ITALIA
[ndoshta nga fjala latine vitulus, d.m.th. «viç»].
Gadishulli në formë çizmeje që shtrihet drejt juglindjes, nga Evropa kontinentale për në detin Mesdhe. Nga Alpet në veri deri te maja e çizmes, pra ngushtica e Mesinës në jug, ai është rreth 1.130 km i gjatë. Kurse gjatësia shkon nga 160 deri në 240 km. Në lindje laget prej detit Adriatik, ndërsa në perëndim prej detit Tirren. Në vargmalet Apenine—«shtylla kurrizore» që përshkon tejpërtej gadishullin—ka lugina pjellore që zbresin drejt rrafshinave bregdetare. Lumenjtë kryesorë janë lumi Tiber dhe lumi Po. Italia zë një sipërfaqe rreth 301.000 km2.
Fillimisht, sipas Antiokut të Sirakuzës (që jetoi në shekullin e pestë p.e.s.), emri Italia përdorej vetëm për provincën e Kalabrisë në jug, ku jetonin fiset italike. Duket se ky emër është një formë e helenizuar e Vitelia, që vjen nga fjala latine vitulus, domethënë «viç». Ndoshta rajonit iu vu ai emër ose prej kullotave dhe bagëtive të trasha, ose ngaqë banorët pretendonin se ishin pasardhës të perëndisë-dem. Në shekullin e parë të e.s., emri Itali tashmë kishte marrë kuptim më të gjerë dhe i referohej pak a shumë territorit të Italisë së sotme.
Në rrjedhën e shekujve, drejt këtij vendi mjaft pjellor mërguan popuj me prejardhje nga më të ndryshmet. Historia e Italisë së lashtë flet për luftëra mes popullsisë që tashmë banonte atje dhe të sapoardhurve që mësynin herë pas here vendin. Dora-dorës që grupet e ndryshme të popujve stabilizoheshin në vend dhe bënin krushqi mes tyre, gadishulli u shndërrua në një mozaik gjuhësh, prejardhjesh dhe traditash.
Krishterimi arriti herët në Itali, pasi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. kishte prozelitë italianë dhe judenj nga Roma që panë me sytë e tyre si u derdh fryma e shenjtë dhe dëgjuan shpjegimin e Pjetrit. Pa dyshim që disa nga ata ishin ndër «rreth tre mijë» vetat që u pagëzuan në atë rast. (Ve 2:1, 10, 41) Si u kthyen në Itali, ka të ngjarë që formuan bërthamën e kongregacionit të krishterë në Romë, të cilit Pavli i drejtoi një nga letrat e tij vite më vonë. (Ro 1:1-7) Akuila dhe Prishila ndoshta bënin pjesë në atë kongregacion italian kur, në vitin 49 ose nga fillimi i vitit 50 të e.s., perandori Klaud urdhëroi të largoheshin nga vendi. Ata mbërritën në Korint pak para se Pavli të shkonte për herë të parë në atë qytet, gjatë udhëtimit të dytë misionar.—Ve 18:1, 2.
Korneli, pa dyshim një italian që ishte centurion i njësisë ushtarake të quajtur «kohorta italike», kishte një shtëpi në Cezare. (Ve 10:1) Po në Cezare, ndërsa po gjykohej para Festit, Pavli iu apelua Cezarit. Paskëtaj e çuan me anije në Mirë, ku, bashkë me të burgosur të tjerë, kaloi në një anije që transportonte drithë nga Aleksandria për në Itali. (Ve 25:6, 11, 12; 27:1, 5, 6) Në udhë e sipër, anija u shkallmua dhe iu desh të dimëronin në ishullin e Maltës. Pastaj, mbase në pranverën e vitit 59 të e.s., Pavli vuri këmbë për herë të parë në Itali, në Regjium, maja e çizmes italiane. Pak më vonë zbarkoi në Puteoli, në gjirin e Pocuolit (Napoli), më se 160 km në jug të Romës. Pavli qëndroi një javë atje me kongregacionin vendës. Më pas, tek udhëtonte drejt Romës nëpër Rrugën Apia, vëllezërit u nisën nga Roma dhe e takuan te «Pazari Apia dhe Tri Tavernat». (Ve 28:11-16) Ndërsa ishte ende në Itali, Pavli shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve, ndoshta nga fundi i burgimit të parë në Romë ose pak pasi u lirua, rreth vitit 61 të e.s.—He 13:24.