BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/9 f. 13-18
  • Kush është duke ndjekur dritën e botës?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush është duke ndjekur dritën e botës?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Dashurues të errësirës
  • Dhembshuria e Jezuit
  • Mbledhja e mbajtësve të dritës
  • Të pasqyrojmë dritën e Mbretërisë
  • Bota e re e ndriçuar
  • Ndjekja e dritës është urgjente
  • Ndiqni dritën e botës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Mbajtësit e dritës​—Për çfarë qëllimi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Drita hyjnore e largon errësirën!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • «Le të ndriçojë drita juaj»
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/9 f. 13-18

Kush është duke ndjekur dritën e botës?

«Ju po shkëlqeni si ndriçues të botës.»​—FILIPIANËVE 2:15, NW.

1. Çfarë thotë Bibla për dritat e rreme fetare?

BIBLA e identifikon Jezuin në mënyrë të qartë si «një dritë e madhe» dhe si «drita e botës». (Isaia 9:2; Gjoni 8:12) Megjithatë, kur ishte mbi tokë atë e ndoqën relativisht pak veta. Shumica vendosi të ndiqte drita të rreme, që në të vërtetë ishin mbajtës të errësirës. Për këta Fjala e Perëndisë thotë: «Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjyes, që shtihen si apostuj të Krishtit. Dhe nuk keni pse të çuditeni! Sepse edhe vetë djalli merr trajtën e engjëllit të dritës. S’kini, pra, pse të çuditeni në qoftë se edhe punëtorët e tij marrin dukjen e jashtme të punëtorëve të drejtësisë. Mbarimi i tyre do të jetë simbas veprave të tyre.»​—2. Korintasve 11:13-15.

2. Sipas Jezuit, cila do të ishte baza për gjykimin e njerëzve?

2 Pra, jo të gjithë njerëzit e duan dritën, sado e mrekullueshme të jetë ajo. Jezui tha: «Kjo është baza për gjykim, që drita erdhi në botë, por njerëzit deshën më shumë errësirën se dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga. Sepse ai që praktikon gjëra të këqija e urren dritën dhe nuk vjen në dritë, që veprat e tij të mos zbulohen.»​—Gjoni 3:19, 20, NW.

Dashurues të errësirës

3, 4. Si treguan krerët fetarë të kohës së Jezuit se nuk donin të ndiqnin dritën?

3 Shqyrto se si ndodhi kjo kur Jezui ishte në tokë. Perëndia i kishte dhënë Jezuit fuqi për të kryer mrekulli, për të treguar se ai ishte Mesia. Për shembul, një ditë të shtune, ai i ktheu të parët një njeriu që kish lindur i verbër. Sa veprim i shkëlqyer mëshire! Sa mirënjohës i qe ai njeri! Për herë të parë ai mund të shihte! Por, cili qe reagimi i krerëve fetarë? Gjoni 9:16 referon: «Atëherë disa prej farisenjsh thanë [për Jezuin]: ‘Ky njeri nuk është prej Hyut, sepse nuk e mban të shtunën!’ » Sa të mbrapshta ishin zemrat e tyre! Kishte ndodhur një shërim i mrekullueshëm, por në vend se të shprehnin gëzim që ai njeri nuk ishte më i verbër dhe çmueshmëri për shëruesin, ata e dënuan Jezuin! Në këtë mënyrë, pa asnjë dyshim mëkatuan kundër shfaqjes së frymës së shenjtë të Perëndisë, një mëkat i pafalshëm.​—Mateu 12:31, 32.

4 Më vonë, kur ata hipokritë e pyetën për Jezuin, ish-i verbëri tha: «Kjo është sigurisht një mrekulli, që ju s’e ditkeni prej nga është ai [Jezui], e pra, mua më hapi sytë. Ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush i frikësohet Perëndisë dhe bën dëshirën e tij, këtë ai e dëgjon. Që prej kohëve të vjetra nuk është dëgjuar ndonjëherë që dikush t’i ketë hapur sytë dikujt që ka lindur i verbër. Nëse ky njeri [Jezui] nuk do të ishte prej Perëndisë, nuk do të kish mundur të bënte asgjë.» Si u përgjigjën krerët fetarë? «Duke u përgjigjur, ata i thanë: ‘Ti ke lindur i tëri në mëkat e megjithatë na mëson neve?’ Dhe e nxorën jashtë.» Sa mungesë dhembshurie! Ata ishin zemërgur. Prandaj, Jezui u tha se frymësisht ata ishin të verbër, edhe pse shihnin me sytë e vërtetë.​—Gjoni 9:30-41, NW.

5, 6. Cilat veprime të krerëve fetarë të shek. I tregojnë se ata donin errësirën?

5 Që ata hipokritë fetarë kishin mëkatuar kundër frymës së Perëndisë, duket edhe në një rast tjetër, kur Jezui ngjalli Lazrin e vdekur. Pas asaj mrekullie, shumë nga njerëzit e zakonshëm besuan tek Jezui. Por, vër re çfarë bënë krerët fetarë. «Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë mblodhën Sanhedrinin dhe zunë të thoshin: ‘Çfarë duhet të bëjmë, sepse ky njeri kryen shumë shenja? Nëse e lëmë të veprojë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe do të vijnë romakët e do të marrin vendin dhe kombin.’ » (Gjoni 11:47-48, NW) Shqetësoheshin për pozitën dhe famën e tyre. Me çdo kusht, ata donin t’u pëlqenin romakëve dhe jo Perëndisë. Çfarë bënë, pra? «Prej asaj dite, u këshilluan që të vrisnin [Jezuin].»​—Gjoni 11:53, NW.

6 A mbaroi me kaq? Jo. Ajo që bënë më pas, tregon se sa shumë e donin ata errësirën: «Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin, sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.» (Gjoni 12:10, 11) Sa ligësi e pabesueshme! Por çfarë ndodhi, megjithëse bënë gjithë këto gjëra për të mbrojtur pozitën e tyre? Gjatë po atij brezi, ata u rebeluan ndaj romakëve, të cilët erdhën kundër tyre në vitin 70 të e.s. dhe u morën jo vetëm vendin dhe kombin, por edhe jetën!​—Isaia 5:20; Luka 19:41-44.

Dhembshuria e Jezuit

7. Përse u grumbulluan rreth Jezuit ata që donin dritën?

7 Po kështu edhe në kohën tonë jo të gjithë duan të ndriçohen frymësisht. Por ata që e duan të vërtetën, dëshirojnë të vijnë në dritë. Duan të kenë Perëndinë si Sovranin e tyre dhe me padurim kthehen tek Jezui, të cilin Perëndia e dërgoi për të shpjeguar se ç’është drita dhe për ta ndjekur. Këtë gjë bënë njerëzit e përulur, kur Jezui ishte në tokë. Ata u grumbulluan rreth tij. Madje edhe farisenjtë u detyruan ta pranonin këtë. Ata u ankuan: «Mbarë bota shkoi pas tij!» (Gjoni 12:19) Njerëzit ngjashëm deleve e donin Jezuin, sepse ai ishte krejt e kundërta e krerëve fetarë egoistë, arrogantë dhe të etur për pushtet, për të cilët Jezui tha: «Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbaren dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit.»​—Mateu 23:4, 5.

8. Çfarë qëndrimi mbajti Jezui në kontrast me fetarët hipokritë?

8 Vërej, përkundrazi, qëndrimin e dhembshur të Jezuit: «Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.» (Mateu 9:36) Dhe çfarë bëri? Ai u tha atyre që ishin shfrytëzuar nga sistemi i Satanait: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërte, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.» (Mateu 11;28-30) Jezui bëri atë që ishte parathënë për të tek Isaia 61:1, 2, ku lexojmë: «Jehovai më ka mirosur për t’u thënë lajmin e mirë të butëve. Ai më ka dërguar për t’u lidhur plagët zemërthyerve, për t’u shpallur lirinë atyre që janë në skllavëri dhe hapjen e plotë të syve edhe për robërit; për të shpallur vitin e vullnetit të mirë nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë; për të ngushëlluar të gjithë ata që janë në zi.»

Mbledhja e mbajtësve të dritës

9. Cilat ngjarje të jashtëzakonshme ndodhën në 1914-n?

9 Mbas ngritjes së tij në qiell, Jezui duhej të priste derisa të vinte koha e caktuar nga Perëndia për t’i dhënë atij fuqinë e Mbretërisë. Atëherë do të ndante «delet» nga «dhitë». (Mateu 25:31-33; Psalmi 110:1, 2) Ajo kohë erdhi kur «ditët e fundit» filluan më 1914-n. (2. Timoteut 3:1-5) Jezui, me fuqinë e Mbretit të Mbretërisë qiellore të Perëndisë, filloi të mblidhte në të djathtën e tij mbrojtëse ata që donin të ndiqnin dritën. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo vepër mbledhëse ka vazhduar me një vrull gjithnjë në rritje.

10. Cila pyetje mund të bëhet në lidhje me ata që Jezui po i përdor në veprën e mbledhjes?

10 Nën udhëheqjen e Krishtit Jezu, vepra e mbledhjes është kurorëzuar me sukses të madh. Asnjëherë në histori nuk ka pasur kaq shumë njerëz prej të gjitha kombeve, të bashkuar në adhurimin e vërtetë të ndriçuar. Dhe cilët janë sot ata që po ndjekin dritën që vjen prej Perëndisë dhe Krishtit? Cilët janë duke bërë atë që thotë Filipianëve 2:15 «po shkëlqeni si ndriçues në botë», duke i ftuar të tjerët që «të marrin falas ujin e jetës»?​—Zbulesa 22:17.

11. Cili është vendi që zë krishterimi në lidhje me dritën frymore?

11 A po e bën krishterimi këtë? Me fetë e veta të përçara krishterimi sigurisht që nuk po shkëlqen si një ndriçues. Në fakt, klerikët janë si udhëheqësit fetarë të ditëve të Jezuit. Ata nuk po pasqyrojnë dritën e vërtetë prej Perëndisë dhe Krishtit. Tridhjetë e tre vjet më parë, një gazetë thoshte: «Me keqardhje duhet pranuar se kjo dritë nuk shkëlqen në Kishë me madhështi mbizotëruese. . . . Kisha ka prirje për t’u bërë gjithnjë e më e ngjashme me bashkësitë që e rrethojnë. Nuk është më drita e botës, por një pasqyruese e dritave që shkëlqejnë në botë.» (Theology Today) Sot, gjendja e krishterimit është edhe më e keqe. E ashtuquajtura dritë që ai pasqyron nga bota, në fakt është errësirë, sepse kjo është gjithçka që mund të ofrojë Satanai dhe bota e tij. Jo, nga fetë e përçara dhe tërësisht botërore të krishterimit, nuk vjen drita e së vërtetës.

12. Kush e formon sot organizatën e vërtetë dritëmbajtëse?

12 Sot mund të thuhet me besim se shoqëria e botës së re të Dëshmitarëve të Jehovait është organizata e vërtetë dritëmbajtëse. Të bashkuar, të gjithë pjesëtarët e saj​—burra, gra dhe të rinj—​shkëlqejnë para gjithë njerëzimit dritën që vjen prej Jehovait dhe Krishtit. Vitin që shkoi, në pothuajse 70.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën, më tepër se katër milion mbajtës të dritës u kanë folur aktivisht të tjerëve mbi Perëndinë dhe qëllimet e tij. Dhe çdo vit tani shohim një rritje të vazhdueshme të madhe njerëzish që duan të ndriçohen frymësisht. Qindra mijëra njerëz pagëzohen, pasi kanë studiuar Biblën dhe pasi kanë fituar një njohuri të saktë për të vërtetën. Me të vërtetë, Perëndia «dëshiron që çdo lloj njeriu të shpëtojë dhe të vijë në njohjen e saktë të së vërtetës.»​—1. Timoteut 2:4, NW.

13. Me çfarë mund ta krahasojmë dritën që vjen prej Jehovait?

13 Mund ta krahasojmë ndriçimin që vjen tani prej Jehovait me atë që ndodhi kur populli i lashtë i Perëndisë la Egjiptin: «Jehovai shkonte përpara tyre ditën në një shtyllë reje, për t’i udhëhequr rrugës dhe natën në një shtyllë zjarri, për t’u dhënë dritë që të ecnin ditën dhe natën.» (Të Dalët 13:21, 22) Reja gjatë ditës dhe zjarri natën ishin udhëheqje të besueshme. Ishin aq të besueshme, sa edhe dielli që Perëndia e krijoi për të na siguruar dritën e orëve ditore. Po kështu edhe ne mund të besojmë se Jehovai do të vazhdojë të ndriçojë frymësisht rrugën e atyre që kërkojnë të vërtetën në këto ditë të këqija të fundit. Proverbat 4:18 na siguron: «Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.»​—Zanafilla, Fjalët e urta, Dhjetë Urdhërimet e Zotit.

Të pasqyrojmë dritën e Mbretërisë

14. Cili duhet të jetë qëllimi kryesor i mbajtësve të dritës?

14 Edhe pse Jehovai është Burimi i dritës dhe Krishti Kryepasqyruesi i kësaj drite, edhe ithtarët e Krishtit duhet ta pasqyrojnë atë. Ai tha për ta: «Ju jeni drita e botës. . . . Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.» (Mateu 5:14, 16) Dhe cila ishte tema qendrore e kësaj drite që ithtarët e tij duhej të shkëlqenin para njerëzimit? Çfarë duhej të mësonin ata në këtë pikë kulminante të historisë botërore? Jezui nuk tha se ithtarët e tij do të predikonin demokracinë, diktaturat, bashkimin e kishës me shtetin apo ndonjë ideologji tjetër botërore. Përkundrazi, në Mateun 24:14 ai paratha se përballë kundërshtimit botëror «ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë [do të] vijë fundi.» (NW) Prandaj, mbajtësit e sotëm të dritës u flasin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, e cila do t’i japë fund botës së Satanait dhe do t’i hapë rrugë botës së re të drejtë.​—1. Pjetrit 2:9.

15. Kujt duhet t’i drejtohen ata që duan dritën?

15 Ata që e duan dritën nuk do të gënjehen prej thirrjeve apo synimeve të kësaj bote. Të gjitha këto thirrje dhe synime do të zhduken së shpejti, sepse kjo botë ndodhet pranë fundit. Por, ata që duan drejtësinë do t’i drejtohen lajmit të mirë që shpallet prej atyre që shkëlqejnë dritën e Mbretërisë së Perëndisë deri në skajet më të largëta të tokës. Për këta në Zbulesën 7:9, 10 është parathënë: «Pastaj pashë një shumicë të madhe që askush s’mund ta numëronte. Ishin njerëz prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe. Qëndronin në këmbë para fronit [Perëndisë] dhe para Qengjit [Krishtit] . . . Ata thirrën me zë të lartë: ‘Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë që rri në fron dhe nga Qengji!» (Dhiata e re dhe Psalmet) Vargu 14 thotë: «Këta janë ata që dolën nga mjerimi i madh.» (NW) Po, ata do të mbijetojnë fundin e kësaj bote, për të hyrë në botën e re që s’do të ketë fund nën Mbretërinë e Perëndisë.

Bota e re e ndriçuar

16. Çfarë do të ndodhë me botën e Satanait në mjerimin e madh?

16 Bota e re do të lahet me dritën e shkëlqyeshme të së vërtetës. Mendo pak, se çfarë gjendjeje do të ekzistojë ditën pasi Perëndia t’i ketë dhënë fund këtij sistemi gjërash. Satanai, demonët e tij dhe sistemi i tij politik, tregtar dhe fetar, të gjithë do të jenë zhdukur! I gjithë aparati propagandistik i Satanait nuk do të jetë më. Prandaj, pas mjerimit të madh, nuk do të shtypet kurrë më as edhe një gazetë, revistë, libër, broshurë apo trakt që mbështet këtë botë të ligë. Nuk do të ketë më asnjë ndikim korruptues të transmetuar prej televizionit apo radios botërore. Ambienti helmues i botës së Satanait do të fshihet plotësisht me një goditje të vetme të fortë!​—Mateu 24:21; Zbulesa 7:14; 16:14-16; 19:11-21.

17, 18. Si do ta përshkruaje mjedisin frymor pas fundit të botës së Satanait?

17 Sa lehtësim i madh do të jetë! Që prej asaj dite, mbi njerëzimin do të ndikojë vetëm drita frymore e shëndetshme dhe ndërtuese që vjen prej Jehovait dhe Mbretërisë së tij. Isaia 54:13 ka parathënë: «Të gjithë bijtë e tu do të jenë njerëz të mësuar prej Jehovait dhe e bollshme do të jetë paqja e bijve të tu.» Kur qeveria e Perëndisë të sundojë mbarë tokën, premtimi i tij, i thënë tek Isaia 26:9, është se «banorët e tokës prodhimtare me siguri do të mësojnë drejtësi».

18 I gjithë mjedisi mendor dhe frymor do të ndryshojë me shpejtësi për të mirë. Në rend të ditës do të jenë gjëra ndërtuese, në vend të gjërave shtypëse dhe imorale kaq të përhapura sot. Të gjithë ata që do të jetojnë atëherë do të mësojnë të vërtetën mbi Perëndinë dhe qëllimet e tij. Në një kuptim të plotë do të përmbushet profecia e Isaisë 11:9 që thotë: «Toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin.»

Ndjekja e dritës është urgjente

19, 20. Përse duhet të qëndrojnë vigjilentë ata që duan të ndjekin dritën?

19 Tani, në ditët e fundit të këtij sistemi të lig, është urgjente të ndjekim dritën e botës. Duhet të jemi edhe vigjilentë, sepse po zhvillohet një luftë e ashpër për të na penguar që të ecim në dritë. Ky kundërshtim vjen prej forcave të errësirës—Satanait, demonëve të tij dhe organizatës së tij tokësore. Prandaj, apostulli Pjetër paralajmëroi: «Tregohuni të arsyeshëm, jini vigjilentë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan uluritës, duke kërkuar të përpijë dikë.»​—1. Pjetrit 5:8, NW.

20 Satanai do të nxjerrë çdo lloj pengese në rrugën e atyre që takohen me dritën, sepse ai dëshiron që ata të mbesin gjithmonë në errësirë. Mund të kenë presione nga të afërmit apo ish-shokët që e kundërshtojnë të vërtetën. Mund të kenë dyshime mbi Biblën, sepse mund të verbohen prej mësimeve të fesë së rreme apo prej propagandës së ateistëve dhe agnosticistëve. Mund të jenë edhe prirjet individuale mëkatare që e vështirësojnë jetesën sipas kërkesave hyjnore.

21. Cilat veprime duhet të kryhen prej të gjithë atyre që duan të jetojnë në botën e re të Perëndisë?

21 Çfarëdolloj pengese që të jetë, a dëshiron të gëzosh në botën e re një jetë pa varfëri, krime, padrejtësi dhe luftë? A dëshiron të gëzosh shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme në një tokë parajsore? Atëherë prano Jezuin dhe ndiqe atë si dritën e botës dhe dëgjoje lajmin e atyre që i mbahen fortësisht «fjalës së jetës» dhe që «po shkëlqejnë si ndriçues të botës».​—Filipianëve 2:15, 16.

Pyetjet për përsëritje

◻ Si e treguan krerët fetarë se donin errësirën?

◻ Çfarë qëndrimi kishte Jezui me njerëzit?

◻ Si ka ecur përpara mbledhja e mbajtësve të dritës?

◻ Cilat ndryshime të jashtëzakonshme do të ndodhin së shpejti?

◻ Përse sot është urgjente të ndjekim dritën e botës?

[Figura në faqet 14, 15]

Farisenjtë zemërgur e nxorën jashtë njeriun të cilit Jezui i kish hapur sytë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo