BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 161-163
  • Libri biblik numër 35​—Habakuku

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 35​—Habakuku
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E HABAKUKUT
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Edhe sa kohë për të ligjtë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Beso te Jehovai dhe jeto!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2018
  • Të gjejmë gëzim te Perëndia i shpëtimit tonë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Jehovai nuk do të vonojë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 161-163

Libri biblik numër 35​—Habakuku

Shkrimtari: Habakuku

Vendi ku u shkrua: Judë

Shkrimi përfundoi: rr. 628 p.e.s.(?)

1. Çfarë të vërtetash sublime thekson profecia e Habakukut?

HABAKUKU është një nga dymbëdhjetë librat e fundit të Shkrimeve Hebraike. Megjithatë, edhe pse ky libër është i shkurtër, vegimi dhe shpallja e tij, të frymëzuara nga Perëndia, nuk janë aspak më pak të rëndësishme për popullin e Perëndisë. Profecia e tij, inkurajuese dhe forcuese, është mbështetje për shërbëtorët e Perëndisë në kohë vuajtjesh. Libri thekson dy të vërteta sublime: Perëndia Jehova është Sovrani Universal, dhe të drejtët jetojnë me anë të besimit. Shkrimi shërben edhe si paralajmërim për kundërshtarët e shërbëtorëve të Perëndisë dhe për ata që me hipokrizi thonë se janë populli i tij. Ai shërben si model për besimin e fortë te Jehovai, i cili është i denjë për çdo këngë lavdie.

2. Çfarë informacioni na është dhënë për shkrimtarin e librit, Habakukun?

2 Libri i Habakukut hapet me fjalët: «Shpallja që profeti Habakuk pa në vegim.» (Hab. 1:1) Kush ishte ky profeti Habakuk (hebraisht, Havakkúk), emri i të cilit do të thotë «Përqafim i zjarrtë»? Nuk na është dhënë asnjë informacion për prejardhjen e Habakukut, fisin, rrethanat e jetës apo të vdekjes së tij. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ishte një nga levitët muzikantë të tempullit, edhe pse një gjë e tillë mund të merret me mend nga shënimi në fund të librit të tij: «Dirigjuesit. Për veglat e mia me tela.»

3. Ç’rrethana që ndikuan në Judë, na ndihmojnë të përcaktojmë kohën kur u shkrua libri i Habakukut?

3 Kur i bëri Habakuku shpalljet e tij profetike? Shënimi i përmendur më lart dhe fjalët «Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë», tregojnë se tempulli i Jerusalemit ishte ende në këmbë. (2:20) Kjo, bashkë me mesazhin e profecisë, sugjerojnë se shpallja është bërë jo shumë kohë para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Por, sa vjet më parë? Duhet të ketë qenë pas mbretërimit të Josisë, mbretit me frikë nga Perëndia, në vitet 659 p.e.s.-629 p.e.s. Vetë profecia na jep çelësin, kur parathotë një vepër që populli i Judës nuk do ta besonte edhe sikur t’ia tregonin. Çfarë është? Është ngritja e kaldeasve (babilonasve) nga Perëndia për të ndëshkuar Judën e pabesë. (1:5, 6) Kjo të bën të mendosh për pjesën e parë të mbretërimit të Jehojakimit idhujtar, kohë kur në Judë mosbesimi dhe padrejtësia ishin tepër të përhapura. Jehojakimin e kishte vënë në fron faraoni Neko, dhe kombi ishte në sferën e ndikimit egjiptian. Në rrethana të tilla, populli mund të ndihej i justifikuar të mos besonte asnjë mundësi pushtimi nga ana e Babilonisë. Mirëpo, Nabukodonosori e mundi faraonin Neko në betejën e Karkemishit, në vitin 625 p.e.s., duke thyer kështu fuqinë e Egjiptit. Ka të ngjarë, pra, që profecia të jetë shpallur para asaj ngjarjeje. Në këtë mënyrë, treguesit na drejtojnë te fillimi i mbretërimit të Jehojakimit (që nisi në vitin 628 p.e.s.), duke e bërë Habakukun një bashkëkohës të Jeremisë.

