GAMALIELI
[ndoshta: shpërblim (trajtim i duhur) nga Perëndia].
1. Biri i Pedahzurit nga fisi i Manaseut dhe prijës i fisit të tij. (Nu 1:10, 16) Gamalieli ishte një nga 12 prijësit e caktuar nga Jehovai për të ndihmuar Moisiun dhe Aaronin gjatë numërimit të bijve të Izraelit për shërbimin ushtarak nga 20 vjeç e lart. (Nu 1:1-4, 10) Ai i printe ushtrisë së fisit të tij që bënte pjesë në ndarjen trifisëshe të kampit të Efraimit. (Nu 2:18, 20; 10:23) Pas ngritjes së tabernakullit, prijësit paraqitën blatimin e tyre që, me urdhër të Jehovait, duhej përdorur për shërbesat në tendën e takimit. Edhe Gamalieli paraqiti një blatim për përurimin e altarit ditën e tetë.—Nu 7:1-5, 10, 11, 54-59.
2. Anëtar i Sinedrit, farise dhe mësues i Ligjit, në këmbët e të cilit apostulli Pavël kishte mësuar të ndiqte rreptësisht Ligjin e të parëve. (Ve 5:34; 22:3) Në përgjithësi mendohet se ky ishte Gamaliel Plaku. Gamaliel Plaku ishte një njeri shumë i vlerësuar, i pari që mori titullin «Raban». Ky titull nderi ishte më i lartë se «Rabi». Mishna (Sotah 9:15) thotë për të: «Kur vdiq Rabani Gamaliel Plaku, morën fund edhe lavdia e Ligjit, edhe pastërtia e shenjtëria.» (Përkthyer nga H. Denbi.) Gamalieli duhet të ketë qenë një njeri mendjehapur dhe aspak fanatik, siç tregohet nga këshilla që dha kur Pjetri dhe apostujt e tjerë ishin para Sinedrit. Me shembuj nga e kaluara Gamalieli ilustroi se ishte e mençur të mos përziheshin në veprën e apostujve dhe pastaj shtoi: «Nëse ky plan ose kjo vepër është nga njerëzit, do të mposhtet, por nëse është nga Perëndia, ju nuk do ta mposhtni dot . . . përndryshe ka të ngjarë të gjendeni duke luftuar vërtet kundër Perëndisë.»—Ve 5:34-39.