BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • hb f. 22-26
  • Gjaku që shpëton vërtet jetë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gjaku që shpëton vërtet jetë
  • Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • I VETMI GJAK QË SHPËTON JETËN
  • GËZONI JETËN E SHPËTUAR ME ANË TË GJAKUT
  • Çmoje dhuratën e jetës!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Gjaku: I domosdoshëm për jetën
    Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
  • Gjaku
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Jeta dhe gjaku: A i konsideron ato të shenjta?
    Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
Shih më tepër
Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
hb f. 22-26

Gjaku që shpëton vërtet jetë

Disa aspekte janë të qarta prej informacionit të mësipërm. Megjithëse shumë njerëz i konsiderojnë si jetëshpëtuese, transfuzionet e gjakut janë plot me rreziqe. Me mijëra vdesin çdo vit për shkak të transfuzioneve; shumë e shumë të tjerë sëmuren rëndë dhe i vuajnë pasojat për një kohë të gjatë. Kështu, edhe nga një këndvështrim fizik, është e mençur që t’i vihet veshi menjëherë urdhrit biblik për të ‘hequr dorë nga gjaku’​—Veprat 15:28, 29.

Pacientët mbrohen nga shumë rreziqe, nëse kërkojnë t’u bëhen terapi mjekësore pa gjak. Mjekët e kualifikuar që kanë pranuar sfidën e përdorimit të këtyre terapive te Dëshmitarët e Jehovait, kanë arritur të zhvillojnë procedura mjekësore që janë të sigurta dhe të efektshme, siç provohet nga një numër i madh relacionesh mjekësore. Mjekët që sigurojnë një kujdes cilësor pa përdorur gjakun, nuk po bëjnë kompromis me parimet e çmuara mjekësore. Përkundrazi, ata tregojnë respekt për të drejtën që ka pacienti për të njohur rreziqet dhe dobitë, në mënyrë që të mund të bëjë një zgjedhje të informuar për sa i përket asaj që do të bëhet me trupin dhe me jetën e tij.

Ne nuk jemi naivë në lidhje me këtë çështje, pasi e kuptojmë se jo të gjithë do të jenë dakord me këtë mënyrë trajtimi. Njerëzit ndryshojnë për sa i përket ndërgjegjes, etikës dhe pikëpamjeve mjekësore. Prandaj, të tjerëve, duke përfshirë disa mjekë, mund t’u duket e vështirë ta pranojnë vendimin e një pacienti për të hequr dorë nga gjaku. Një prej kirurgëve të Nju Jorkut, shkruante: «Nuk do ta harroj kurrë atë që ndodhi 15 vjet më parë, kur isha një mjek i ri praktikant dhe qëndroja pranë shtratit të një Dëshmitari të Jehovait, i cili vdiq pas hemorragjisë së shkaktuar nga një ulcerë duodenale. Dëshirat e pacientit u respektuan dhe nuk u bë transfuzion, por unë ende mund të kujtoj irritimin e pamasë që provova si mjek.»

Ai mendonte, pa dyshim, se gjaku do të kishte qenë jetëshpëtues. Megjithatë, një vit pasi shkroi këtë, gazeta The British Journal of Surgery (tetor 1986) njoftonte se para futjes në përdorim të transfuzioneve, hemorragjia gastrointestinale kishte «një shkallë vdekshmërie prej vetëm 2,5 për qind». Qysh nga koha që transfuzionet u bënë diçka e zakonshme, ‘shumica e studimeve të bëra në një shkallë të gjerë tregojnë për një vdekshmëri prej 10 për qind’. Përse kjo shkallë vdekshmërie katër herë më e lartë? Kërkuesit sugjeronin: «Transfuzionet e para të gjakut duket se e bllokojnë përgjigjen hiperkoaguluese ndaj hemorragjisë, duke favorizuar, si rrjedhojë, rifillimin e gjakrrjedhjes.» Kur Dëshmitari me gjakrrjedhje nga ulcera e refuzoi gjakun, zgjedhja e tij, në të vërtetë, mund t’i ketë rritur në maksimum mundësitë e tij për mbijetesë.

Po ai kirurg, shtonte: «Kalimi i kohës dhe kurimi i shumë pacientëve kanë prirjen ta ndryshojnë pikëpamjen e dikujt, dhe sot unë e konsideroj besimin ndërmjet një pacienti dhe mjekut të tij, si dhe detyrën për të respektuar dëshirat e një pacienti, shumë më të rëndësishme sesa teknologjinë e re mjekësore që na rrethon. . . . Është interesant që irritimi ia ka lënë tani vendin një ndjenje admirimi dhe nderimi të thellë për besimin e palëkundur të atij pacienti të veçantë.» Mjeku përfundonte, duke thënë: ‘Kjo më kujton që duhet t’i respektoj gjithmonë dëshirat personale dhe fetare të një pacienti, pavarësisht nga ndjenjat e mia ose nga pasojat.’

Ju mund të kuptoni tashmë diçka që shumë mjekë arrijnë ta kuptojnë plotësisht me «kalimin e kohës dhe kurimin e shumë pacientëve». Edhe me kurat më të efektshme mjekësore në spitalet më të mira, vjen një kohë që njerëzit vdesin. Me ose pa transfuzione gjaku, ata vdesin. Të gjithë ne plakemi dhe na afrohet fundi i jetës. Kjo nuk është fataliste. Është realiste. Vdekja është një fakt i jetës.

Dëshmitë tregojnë se njerëzit që e shpërfillin ligjin e Perëndisë mbi gjakun, shpesh përjetojnë dëmtime të menjëhershme apo të mëvonshme; disa madje vdesin prej gjakut. Ata që mbijetojnë, nuk fitojnë një jetë të pafund. Kështu që transfuzionet e gjakut nuk e shpëtojnë jetën në mënyrë të qëndrueshme.

Shumica e njerëzve që për arsye fetare dhe/ose mjekësore e refuzojnë gjakun, por pranojnë terapi mjekësore alternative, përmirësohen plotësisht. Ata mund ta zgjatin kështu jetën e tyre për vite të tëra. Por jo pa fund.

Fakti që të gjithë njerëzit janë të papërsosur dhe që gradualisht vdesin, na çon drejt së vërtetës qendrore të asaj që thotë Bibla në lidhje me gjakun. Nëse e kuptojmë dhe e çmojmë këtë të vërtetë, do të kuptojmë në ç’mënyrë gjaku mund ta shpëtojë me të vërtetë jetën, jetën tonë, përgjithmonë.

I VETMI GJAK QË SHPËTON JETËN

Siç u përmend më sipër, Perëndia i bëri të ditur gjithë njerëzimit se nuk duhet të hajë gjak. Përse? Sepse gjaku përfaqëson jetën. (Zanafilla 9:3-6) Ai e shpjegoi këtë më tej në kodin e Ligjit që iu dha Izraelit. Në kohën kur u ratifikua kodi i Ligjit, gjaku i kafshëve të flijuara përdorej mbi një altar. (Dalja 24:3-8) Disa ligje të atij kodi e drejtonin vëmendjen nga fakti që të gjithë njerëzit janë të papërsosur; janë mëkatarë, siç shprehet Bibla. Perëndia u tha izraelitëve se me anë të flijimeve të kafshëve që i ofronin atij, ata do të mund të pranonin nevojën që mëkatet e tyre të mbuloheshin. (Levitiku 4:4-7, 13-18, 22-30) Natyrisht, kjo ishte ajo që Perëndia kërkonte prej tyre në atë kohë, jo ajo që kërkon prej adhuruesve të vërtetë sot. Megjithatë, kjo gjë ka rëndësi jetësore për ne sot.

Vetë Perëndia shpjegoi parimin që gjendej në thelb të ofrimit të këtyre flijimeve: «Jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak.»​—Levitiku 17:11, 12.

Në lashtësi, gjatë festës së quajtur Dita e Shlyerjes, kryeprifti i Izraelit e çonte gjakun e kafshëve të flijuara në pjesën më të shenjtë të tempullit, qendra e adhurimit të Perëndisë. Bërja e kësaj ishte një mënyrë simbolike për t’i kërkuar Perëndisë që të mbulonte mëkatet e popullit. (Levitiku 16:3-6, 11-16) Këto flijime në të vërtetë nuk e hiqnin plotësisht mëkatin, kështu që duheshin përsëritur çdo vit. Prapëseprapë, ky përdorim i gjakut dha një model kuptimplotë.

Një nga mësimet kryesore të Biblës është që Perëndia do të siguronte në fund një flijim të përsosur, i cili do të mund të shlyente plotësisht mëkatet e të gjithë besimtarëve. Kjo është quajtur shpërblesa dhe përqendrohet mbi flijimin e Mesisë së parathënë, ose Krishtit.

Bibla e krahason rolin e Mesisë me atë që bëhej gjatë Ditës së Shlyerjes: «Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, . . . hyri njëherë e përgjithmonë në shenjtërore [qiell], jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar. Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.»​—Hebrenjve 9:11, 12, 22.