4. Nga duket se libri i Habakukut është i frymëzuar nga Perëndia?

4 Si mund ta kuptojmë nëse libri është i frymëzuar nga Perëndia? Katalogë të lashtë të Shkrimeve Hebraike vërtetojnë që Habakuku është libër kanunor. Edhe pse nuk e përmendin librin me emër, është e dukshme se ai përfshihej në referimin që ata u bënin ‘dymbëdhjetë Profetëve të Vegjël’, të cilët pa Habakukun nuk do të ishin 12. Apostulli Pavël e pranoi se profecia ishte pjesë e Shkrimeve të frymëzuara, dhe citon drejtpërdrejt Habakukun 1:5, dhe i referohet si diçka që «është thënë në Profetët». (Vep. 13:40, 41) Ai iu referua disa herë këtij libri në letrat e tij. Sigurisht, përmbushja e fjalëve të Habakukut kundër Judës dhe Babilonisë e dallojnë atë si një profet të vërtetë të Jehovait, në emrin e të cilit dhe për lavdinë e të cilit ai foli.

5. Përmblidh shkurtimisht përmbajtjen e Habakukut.

5 Libri i Habakukut përbëhet nga tre kapituj. Dy të parët janë një dialog mes shkrimtarit dhe Jehovait. Ata tregojnë për forcën e kaldeasve, si dhe për hidhërimin që e pret kombin babilonas, që shton atë që nuk është e tija, që nxjerr fitime të mbrapshta për shtëpinë e vet, që ndërton një qytet duke derdhur gjak dhe që adhuron një shëmbëlltyrë të gdhendur. Kapitulli i tretë flet për madhështinë e Jehovait në ditën e betejës, dhe stili i tij dramatik s’ka të krahasuar për fuqinë dhe emocionin që përçon. Ky kapitull është një lutje me këngë të përvajshme dhe është quajtur «një nga më të shkëlqyerat e më madhështoret në të gjithë poezinë hebraike».a

PËRMBAJTJA E HABAKUKUT

6. Ç’gjendje ekziston në Judë dhe ç’vepër që ngjall habi do të kryejë Jehovai?

6 Profeti i thërret Jehovait (1:1–2:1). Mungesa e besimit në Judë, ka bërë që në mendjen e Habakukut të lindin disa pyetje. Ai pyet: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh?» «Përse para meje ka grabitje dhe dhunë?» (1:2, 3) Ligji mpihet, i ligu rrethon të drejtin dhe drejtësia shtrembërohet. Për këtë arsye, Jehovai do të kryejë një vepër që do të ngjallë habi, diçka që ‘nuk do ta besojnë, edhe sikur t’ua tregojnë’. Faktikisht, ai «po ngre kaldeasit»! Sa i frikshëm është vegimi i Jehovait për kombin e egër që vjen me të shpejtë. Vjen vetëm për dhunë dhe mbledh robër «si rëra». (1:5, 6, 9) Asgjë s’mund t’i bëjë ballë, as mbretërit dhe as zyrtarët e lartë, sepse ai qesh me të gjithë ata. Pushton çdo vend të fortifikuar. E gjithë kjo vjen si gjykim e qortim nga Jehovai, «i Shenjti». (1:12) Habakuku pret me vëmendje që Perëndia të flasë.

7. Si e ngushëllon Jehovai Habakukun?

7 Vegimi i pesë mjerimeve (2:2-20). Jehovai përgjigjet: «Shkruaje vegimin dhe paraqite qartë mbi pllaka.» Edhe pse duket sikur po vonon, pa dyshim do të dalë i vërtetë. Jehovai e ngushëllon Habakukun me këto fjalë: «Por i drejti do të vazhdojë të jetojë falë besimit.» (2:2, 4) Armiku që vepron me mendjemadhësi, s’ka për ta arritur synimin, edhe pse vazhdon të grumbullojë kombe e popuj. Pikërisht këta do të nxjerrin kundër tij shprehjen proverbiale të pesë mjerimeve:

8, 9. Kundër ç’lloj njerëzish drejtohen pesë mjerimet e vegimit?

8 «Mjerë ti që shton atë që nuk është e jotja!» Do të bëhesh diçka për t’u zhvatur. Do të të grabitin «për shkak të gjakut të derdhur të njerëzve, të dhunës kundër vendit». (2:6, 8) «Mjerë ti që nxjerr fitime të mbrapshta për shtëpinë tënde!» Ngaqë ke shfarosur shumë popuj, gurët dhe trarët e shtëpisë do të thërrasin. (2:9) «Mjerë ti që ndërton një qytet duke derdhur gjak!» Njerëzit e tu do të robtohen më kot, vetëm për t’u përpirë nga zjarri, thotë Jehovai. «Sepse toka do të mbushet me njohurinë e lavdisë së Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»​—2:12, 14.

9 ‘Mjerë ti, që në zemërimin tënd i deh shokët e tu për të parë pjesët e tyre të turpshme!’ Jehovai ka për të të dhënë të pish nga kupa e dorës së Tij të djathtë dhe do të të sjellë çnderim në vend të lavdisë «për shkak të gjakut të derdhur të njerëzve, [dhe] të dhunës kundër vendit». Ç’dobi i sjell shëmbëlltyra e gdhendur bërësit të saj—a nuk janë të pagoja këto perëndi të kota? (2:15, 17) «Mjerë ai që i thotë copës së drurit: ‘Zgjohu!’, ose gurit të pagojë: ‘Ngrihu! Ai do të japë udhëzime.’» Në dallim nga këto perëndi pa jetë, «Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë. Le të heshtë para tij mbarë toka»!​—2:19, 20.

10. Ç’vepra të frikshme e shoqërojnë shfaqjen e Jehovait në ditën e betejës?

10 Jehovai në ditën e betejës (3:1-19). Me një lutje solemne dhe në mënyrë shumë të gjallë, Habakuku sjell ndër mend veprat e frikshme të Jehovait. Kur u shfaq Jehovai, «lavdia e tij mbuloi qiejt dhe toka u mbush me lëvdimin e tij». (3:3) Shndritja e tij ishte porsi drita dhe përpara tij shkonte murtaja. Ai u ndal, shkundi dheun, i bëri kombet të hidheshin përpjetë dhe malet e përjetshme u bënë copë-copë. Jehovai eci kaluar si një luftëtar i fuqishëm, me harkun zhveshur dhe me karrocat e shpëtimit. Malet dhe thellësia me ujë u trazuan. Dielli dhe hëna u ndalën, shigjetat e tij shkonin si drita dhe heshta e tij vetëtinte kur ai kaloi përmes tokës dhe shiu kombet i zemëruar. Ai doli për të shpëtuar popullin dhe të mirosurin e tij, si dhe për t’ia nxjerrë lakuriq themelin të ligut, «deri në majë».​—3:13.

11. Ç’ndikim ka vegimi te Habakuku dhe për çfarë është i vendosur ai?

11 Profeti është thellësisht i prekur nga ky vegim i madhështisë së veprave të hershme të Jehovait dhe i veprave të tij të ardhshme që do të tronditin botën. «Unë dëgjova dhe barku nisi të më trazohej. Nga zhurma buzët m’u drodhën. Kalbësira filloi të hynte në kockat e mia dhe në këtë gjendje isha i turbulluar. Prandaj do ta pres me qetësi ditën e vuajtjes, kur ai të vijë kundër popullit, për ta mësyrë.» (3:16) Megjithatë, Habakuku është i vendosur që, pavarësisht nga kohët e vështira që duhet të përballojë—fiku s’do të lulëzojë, hardhitë s’do të japin prodhim, s’do të ketë asnjë tufë brenda gardhit—ai prapëseprapë do të ngazëllojë falë Jehovait dhe do të gëzohet falë Perëndisë së shpëtimit të tij. Ai e mbyll këngën e tij tërë hare me këto fjalë: «Jehovai, Zotëria Sovran, është fuqia ime. Ai do t’i bëjë këmbët e mia si të drenushave dhe do të më bëjë të shkel majave të mia.»​—3:19.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

12. Çfarë zbatimi të dobishëm i bëri Pavli Habakukut 2:4?

12 Duke e pranuar profecinë e Habakukut si të dobishme për të mësuar, apostulli Pavël citoi nga kapitulli i 2-të, vargun 4, në tri raste të ndryshme. Kur theksoi që lajmi i mirë është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim, Pavli u shkroi të krishterëve në Romë: «Nëpërmjet tij zbulohet drejtësia e Perëndisë për shkak të besimit, që si rrjedhim sjell rritjen e besimit, pikërisht siç është shkruar: ‘Por i drejti do të jetojë falë besimit.’» Kur u shkroi galatasve, Pavli theksoi se bekimet vijnë nëpërmjet besimit: «Është e qartë që me anë të ligjit askush nuk shpallet i drejtë para Perëndisë, sepse ‘i drejti do të jetojë falë besimit’.» Po ashtu, në letrën drejtuar hebrenjve, Pavli shkroi se të krishterët duhet të tregojnë një besim të gjallë, që ruan gjallë shpirtin, dhe sërish përmendi fjalët që Jehovai i drejtoi Habakukut. Megjithatë, ai nuk citon vetëm fjalët e Habakukut, «i drejti im do të jetojë falë besimit», por thotë edhe këto fjalë sipas Septuagintës greke: «Nëse sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të.» Pastaj, e përmbledh, duke thënë se ne jemi «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit».​—Rom. 1:17; Gal. 3:11; Hebr. 10:38, 39.

13. Ç’thekson për gjykimin e Jehovait përmbushja e saktë e profecive të Habakukut kundër Judës dhe Babilonisë?

13 Profecia e Habakukut është shumë e dobishme për të krishterët e sotëm, që kanë nevojë për fuqi. Ajo të mëson si të mbështetesh te Perëndia. Është e dobishme edhe për të paralajmëruar të tjerët për gjykimet që do të sjellë Perëndia. Mësimi paralajmërues është i fuqishëm: të mos kujtojmë se gjykimi i Perëndisë po vonon së tepërmi; ai «pa dyshim do të dalë i vërtetë». (Hab. 2:3) Pa dyshim profecia e shkatërrimit të Judës nga Babilonia doli e vërtetë, dhe pa dyshim vetë Babilonia u pushtua nga medët e persët në vitin 539 p.e.s. Ç’paralajmërim për t’u besuar fjalëve të Perëndisë! Kështu, apostulli Pavël e pa të dobishme të citonte Habakukun, kur i paralajmëroi judenjtë e kohës së tij të mos ishin të pabesë: «Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në Profetët: ‘Shihni, ju o përbuzës, çudituni dhe tretuni, sepse në ditët tuaja unë po bëj një vepër, të cilën ju nuk do ta besoni kurrsesi, edhe sikur ndokush t’jua tregojë me hollësi.’» (Vep. 13:40, 41; Hab. 1:5, LXX) Judenjtë e pabesë nuk ia vunë veshin Pavlit, ashtu si nuk kishin besuar as paralajmërimin e Jezuit për shkatërrimin e Jerusalemit; ata vuajtën pasojat e pabesisë së tyre kur ushtritë romake shkretuan Jerusalemin në vitin 70 të e.s.​—Luka 19:41-44.

14. (a) Në ç’mënyrë profecia e Habakukut i inkurajon të krishterët e sotëm që të mbajnë një besim të fortë? (b) Siç thotë profecia, ç’siguri plot gëzim mund të kenë tani ata që e duan drejtësinë?

14 Në mënyrë të ngjashme, profecia e Habakukut i inkurajon të krishterët sot që ta mbajnë të fortë besimin, teksa jetojnë në një botë plot dhunë. Ajo i ndihmon të mësojnë të tjerët e t’i përgjigjen kësaj pyetjeje që njerëzit e bëjnë kudo nëpër botë: A do të marrë hak Perëndia kundër të ligjve? Vër re përsëri fjalët e profecisë: «Rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.» (Hab. 2:3) Me gjithë trazirat që turbullojnë tokën, mbetja e mirosur e trashëgimtarëve të Mbretërisë mban ndër mend fjalët e Habakukut për veprat e shkuara hakmarrëse të Jehovait: «Dole për shpëtimin e popullit tënd, për të shpëtuar të mirosurin tënd.» (3:13) Jehovai është me të vërtetë «i Shenjti» i tyre që nga shumë kohë më parë, dhe «Shkëmbi» që do të qortojë të padrejtët e do t’u japë jetë atyre që përqafon me dashurinë e tij. Të gjithë ata që e duan drejtësinë, mund të gëzojnë për Mbretërinë dhe sovranitetin e tij e të thonë: «Unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim. Jehovai, Zotëria Sovran, është fuqia ime.»​—1:12; 3:18, 19.

[Shënimi]

a The Book of the Twelve Minor Prophets, 1868, nga E. Hendersoni, faqja 285.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo