Ata bënë vullnetin e Jehovait
Pavli triumfon mbi vështirësitë
PAVLI gjendet në një situatë pa rrugëdalje. Anija ku ai ka hipur bashkë me 275 persona të tjerë, ka rënë në kthetrat e Euroklidonit, që është era më e furishme në zonën e Mesdheut. Stuhia është kaq e ashpër, saqë s’mund të shihet as dielli ditën e as yjet natën. Kuptohet, udhëtarët kanë frikë për jetën e tyre. Megjithatë, Pavli i ngushëllon ata duke u treguar atë që i ishte zbuluar atij në mënyrë hyjnore në një ëndërr: «Asnjë prej shpirtrave tuaj nuk do të humbasë, përveç anijes.»—Veprat 27:14, 20-22, BR.
Natën e 14-të të stuhisë, marinarët zbulojnë diçka që i befason: uji është vetëm 36 metra i thellë.a Pas njëfarë kohe bëjnë një matje tjetër. Këtë herë uji është 27 metra i thellë. Toka është afër! Por ky lajm i mirë paraqet edhe një ndërlikim serioz. Duke u endur natën andej-këtej në ujëra të cekëta, anija mund të përplaset me shkëmbinjtë dhe të shkatërrohet. Duke vepruar me mençuri, marinarët hedhin spirancat. Disa prej tyre duan të ulin sandallin e të hipin në të, duke rrezikuar në det.b Por Pavli i ndalon. Ai i thotë oficerit dhe ushtarëve: «Nëse këta burra nuk qëndrojnë në anije, ju nuk mund të shpëtoni.» Oficeri e dëgjon Pavlin dhe tani të 276 udhëtarët presin me ankth të agojë.—Veprat 27:27-32, BR.
Shkatërrimi i anijes
Të nesërmen në mëngjes, udhëtarëve të anijes u zë syri bregun e një gjiri deti. Me shpresa të përtërira marinarët ngrenë spirancat si dhe velën kryesore drejt erës. Anija fillon të lëvizë drejt bregut, me siguri mes britmash gëzimi.—Veprat 27;39, 40
Por, papritur anija ngec në një cekëtinë. Më keq akoma, valët e furishme përplasen me pjesën e prapme të anijes duke e bërë atë copë-copë. Të gjithë udhëtarëve u duhet të braktisin anijen! (Veprat 27:41) Por tani lind një problem. Shumica e atyre në anije, duke përfshirë edhe Pavlin, janë të burgosur. Sipas ligjit romak, një roje që e lejon të burgosurin e tij të arratiset, duhet të marrë ndëshkimin që i takonte të burgosurit. Për shembull, nëse një vrasës arratisej, roja i pakujdesshëm duhej ta paguante këtë me jetën e tij.
Duke pasur frikë nga dënime të tilla, ushtarët vendosin që t’i vrasin të gjithë të burgosurit. Por oficeri që është dashamirës ndaj Pavlit, ndërhyn. Ai jep urdhër që të gjithë ata që dinë të notojnë të hidhen në ujë e të dalin në breg. Të tjerët që nuk mund të notojnë, të kapen pas dërrasave ose pjesëve të tjera të anijes. Një nga një, udhëtarët e lënë anijen që ishte e dënuar të shkatërrohej dhe dalin zvarrë në breg. Pikërisht siç tha Pavli, asnjë jetë nuk humbi!—Veprat 27:42-44.
Mrekulli në Maltë
Grupi i rraskapitur gjen strehim në një ishull të quajtur, Maltë. Banorët janë «njerëz që flasin një gjuhë të ndryshme», në fakt, janë «barbarët» (greqisht, barʹba·ros).c Por maltezët nuk janë njerëz brutalë. Përkundrazi, Luka, një shok udhëtimi i Pavlit, tregon se ata «shfaqën ndaj nesh një dashamirësi të jashtëzakonshme, pasi ndezën një zjarr për ne dhe na trajtuan të gjithëve njerëzisht, për shkak të shiut që binte dhe për shkak të të ftohtit». Vetë Pavli merr pjesë bashkë me vendasit në mbledhjen e druve dhe vënien e tyre mbi zjarr.—Veprat 28:1-3, BR, shënimi.
Papritur, një nepërkë kapet pas dorës së Pavlit! Banorët e ishullit e marrin Pavlin për vrasës. Me sa duket mendojnë se Perëndia i ndëshkon mëkatarët duke sulmuar atë pjesë të trupit të tyre që bëhej vegël e mëkatit. Por shiko! Për habinë e vendasve, Pavli e shkund nepërkën në zjarr. Siç tregon dëshmitari okular, Luka, «ata po pritnin që Pavli të fillonte të fryhej e të mahisej ose të binte i vdekur në vend». Banorët e ishullit ndryshojnë mendje dhe fillojnë të thonë se Pavli duhet të jetë një Perëndi.—Veprat 28:3-6, BR.
Pavli qëndron edhe tre muaj të tjerë në Maltë. Gjatë kësaj kohe ai shëron të atin e Publiusit, që ishte i pari i ishullit e që u tregua mjaft mikpritës ndaj Pavlit, si edhe persona të tjerë që vuanin nga sëmundje të ndryshme. Përveç kësaj, Pavli mbjell edhe farat e së vërtetës, që rezultojnë në bekime të shumta për banorët mikpritës të Maltës.—Veprat 28:7-11.
Mësim për ne
Gjatë shërbimit të tij, Pavli përballoi sfida të shumta. (2. Korintasve 11:23-27) Në tregimin e mësipërm, ai ishte një i burgosur për hir të lajmit të mirë. Më pas iu desh të përballonte sprova të papritura: një stuhi të fortë dhe si pasojë shkatërrimin e anijes. Pavarësisht nga e gjithë kjo, Pavli nuk u lëkund kurrë në vendosmërinë e tij për të qenë një predikues i zellshëm i lajmit të mirë. Nga përvoja e tij, shkroi: «Në çdo rrethanë mësova sekretin si të jem i ngopur dhe si të jem i uritur, si të kem me bollëk dhe si të jem në nevojë. Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:12, 13, BR.
Të mos lejojmë kurrë që problemet e jetës të dobësojnë vendosmërinë tonë për të qenë shërbëtorë të zellshëm të Perëndisë së vërtetë! Kur ndeshim një sprovë të papritur, e hedhim barrën mbi Jehovain. (Psalmi 55:22) Më pas, presim me durim të shohim se si ai bën të mundur që të durojmë sprovën. Ndërkohë, vazhdojmë t’i shërbejmë atij me besnikëri, të sigurt se ai kujdeset për ne. (1. Korintasve 10:13; 1. Pjetrit 5:7) Ashtu si Pavli, duke qëndruar të patundur, pavarësisht nga çdo problem, ne mund të triumfojmë mbi vështirësitë.
[Shënimet]
a Një pash detar zakonisht llogaritet se është 1,8 m.
b Sandalli ishte një barkë e vogël që përdorej për të dalë në breg, kur një anije ankorohej pranë bregut. Me sa duket, detarët po përpiqeshin të shpëtonin jetën e tyre, pa llogaritur atë të personave që mbeteshin prapa, të cilët nuk kishin përvojë në manovrimin e anijes.
c Word Origins nga Wilfred Funk, vëren: «Grekët i përbuznin gjuhët e tjera, përveç të tyres. Ata thoshin se ato tingëllonin si ‘bar-bar’ dhe këdo që fliste në këto gjuhë e quanin barbaros.»