Në këtë mënyrë bëhet e qartë se përse është e nevojshme të kemi pikëpamjen e Perëndisë në lidhje me gjakun. Në harmoni me të drejtën e tij si Krijues, ai ka përcaktuar mënyrën e vetme të përdorimit të tij. Duke mos futur në trup gjakun e kafshëve ose të njeriut, izraelitët e kohëve të shkuara mund të kenë korrur dobitë e një shëndeti të mirë. Por kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme. (Isaia 48:17) Ata nuk duhej ta mbështetnin jetën e tyre me anë të gjakut, në radhë të parë, jo sepse ishte e pashëndetshme, por sepse kjo nuk ishte e shenjtë para Perëndisë. Ata duhej të hiqnin dorë nga gjaku, jo sepse ishte i ndotur, por sepse ishte i çmuar për të fituar faljen.

Në lidhje me shpërblesën, apostulli Pavël shpjegoi: «Me anë të tij [Krishtit], kemi çlirimin përmes shpërblesës nëpërmjet gjakut të tij, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurive të dashamirësisë së tij të pamerituar.» (Efesianëve 1:7, BR) Fjala origjinale greke që përdoret këtu, është përkthyer me të drejtë ‘gjak’, por disa versione të Biblës gabojnë duke e zëvendësuar me fjalën ‘vdekje’. Si pasojë, lexuesit mund të mos e kapin theksin që vihet mbi pikëpamjen e Krijuesit tonë rreth gjakut dhe mbi vlerën flijuese që Perëndia i atribuon atij.

Tema e Biblës vërtitet rreth faktit që Krishti vdiq si një flijim i përsosur shpërblyes, por nuk mbeti i vdekur. Duke ndjekur modelin që dha Perëndia me Ditën e Shlyerjes, Jezui u ringjall dhe u ngjit në qiell për të «dalë tani përpara Perëndisë për ne». Atje ai paraqiti vlerën e gjakut të flijimit të vet. (Hebrenjve 9:24) Bibla thekson se ne duhet të shmangim çdo mënyrë të vepruari që do të ishte baras me ‘shkeljen me këmbë të Birit të Perëndisë dhe konsiderimin profan të gjakut të tij’. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të mbajmë një marrëdhënie të mirë dhe paqen me Perëndinë.​—Hebrenjve 10:29; Kolosianëve 1:20.

GËZONI JETËN E SHPËTUAR ME ANË TË GJAKUT

Kur kuptojmë atë që thotë Perëndia rreth gjakut, arrijmë të kemi respektin më të madh për vlerën e tij jetëshpëtuese. Shkrimet e përshkruajnë Krishtin si ‘ai që na do dhe që na çliroi nga mëkatet tona me anë të vetë gjakut të tij’. (Zbulesa 1:5; Gjoni 3:16) Po, me anë të gjakut të Jezuit, ne mund të fitojmë faljen e plotë dhe të përhershme të mëkateve tona. Apostulli Pavël shkroi: «Duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.» Kjo është mënyra se si mund të shpëtohet në mënyrë të përhershme jeta nëpërmjet gjakut.​—Romakëve 5:9; Hebrenjve 9:14.

Shumë kohë më parë, Perëndia Jehova dha sigurinë se me anë të Krishtit ‘tërë familjet e tokës do të mund të bekohen’. (Zanafilla 22:18) Ky bekim përfshin transformimin e tokës në një parajsë. Atëherë njerëzimi besimtar nuk do të preket më nga sëmundjet, plakja, e madje as nga vdekja; ata do të gëzojnë bekime jashtëzakonisht më të mëdha sesa ndihma e përkohshme që mund të na ofrojë sot personeli mjekësor. Ne kemi këtë premtim të mrekullueshëm: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

Sa e mençur është, pra, që ne të marrim për zemër të gjitha kërkesat e Perëndisë! Kjo përfshin bindjen ndaj urdhërimeve të tij në lidhje me gjakun, duke mos e keqpërdorur atë, madje as në fushën mjekësore. Në këtë mënyrë, ne nuk do të jetojmë vetëm sot për sot. Përkundrazi, do të tregojmë se sa shumë e vlerësojmë jetën, duke përfshirë perspektivën tonë të jetës së përhershme në përsosmëri njerëzore.

[Kutia në faqen 25]

Populli i Perëndisë refuzonte ta mbështeste jetën e vet me anë të gjakut, jo sepse kjo gjë ishte e pashëndetshme, por sepse nuk ishte e shenjtë, jo sepse gjaku ishte i ndotur, por sepse ishte i çmuar.

[Figura në faqen 24]

«Me anë të tij [Jezuit], kemi çlirimin përmes shpërblesës nëpërmjet gjakut të tij, po, faljen e shkeljeve tona.»​—Efesianëve 1:7, BR

[Figura në faqen 26]

Shpëtimi i jetës me anë të gjakut të Jezuit, i hap rrugën një jete të pafund dhe shëndetplotë në një parajsë tokësore

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo