JUDA
[i përlëvduar; (objekt) përlëvdimi].
1. Djali i katërt që i lindi Jakobit nga gruaja e tij, Lea. (Zn 29:35; 1Kr 2:1) Pasi kaloi rreth nëntë vjet në Haran, në Padan-Aram, Juda bashkë me gjithë familjen e Jakobit shkoi në Kanaan. (Krahaso Zn 29:4, 5, 32-35; 30:9-12, 16-28; 31:17, 18, 41.) Më pas, ai banoi me të atin në Sukot dhe, më vonë, në Sikem. Pasi motrën e tij, Dinën, e përdhunoi i biri i Hamorit, Simeoni dhe Levi morën hak duke vrarë të gjithë meshkujt e Sikemit dhe, me sa duket, Juda mori pjesë në plaçkitjen e qytetit.—Zn 33:17, 18; 34:1, 2, 25-29.
Marrëdhënia me Jozefin. Me kalimin e kohës, Juda dhe gjysmëvëllezërit e tjerë filluan ta urrenin Jozefin, ngaqë ishte i parapëlqyeri i Jakobit. Urrejtja e tyre u ndez edhe më shumë kur u foli për dy ëndrrat që tregonin se do të lartësohej mbi ta. Prandaj, kur Jakobi e dërgoi Jozefin të shihte si ishin vëllezërit që kullotnin kopetë, ata, sa e panë nga larg, thurën plane ta vritnin. Mirëpo Rubeni që donte t’i shpëtonte jetën Jozefit, sugjeroi që ta hidhnin në një gropë pa ujë, dhe ashtu bënë.—Zn 37:2-24.
Më pas u duk një karvan ismaelitësh dhe Juda, me sa duket në mungesë të Rubenit, ua mbushi mendjen të tjerëve që më mirë t’ua shitnin tregtarëve që po kalonin, sesa ta vritnin. (Zn 37:25-27) Me gjithë përgjërimin e Jozefit për mëshirë, ata e shitën për 20 monedha argjendi (44 dollarë nëse ishin sikla). (Zn 37:28; 42:21) Gjithçka tregon se meraku kryesor i Judës ishte t’i kursente jetën Jozefit dhe, më pas, doli se shitja në vetvete ishte një bekim për të gjithë. Megjithatë, si gjithë të tjerët, ai ishte fajtor për një mëkat të rëndë që i breu ndërgjegjen për një kohë të gjatë. (Zn 42:21, 22; 44:16; 45:4, 5; 50:15-21) (Në Ligjin e Moisiut që iu dha më vonë izraelitëve, kjo shkelje dënohej me vdekje; Da 21:16.) Më pas, edhe Juda bashkë me të tjerët e mashtroi Jakobin që të mendonte se Jozefin e kishte shqyer një kafshë e egër. (Zn 37:31-33) Në atë kohë, Juda ishte rreth 20 vjeç.
Familja e Judës. Duket se pas kësaj ndodhie Juda u nda nga vëllezërit. Ai e ngriti tendën afër një adulamiti që quhej Hirah dhe, me sa duket, ata lidhën miqësi bashkë. Gjatë kësaj kohe, ai u martua me të bijën e Shuait që ishte kananit. Ajo i lindi tre djem, Erin, Onanin dhe Shelahun. Shelahu, që ishte më i vogli, lindi në Akzib.—Zn 38:1-5.
Më vonë, Juda zgjodhi Tamarën si grua për Erin, të parëlindurin. Mirëpo Jehovai e dënoi me vdekje Erin për shkak të ligësisë së tij. Atëherë Juda i kërkoi djalit të dytë, Onanit, të përmbushte detyrën që i takonte kunatit. Onani kryente marrëdhënie me Tamarën, por «e derdhte farën përtokë, që të mos i linte pasardhës të vëllait». Kështu, Jehovai vrau edhe atë. Atëherë, Juda e këshilloi Tamarën të kthehej në shtëpinë e të atit dhe të priste derisa të rritej Shelahu. Megjithatë, kur ky u rrit, Juda nuk ia dha për burrë Tamarës, me sa duket nga frika se mos i vdiste edhe djali i vogël.—Zn 38:6-11, 14.
Kohë më vonë, Juda mbeti i ve. Tamara mori vesh se vjehrri i saj po shkonte në Timnah. Atëherë ajo u maskua si prostitutë dhe u ul në hyrje të Enaimit, që ndodhej rrugës nga do të kalonte Juda. Juda nuk e njohu të renë e tij dhe, duke e marrë për prostitutë, pati marrëdhënie me të. Më vonë, doli në shesh se Tamara ishte shtatzënë dhe Juda kërkoi që ajo të digjej si e përdalë. Por, kur u paraqitën prova se ai vetë e kishte lënë shtatzënë, Juda thirri me zë të lartë: «Ajo është më e drejtë se unë, sepse nuk ia dhashë për grua birit tim, Shelahut.» Kështu, pa e ditur, Juda kishte zënë vendin e Shelahut dhe kishte sjellë në jetë një pasardhje të ligjshme. Rreth gjashtë muaj më vonë Tamara lindi dy binjakë, Perezin dhe Zerahun. Juda nuk pati më marrëdhënie me të.—Zn 38:12-30.
Në Egjipt për ushqim. Pak kohë më vonë, në vendin e Kanaanit, ku kishte pllakosur zia e bukës, arriti lajmi se në Egjipt kishte ushqim. Kështu, me urdhër të Jakobit, dhjetë nga bijtë e tij, mes të cilëve edhe Juda, shkuan atje për të kërkuar ushqim. Në këtë kohë, Jozefi, gjysmëvëllai i tyre, shërbente si administruesi i ushqimit për Egjiptin. Jozefi i njohu menjëherë vëllezërit e tij, kurse ata jo. Ai i akuzoi se ishin spiunë dhe u tha të mos ktheheshin pa Beniaminin, të cilin e kishin përmendur kur po mbroheshin nga kjo akuzë. Gjithashtu dha urdhër që të lidhej njëri nga vëllezërit, Simeoni, dhe e mbajti peng.—Zn 42:1-25.
Është e kuptueshme që Jakobi, duke menduar se kishte humbur edhe Jozefin, edhe Simeonin, nuk donte ta linte Beniaminin të shkonte me djemtë e tjerë në Egjipt. As fjalët prekëse të Rubenit se po të donte mund t’ua merrte jetën dy bijve të tij nëse nuk ia kthente Beniaminin, s’ia ndryshuan mendjen Jakobit, ndoshta ngaqë nuk i zinte besë, sepse i kishte dhunuar konkubinën. (Zn 35:22) Në fund, arriti t’ia mbushte mendjen Juda, i cili doli garant për Beniaminin.—Zn 42:36-38; 43:8-14.
Pasi blenë drithë në Egjipt dhe morën rrugën e kthimit, bijtë e Jakobit i arriti kujdestari i shtëpisë së Jozefit dhe i akuzoi për vjedhje (faktikisht një rreng i Jozefit). Kur sendi gjoja i vjedhur u gjet në torbën e Beniaminit, ata u kthyen në shtëpinë e Jozefit. Pikërisht Juda iu përgjigj akuzës dhe u lut me fjalë prekëse e të zjarrta për Beniaminin dhe të atin, duke kërkuar të merrnin atë si skllav në vend të vëllait të vogël. Aq shumë u prek Jozefi nga lutja e sinqertë e Judës, sa s’e mbajti dot veten dhe, kur ishte vetëm me vëllezërit, u tregoi se kush ishte. Pasi i fali që e kishin shitur si skllav, ai u kërkoi gjysmëvëllezërve të shkonin të merrnin Jakobin e të ktheheshin në Egjipt, sepse zia e bukës do të zgjaste edhe pesë vite të tjera.—Zn 44:1–45:13.
Më vonë, teksa Jakobi dhe gjithë familja e tij po i afroheshin Egjiptit, Jakobi «dërgoi përpara Judën te Jozefi, që të jepte e të merrte që më përpara të dhëna për Goshenin».—Zn 46:28.
Më i mirë se vëllezërit e tij. Meraku për babanë e moshuar dhe gjesti i tij fisnik për të sakrifikuar lirinë e vet për atë të Beniaminit, treguan se Juda ishte më i mirë se vëllezërit. (1Kr 5:2) Ai nuk ishte më Juda që në rini kishte marrë pjesë në plaçkitjen e sikemitëve ose që i kishte bërë keq Jozefit, gjysmëvëllait të tij, e më pas kishte mashtruar të atin. Falë zotësisë për të drejtuar, Juda, kreu i njërit prej 12 fiseve të Izraelit, mori nga i ati në shtratin e vdekjes një bekim profetik shumë më të mirë se vëllezërit e vet. (Zn 49:8-12) Përmbushja e tij shqyrtohet më poshtë.
2. Fisi që erdhi nga Juda. Rreth 216 vjet pasi Juda kishte shkuar në Egjipt me gjithë familjen e Jakobit, numri i burrave të aftë për luftë të këtij fisi nga 20 vjeç e lart kishte arritur në 74.600, shumë më tepër se çdo fis tjetër. (Nu 1:26, 27) Në fund të 40 vjetëve që endeshin në shkretëtirë, meshkujt e regjistruar të fisit të Judës ishin 1.900 më shumë.—Nu 26:22.
Nën drejtimin e Bezalelit, nga fisi i Judës, dhe Oholiabit, ndihmësit të tij nga fisi i Danit, u ndërtua tabernakulli dhe u bënë pajimet e orenditë e tij. (Da 35:30-35) Pas ngritjes së tabernakullit, Juda bashkë me fisin e Isakarit dhe të Zabulonit fushuan në lindje të shenjtërores.—Nu 2:3-8.
Shenjat e para të aftësive të tij drejtuese. Në bekimin e tij profetik, Jakobi i kishte caktuar Judës një rol drejtues (Zn 49:8; krahaso 1Kr 5:2), dhe përmbushja e kësaj profecie vërtetohet në fillimet e historisë së këtij fisi. I drejtuar nga prijësi i tij, Nahasoni, fisi i Judës printe gjatë marshimit në shkretëtirë. (Nu 2:3-9; 10:12-14) Gjithashtu, nga ky fis doli Kalebi, njëri nga dy vëzhguesit besnikë që patën privilegjin të riktheheshin në Tokën e Premtuar. Megjithëse i shkuar në moshë, ai luftoi për të shtënë në dorë vendin që i ra me short Judës. Perëndia e caktoi këtë fis të udhëhiqte luftën kundër kananitëve, gjë të cilën e bëri bashkë me simeonitët. (Nu 13:6, 30; 14:6-10, 38; Js 14:6-14; 15:13-20; Gjy 1:1-20; krahaso Lp 33:7.) Më vonë, Perëndia e ngarkoi përsëri Judën të vihej në krye të fushatës ndëshkuese kundër fisit të Beniaminit.—Gjy 20:18.
