KIRENA, KIRENASIT
Kirena ishte kryeqyteti i lashtë i krahinës së Kirenaikës në bregun verior të Afrikës, thuajse përballë ishullit të Kretës. Ndodhej rreth 16 km larg Mesdheut në një rrafshnaltë 550 m mbi nivelin e detit. Sot Kirena e lashtë është një grumbull rrënojash të pabanuara pranë Shahatit të sotëm (dikur Kirena) në Libi.
Me sa duket, Kirena u popullua për herë të parë nga grekët, në shekullin e shtatë p.e.s., dhe konsiderohej një nga kolonitë e tyre më të mëdha. Në vitin 96 p.e.s. Kirena ishte nën kontrollin politik romak dhe më 67 p.e.s. krahina e Kirenaikës dhe ishulli i Kretës u bashkuan dhe formuan një provincë të vetme.
Simoni nga Kirena (mbase një jude helenist), të cilin e detyruan të mbartte shtyllën e torturës të Jezuit, ishte «me origjinë» nga ai qytet. (Mt 27:32; Mr 15:21; Lu 23:26) Ka mundësi që edhe pse kishte lindur në Kirenë, Simoni u vendos më vonë në Palestinë. Bazuar te Veprat 6:9, ku përmenden «kirenasit» që bënë fjalë me Stefanin, shumë studiues mendojnë se në Palestinë banonin mjaft judenj nga Kirena sa të kishin sinagogën e tyre në Jerusalem.
Nga ana tjetër, Simoni «me origjinë nga Kirena» mund të ketë qenë ndër të huajt e tjerë që u dyndën në Jerusalem për Pashkën. Në fakt, 51 ditë më vonë, një numër i madh ‘njerëzish plot nderim për Perëndinë, nga të gjitha kombet’, përfshirë edhe disa prej «viseve të Libisë, që janë afër Kirenës», ishin të pranishëm në festën judaike të Ditës së Pesëdhjetë. (Ve 2:5, 10, 41) Disa prej këtyre të fundit ka të ngjarë të ishin ndër ata «rreth tre mijë shpirt» që u pagëzuan pas derdhjes së frymës së shenjtë dhe fjalimit që mbajti më pas Pjetri. Pas kësaj, ata mund ta kenë çuar mesazhin e krishterimit në atdheun e tyre.
Krishterimi. Pak vite më vonë, pasi Korneli ishte bërë i krishterë, burra nga Kirena ndihmuan që ‘lajmi i mirë për Zotërinë Jezu’ të çohej në Antiokinë e Sirisë tek ata që quhen (nga shumica e teksteve greke të Ve 11:20) helenistás. Meqë po kjo fjalë greke te Veprat 6:1 është përkthyer «judenjtë që flitnin greqisht» (DSF, BR ), disa kanë nxjerrë përfundimin se edhe ata të cilëve iu predikua në Antiokinë e Sirisë duhet të kenë qenë judenj ose prozelitë të rrethprerë që flitnin greqisht. Megjithatë, predikimi ndër judenjtë dhe prozelitët që flitnin greqisht vazhdonte që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s., kurse kthimi në besim i numrit të madh të njerëzve në Antioki duket se ka qenë diçka e re dhe e pazakontë, meqë Barnaba u dërgua në atë qytet ndoshta për të shqyrtuar situatën dhe për të nxitur veprën atje. (Ve 11:22, 23) Një gjë tjetër që tregon se ky ishte një ndryshim në veprën e bërjes së dishepujve është fakti se shërbimi i kirenasve dhe i bashkëpunëtorëve të tyre vihet në kontrast me shërbimin e të tjerëve që kishin shkuar në Antioki dhe u kishin predikuar ‘veç judenjve’. (Ve 11:19, 20) Duke pasur parasysh këtë, si edhe faktin që një numër dorëshkrimesh greke të lashta e të besueshme në vend të fjalës helenistás përdorin fjalën hélenas (që do të thotë «grekë»; shih Ve 16:3), shumica e përkthyesve të sotëm i quajnë «grekë» (Dio, DSF) ata që përqafuan krishterimin falë ndihmës së burrave nga Kirena, ndonëse të tjerë preferojnë fjalën «paganë» (CK) ose «jojudenj» (TEV, NE ), terma këto që do të tregonin se ata të Antiokisë nuk i përkitnin fesë judaike. Gjithsesi, disa studiues pranojnë mundësinë se ata që u bënë të krishterë në Antioki mund të kenë qenë edhe judenj, edhe jojudenj që dinin mirë greqisht, prandaj i përshkruajnë me shprehjen ‘ata që flitnin greqisht’. (BR ) Kur Pavli nisi udhëtimin e parë misionar rreth vitit 47 të e.s., ndër mësuesit dhe profetët në këtë kongregacion të Antiokisë ishte «Luci nga Kirena».—Ve 11:20; 13:1.