Perëndia kujdeset për ty
MARIA, një grua e krishterë në fund të të dyzetave, ka vuajtur shumë në jetën e saj. Tradhtia bashkëshortore që kreu burri i saj, bëri që ata të divorcoheshin më shumë se dhjetë vjet më parë. Megjithatë, Maria luftoi për të përmbushur rolin e saj si prindi i vetëm i katër fëmijëve. Por ajo është ende e vetme dhe disa herë vetmia duket e padurueshme. Maria pyet veten: «A do të thotë kjo që Perëndia s’kujdeset për mua dhe për katër fëmijët e mi jetimë?»
Pavarësisht nëse ke provuar apo jo të njëjtën vështirësi, sigurisht që bashkohesh me ndjenjat e Marisë. Të gjithë kemi duruar rrethana të vështira e ndoshta kemi pyetur veten se kur dhe si do të vepronte Jehovai për të na përkrahur. Disa prej këtyre përvojave janë rezultat i drejtpërdrejtë i vendosmërisë sonë për të mbajtur ligjin e Perëndisë. (Mateu 10:16-18; Veprat 5:29) Të tjera vijnë ngaqë jemi njerëz të papërsosur që jetojmë në një botë të sunduar nga Satanai. (1. Gjonit 5:19) Apostulli Pavël shkroi: «Mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.»—Romakëve 8:22.
Megjithatë, fakti që po përballon një sprovë të ashpër nuk do të thotë që Jehovai të ka braktisur apo që nuk interesohet për mirëqenien tënde. Si mund të jesh i sigurt për këtë? Nga duket se Perëndia kujdeset për ty?
Një shembull i lashtë
Bibla siguron dëshmi të qarta të kujdesit të Jehovait për njerëzit si individë. Le të shqyrtojmë Davidin. Jehovai interesohej personalisht për këtë djalosh bari, duke gjetur tek ai «një njeri sipas zemrës së tij». (1. Samuelit 13:14) Më vonë, ndërsa Davidi sundote si mbret, Jeovai i premtoi: «Do të jem me ty ngado që të shkosh.»—2. Samuelit 7:9, BR.
A do të thotë kjo që Davidi pati një jetë «të shkujdesur», pa asnjë vështirësi? Jo, Davidi përballoi sprova të ashpra përpara dhe gjatë kohës së mbretërimit. Për vite me radhë para se të bëhej mbret, ai u ndoq në mënyrë të pamëshirshme nga mbreti vrastar Sauli. Gjatë kësaj periudhe të jetës së tij, Davidi shkroi: «Shpirti im është si në mes të luanëve . . . midis njerëzve, dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta.»—Psalmi 57:4.
Megjithatë, gjatë gjithë këtyre vështirësive Davidi ishte i bindur për kujdesin personal të Jehovait. «Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime»,—tha ai në një lutje që i drejtoi Jehovait. Po, për Davidin ishte njësoj sikur Jehovai të kishte dokumentuar të gjithë peripecinë. Pastaj, Davidi shtoi: «Vendosi lotët e mi në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?»a (Psalmi 56:8) Me këtë ilustrim, Davidi shprehu besimin se Jehovai nuk ishte i vetëdijshëm vetëm për situatën, por edhe për luftën e tij të brendshme emocionale.
Aty nga fundi i jetës së tij, Davidi mundi të shkruante nga përvoja personale: «Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet përtokë, sepse Zoti e mban për dore.» (Psalmi 37:23, 24) Edhe ti mund të kesh besim që, edhe pse sprovat që has vazhdojnë e rriten, Jehovai e vëren dhe e vlerëson qëndrueshmërinë tënde. Pavli shkroi: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.»—Hebrenjve 6:10.
Për më tepër, Jehovai mund të veprojë për të të përkrahur, duke të dhënë fuqinë për të duruar çdo pengesë përgjatë shtegut tënd. «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë,—shkroi Davidi,—por Zoti e çliron nga të gjitha.» (Psalmi 34:19) Në fakt, Bibla na thotë se sytë e Jehovait ‘shikojnë përpara dhe mbrapa tërë dheun, për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij’.—2. Kronikave 16:9.
Jehovai të ka tërhequr
Dëshmi e mëtejshme e kujdesit personal të Jehovait, mund të gjendet në fjalët e Jezuit. «Askush nuk mund të vijë tek unë,—tha ai,—po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Po, Jehovai i ndihmon njerëzit individualisht që të përfitojnë nga dobitë e sakrificës së Jezuit. Në ç’mënyrë? Në një masë të madhe, nëpërmjet veprës së predikimit të Mbretërisë. Është e vërtetë se kjo vepër shërben si «një dëshmi për gjithë kombet», megjithatë ajo shkon te njerëzit mbi baza individuale. Fakti që po dëgjon dhe po i përgjigjesh mesazhit të lajmit të mirë është dëshmi se Jehovai shqetësohet personalisht për ty.—Mateu 24:14.
Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë Jehovai i tërheq individët drejt Birit të tij dhe drejt shpresës së jetës së përhershme. Kjo i mundëson gjithësecilit të kuptojë e të zbatojë të vërtetat frymore, pavarësisht nga ndonjë kufizim apo papërsosmëri e trashëguar. Vërtet, një person s’mund të kuptojë qëllimet e Perëndisë pa ndihmën e frymës së Perëndisë. (1. Korintasve 2:11, 12) Siç u shkroi Pavli selanikasve, «jo të gjithë kanë besim». (2. Selanikasve 3:2) Jehovai u jep frymën e tij vetëm atyre që tregohen të gatshëm të tërhiqen prej tij.
Jehovai i tërheq njerëzit, sepse i do ata si individë dhe dëshiron që ata të marrin shpëtimin. Sa dëshmi e fortë e kujdesit personal të Jehovait! Jezui tha: «Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.» (Mateu 18:14) Po, në sytë e Perëndisë çdo person është i rëndësishëm, si një individ i veçantë. Ja, përse Pavli shkroi: «Do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij.» (Romakëve 2:6) Ndërsa apostulli Pjetër shkroi: «Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai [personi individual] që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Mrekullitë e Jezuit
Interesi personal që ka Perëndia për njerëzit u shfaq në mënyrë prekëse në mrekullitë që kreu Biri i tij, Jezui. Këto shërime u shoqëruan nga ndjenja të thella. (Marku 1:40, 41) Pasi Jezui «nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati», dhembshuria e tij pasqyron një portret prekës të kujdesit të dashur që ka Jehovai për secilin nga shërbëtorët e tij.—Gjoni 5:19.
Le të shqyrtojmë tregimin e një mrekullie që kreu Jezui, e cila gjendet në Markun 7:31-37. Këtu, Jezui shëroi një burrë të shurdhër e që vuante nga një vështirësi në të folur. Ai, thotë Bibla, «e mori veçmas, larg turmës». «Pastaj, i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ‘Effatha’, që do të thotë: ‘Hapu!’»
Përse e mori Jezui atë burrë veç turmës? E pra, ka të ngjarë që një person që mezi flet, do të vihej në siklet përballë spektatorëve. Jezui mund ta ketë vënë re këtë shqetësim, prandaj vendosi ta shëronte atë burrë privatisht. «Gjithë historia,—vëren një studiues i Biblës,—na tregon në mënyrë më të gjallë që Jezui nuk e konsideronte atë burrë thjesht një rast; ai e konsideronte atë një individ. Burri kishte një nevojë dhe një problem të veçantë dhe me konsideratën më të butë, Jezui u soll me të në atë mënyrë që të mos i lëndonte ndjenjat dhe që ai ta kuptonte.»
Kjo ngjarje tregon se Jezui kishte një kujdes personal për njerëzit. Mund të jesh i sigurt se ai është po aq i interesuar edhe për ty. Vërtet, vdekja e tij si sakrificë ishte një shprehje dashurie për gjithë botën e njerëzimit që duhej shpërblerë. Megjithatë, ti mund ta marrësh këtë veprim personalisht, siç bëri Pavli, i cili shkroi: «[Biri i Perëndisë, BR] më deshi dhe dha veten për mua.» (Galatasve 2:20) E meqë Jezui vërejti se «kush më ka parë mua, ka parë Atin», ne mund të jemi të sigurt se Jehovai ka të njëjtin interes për secilin nga shërbëtorët e tij.—Gjoni 14:9.
Jehovai bëhet shpërblerës
Të marrësh njohuri për Perëndinë përfshin edhe të fillosh të njohësh secilin aspekt të personalitetit të tij, ashtu siç zbulohet në Bibël. Vetë emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet», duke nënkuptuar që Jehovai mund të bëhet çdo gjë që të zgjedhë, mjaft që të plotësojë qëllimin e tij. Gjatë gjithë historisë, ai ka veshur role të ndryshme, të cilat përfshijnë atë të Krijuesit, të Atit, të Zotërisë Sovran, të Bariut, të Jehovait të ushtrive, të Dëgjuesit të lutjes, të Mësuesit të madh dhe të Çliruesit.b
Për të kuptuar domethënien e plotë të emrit të Perëndisë, duhet të njohim Jehovain edhe në rolin e Shpërblyesit. Pavli shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë.»—Hebrenjve 11:6.
Jehovai u ka premtuar jetën e përhershme mbi një tokë parajsore atyre që sot zgjedhin t’i shërbejnë atij me gjithë zemër. Nuk është egoizëm të presësh me padurim përmbushjen e këtij qëllimi madhështor, as nuk është mendjemadhësi të imagjinosh veten duke jetuar atje. Moisiu ‘i drejtoi sytë nga shpërblimi’. (Hebrenjve 11:26) Në mënyrë të ngjashme, Pavli me entuziazëm e përshpejtoi përmbushjen e premtimit të Perëndisë për të krishterët e mirosur besnikë. Ai shkroi: «Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.»—Filipianëve 3:14.
Edhe ti mund të presësh me padurim shpërblimin që Jehovai u premton atyre që durojnë. Përshpejtimi i këtij shpërblimi është një pjesë përbërëse e njohurisë që ke për Perëndinë dhe e këmbënguljes tënde në shërbim të tij. Medito, pra, çdo ditë mbi bekimet që Jehovai ka ruajtur për ty. Maria, e përmendur në fillim, ka bërë një përpjekje të veçantë për ta bërë këtë. «Për herë të parë në jetën time,—thotë ajo,—kohët e fundit kam pranuar se shpërblimi i Jezuit zbatohet për mua. Kam filluar të kuptoj se Jehovai kujdeset për mua si një person. Kam qenë e krishterë për më shumë se 20 vjet, por vetëm së fundi fillova me të vërtetë ta besoj këtë.»
Nëpërmjet studimit dhe meditimit me gjithë zemër mbi Biblën, Maria, bashkë me miliona të tjerë, ka filluar të mësojë se Jehovai kujdeset për shërbëtorët e tij, jo vetëm si një grup, por edhe si individë. Apostulli Pjetër ishte aq i bindur për këtë, sa shkroi: «Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai [Perëndia] merakoset për ju.» (1. Pjetrit 5:7) Po, Perëndia kujdeset për ty!
[Shënimet]
a Caliku ishte një trastë prej lëkure të regjur kafshe, që përdorej për të mbajtur gjëra të tilla, si ujë, vaj, qumësht, verë, gjalpë dhe djathë. Shishet e lashtësisë ndryshonin nga madhësia dhe forma, disa prej tyre ishin trasta lëkure e të tjera ishin mbajtëse me grykë të ngushtë e me tapë.
b Shiko Gjykatësit 11:27; Psalmet 23:1; 65:2; 73:28; 89:26; Isainë 8:13; 30:20; 40:28; 41:14; shiko edhe Përkthimin Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, me referime, shtojca 1J, faqe 1568, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 6]
Ringjallja: provë që Perëndia kujdeset
PROVË bindëse e interesit të Perëndisë për çdo individ gjendet në Bibël, në Gjonin 5:28, 29: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre [varre përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre.»
Në mënyrë interesante, fjala greke mne·meiʹon (varr përkujtimor) është përdorur këtu në vend të fjalës taʹphos (varr). Fjala taʹphos jep në mënyrë të thjeshtë mendimin e një grope varri. Ndërsa mne·meiʹon sugjeron se kujtimi i personit që ka vdekur është vënë në kujtesë.
Në lidhje me këtë, vetëm mendo se ç’do të kërkojë ringjallja për Perëndinë Jehova. Për të sjellë dikë përsëri në jetë, ai duhet të dijë gjithçka mbi atë njeri, duke përfshirë edhe tiparet e trashëguara të tij apo të saj, si edhe kujtesën e plotë. Vetëm atëherë, ai individ mund të vijë siç ishte në fillim, me të njëjtin identitet.
Natyrisht, kjo është e pamundur nga pikëpamja njerëzore, por «gjithçka është e mundur për Perëndinë». (Marku 10:27) Madje, ai mund të zbulojë çfarë ka në zemrën e një njeriu. Edhe nëse një person ka vdekur prej shumë shekujsh, kujtimi që ka Perëndia për të nuk humbet; nuk zbehet. (Jobi 14:13-15) Prandaj, kur përmendi Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, Jezui mundi të thoshte disa shekuj pasi ata kishin vdekur, se Jehovai «nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të».—Luka 20:38.
Kështu, pra, miliarda të vdekur gjenden në kujtesën e Perëndisë Jehova me të gjitha hollësitë. Sa provë e shkëlqyeshme se Perëndia kujdeset për njerëzit individualisht!
[Figura në faqen 7]
Jezui u kujdes personalisht për ata që shëroi