Trashëgimia e Judës. Territori që i ra me short fisit të Judës kufizohej me atë të Beniaminit dhe të Danit në veri (Js 15:5-11; 18:11), me Detin e Kripur (Detin e Vdekur) në lindje (Js 15:5) dhe me Detin e Madh (Mesdheun) në perëndim (Js 15:12). Duket se kufiri jugor shtrihej nga pika më jugore e Detit të Vdekur drejt jugperëndimit deri në të përpjetën e Akrabimit; nga atje vazhdonte deri në Zin, kalonte drejt veriut afër Kadesh-Barneas dhe pasi përshkonte Hezronin, Adarin, Karkën, Azmonin dhe luginën e përroit të Egjiptit, përfundonte në detin Mesdhe. (Js 15:1-4) Ajo pjesë e territorit që rrethonte kryesisht Beer-Shebën iu caktua simeonitëve. (Js 19:1-9) Edhe kenitët, një familje joizraelite që kishte lidhje krushqie me Moisiun, shkuan të banonin në territorin e Judës.—Gjy 1:16.
Brenda kufijve të Judës së lashtë gjendeshin disa zona natyrore që binin në sy. Në jug gjendet Negebi, pjesa më e madhe e të cilit është një pllajë me lartësi nga 450 deri në 600 m mbi nivelin e detit. Përgjatë Mesdheut shtrihet rrafshina e Filistisë me duna rëre që nganjëherë futen deri në 6 km në brendësi të tokës. Njëherë e një kohë, kjo rrafshinë e valëzuar ishte plot vreshta, ullishte e ara me drithë. (Gjy 15:5) Ngjitur në krahun lindor të kësaj rrafshine shtrihet një zonë kodrinore e thyer nga lugina të shumta, që në jug arrijnë deri në 450 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë që quhet Shefelah (d.m.th. «ultësirë») dikur ishte plot me fiq Egjipti. (1Mb 10:27) Në krahasim me rajonin malor të Judës më në lindje, lartësia e të cilit ndryshon nga 600 m deri në 1.000 m mbi nivelin e detit, kjo zonë mund të quhet vërtet ultësirë. Kodrat e zhveshura në shpatet lindore të maleve të Judës formojnë shkretëtirën e Judës.
Me sa duket, pikërisht në territorin që i ishte dhënë Judës, u thye fuqia kananite pas një sërë betejash nën drejtimin e Josiut. Megjithatë, përderisa nuk u ngritën garnizone, duket se banorët e hershëm u kthyen përsëri në qytete si Hebroni dhe Debiri, ndoshta gjatë kohës që izraelitët luftonin gjetkë. Kështu, këto vende duheshin rimarrë. (Krahaso Js 12:7, 10, 13; Gjy 1:10-15.) Gjithsesi, banorët e ultësirës, që kishin karroca të frikshme lufte, nuk u shpronësuan. Këtu përfshiheshin, pa dyshim, filistinët e Gathit dhe të Ashdodit.—Js 13:2, 3; Gjy 1:18, 19.
Nga gjykatësit deri te Sauli. Gjatë periudhës së trazuar të gjykatësve, Juda, njësoj si fiset e tjera, ra disa herë në grackën e idhujtarisë. Prandaj, Jehovai lejoi që kombet përreth, sidomos amonitët dhe filistinët, të shtinin në dorë disa pjesë të territorit të Judës. (Gjy 10:6-9) Në kohën e Samsonit, fisi i Judës kishte humbur kontrollin mbi qytetet filistine të Gazës, Ekronit dhe Ashkelonit, e madje filistinët ishin bërë padronët e tyre. (Gjy 15:9-12) Ka shumë mundësi që Juda t’i ketë dëbuar filistinët nga territori i vet vetëm gjatë kohës së Samuelit.—1Sa 7:10-14.
Pasi Samueli mirosi Saulin nga fisi i Beniaminit si mbretin e parë të Izraelit, fisi i Judës luftoi me besnikëri nën drejtimin e tij. (1Sa 11:5-11; 15:3, 4) Pjesa më e madhe e betejave ishin kundër filistinëve (1Sa 14:52), që me sa duket i kishin futur përsëri izraelitët në darën e tyre. (1Sa 13:19-22) Por dalëngadalë fuqia e tyre u dobësua. Me ndihmën e Jehovait, Sauli dhe i biri, Jonatani, korrën fitore kundër tyre nga Mikmashi deri në Ajalon. (1Sa 13:23–14:23, 31) Më vonë, kur pushtuan Judën, filistinët pësuan përsëri humbje, pasi Davidi, një bari i ri nga Juda, vrau kampionin e tyre me emrin Goliad. (1Sa 17:4, 48-53) Kështu, drejtimin e forcave izraelite, mbreti Saul ia besoi Davidit, që ishte mirosur tashmë si mbret i ardhshëm i Izraelit. Davidi e mbështeti me besnikëri Saulin në këtë detyrë dhe korri fitore të tjera kundër filistinëve. (1Sa 18:5-7) Në këtë kohë, fisi i Judës ishte si «një këlysh luani», pasi nuk e kishte arritur ende fuqinë mbretërore nëpërmjet Davidit.—Zn 49:9.
Megjithëse Sauli filloi ta shihte Davidin si kërcënim për pozitën e tij si mbret dhe e nxori atë person të jashtëligjshëm, Davidi vazhdoi t’i qëndronte besnik atij si i mirosuri i Jehovait. Ai nuk u bë asnjëherë ortak me armiqtë e Izraelit; vetë nuk i bëri keq Saulit dhe as lejoi të tjerët që t’i bënin keq. (1Sa 20:30, 31; 24:4-22; 26:8-11; 27:8-11; 30:26-31) Përkundrazi, nuk e ndali luftën kundër armiqve të popullit të tij. Në një rast, Davidi shpëtoi nga dora e filistinëve Kejlahun, një qytet të Judës.—1Sa 23:2-5.
Bekimi i Jakobit përmbushet te Davidi. Më në fund, erdhi koha e vendosur nga Perëndia që fuqia mbretërore të kalonte nga fisi i Beniaminit tek ai i Judës. Pas vdekjes së Saulit, burrat e Judës e mirosën Davidin si mbret në Hebron. Mirëpo fiset e tjera qëndruan me shtëpinë e Saulit dhe bënë mbret të birin, Ish-Boshethin. Mes këtyre dy mbretërive pati përleshje të njëpasnjëshme, derisa përkrahësi më i flaktë i Ish-Boshethit, Abneri, kaloi në anën e Davidit. Pak më vonë, Ish-Boshethin e vranë.—2Sa 2:1-4, 8, 9; 3:1–4:12.
Më pas, kur Davidi u bë mbret i gjithë Izraelit, ‘bijtë e Jakobit’, domethënë të gjitha fiset e Izraelit, e përlëvduan Judën dhe ranë përmbys para përfaqësuesit të saj, duke e pranuar si mbret. Kjo i dha mundësi Davidit të sulej kundër Jerusalemit, megjithëse binte kryesisht në një territor beniaminit dhe, pasi e shtiu në dorë qytetin bastion të Sionit, e bëri kryeqytetin e tij. Në përgjithësi, sjellja e Davidit ishte për t’u lavdëruar. Falë tij, Juda u lavdërua për cilësi të tilla, si drejtësia e paanshmëria, si edhe për shërbimet ndaj kombit, sidomos në ruajtjen e sigurisë. Të gjitha këto përfshiheshin në bekimin profetik që paratha Jakobi kur ishte në shtratin e vdekjes. Dora e Judës ishte vërtet në zverk të armiqve, pasi Davidi i bëri zap filistinët (që ishin orvatur dy herë ta rrëzonin nga froni në Sion), si edhe moabitët, sirianët, edomitët, amalekitët dhe amonitët. Kështu, nën mbretërimin e Davidit, kufijtë e Izraelit arritën më në fund shtrirjen që kishte përcaktuar Perëndia.—Zn 49:8-12; 2Sa 5:1-10, 17-25; 8:1-15; 12:29-31.
Falë besëlidhjes së përhershme për një Mbretëri që bëri Perëndia me Davidin, fisi i Judës e mbajti skeptrin dhe shkopin e komandantit për 470 vjet. (Zn 49:10; 2Sa 7:16) Megjithatë, vetëm gjatë mbretërimit të Davidit dhe të Solomonit pati një mbretëri të bashkuar, ku të gjitha fiset e Izraelit binin përmbys para Judës. Për shkak të apostazisë së Solomonit aty nga fundi i mbretërimit të tij, Jehovai ia hoqi dhjetë fise mbretit pasues të Judës, Rehoboamit, dhe ia dha Jeroboamit. (1Mb 11:31-35; 12:15-20) Vetëm levitët dhe fisi i Beniaminit e i Judës i qëndruan besnikë shtëpisë së Davidit.—1Mb 12:21; 2Kr 13:9, 10.
3. Mbretëria e Judës ku bënte pjesë edhe fisi i Beniaminit. (2Kr 25:5) Pas vdekjes së Solomonit, dhjetë fiset e tjera formuan një mbretëri të pavarur me mbret Jeroboamin nga fisi i Efraimit.
Pak kohë më pas, vitin e 5-të të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, pushtoi mbretërinë e Judës deri në Jerusalem dhe shtiu në dorë qytetet e fortifikuara përgjatë rrugës.—1Mb 14:25, 26; 2Kr 12:2-9.
Për një periudhë rreth 40-vjeçare gjatë sundimit të mbretërve të Judës, Rehoboamit, Abijamit (Abijahut) dhe Asës, pati konflikte të vazhdueshme mes mbretërisë së Judës dhe asaj të Izraelit. (1Mb 14:30; 15:7, 16) Mirëpo Jehozafati, pasuesi i Asës, lidhi krushqi me Akabin, mbretin e lig të Izraelit. Sado që kjo solli paqe mes këtyre dy mbretërive, martesa e djalit të Jehozafatit, Jehoramit, me të bijën e Akabit, Atalinë, qe katastrofë për Judën. I ndikuar nga Atalia, Jehorami u zhyt kokë e këmbë në apostazi. Gjatë mbretërimit të tij, filistinët dhe arabët pushtuan Judën dhe i morën rob e i vranë të gjithë bijtë, përveç djalit më të vogël, Jehoahazit (Ahaziahut). Si u bë mbret, edhe Ahaziahu ndoqi këshillat e Atalisë së ligë. Pas vdekjes së dhunshme të tij, Atalia vrau të gjithë pasardhësit e mbretit. Megjithatë, pa dyshim me ndërhyrjen e Perëndisë, Jehoasin që ishte ende foshnjë e trashëgimtar i ligjshëm i fronit të Davidit, e fshehën dhe për pasojë mbeti gjallë. Ndërkohë, Atalia, uzurpatorja e fronit, sundoi si mbretëreshë edhe për ca kohë, derisa u ekzekutua me urdhër të kryepriftit Jehojada.—2Kr 18:1; 21:1, 5, 6, 16, 17; 22:1-3, 9-12; 23:13-15.
Megjithëse e nisi mirë mbretërimin, pas vdekjes së kryepriftit Jehojada, Jehoasi u largua nga adhurimi i vërtetë. (2Kr 24:2, 17, 18) As Amaziahu, i biri i Jehoasit, nuk ndoqi udhën e drejtë. Gjatë mbretërimit të tij, pas vitesh të tëra bashkëjetese në paqe, mbretëria dhjetëfisëshe dhe mbretëria e Judës rifilluan luftën, e Juda pësoi një humbje poshtëruese. (2Kr 25:1, 2, 14-24) Mbreti tjetër i Judës, Uziahu (Azariahu), bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, përveç hyrjes me forcë në shenjtërore. Jotami, pasuesi i tij, ishte një mbret besnik. Kurse Akazit, djalit të Jotamit, i doli nami si një njeri që ishte zhytur në idhujtari.—2Kr 26:3, 4, 16-20; 27:1, 2; 28:1-4.
Gjatë mbretërimit të Akazit, Judën e pushtuan edomitët, filistinët, si dhe mbretëria veriore e Siria. Madje aleanca siro-izraelite kërcënoi se do t’i merrte fronin Akazit dhe do të bënte mbret të Judës një njeri që nuk vinte nga linja davidike. Megjithëse profeti Isaia e kishte siguruar se kjo s’do të ndodhte, Akazi jobesnik bleu me ryshfet mbretin asirian Tiglath-Pileserin III që t’i shkonte në ndihmë. Kjo lëvizje jo e mençur e futi Judën në zgjedhën e rëndë të Asirisë.—2Kr 28:5-21; Is 7:1-12.
Hezekia, i biri i Akazit, rivendosi adhurimin e vërtetë dhe ngriti krye kundër mbretit të Asirisë. (2Mb 18:1-7) Si pasojë, Senakeribi e pushtoi Judën dhe shtiu në dorë shumë qytete të fortifikuara. Por nuk arriti të shtinte në dorë Jerusalemin, sepse engjëlli i Jehovait vrau brenda një nate 185.000 luftëtarë në kampin asirian. I poshtëruar, Senakeribi u kthye në Ninevi. (2Mb 18:13; 19:32-36) Mbretëria dhjetëfisëshe kishte marrë fund rreth 8 vjet më parë, në vitin 740 p.e.s., kur Samaria, kryeqyteti i saj, kishte rënë në duart e asirianëve.—2Mb 17:4-6.
Mbreti pasardhës i Judës, Manaseu, i biri i Hezekisë, rigjallëroi përsëri idhujtarinë. Por, pasi mbreti i Asirisë e mori rob në Babiloni, ai u pendua dhe, kur u kthye në Jerusalem, ndërmori disa reforma fetare. (2Kr 33:10-16) Mirëpo, i biri, Amoni, iu kthye përsëri idhujtarisë.—2Kr 33:21-24.
Fushata e fundit për çrrënjosjen e idhujtarisë u bë gjatë mbretërimit të Josisë, birit të Amonit. Megjithatë, ishte tepër vonë që i gjithë populli të tregonte pendim të vërtetë. Prandaj, Jehovai dekretoi shkatërrimin e plotë të Judës dhe të Jerusalemit. Në fund, Josia u vra në Megido, në përpjekje për të sprapsur forcat egjiptiane që po i shkonin në ndihmë mbretit të Asirisë në Karkemish.—2Mb 22:1–23:30; 2Kr 35:20.
Katër mbretërit e fundit të Judës, Jehoahazi, Jehojakimi, Jehojakini dhe Zedekia u treguan sundimtarë të ligj. Faraoni Neko rrëzoi nga froni Jehoahazin, i vuri një haraç të madh vendit të Judës dhe hipi në fron si mbret Jehojakimin, vëllanë e Jehoahazit. (2Mb 23:31-35) Më vonë, me sa duket pas 8 vjet mbretërimi, Jehojakimi u bë mbret vasal i Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, që më parë kishte mundur egjiptianët në Karkemish. Jehojakimi i shërbeu për 3 vjet mbretit të Babilonisë, por më pas ngriti krye. (2Mb 24:1; Jr 46:2) Atëherë, Nabukodonosori u sul kundër Jerusalemit, pa dyshim, për ta çuar mbretin rebel si të burgosur në Babiloni. (2Kr 36:6) Mirëpo, Jehojakimi nuk përfundoi në Babiloni, pasi vdiq në një mënyrë që Bibla nuk e tregon, dhe në vend të tij mbret u bë Jehojakini. Ky mbretëroi vetëm për 3 muaj e 10 ditë e pastaj u dorëzua në mënyrë të vullnetshme në duart e Nabukodonosorit. Atë bashkë me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore dhe mijëra nënshtetas të tij e çuan në mërgim në Babiloni. Atëherë, Nabukodonosori bëri mbret të Judës Zedekinë, ungjin e Jehojakinit.—2Mb 24:6, 8-17; 2Kr 36:9, 10.
Vitin e 9-të të mbretërimit të tij si vasal, Zedekia u rebelua dhe kërkoi mbështetjen e forcave egjiptiane për të luftuar kundër Babilonisë. (2Mb 24:18–25:1; 2Kr 36:11-13; Ezk 17:15-21) Kështu, Nabukodonosori i nisi trupat kundër Judës. Pas një rrethimi prej 18 muajsh, më në fund u hap një e çarë në muret e Jerusalemit. Zedekinë, që ia kishte mbathur, e kapën dhe, para se ta verbonin, ia vranë djemtë para syve. Muajin vijues pjesa më e madhe e të mbijetuarve u çua në mërgim. Në Judë mbeti veç një grusht njerëzish të thjeshtë, mbi të cilët u emërua guvernator Gedaliahu. Megjithatë, pas vrasjes së tij, ata që mbetën, ia mbathën në Egjipt. Kështu, muajin e 7-të të vitit 607 p.e.s. vendi i Judës u shkretua plotësisht.—2Mb 25:1-26; për më shumë hollësi shih artikujt për secilin mbret.
E drejta e sundimit nuk humbet. Fundi tragjik i mbretërisë së Judës nuk do të thoshte aspak se ky fis e kishte humbur përgjithmonë skeptrin dhe shkopin e komandantit. Sipas profecisë së Jakobit në shtratin e vdekjes, nga fisi i Judës do të dilte ai që do të trashëgonte përgjithmonë Mbretërinë, Shilohu (që do të thotë «Ai e të cilit është; Ai të cilit i përket»). (Zn 49:10) Pra ishte me vend që para rënies së mbretërisë së Judës, Jehovai t’i drejtonte këto fjalë Zedekisë me anë të Ezekielit: «Hiqe çallmën, hiqe kurorën. Nuk do të jetë më si më parë. Atë që është poshtë, ngrije lart dhe atë që është lart, ule poshtë. Rrënojë! Rrënojë! Unë do ta kthej atë në një rrënojë. Ajo nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.» (Ezk 21:26, 27) Rreth 600 vjet më vonë, engjëlli Gabriel i zbuloi virgjëreshës Mari nga Juda se ai që kishte të drejtën ligjore s’ishte askush tjetër veç Jezuit, Birit të Perëndisë. (Lu 1:31-33) Pra, titulli «Luani që është nga fisi i Judës» është shumë me vend për Jezu Krishtin.—Zb 5:5.
Ndryshimet me mbretërinë veriore. Mbretëria e Judës pati stabilitet shumë më të madh dhe vazhdoi rreth 133 vjet më gjatë se mbretëria veriore. Për këtë kontribuan disa faktorë. (1) Për shkak të besëlidhjes së Perëndisë me Davidin, linja mbretërore nuk u ndërpre, ndërkohë që në mbretërinë veriore as gjysma e mbretërve nuk patën për pasues bijtë e tyre. (2) Vazhdimësia e priftërisë aaronike në tempullin e Jerusalemit pati bekimin e Jehovait dhe ia bëri më të lehtë kombit jobesnik të kthehej te Perëndia. (2Kr 13:8-20) Nga ana tjetër, vendosja dhe vazhdimësia e kultit të viçit konsideroheshin si të nevojshme në mbretërinë veriore për ruajtjen e pavarësisë nga Juda dhe, me sa duket, për këtë arsye nuk u bë asnjë përpjekje për ta çrrënjosur. (1Mb 12:27-33) (3) Katër nga 19 mbretërit e Judës, Asa, Jehozafati, Hezekia dhe Josia, u dalluan për përkushtimin e tyre ndaj adhurimit të vërtetë dhe ndërmorën reforma të rëndësishme fetare.
Megjithatë, historia e këtyre dy mbretërive ilustron sa e pamend është të shpërfillësh urdhërimet e Jehovait dhe të mbështetesh tek aleancat ushtarake. Gjithashtu, ajo nxjerr në pah shpirtgjerësinë e Jehovait kundrejt popullit të tij të pabindur. Ai dërgoi herë pas here profetët që ta nxiste të pendohej, por shpesh populli nuk ua vuri veshin paralajmërimeve të tyre. (Jr 25:4-7) Mes profetëve që shërbyen në Judë ishin Shemajahu, Idoja, Azariahu, Odedi, Hanani, Jehu, Eliezeri, Jahazieli, Mikea, Hozea, Isaia, Sofonia, Habakuku dhe Jeremia.—Shih IZRAELI nr. 2 dhe 3.
Pas mërgimit. Në vitin 537 p.e.s., kur hyri në fuqi dekreti i Kirit që i lejonte izraelitët të ktheheshin në Judë dhe të rindërtonin tempullin atje, me sa duket, përfaqësues nga fise të ndryshme u kthyen në vendlindje. (Ezd 1:1-4; Is 11:11, 12) Siç ishte parathënë tek Ezekieli 21:27, nuk do të kishte asnjë mbret nga linja davidike për të administruar çështjet e popullit të kthyer në atdhe. Gjithashtu, vlen të thuhet se nuk përmendet asnjë xhelozi mes fiseve, gjë që tregon se Efraimi dhe Juda ishin bërë vërtet një.—Is 11:13.
4. Paraardhës i Jezuit në linjën nga Natani deri te Maria. Bir i Jozefit dhe i ati i Simionit; i përkiste brezit të shtatë pas Natanit, birit të Davidit, pra jetoi para mërgimit në Babiloni.—Lu 3:30, 31.
5. Me sa duket leviti që quhej edhe Hodaviah ose Hodevah, bijtë e të cilit u kthyen në Jerusalem me Zorobabelin.—Ezd 2:40; 3:9; Ne 7:43.
6. Një levit që përmendet mes atyre që u kthyen me Zorobabelin.—Ne 12:1, 8.
7. Një nga levitët që larguan gratë e huaja dhe bijtë e tyre.—Ezd 10:23, 44.
8. Një beniaminit që pas mërgimit banoi në Jerusalem dhe shërbeu si mbikëqyrës.—Ne 11:7, 9.
9. Një nga ata që morën pjesë në procesionin përurues të përgatitur nga Nehemia pas përfundimit të murit të Jerusalemit.—Ne 12:31, 34.
10. Një prift muzikant që mori pjesë në procesionin përurues.—Ne 12:31, 35, 36.
11. Juda galileasi, të cilin e përmend Gamalieli në ligjëratën e tij para Sinedrit. (Ve 5:37) Udhëhoqi revoltën e judenjve kur Kuirini, guvernatori i Sirisë, shpalli regjistrimin në vitin 6 të e.s. Jozef Flavi e përmend disa herë dhe thotë se ai «i nxiti bashkëkombasit në revoltë, duke i quajtur burracakë ngaqë pranonin t’u paguanin haraç romakëve dhe se kishin toleruar padronë vdekatarë, kur faktikisht kishin zotëri Perëndinë. Ky sofist themeloi një sekt të vetin që s’kishte asgjë të përbashkët me të tjerët». (Lufta judaike, II, 118 [viii, 1]) Në një rast, Jozef Flavi e quajti gaulanit, emër që disa e lidhin me një zonë në lindje të detit të Galilesë. Megjithatë, herë të tjera i njëjti historian thotë se Juda ishte galileas, siç tha edhe Gamalieli. (Antikitete judaike, XVIII, 4 [i, 1]; XVIII, 23 [i, 6]) Këta rebelë kërkonin me ngulm lirinë, të cilën nuk e arritën. Juda «mori fund, dhe të gjithë ata që i bindeshin u shpërndanë andej-këtej». (Ve 5:37) Edhe disa nga pasardhësit e tij u përfshinë në revolta.—Lufta judaike, II, 433-440 (xvii, 8); VII, 253 (viii, 1).
12. Një nga 12 apostujt; quhet edhe Tade dhe «Juda, i biri i Jakovit». Në listat e apostujve që jepen te Mateu 10:3 dhe Marku 3:18, Jakovi, biri i Alfeut, dhe Tadeu përmenden bashkë. Te Luka 6:16 dhe Veprat 1:13 Tadeu nuk përmendet; përkundrazi gjendet shprehja «Juda, i biri i Jakovit». Kjo çon në përfundimin se Tade ishte një emër tjetër që mbase ndonjëherë përdorej për të mos ngatërruar dy apostujt me emrin Juda. Disa e përkthejnë Lukën 6:16 dhe Veprat 1:13 «Juda, vëllai i Jakovit», pasi nga greqishtja nuk kuptohet lidhja që kishin. (Shih Dio, Kris.) Kurse Peshita siriake përdor termin «bir». Kështu, në shumë përkthime sot lexohet «Juda, i biri i Jakovit». (RS, AT, BR, La) I vetmi fragment biblik ku emri i këtij Jude shfaqet vetëm është Gjoni 14:22, ku thuhet «Juda tjetër, jo Iskarioti», për të kuptuar se cili Judë kishte folur.
Në përkthimin Diodati i Ri, te Mateu 10:3 para ‘Tadeut’ është vënë: «Lebeu, i mbiquajtur . . .» Ky përkthim bazohet në Tekstin e pranuar (Textus Receptus), mirëpo teksti i Uestkotit dhe i Hortit nuk e përfshin këtë pjesë, sepse nuk gjendet në dorëshkrime si ai Sinaitik.
13. Apostulli tradhtar.—Shih JUDË ISKARIOTI.
14. «Skllav i Jezu Krishtit, por vëlla i Jakovit». Kështu prezantohet shkrimtari i letrës së frymëzuar që mban emrin e tij. Juda e shkroi këtë letër rreth vitit 65 të e.s. Me sa duket nuk ishte ‘Juda, biri i Jakovit’, një nga 11 apostujt besnikë të Jezu Krishtit. (Lu 6:16) Ai nuk e quan veten apostull, por «skllav» të Jezu Krishtit; gjithashtu, kur u referohet apostujve përdor vetën e tretë shumës.—Jd 1, 17, 18.
Megjithëse në Shkrimet e Krishtere Greke përmenden edhe persona të tjerë me emrin Juda, ky shkrimtar biblik dallohet nga të tjerët sepse përmend emrin e të vëllait. Nga kjo mund të nënkuptohet se i vëllai, Jakovi, ishte i njohur mes të krishterëve. Vetëm një person me atë emër duket se ishte kaq i rëndësishëm. Apostulli Pavël thotë se ky Jakov ishte një nga ‘shtyllat’ e kongregacionit të Jerusalemit dhe ‘vëlla i Zotërisë’. (Ga 1:19; 2:9; shih edhe Ve 12:17; 15:13-21.) Pra, Juda me sa duket ishte gjysmëvëlla i Krishtit Jezu. (Mt 13:55; Mr 6:3) Megjithatë, me përulësi, ai nuk deshi të përfitonte nga lidhja e gjakut me Birin e Perëndisë, por e quajti veten ‘skllav të Jezu Krishtit’.
Nuk dihet pothuaj asgjë për jetën e Judës. Me sa duket, ai ishte në Kanë me tre vëllezërit e tij dhe të ëmën, Marinë, kur Jezui kreu një mrekulli në fillim të shërbimit të tij. Më vonë, shkoi me Jezuin dhe dishepujt e tij për pak ditë në Kapernaum. (Gjo 2:1-12) Më shumë se një vit më vonë, me sa duket ai shkoi me Marinë dhe vëllezërit te Jezui. (Mt 12:46) Juda mund të ketë qenë një nga ata që thanë: «Ai ka luajtur mendsh.» (Mr 3:21) Sidoqoftë, në vitin 32 të e.s., Juda dhe vëllezërit e tij nuk ishin në radhët e atyre që tregonin besim te Krishti Jezu. (Gjo 7:5) Pak para se të vdiste, Jezui ia besoi të ëmën, që tanimë ishte besimtare, apostullit Gjon. Kjo tregon qartazi se as Juda, as vëllezërit e tij, nuk ishin bërë ende dishepuj.—Gjo 19:26, 27.
Megjithatë, pas ringjalljes, Jezui iu shfaq gjysmëvëllait të tij, Jakovit. (1Ko 15:7) Pa dyshim, kjo gjë shërbeu për të bindur Jakovin, por edhe Judën e vëllezërit e tjerë, se Jezui ishte vërtet Mesia. Kështu, që nga koha e ngjitjes së Jezuit në qiell deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ata ngulmonin në lutje bashkë me 11 apostujt besnikë e të tjerët në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem. Gjithashtu, duket se ata ishin mes rreth 120 vetave që u mblodhën kur Matia u zgjodh me short për të zëvendësuar Judë Iskariotin që u tregua jobesnik. (Ve 1:13-26) Pra, logjikisht, Juda duhet të ketë qenë mes të parëve që morën frymën e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë.—Ve 2:1-4.
15. Një burrë nga Damasku që e kishte shtëpinë në rrugën që quhej E Drejtë. Sauli (Pavli) qëndroi në shtëpinë e tij gjatë kohës që ishte i verbër, pasi përqafoi besimin e ri, dhe pikërisht atje u dërgua Anania që të vinte duart mbi të. (Ve 9:11, 17) Tregimi nuk thotë nëse Juda ishte apo jo dishepull në atë kohë, por kjo duket e pamundur, pasi Anania dhe dishepuj të tjerë ngurronin t’i afroheshin Saulit për shkak të reputacionit të tij si përndjekës, kurse Juda e pranoi në shtëpi.—Ve 9:13, 14, 26.
16. Juda, që quhet edhe Barsaba, ishte një nga dy dishepujt që trupi udhëheqës dërgoi në Jerusalem për të shoqëruar Pavlin dhe Barnabën kur çuan letrën për rrethprerjen (rr. 49 të e.s.). Si Juda, edhe shoku i tij, Sila, konsideroheshin burra që merrnin drejtimin mes vëllezërve. (Ve 15:22) Letra u drejtohej ‘vëllezërve në Antioki, Siri dhe Kiliki’. Thuhet se Juda dhe Sila shkuan deri në Antioki, por nuk tregohet nëse e vazhduan udhëtimin më tej. Ata duhej të përcillnin gojarisht gjërat që shkruheshin në letër. Juda ishte ‘profet’ dhe, si orator vizitues, mbajti shumë fjalime për vëllezërit në Antioki, duke i inkurajuar dhe forcuar.—Ve 15:22, 23, 27, 30-32.
Te Veprat 15:33 tregohet se Juda dhe Sila u kthyen në Jerusalem «pas ca kohësh» që kishin qenë me të krishterët në Antioki. Në disa dorëshkrime (si Kodiku Efraemi, Kodiku i Bezës) gjendet edhe vargu 34, që, me ndonjë ndryshim tek-tuk, thotë: «Por Silës iu duk e udhës të qëndronte edhe ca, kurse Juda u nis i vetëm për në Jerusalem.» Ky varg nuk gjendet në dorëshkrime më të hershme të besueshme (si ai Sinaitik, Aleksandrin, Vatikan nr. 1209). Ka mundësi që kjo frazë të ketë qenë një shënim anësor, i cili kishte për qëllim të shpjegonte vargun 40, dhe me kalimin e kohës është bërë pjesë e tekstit.
Disa komentues kanë hamendësuar se Juda i quajtur Barsaba ishte vëlla i ‘Jozefit që quhej Barsaba’, njërit prej dishepujve që e propozuan në vend të Judë Iskariotit. (Ve 1:23) Mirëpo këtë ide nuk e mbështet asgjë, përveç ngjashmërisë së emrave. Pas kthimit në Jerusalem, Juda nuk përmendet më në Bibël.