BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • jy kap. 19 f. 48-f. 51 par. 4
  • Mëson një grua samaritane

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mëson një grua samaritane
  • Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SHUMË SAMARITANË BESOJNË
  • Mëson një grua samaritane
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
  • Gruaja te pusi
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Me gruan te pusi
    Libri im i tregimeve biblike
  • Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?
    Njohuria që të çon në jetën e përhershme
Shih më tepër
Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
jy kap. 19 f. 48-f. 51 par. 4
Jezui flet me një grua samaritane te një pus

KAPITULLI 19

Mëson një grua samaritane

GJONI 4:3-43

  • JEZUI MËSON NJË GRUA SAMARITANE DHE SAMARITANË TË TJERË

  • ADHURIMI QË MIRATON PERËNDIA

Për të shkuar nga Judea në Galile, Jezui dhe dishepujt udhëtojnë drejt veriut dhe kalojnë nëpër krahinën e Samarisë. Është afërsisht ora 12 e drekës dhe, të lodhur nga udhëtimi, ndalojnë pranë një pusi afër qytetit të Siharit. Ka mundësi që pusin ta ketë hapur ose të ketë paguar për ta hapur Jakobi, shekuj më parë. Sot e kësaj dite, ky pus gjendet pranë qytetit të Nablusit.

Ndërsa Jezui pushon pranë pusit, dishepujt shkojnë në qytetin aty pranë që të blejnë ushqim. Ndërkohë, afrohet një grua samaritane për të mbushur ujë. Jezui i thotë: «Më jep pak ujë.»—Gjoni 4:7.

Jezui pushon te një pus, dishepujt largohen dhe vjen një grua samaritane të mbushë ujë

Për shkak të paragjykimeve të rrënjosura thellë, judenjtë dhe samaritanët në përgjithësi nuk bëhen me njëri-tjetrin. Ja pse gruaja çuditet dhe e pyet Jezuin: «Si ka mundësi që ti, edhe pse jude, më kërkon ujë mua, që jam samaritane?» Ai i përgjigjet: «Po ta dije ç’dhuratë jep Perëndia dhe se kush po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, do t’i kishe kërkuar ujë, e ai do të të jepte ujin e jetës.» Atëherë, ajo ia kthen: «Imzot, ti nuk ke kovë për të nxjerrë ujë dhe pusi është i thellë. Nga cili burim, pra, e nxjerr këtë ujë jete?! Mos je më i madh se Jakobi, paraardhësi ynë, i cili na dha pusin? Ai vetë, bijtë e tij, si edhe bagëtitë e veta pinë ujë nga ky pus.»—Gjoni 4:9-12.

Jezui i thotë: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë prapë etje. Por, kushdo që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës, sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet brenda tij si një burim uji që gufon për t’i dhënë jetë të përhershme.» (Gjoni 4:13, 14) Megjithëse i lodhur, Jezui i tregon me gatishmëri gruas samaritane të vërteta jetëdhënëse.

Pastaj gruaja i thotë: «Imzot, më jep nga ky ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të nxjerrë ujë.» Tani duket se Jezui ndryshon temë dhe i thotë: «Shko, thirre burrin tënd dhe eja prapë këtu.» Por ajo i përgjigjet: «Unë nuk kam burrë.» Imagjino sa habitet nga ajo që i thotë Jezui tani: «Mirë e the se nuk ke burrë, sepse ke pasur pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt.»—Gjoni 4:15-18.

Gruaja e kupton qartë se Jezui nuk është njeri i zakonshëm, ndaj i thotë e mahnitur: «Imzot, e shoh që je profet.» Fjalët që thotë më pas tregojnë se i intereson adhurimi i Perëndisë: «Paraardhësit tanë [samaritanët] adhuruan në këtë mal [në malin Gerizim, që është aty pranë], kurse ju judenjtë thoni se duhet të adhurojmë vetëm në Jerusalem.»—Gjoni 4:19, 20.

Gjithsesi, Jezui i shpjegon se vendi i adhurimit nuk është i rëndësishëm. Ai thotë: «Po vjen ora kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.» Pastaj vazhdon: «Po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.»—Gjoni 4:21, 23, 24.

Për Atin nuk ka rëndësi vendi, por mënyra si e adhurojnë adhuruesit e vërtetë. Gruas i bëjnë shumë përshtypje këto fjalë dhe i thotë: «Unë e di se po vjen Mesia, i cili quhet Krisht. Kurdo që të vijë, ai do të na i tregojë hapur të gjitha gjërat.»—Gjoni 4:25.

Tani Jezui i zbulon një të vërtetë të rëndësishme: «Unë që po të flas, jam ai.» (Gjoni 4:26) Mendo pak: Jezui i jep një privilegj të mrekullueshëm një gruaje, që për më tepër është samaritane, e cila ka ardhur të nxjerrë ujë në mesditë. Ai i tregon hapur një të vërtetë që s’ia ka thënë akoma askujt—Jezui është Mesia.

SHUMË SAMARITANË BESOJNË

Dishepujt e Jezuit kthehen nga Sihari me ushqime dhe e gjejnë Jezuin aty ku e lanë, te pusi i Jakobit. Por tani e shohin duke folur me një grua samaritane. Ndërsa dishepujt afrohen, ajo lë shtambën e ujit dhe niset për në qytet.

Dishepujt e Jezuit kthehen te pusi, kurse gruaja samaritane largohet

Kur mbërrin në Sihar, gruaja u tregon të tjerëve gjërat që i tha Jezui. Ajo u thotë plot bindje: «Ejani të shikoni! Është një njeri që më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë.» Pastaj, mbase për të zgjuar kureshtjen, pyet: «Të jetë ky Krishti?!» (Gjoni 4:29) Kjo pyetje prek një temë jetësore e cila ka ngjallur interes që në kohën e Moisiut. (Ligji i përtërirë 18:18) Ja pse këta njerëz nxiten që ta takojnë vetë Jezuin.

Në Sihar, gruaja u tregon banorëve gjërat që i tha Jezui

Ndërkohë dishepujt i luten Jezuit të hajë nga ushqimi që i kanë sjellë. Por ai u përgjigjet: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.» Dishepujt çuditen dhe pyesin njëri-tjetrin: «Mos i ka sjellë dikush ndonjë gjë për të ngrënë?» Me dashamirësi Jezui u shpjegon ku e ka fjalën, dhe ajo që u thotë ka shumë rëndësi për të gjithë dishepujt e tij: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.»—Gjoni 4:32-34.

Vepra për të cilën po flet Jezui nuk lidhet me korrjen e drithit, që do edhe katër muaj. Ai e ka fjalën për veprën e bërjes së dishepujve, siç e tregon tani: «Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje. Korrësi tashmë po e merr pagën e vet dhe po mbledh fryte për jetë të përhershme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzojnë së bashku.»—Gjoni 4:35, 36.

Jezui e kupton se shumë banorë të Siharit fillojnë të besojnë tek ai falë dëshmisë së gruas samaritane, e cila po u thotë: «Ai më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë.» (Gjoni 4:39) Ja pse kur vijnë te pusi, i kërkojnë Jezuit të qëndrojë në Samari e t’u shpjegojë më shumë. Jezui e pranon ftesën dhe rri dy ditë atje.

Ndërsa dëgjojnë Jezuin, gjithnjë e më shumë samaritanë besojnë tek ai dhe i thonë gruas: «Tani nuk besojmë vetëm se na tregove ti, por ngaqë e dëgjuam me veshët tanë. Ne e dimë se ky njeri është vërtet shpëtimtari i botës.» (Gjoni 4:42) Gruaja samaritane na lë një shembull të shkëlqyer si të japim dëshmi për Krishtin: duke u ngjallur dëgjuesve kureshtjen që të mësojnë më shumë.

Jemi katër muaj para stinës së korrjes—me sa duket korrjes së elbit, që në këtë rajon bëhet në pranverë. Prandaj, ndoshta është nëntor ose dhjetor. Kjo do të thotë se pas Festës së Kalimit të vitit 30 të e.s., Jezui dhe dishepujt e tij kanë ndenjur afro tetë muaj në Jude duke mësuar dhe duke pagëzuar. Tani nisen drejt veriut për në vendin e tyre, në Galile. Çfarë i pret atje?

KUSH ISHIN SAMARITANËT?

Samaria është një rajon që në jug kufizohet nga Judea kurse në veri nga Galilea. Pas vdekjes së mbretit Solomon, dhjetë fiset e Izraelit u ndanë nga fisi i Judës dhe i Beniaminit.

Dhjetë fiset, që më pas u quajtën Samari, nisën të praktikonin adhurimin e viçit. Ja pse në vitin 740 p.e.s., Jehovai lejoi asirianët ta pushtonin Samarinë. Pushtuesit çuan një pjesë të mirë të popullit në mërgim dhe sollën banorë të tjerë të Perandorisë Asiriane. Këta adhurues të perëndive të huaja u martuan me izraelitë që jetonin ende aty. Me kalimin e kohës, banorët e kësaj zone përfshinë në adhurimin e tyre bindje dhe praktika që gjendeshin në Ligjin e Perëndisë, siç ishte rrethprerja. Prapëseprapë, këto praktika fetare nuk ishin adhurim i vërtetë.—2 Mbretërve 17:9-33; Isaia 9:9.

Në kohën e Jezuit samaritanët i pranonin librat e Moisiut, por nuk adhuronin në tempullin e Jerusalemit. Për vite të tëra e kishin adhuruar Perëndinë në një tempull të ndërtuar në malin Gerizim, jo larg Siharit. Dhe vazhduan të adhuronin në këtë mal edhe pas shkatërrimit të tempullit të Jerusalemit. Armiqësia mes samaritanëve dhe judenjve ishte e dukshme gjatë shërbimit të Jezuit.—Gjoni 8:48.

  • Pse habitet gruaja samaritane kur i flet Jezui?

  • Çfarë i mëson Jezui gruas për ujin e jetës dhe për vendin ku duhet adhuruar Perëndia?

  • Si i zbulon Jezui identitetin e tij gruas samaritane, e ç’lloj adhurimi nxit ai?

  • Në cilin përfundim arrin gruaja samaritane për Jezuin? Çfarë bën ajo më pas?

  • Çfarë kanë bërë Jezui dhe dishepujt që nga Festa e Kalimit e vitit 30 të e.s.?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo