të ishte me ta «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mat. 28:20) Nën drejtimin e tij, «skllavi besnik dhe i mençur» na mëson si t’i mbrojmë bindjet tona. (Mat. 24:45-47; 1 Pjet. 3:15) Këtë e bën me anë të stërvitjes në mbledhjet e kongregacionit, siç është Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë, dhe me anë të botimeve të bazuara në Bibël, siç janë artikujt e serisë «Përgjigje për pyetje rreth Biblës», në sitin jw.org. A po përfiton plotësisht nga këto masa? Nëse po, do të të shtohen guximi dhe vendosmëria. Ashtu si apostujt, nuk do të lejosh asgjë të të ndalë të flasësh për të vërtetat e mrekullueshme të Biblës që ke mësuar.

Një motër i predikon një kolegeje në punë gjatë pushimit.

Mos lejo asgjë të të ndalë të flasësh për të vërtetat e mrekullueshme të Biblës që ke mësuar

«Iu lutën . . . Perëndisë» (Veprat 4:23-31)

13, 14. Ç’duhet të bëjmë nëse po hasim kundërshtim, dhe përse?

13 Fill pas lirimit nga burgu, Pjetri e Gjoni u takuan me pjesën tjetër të kongregacionit. Së bashku «iu lutën . . . Perëndisë» për guxim që të vazhdonin të predikonin. (Vep. 4:24) Pjetri e dinte fare mirë sa e pamend është të mbështetesh te forcat e tua kur përpiqesh të bësh vullnetin e Perëndisë. Vetëm pak javë më parë, tepër i sigurt te vetja, ai i kishte thënë Jezuit: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!» E megjithatë, siç kishte parathënë Jezui, Pjetri iu dorëzua menjëherë frikës nga njeriu dhe mohoi mikun e mësuesin e tij. Por pësimi iu bë mësim.—Mat. 26:33, 34, 69-75.

14 Për të përmbushur caktimin si dëshmitar i Krishtit, nuk mjafton vetëm vendosmëria. Kur kundërshtarët përpiqen të të thyejnë besimin ose të të ndalojnë të predikosh, ndiq shembullin e Pjetrit e të Gjonit. Lutju Jehovait për forcë. Kërko mbështetjen e kongregacionit. Tregojua vështirësitë që po has pleqve dhe pjesëtarëve të tjerë të pjekur të kongregacionit. Lutjet e të tjerëve mund të veprojnë me shumë forcë.—Efes. 6:18; Jak. 5:16.

15. Pse mund të marrin zemër ata që dikur e kanë ndërprerë predikimin për njëfarë kohe?

15 Mos u shkurajo nëse dikur je dorëzuar para presionit dhe e ke ndërprerë predikimin për njëfarë kohe. Mbaj parasysh se të gjithë apostujt e ndërprenë predikimin për pak kohë pas vdekjes së Jezuit, por shpejt e rifilluan. (Mat. 26:56; 28:10, 16-20) Në vend që t’i lejosh gabimet e së kaluarës të të shkurajojnë, pse të mos e përdorësh përvojën tënde dhe mësimet që ke nxjerrë, për të forcuar të tjerët?

16, 17. Ç’mund të mësojmë nga lutja që bënë dishepujt e Krishtit në Jerusalem?

16 Për çfarë duhet të lutemi kur na kundërshtojnë autoritetet? Vër re se dishepujt besnikë nuk i kërkuan Jehovait t’i kursente nga sprovat. Ata e kujtonin fare mirë pohimin e Jezuit: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Përkundrazi, i kërkuan ‘t’u kushtonte vëmendje kërcënimeve’ të kundërshtarëve. (Vep. 4:29) E kishin të qartë tablonë e plotë, ndaj e kuptonin se përndjekja që po hasnin, në të vërtetë ishte përmbushje e profecive. E dinin se, siç i kishte mësuar Jezui të luteshin, vullneti i Perëndisë ‘do të bëhej në tokë’ pavarësisht ç’mund të thoshin sundimtarët njerëzorë.—Mat. 6:9, 10.

17 Që të bënin vullnetin e Perëndisë, dishepujt iu lutën: «Bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.» Si u përgjigj Jehovai? Në çast «vendi ku ishin mbledhur, u trondit. Të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë dhe e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim». (Vep. 4:29-31) Vullneti i Perëndisë do të bëhet se s’bën; s’ka gjë që ta pengojë. (Isa. 55:11) Sado të mëdha të jenë pengesat, sado i fuqishëm të jetë kundërshtari, po t’i lutemi Perëndisë, jemi të sigurt se do të na japë forcë të vazhdojmë ta themi fjalën e tij me guxim.

Nuk u japim llogari ‘njerëzve, por Perëndisë’ (Veprat 4:32–5:11)

18. Ç’bënin për njëri-tjetrin pjesëtarët e kongregacionit në Jerusalem?

18 Kongregacioni i sapoformuar në Jerusalem, shpejt pati më tepër se 5.000 veta.d Pavarësisht se kishin formime të ndryshme, dishepujt ishin «në një mendje». Pra ishin në unitet dhe në një linjë arsyetimi. (Vep. 4:32; 1 Kor. 1:10) Nuk u mjaftuan duke iu lutur Jehovait t’i bekonte përpjekjet e tyre, por forcuan besimin e njëri-tjetrit dhe, kur ishte e nevojshme, e ndihmuan njëri-tjetrin nga ana materiale. (1 Gjon. 3:16-18) Për shembull, dishepulli Jozef, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba, shiti një pronë dhe me altruizëm i dha paratë për t’i ndihmuar të ardhurit nga vendet e largëta të rrinin më gjatë në Jerusalem, që të mësonin më tepër për besimin e tyre të ri.

19. Pse i ekzekutoi Jehovai Ananinë dhe Safirën?

19 Edhe një çift, Anania e Safira, shitën një pronë dhe bënë një kontribut. U shtirën sikur dhanë gjithë shumën, por në fakt ‘e mbajtën fshehurazi një pjesë të parave’. (Vep. 5:2) Jehovai i dënoi me vdekje, jo ngaqë sasia e parave që dhanë nuk mjaftonte, por ngaqë i dhanë me motivin e gabuar dhe po mashtronin. Ata ‘nuk gënjyen njerëzit, por Perëndinë’. (Vep. 5:4) Njësoj si hipokritët që dënoi Jezui, Anania dhe Safira mendonin më tepër si të merrnin lavdi nga njerëzit, sesa të kishin miratimin e Perëndisë.—Mat. 6:1-3.

20. Ç’mësojmë për mënyrën se si duhet t’i japim Jehovait?

20 Miliona Dëshmitarë sot shfaqin një frymë bujare si dishepujt besnikë në Jerusalemin e shekullit të parë dhe e mbështetin me dhurata vullnetare veprën mbarëbotërore të predikimit. Askush nuk është i detyruar të harxhojë kohën ose paratë e tij për të mbështetur këtë vepër. Në fakt, Jehovai nuk do që t’i shërbejmë «me gjysmë zemre a me detyrim». (2 Kor. 9:7) Kur japim diçka, Jehovait nuk i intereson sasia, por motivi. (Mar. 12:41-44) Nuk duam kurrsesi të jemi si Anania e Safira dhe t’i shërbejmë Perëndisë të nxitur nga interesi ose për të marrë lavdi nga të tjerët. Përkundrazi, ashtu si Pjetri, Gjoni e Barnaba, shërbimi ynë ndaj Jehovait duhet të motivohet gjithnjë nga dashuria e sinqertë për të dhe për njerëzit.—Mat. 22:37-40.

PJETRI, NGA PESHKATAR NË APOSTULL TË ZELLSHËM

Në Shkrime, Pjetri identifikohet me 5 emra. Njihet me emrin hebraik Simion dhe ekuivalentin grek Simon, gjithashtu me emrin Pjetër dhe ekuivalentin semitik, Kefa. Thirrej edhe Simon Pjetër, që është kombinim i dy emrave.—Mat. 10:2; Gjoni 1:42; Vep. 15:14.

Apostulli Pjetër mban një shportë me peshq.

Pjetri ishte i martuar e jetonte me vjehrrën dhe vëllanë e tij. (Mar. 1:29-31) Ishte peshkatar nga Betsaida, një qytet në veri të detit të Galilesë. (Gjoni 1:44) Më vonë shkoi të banonte aty pranë, në Kapernaum. (Luka 4:31, 38) Kur Jezui i foli turmës që ishte mbledhur në breg të detit të Galilesë, ishte ulur në varkën e Pjetrit. Fill pas kësaj, Pjetri ndoqi udhëzimet që i dha Jezui dhe zuri një sasi të madhe peshqish me anë të një mrekullie. Tërë frikë Pjetri ra në gjunjë, por Jezui i tha: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.» (Luka 5:1-11) Pjetri peshkonte me të vëllanë, Andrean, si dhe me Jakovin e Gjonin. Që të katër e braktisën peshkimin kur pranuan ftesën e Jezuit për t’u bërë ithtarë të tij. (Mat. 4:18-22; Mar. 1:16-18) Rreth një vit më vonë, ai ishte ndër 12 burrat që Jezui i zgjodhi si «apostuj», që do të thotë «të dërguar».—Mar. 3:13-16.

Jezui zgjodhi Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin që ta shoqëronin në raste të veçanta. Ata ishin dëshmitarë të shpërfytyrimit të tij, ishin me të kur ringjalli të bijën e Jairit dhe e panë kur ishte në agoni, në kopshtin e Getsemanisë. (Mat. 17:1, 2; 26:36-46; Mar. 5:22-24, 35-42; Luka 22:39-46) Po këta të tre, së bashku me Andrean, e pyetën Jezuin për shenjën e pranisë së tij.—Mar. 13:1-4.

Pjetri ishte i drejtpërdrejtë, energjik dhe nganjëherë impulsiv. Duket se shpesh ai nxitonte dhe fliste para të tjerëve. Në ungjij, fjalët e tij janë dokumentuar më shpesh se ato të 11 apostujve të tjerë së bashku. Pjetri bënte pyetje kur të tjerët s’hapnin gojë. (Mat. 15:15; 18:21; 19:27-29; Luka 12:41; Gjoni 13:36-38) Ishte ai që e kundërshtoi Jezuin kur donte t’i lante këmbët dhe më pas, kur ky e qortoi, i kërkoi t’i lante edhe duart e kokën.—Gjoni 13:5-10.

Nisur nga përzemërsia e thellë, Pjetri u orvat ta bindte Jezuin se nuk do t’i duhej të vuante e ta vritnin. Jezui e kritikoi ashpër për këtë gjykim të cekët. (Mat. 16:21-23) Natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë, Pjetri u shpreh se, edhe sikur të gjithë apostujt e tjerë ta braktisnin, ai nuk do ta braktiste kurrë. Kur Jezuin e arrestuan, me guxim Pjetri i doli në mbrojtje me shpatë dhe më pas e ndoqi deri në oborrin e shtëpisë së kryepriftit. Megjithatë, pak çaste më vonë, e mohoi tri herë Zotërinë e tij dhe pastaj qau me dënesë kur kuptoi ç’kishte bërë.—Mat. 26:31-35, 51, 52, 69-75.

Pak para se Jezui t’u shfaqej apostujve në Galile për herë të parë pas ringjalljes, Pjetri tha se po shkonte të peshkonte dhe apostujt e tjerë e ndoqën. Me të dalluar Jezuin në breg, Pjetri s’e mendoi gjatë po u hodh në ujë dhe notoi drejt tij. Jezui, teksa apostujt hanin peshqit që u kishte gatuar për mëngjes, e pyeti Pjetrin nëse e donte më shumë se «këta», domethënë se peshqit që kishin përpara. Ai po e nxiste Pjetrin të zgjidhte ta ndiqte gjithë kohës, në vend që t’i kushtohej një zanati, siç ishte peshkimi.—Gjoni 21:1-22.

Rreth viteve 62-64 të e.s., Pjetri predikoi lajmin e mirë në Babiloni (Iraku i sotëm), ku kishte një popullsi të madhe judenjsh. (1 Pjet. 5:13) Në Babiloni, shkroi letrën e parë të frymëzuar, e ndoshta edhe të dytën, që mbajnë emrin e tij. Jezui «i dha fuqi Pjetrit» dhe i besoi përgjegjësinë «si apostull për të rrethprerët». (Gal. 2:8, 9) Ai e përmbushi këtë caktim me dhembshuri e me entuziazëm.

GJONI, DISHEPULLI QË JEZUI KISHTE VEÇANËRISHT PËR ZEMËR

Apostulli Gjon ishte një nga bijtë e Zebedeut dhe vëllai i apostullit Jakov. Duket se mamanë ia quanin Saloma dhe ka mundësi të ketë qenë motra e Marisë, nënës së Jezuit. (Mat. 10:2; 27:55, 56; Mar. 15:40; Luka 5:9, 10) Kështu i bie që Gjoni dhe Jezui të kenë qenë kushërinj. Nga sa duket, familja e Gjonit ishte në gjendje të mirë ekonomike. Zebedeu kishte një aktivitet peshkimi mjaft të madh sa të mbante edhe punëtorë. (Mar. 1:20) Saloma e shoqëroi Jezuin, i shërbeu kur ishte në Galile dhe më vonë solli aromatikë që të përgatiste trupin e tij për varrim. (Mar. 15:40, 41; 16:1; Gjoni 19:40) Ka shumë të ngjarë që Gjoni të ketë pasur një shtëpi të tijën.—Gjoni 19:26, 27.

Apostulli Gjon mban në duar një rrotull.

Me sa duket Gjoni ishte dishepulli i Gjon Pagëzorit që, bashkë me Andrean, e dëgjuan të thoshte për Jezuin: «Ja Qengji i Perëndisë!» (Gjoni 1:35, 36, 40) Pas këtij prezantimi, me sa duket Gjoni, i biri i Zebedeut, e shoqëroi Jezuin në Kanë dhe ishte me të kur bëri mrekullinë e tij të parë. (Gjoni 2:1-11) Me aq gjallëri e hollësi e përshkruan Gjoni aktivitetin e mëpasshëm të Jezuit në Jerusalem, Samari e Galile, saqë lë të kuptohet se mund të ketë qenë dëshmitar okular i atyre ngjarjeve. Gatishmëria me të cilën Gjoni—ashtu si Jakovi, Pjetri e Andrea—la rrjetat, varkën dhe çdo gjë, kur Jezui e thirri të bëhej ithtar i tij, dëshmon për besimin që kishte.—Mat. 4:18-22.

Gjoni nuk përmendet aq shpesh sa Pjetri në tregimet e ungjijve. Megjithatë, edhe ai kishte karakter të fortë, siç e tregon epiteti që i vuri Jezui atij dhe vëllait të vet, Jakovit: Boanerges, që do të thotë «bij të bubullimës». (Mar. 3:17) Fillimisht Gjoni kishte ambicie për pozitë, aq sa bashkë me të vëllanë i thanë nënës së tyre t’i kërkonte Jezuit që t’u jepte pozita të privilegjuara në Mbretërinë e tij. Ndonëse kjo ishte një dëshirë egoiste, tregonte edhe besimin e tyre se Mbretëria ishte reale. Ambicia e tyre i dha shkas Jezuit t’i këshillonte të gjithë apostujt për nevojën që të ishin të përulur.—Mat. 20:20-28.

Gjoni e shfaqi karakterin e tij të fortë kur u përpoq të pengonte dikë që nuk ishte ithtar i Jezuit, të dëbonte demonët në emrin e tij. Një herë tjetër, kur Jezui dërgoi lajmëtarë që të bënin disa përgatitje për të në një fshat samaritan, Gjoni ishte gati të kërkonte të zbriste zjarr nga qielli e të shfaroste banorët që nuk reaguan mirë. Jezui e qortoi për këto reagime. Me sa duket, me kalimin e kohës, Gjoni arriti të shfaqte ekuilibrin dhe mëshirën që më parë i mungonin. (Luka 9:49-56) Por, pavarësisht nga mangësitë, Gjoni ishte «dishepulli që Jezui kishte veçanërisht për zemër». Prandaj, para se të vdiste, Jezui ia besoi Gjonit nënën e vet, Marinë.—Gjoni 19:26, 27; 21:7, 20, 24.

Gjoni jetoi më gjatë se apostujt e tjerë, pikërisht siç kishte profetizuar Jezui. (Gjoni 21:20-22) I shërbeu me besnikëri Jehovait për rreth 70 vjet. Aty nga fundi i jetës së tij, gjatë mbretërimit të perandorit romak, Domicianit, Gjonin e syrgjynosën në ishullin e Patmosit ‘ngaqë fliste për Perëndinë dhe jepte dëshmi për Jezuin’. Atje, rreth vitit 96 të e.s., iu dhanë vegimet që i dokumentoi në librin e Zbulesës. (Zbul. 1:1, 2, 9) Sipas asaj që besohej gjerësisht, Gjoni shkoi në Efes pas lirimit, ku shkroi ungjillin që mban emrin e tij dhe letrat e njohura si 1, 2 dhe 3 Gjonit, dhe vdiq po atje, rreth vitit 100 të e.s.

a Lutjet në tempull bëheshin në kohën e blatimit të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Blatimi i mbrëmjes bëhej ‘në orën e nëntë’, që i bie rreth orës 3 pasdite.

b Shih kutitë «Pjetri, nga peshkatar në apostull të zellshëm» dhe «Gjoni, dishepulli që Jezui kishte veçanërisht për zemër».

c Shih kutinë «Kryeprifti dhe krerët e priftërinjve».

d Në vitin 33 të e.s., në Jerusalem mund të ketë pasur rreth 6.000 farisenj dhe një numër më të vogël saducenjsh. Kjo mund të jetë një arsye tjetër pse këto dy grupe ndiheshin gjithnjë e më të kërcënuar nga mësimet e Jezuit.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo