Udha e dashurisë nuk dështon kurrë
«Vazhdoni të kërkoni me zell dhuratat më të mëdha. E megjithatë unë ju tregoj një udhë që i tejkalon të tjerat.»—1. KORINTASVE 12:31, BR.
1-3. (a) Në ç’mënyrë të mësosh të shprehësh dashurinë është shumë e ngjashme me mësimin e një gjuhe të re? (b) Cilët faktorë mund ta bëjnë një sfidë të mësosh ta shprehësh dashurinë?
A KE PROVUAR ndonjëherë të mësosh një gjuhë të re? Është një sfidë, për të mos thënë më shumë! Sigurisht, një fëmijë i vogël mund ta mësojë një gjuhë edhe vetëm duke rënë në kontakt me të. Truri i tij i thith menjëherë tingujt dhe domethëniet e fjalëve, kështu që pas pak kohe vogëlushi shprehet me zhdërvjelltësi e ndoshta flet pareshtur. Nuk është kështu me të rriturit. Ne kërkojmë vazhdimisht në një fjalor të gjuhës së huaj, thjesht për të formuluar disa fraza themelore në atë gjuhë. Por me kalimin e kohës dhe duke rënë mjaft në kontakt me gjuhën, edhe ne fillojmë të mendojmë në atë gjuhë të re dhe na bëhet më e lehtë ta flasim atë.
2 Të mësosh ta shprehësh dashurinë është shumë e ngjashme me mësimin e një gjuhe të re. Është e vërtetë se një masë të kësaj cilësie hyjnore njerëzit e kanë të lindur. (Zanafilla 1:27; krahaso 1. Gjonit 4:8.) Megjithatë, të mësosh ta shprehësh dashurinë kërkon përpjekje të jashtëzakonshme dhe sidomos sot, kur përzemërsia natyrore është kaq me pakicë. (2. Timoteut 3:1-5) Nganjëherë, kjo ndodh pikërisht në familje. Po, shumë njerëz rriten në një ambient të vrazhdë ku rrallë, për të mos thënë kurrë, shprehen fjalë dashurie. (Efesianëve 4:29-31; 6:4) Atëherë, si mund të mësojmë ta shprehim dashurinë, edhe nëse vetë e kemi përjetuar rrallë atë?
3 Bibla mund të na ndihmojë. Në 1. Korintasve 13:4-8, Pavli siguron, jo një përkufizim mekanik se çfarë është dashuria, por një përshkrim të gjallë se si vepron kjo formë më e lartë e dashurisë. Një shqyrtim i këtyre vargjeve do të na ndihmojë të kuptojmë natyrën e kësaj cilësie hyjnore dhe do të na pajisë më mirë për ta shprehur atë. Le të shqyrtojmë disa aspekte të dashurisë siç i përshkroi Pavli. Do t’i grupojmë kryesisht sipas tri kategorive: në sjelljen tonë në përgjithësi; pastaj, në mënyrë më specifike, në marrëdhëniet tona me të të tjerët; dhe në fund në qëndrueshmërinë tonë.
Dashuria na ndihmon të mundim krenarinë
4. Çfarë mendjehollësie jep Bibla në lidhje me xhelozinë?
4 Pas komenteve hyrëse për dashurinë, Pavli u shkroi korintasve: «Dashuria nuk është xheloze.» (1. Korintasve 13:4, BR) Xhelozia mund të shfaqet në formën e pakënaqësisë smirëkeqe për begatinë ose për arritjet e të tjerëve. Një xhelozi e tillë të shkatërron fizikisht, emocionalisht dhe frymësisht.—Proverbat (Fjalët e urta) 14:30; Romakëve 13:13; Jakovit 3:14-16.
5. Si mund të na ndihmojë dashuria për ta mundur xhelozinë, kur duket se kalohemi pa u vënë re për disa privilegje teokratike?
5 Duke pasur parasysh këtë, pyet veten: ‘A kam smirë kur duket se kalohem pa u vënë re për ndonjë privilegj teokratik?’ Nëse përgjigjja është po, mos u dëshpëro. Shkrimtari biblik Jakovi na kujton se «një tendencë për smirën» është e pranishme te të gjithë njerëzit e papërsosur. (Jakovit 4:5, BR) Dashuria që ke për vëllanë mund të të ndihmojë për të rivendosur ekuilibrin tënd. Ajo të jep mundësinë të gëzohesh me ata që gëzojnë dhe të mos e shikosh si një fyerje që të bëhet ty, kur dikush tjetër merr një bekim ose një kompliment.—Krahaso 1. Samuelit 18:7-9.
6. Cila situatë e rëndë u zhvillua në kongregacionin korintas të shekullit të parë?
6 Pavli shton se dashuria «nuk mburret, nuk krekoset». (1. Korintasve 13:4, BR) Nëse kemi ndonjë talent ose aftësi, nuk ka nevojë që ta valëvitim atë si flamur. Me sa duket, ky ishte një problem me disa njerëz ambiciozë që kishin depërtuar në kongregacionin e lashtë korintas. Ndoshta ata kishin aftësi më të mëdha në shtjellimin e mendimeve ose një mënyrë më të efektshme për t’i bërë gjërat. Tërheqja e vëmendjes mbi veten e tyre mund t’i ketë kontribuar ndarjes së kongregacionit në fraksione. (1. Korintasve 3:3, 4; 2. Korintasve 12:20) Situata u bë kaq e rëndë, saqë më vonë Pavlit iu desh t’u hiqte vërejtje të ashpër korintasve, sepse ‘duruan njerëz të paarsyeshëm’, të cilët Pavli në mënyrë kritike i përshkroi si «apostuj tejet të lartë».—2. Korintasve 11:5, 19, 20, BR.
7, 8. Trego nga Bibla se si mund ta përdorim ndonjë talent të lindur që kemi për të çuar përpara unitetin.
7 Edhe sot mund të zhvillohet një situatë e ngjashme. Për shembull, disa mund të kenë një tendencë për t’u mburrur me arritjet e tyre në shërbim ose me privilegjet që kanë në organizatën e Perëndisë. Edhe nëse kemi një aftësi ose mjeshtëri të veçantë që të tjerët në kongregacion nuk e kanë, a do të na jepte kjo lirinë për t’u krekosur? Në fund të fundit, nëse kemi ndonjë talent të lindur, ne duhet ta përdorim për të çuar përpara unitetin, jo për të lartësuar veten.—Mateu 23:12; 1. Pjetrit 5:6.
8 Pavli shkroi se, ndonëse një kongregacion ka shumë pjesëtarë, «Perëndia e formoi trupin». (1. Korintasve 12:19-26, BR) Fjala greke e përkthyer «formoi» nënkupton një bashkim të harmonishëm, si në përzierjen e ngjyrave. Prandaj, asnjë individ në kongregacion nuk duhet të ndihet i krekosur për aftësitë e tij dhe të përpiqet të sundojë mbi të tjerët. Krenaria dhe ambicia nuk kanë vend në organizatën e Perëndisë.—Proverbat 16:19; 1. Korintasve 14:12; 1. Pjetrit 5:2, 3.
9. Çfarë shembujsh paralajmërues siguron Bibla për individë që kërkonin interesat e tyre?
9 Dashuria «nuk kërkon interesat e veta». (1. Korintasve 13:5, BR) Një person i dashur nuk i manipulon të tjerët për të arritur aty ku do ai. Bibla përmban shembuj paralajmërues për këtë çështje. Si ilustrim lexojmë për Dalilën, Jezabelën dhe Ataliahun, gra që i manipuluan të tjerët për motivet e tyre egoiste. (Gjykatësit [Gjyqtarët] 16:16; 1. Mbretërve 21:25; 2. Kronikave 22:10-12) Një prej tyre ishte edhe biri i mbretit David, Absalomi. Ai u afrohej atyre që vinin në Jerusalem për ndonjë gjyq dhe me dinakëri u linte të kuptonin se trupi gjykues i mbretit nuk kishte interes të sinqertë për problemet e tyre. Pastaj, pohonte hapur se ajo që trupit gjykues i duhej në të vërtetë ishte një njeri i përzemërt si ai! (2. Samuelit 15:2-4) Sigurisht, Absalomi nuk ishte i interesuar për personat e marrë nëpër këmbë, por vetëm për veten. Duke vepruar si një mbret i vetëshpallur, ai ushtroi ndikim mbi zemrat e shumë njerëzve. Por në fund Absalomi pësoi një disfatë të rëndë. Kur vdiq, ai nuk u konsiderua as i denjë për një varrim siç duhej.—2. Samuelit 18:6-17.
10. Si mund ta demonstrojmë se po mbajmë një sy në interesat e të tjerëve?
10 Ky është një paralajmërim për të krishterët sot. Mashkull ose femër, të gjithë ne mund të kemi nga natyra aftësi për të bindur të tjerët. Mund të jetë e lehtë për ne që të arrijmë aty ku duam, si të thuash, duke e mbizotëruar një bisedë ose duke i lodhur me argumentime ata që kanë pikëpamje të ndryshme. Por, po të jemi me të vërtetë të dashur, do të mbajmë një sy mbi interesat e të tjerëve. (Filipianëve 2:2-4) Nuk do të përfitojmë nga të tjerët ose të përkrahim mendime të diskutueshme, për shkak të përvojës sonë ose të pozitës në organizatën e Perëndisë, sikur pikëpamjet tona të ishin të vetmet që kanë peshë. Përkundrazi, do të kujtojmë proverbin biblik: «Krenaria është para rrëzimit dhe një frymë fodullëku para pengimit.»—Proverbat 16:18, BR.
Dashuria i kontribuon marrëdhënieve paqësore
11. (a) Në cilat mënyra mund ta tregojmë dashurinë që është si dashamirëse, ashtu edhe e hijshme? (b) Si mund të tregojmë se nuk gëzohemi për padrejtësinë?
11 Pavli shkroi, gjithashtu, se dashuria është «dashamirëse» dhe se «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». (1. Korintasve 13:4, 5, BR) Po, dashuria nuk do të na lejojë të veprojmë në një mënyrë harbute, vulgare ose pa respekt. Në vend të kësaj, do t’i marrim në konsideratë ndjenjat e të tjerëve. Për shembull, një person i dashur do të përmbahet për të mos bërë gjëra që do të shqetësonin ndërgjegjen e të tjerëve. (Krahaso 1. Korintasve 8:13.) Dashuria «nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën». (1. Korintasve 13:6, BR) Nëse e duam ligjin e Jehovait, nuk do të mbyllim sytë përpara imoralitetit ose të zbavitemi me gjërat që Perëndia i urren. (Psalmi 119:97) Dashuria do të na ndihmojë të gjejmë gëzim në gjërat që ndërtojnë në vend se në ato që shembin.—Romakëve 15:2; 1. Korintasve 10:23, 24; 14:26.
12, 13. (a) Si duhet të reagojmë kur dikush na ofendon? (b) Cito shembuj biblikë për të treguar se edhe zemërimi i justifikuar mund të na bëjë të veprojmë pa mençuri.
12 Pavli shkruan se dashuria «nuk acarohet» («nuk i mbetet qejfi», Phillips). (1. Korintasve 13:5, BR) Kuptohet, është mëse normale që ne njerëzit e papërsosur të nervozohemi ose të ndiejmë një masë zemërimi kur dikush na ofendon. Por do të ishte e gabuar të ushqenim inat për një kohë të gjatë ose të vazhdonim të qëndronim të acaruar. (Psalmi 4:4; Efesianëve 4:26) Nëse lihet i pakontrolluar, edhe zemërimi i justifikuar mund të na bëjë të veprojmë pa mençuri dhe Jehovai mund të na konsiderojë përgjegjës për këtë.—Zanafilla 34:1-31; 49:5-7; Numrat 12:3; 20:10-12; Psalmi 106:32, 33.
13 Disa kanë lejuar që papërsosmëritë e të tjerëve të ndikojnë mbi vendimin e tyre për të ndjekur mbledhjet e krishtere ose për të marrë pjesë në shërbimin në fushë. Më përpara, shumë prej këtyre kanë luftuar me zell për besimin, ndoshta duke duruar kundërshtimin nga familja, talljen nga kolegët, e gjëra të ngjashme me to. Ata i duruan këto pengesa, sepse i konsideronin si sprova të integritetit dhe me të drejtë. Por, çfarë ndodh kur një bashkë i krishterë thotë ose bën ndonjë gjë që nuk tregon dashuri? A nuk është edhe kjo një sprovë e integritetit? Sigurisht që është, sepse nëse mbetemi në gjendje të acaruar, mund «t’i lëmë vend Djallit».—Efesianëve 4:27, BR.
14, 15. (a) Çfarë do të thotë «të mbash në llogari të keqen»? (b) Si mund ta imitojmë Jehovain, duke qenë falës?
14 Duke pasur arsye të vlefshme, Pavli shton se dashuria «nuk e mban në llogari të keqen». (1. Korintasve 13:5, BR) Këtu ai përdor një term llogarie, me sa duket për të sugjeruar aktin e mbajtjes shënim të ofendimit në një libër llogarish, me qëllim që të mos harrohet. A tregon dashuri mbajtja e një regjistrimi të vazhdueshëm në mendje për fjalët ose veprimet lënduese, sikur të na duhej t’u referoheshim atyre në ndonjë kohë të ardhme? Sa të kënaqur mund të jemi që Jehovai nuk na heton në një mënyrë të tillë të pamëshirshme! (Psalmi 130:3) Në fakt, kur pendohemi, ai i zhduk nga kujtesa gabimet tona.—Veprat 3:19.
15 Ne mund të imitojmë Jehovain në këtë aspekt. Nuk duhet të jemi tepër të ndjeshëm kur dikush duket se na trajton pa respekt. Nëse ofendohemi shpejt, mund ta lëndojmë vetveten më thellë sesa mund të na lëndonte ndonjëherë personi që na ka ofenduar. (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:9, 22) Në vend të kësaj, duhet të kujtojmë se dashuria «beson çdo gjë». (1. Korintasve 13:7, BR) Sigurisht, asnjëri prej nesh nuk dëshiron ta bëjnë dede, por as nuk duhet të jemi dyshues pa vend për motivet e vëllezërve tanë. Kurdo që të jetë e mundur, le t’i japim njëri-tjetrit mirëbesimin tonë.—Kolosianëve 3:13.
Dashuria na ndihmon të qëndrojmë
16. Në cilat rrethana mund të na ndihmojë dashuria për të qenë shpirtmëdhenj?
16 Më pas, Pavli na thotë se «dashuria është shpirtmadhe». (1. Korintasve 13:4, BR) Ajo bën të mundur t’u qëndrojmë kushteve që na vënë në provë, ndoshta për një periudhë të gjatë kohe. Për shembull, shumë të krishterë kanë jetuar me vite të tëra në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. Të tjerë janë beqarë, ndoshta jo sepse e kanë zgjedhur vetë, por sepse nuk kanë gjetur dot një bashkëshort të përshtatshëm për ta «në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39, BR; 2. Korintasve 6:14) Pastaj ka nga ata që luftojnë me problemet e shëndetit të dobët. (Galatasve 4:13, 14; Filipianëve 2:25-30) Në fakt, në këtë sistem të papërsosur, nuk ka njeri që të mos ketë ndonjë situatë në jetë, e cila nuk kërkon ndonjë lloj qëndrueshmërie.—Mateu 10:22; Jakovit 1:12.
17. Çfarë do të na ndihmojë për t’i qëndruar çdo gjëje?
17 Pavli na siguron se dashuria «mban çdo gjë, . . . shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje». (1. Korintasve 13:7, BR) Dashuria për Jehovain do të na mundësojë të qëndrojmë ndaj çfarëdo situate për hir të drejtësisë. (Mateu 16:24; 1. Korintasve 10:13) Ne nuk kërkojmë martirizimin. Përkundrazi, synimi ynë është që të kemi një jetë të qetë e me paqe. (Romakëve 12:18; 1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:11, 12) Megjithatë, kur dalin sprova besimi, ne u qëndrojmë atyre me gëzim, si pjesë e kostos për të qenë një dishepull i krishterë. (Luka 14:28-33) Ndërsa qëndrojmë, ne përpiqemi të mbajmë një pikëpamje pozitive të gjërave, duke shpresuar për rezultatin më të mirë prej situatave që na vënë në provë.
18. Në ç’mënyrë nevojitet qëndrueshmëri edhe gjatë stinës së favorshme?
18 Vuajtja nga sprovat nuk është e vetmja rrethanë që kërkon qëndrueshmëri. Disa herë, të qëndrosh do të thotë thjesht të rezistosh, të vazhdosh në një shteg të përcaktuar pavarësisht nëse janë të pranishme apo jo situatat që na vënë në provë. Qëndrueshmëria përfshin edhe mbajtjen e një rutine të mirë frymore. Për shembull, a po merr pjesë në mënyrë domethënëse në shërbim, sipas rrethanave të tua? A po lexon dhe po mediton mbi Fjalën e Perëndisë dhe a po komunikon me Atin tënd qiellor nëpërmjet lutjes? A po ndjek rregullisht mbledhjet e kongregacionit dhe a nxjerr dobi nga shkëmbimi i inkurajimit me bashkëbesimtarët e tu? Nëse po, atëherë qoftë që në këtë moment je në stinë të favorshme, qoftë që je në stinë me telashe, ti po qëndron. Mos u dorëzo, «sepse në stinën e duhur do të korrim nëse nuk lodhemi».—Galatasve 6:9, BR.
Dashuria: «Një udhë që i tejkalon të tjerat»
19. Në ç’mënyrë dashuria është «një udhë që i tejkalon të tjerat»?
19 Pavli e thekson se sa rëndësi ka ta shprehim dashurinë, duke e quajtur këtë cilësi hyjnore «një udhë që i tejkalon të tjerat». (1. Korintasve 12:31, BR) «I tejkalon» në cilin kuptim? Mirë, Pavli sapo kishte numëruar dhuratat e frymës, të cilat ishin të zakonshme mes të krishterëve të shekullit të parë. Disa kishin mundësi të profetizonin, të tjerë kishin marrë fuqi për të shëruar sëmundjet, shumë vetave u qe dhënë aftësia për të folur në gjuhë të tjera. Ishin vërtet dhurata të mahnitshme! Megjithatë, Pavli u tha korintasve: «Nëse flas në gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por nuk kam dashuri, jam bërë si një copë tunxhi kumbues ose si një cimbal që përplaset. Edhe nëse kam dhuratën e profetizimit dhe i njoh të gjitha sekretet e shenjta dhe të gjithë njohurinë, edhe nëse kam të gjithë besimin sa të shpërngul malet, por nuk kam dashuri, nuk jam asgjë.» (1. Korintasve 13:1, 2, BR) Po, edhe veprat që përndryshe mund të kishin vlerë, bëhen «vepra të vdekura» nëse motivi me të cilin i bëjmë nuk është dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin.—Hebrenjve 6:1, BR.
20. Pse duhen përpjekje të vazhdueshme nëse duam të kultivojmë dashurinë?
20 Jezui na jep një arsye tjetër se përse duhet të kultivojmë cilësinë hyjnore të dashurisë. «Nga kjo të gjithë do ta dinë se ju jeni dishepujt e mi,—tha ai,—nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35, BR) Fjala «nëse», ia lë në dorë çdo të krishteri nëse ai apo ajo do të mësojë ta shprehë dashurinë. Në fund të fundit, vetëm fakti që banojmë në një vend të huaj nuk do të na detyronte në vetvete të mësonim të flitnim gjuhën e atij vendi. As thjesht prania në mbledhje në Sallën e Mbretërisë ose shoqërimi me bashkë të krishterët nuk na mëson automatikisht të shprehim dashurinë. Mësimi i kësaj «gjuhe» kërkon përpjekje të vazhdueshme.
21, 22. (a) Si duhet të reagojmë nëse nuk ia arrijmë të shfaqim ndonjë nga aspektet e dashurisë që trajtoi Pavli? (b) Në ç’mënyrë mund të thuhet se «dashuria nuk dështon kurrë»?
21 Disa herë nuk do t’ia arrish të shfaqësh ndonjë nga aspektet e dashurisë që trajtoi Pavli. Por mos u shkurajo. Përkushtohu me durim. Vazhdo të konsultosh Biblën dhe të zbatosh parimet e saj në marrëdhëniet e tua me të tjerët. Mos e harro kurrë shembullin që ka lënë vetë Jehovai për ne. Pavli i këshilloi efesianët: «Bëhuni dashamirës ndaj njëri-tjetrit, me dhembshuri të butë, duke falur bujarisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia me anë të Krishtit ju fali bujarisht.»—Efesianëve 4:32, BR.
22 Ashtu si të mësosh të shprehesh në një gjuhë të re bëhet më e lehtë me kalimin e kohës, ka të ngjarë që me kohë të vëresh se do ta kesh më të lehtë ta shprehësh dashurinë. Pavli na siguron se «dashuria nuk dështon kurrë». (1. Korintasve 13:8, BR) Ndryshe nga dhuratat e mrekullueshme të frymës, dashuria nuk do të pushojë kurrë së ekzistuari. Prandaj, vazhdo të mësosh ta shprehësh këtë cilësi hyjnore. Ajo është, siç e quan Pavli, «një udhë që i tejkalon të tjerat».
A mund ta shpjegosh?
◻ Si mund të na ndihmojë dashuria për të mposhtur krenarinë?
◻ Në cilat mënyra mund të na ndihmojë dashuria për të nxitur paqen në kongregacion?
◻ Si mund të na ndihmojë dashuria për të qëndruar?
◻ Në ç’mënyrë dashuria është «një udhë që i tejkalon të tjerat»?
[Figura në faqen 19]
Dashuria do të na ndihmojë t’i kalojmë pa i vënë re të metat e bashkëbesimtarëve
[Figurat në faqen 23]
Qëndrueshmëri do të thotë të mbajmë rutinën tonë teokratike