BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 223-226
  • Libri biblik numër 50​—Filipianëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 50​—Filipianëve
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E FILIPIANËVE
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Filipianëve 4:13—«Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit»
    Shpjegim i vargjeve të Biblës
  • «Kalo në Maqedoni»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Filipia
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • «Paqja e Perëndisë. . . kapërcen çdo mendim»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 223-226

Libri biblik numër 50​—Filipianëve

Shkrimtari: Pavli

Vendi ku u shkrua: Romë

Shkrimi përfundoi: rr. 60 të e.s.–61 të e.s.

1. (a) Si ndodhi që filipianët dëgjuan lajmin e mirë? (b) Ç’të dhëna historike për qytetin e Filipisë janë me interes?

KUR apostulli Pavël mori në një vegim thirrjen për ta çuar lajmin e mirë në Maqedoni, ai me shokët e tij, Lukën, Silën dhe Timoteun e ri, u bindën menjëherë. Ata u nisën nga Troada në Azinë e Vogël dhe shkuan me anije deri në Neapoli, e pa humbur kohë vazhduan rrugën për në Filipi, rreth 15 kilometra më në brendësi, duke kaluar nëpër një shteg malor. Luka e përshkruan Filipinë si «qyteti kryesor i krahinës së Maqedonisë». (Vep. 16:12) Emrin e kishte marrë nga mbreti maqedonas Filipi II (i ati i Aleksandrit të Madh), që e kishte pushtuar qytetin në vitin 356 p.e.s. Më vonë, qyteti ra në duart e romakëve. Në vitin 42 p.e.s. atje u zhvilluan beteja vendimtare që kontribuan në forcimin e pozitës së Oktavianit, i cili më vonë u bë i njohur si Cezar Augusti. Për të kujtuar fitoren, ai e ktheu Filipinë në koloni romake.

2. Ç’rezultat pati predikimi i Pavlit në Filipi dhe ç’ngjarje shoqëruan lindjen e kongregacionit të atjeshëm?

2 Pavli e kishte zakon që kur shkonte në një qytet të ri, u predikonte në fillim judenjve. Mirëpo, kur shkoi për herë të parë në Filipi, rreth vitit 50 të e.s., pa se këta ishin pak dhe me sa duket s’kishin as sinagogë, sepse mblidheshin për t’u lutur jashtë qytetit, buzë një lumi. Predikimi i Pavlit solli fryt menjëherë: ndër të parët që përqafuan besimin e ri ishte Lidia, një prozelite judeje që merrej me tregti. Ajo e pranoi menjëherë të vërtetën për Krishtin dhe nguli këmbë që këta rrugëtarë të rrinin në shtëpinë e saj. «Na detyroi të venim»,—shkruan Luka. Por shumë shpejt filloi kundërshtimi dhe Pavlin me Silën i rrahën me thupër e i futën në burg. Gjatë kohës që ishin në burg ra një tërmet, dhe roja i burgut me familjen e tij, si dëgjuan Pavlin dhe Silën, u bënë besimtarë. Të nesërmen Pavli dhe Sila u liruan nga burgu dhe shkuan në shtëpinë e Lidias për t’u dhënë zemër vëllezërve para se të iknin nga ai qytet. Pavli ruante kujtime të gjalla për mundimet që kishin shoqëruar lindjen e kongregacionit të ri në Filipi.​—Vep. 16:9-40.

3. Ç’kontakte të mëtejshme pati Pavli me kongregacionin e Filipisë?

3 Pak vjet më vonë, gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, Pavli e vizitoi edhe një herë kongregacionin e Filipisë. Pastaj, rreth dhjetë vjet pas formimit të kongregacionit, një shprehje prekëse dashurie nga vëllezërit në Filipi e nxiti Pavlin t’u shkruante atyre letrën e frymëzuar që në Shkrimet e Shenjta shfaqet me emrin e atij kongregacioni të dashur.

4. Ç’e identifikon Pavlin si shkrimtarin e Filipianëve dhe ç’gjë provon autenticitetin e kësaj letre?

4 Komentuesit e Biblës në përgjithësi e pranojnë, dhe me arsye, që shkrimtari i kësaj letre është Pavli, siç thuhet në vargun e parë. Polikarpi (69?-155? të e.s.) përmendi në letrën që u dërgoi filipianëve se Pavli u kishte shkruar. Letra i atribuohet Pavlit edhe nga komentues të hershëm biblikë si Injaci, Ireneu, Tertuliani dhe Klementi i Aleksandrisë. Ajo përmendet te Fragmenti Muratorian (shekulli i dytë i e.s.) dhe në të gjitha kanunet e tjera të hershme, si dhe shfaqet bashkë me tetë letrat e tjera të Pavlit në Papirusin Çestër Biti nr. 2 (P46), që besohet se daton rreth vitit 200 të e.s.

5. Ç’gjë tregon se letra u shkrua në Romë?

5 Vendi dhe data kur u shkrua letra mund të përcaktohen me siguri të arsyeshme. Në kohën kur e shkroi, Pavli ishte i burgosur e ruhej nga truproja e perandorit romak, dhe rreth tij zhvillohej një aktivitet jo i vogël i krishterë. Ai e mbylli letrën me të falat e besnikëve të shtëpisë së Cezarit. Puqja e këtyre fakteve tregon se letra u dërgua nga Roma.​—Filip. 1:7, 13, 14; 4:22; Vep. 28:30, 31.

6. Nga kuptohet koha kur u shkrua Filipianëve?

6 Por, kur u shkrua? Duket se Pavli kishte kohë që ishte në Romë, pasi lajmin dhe arsyet e burgosjes së tij si i krishterë i kishte marrë vesh tërë Garda Pretoriane e perandorit dhe shumë të tjerë. Veç kësaj, kishte pasur mjaft kohë sa Epafroditi të vinte nga Filipia (rreth 1.000 km larg) me një dhuratë për Pavlin e që lajmi i sëmundjes së Epafroditit në Romë të shkonte prapë deri në Filipi dhe që nga Filipia të vinin në Romë shprehjet e keqardhjes për sëmundjen e tij. (Filip. 2:25-30; 4:18) Meqë Pavli u burgos për herë të parë në Romë rreth viteve 59-61 të e.s., ka shumë të ngjarë që ai ta ketë shkruar këtë letër rreth vitit 60 ose 61 të e.s., një vit ose më shumë pasi shkoi për herë të parë në Romë.

7. (a) Ç’lidhje ekzistonte mes Pavlit dhe filipianëve dhe ç’e nxiti të shkruante? (b) Si është letra drejtuar Filipianëve?

7 Dhembjet që provoi duke lindur këta fëmijë në Filipi përmes fjalës së të vërtetës, përzemërsia dhe bujaria e filipianëve, e shprehur nëpërmjet dhuratave dhe gjërave të nevojshme që i kishin dërguar, të cilat e kishin shoqëruar Pavlin në shumë nga udhëtimet dhe vështirësitë e tij, si dhe fakti që Jehovai e kishte bekuar dukshëm mundin e parë misionar në Maqedoni, kishin kalitur të gjitha një lidhje të fortë dashurie të ndërsjellë mes Pavlit dhe vëllezërve në Filipi. Tani, dhurata e tyre mirëdashëse, bashkë me merakun e tyre të madh për Epafroditin dhe interesimin për përparimin e lajmit të mirë në Romë, e nxitën Pavlin t’u shkruante një letër ndërtuese e inkurajuese me fjalë të ngrohta e të përzemërta.

PËRMBAJTJA E FILIPIANËVE

8. (a) Si e shpreh Pavli sigurinë që ka te vëllezërit e Filipisë dhe përzemërsinë që ndien për ta? (b) Ç’thotë Pavli për vargonjtë e tij dhe ç’këshillë jep?

8 Mbrojtja dhe përparimi i lajmit të mirë (1:1-30). Pavli dhe Timoteu dërgojnë përshëndetje, dhe Pavli falënderon Perëndinë për kontributin që kanë dhënë filipianët për lajmin e mirë «që nga dita e parë e deri në këtë çast». Ai është i sigurt se ata do ta çojnë deri në fund veprën e mirë që nisën, sepse janë pjesëmarrës bashkë me të në dashamirësinë e pamerituar, si dhe «në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë». Ai ka mall për të gjithë me një përzemërsi të butë, dhe thotë: «Lutem vazhdimisht që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më e madhe . . . që të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (1:5, 7, 9, 10) Pavli do që të dinë se ‘ato që i ndodhën atij, dolën për përparimin e lajmit të mirë’, pasi vargonjtë e tij janë bërë të njohur gjerësisht dhe vëllezërit janë inkurajuar ta thonë fjalën e Perëndisë pa frikë. Ndonëse do të ishte fitim për Pavlin të vdiste tani, ai e di se për hir të përparimit dhe gëzimit të tyre është më e nevojshme që të mos vdesë. Ai i këshillon të sillen në mënyrë të denjë për lajmin e mirë, që, edhe nëse shkon, edhe nëse nuk shkon tek ata, të dëgjojë se vazhdojnë të luftojnë në unitet e ‘se nuk tremben në asgjë nga kundërshtarët e tyre’.​—1:12, 28.

9. Si mund ta mbajnë filipianët po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti?

9 Të mbajnë po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti (2:1-30). Pavli i nxit filipianët të kenë përulësi mendjeje, ‘duke parë me interes jo vetëm çështjet e tyre, por edhe ato të të tjerëve’. Ata duhet të mbajnë po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu, i cili edhe pse ishte në formë Perëndie, e zbrazi veten për t’u bërë njeri dhe u përul e u bind madje deri në vdekje, prandaj Perëndia e lartësoi dhe i dha emrin që është mbi çdo emër. Pavli i nxit: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.» «Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje dhe pa debate» dhe vazhdoni ‘të mbaheni fort pas fjalës së jetës’. (2:4, 12, 14, 16) Ai shpreson t’u dërgojë Timoteun dhe është i sigurt se edhe vetë do të shkojë së shpejti. Për momentin, po u dërgon Epafroditin, që e ka marrë veten nga sëmundja, me qëllim që ata të gëzojnë sërish.

10. Si është sulur Pavli drejt qëllimit dhe ç’këshillë u jep të tjerëve?

10 ‘Suluni drejt qëllimit’ (3:1–4:23). ‘Ne të rrethprerët e vërtetë,—thotë Pavli,—duhet të ruhemi nga njerëzit e neveritshëm, nga ata që bëjnë prerje në mish.’ Nëse ndonjë ka arsye t’i mbajë shpresat te mishi, Pavli ka edhe më shumë, siç e tregon e kaluara e tij si jude i rrethprerë dhe farise. Megjithatë, tërë këto ai i ka braktisur me dëshirë ‘për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë së tij’. Falë drejtësisë që buron nga besimi, ai shpreson ‘të jetë mes atyre që do të ringjallen të parët’. (3:2, 3, 8, 11) Prandaj, Pavli thotë: «Po i harroj gjërat që lashë pas, po synoj drejt atyre që kam para, dhe po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu.» Të gjithë ata që janë të pjekur, le të kenë të njëjtin qëndrim mendor. Ka nga ata që kanë perëndi barkun e tyre, që e kanë mendjen te gjërat tokësore dhe fundi i të cilëve do të jetë shkatërrimi, kurse «qytetaria jonë gjendet në qiej», siç pohon Pavli.​—3:13, 14, 20.

11. (a) Cilat janë gjërat që duhen menduar e vënë në praktikë? (b) Ç’thotë Pavli për bujarinë e filipianëve?

11 ‘Gëzoni në Zotërinë,—nxit Pavli,—dhe arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit. Vazhdoni të mendoni për gjëra që janë të vërteta dhe që vlerësohen si serioze, për gjëra që janë të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, të virtytshme dhe të denja për t’u lëvduar. Ato që mësuat, pranuat, dëgjuat dhe patë në lidhje me mua, vërini në praktikë, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.’ (4:4-9) Pavlin e ka gëzuar shumë bujaria që kanë treguar filipianët për të, megjithëse ai ka forcë për gjithçka ‘falë atij që i jep fuqi’. Ai i falënderon ngrohtësisht për dhuratën e tyre. Që në fillimet e shpalljes së lajmit të mirë në Maqedoni, ata janë shquar si dorëdhënë. Si rrjedhojë, Perëndia ‘që ka pasuri të lavdishme, do t’u japë me anë të Krishtit Jezu gjithçka u nevojitet’. (4:13, 19) Ai u dërgon të fala nga ana e të gjithë të shenjtëve, duke përfshirë edhe ata të shtëpisë së Cezarit.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

12. Si mund ta fitojmë sot miratimin e Perëndisë dhe të bëhemi një burim gëzimi për vëllezërit, njësoj si vëllezërit në Filipi?

12 Sa dobi nxjerrim nga libri i Filipianëve! Me siguri edhe ne dëshirojmë të fitojmë miratimin e Jehovait dhe të marrim nga mbikëqyrësit tanë të krishterë të njëjtat lavdërime që mori kongregacioni i Filipisë nga Pavli. Këto mund t’i arrijmë nëse ndjekim shembullin e shkëlqyer të filipianëve dhe këshillat e dashura të Pavlit. Njësoj si filipianët, duhet të tregojmë bujari, të interesohemi për të ndihmuar vëllezërit kur janë në vështirësi, dhe të kontribuojmë në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë. (1:3-7) Duhet të vazhdojmë ‘të qëndrojmë të patundur në një mendje, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë’, duke shkëlqyer si «ndriçues» mes një brezi dredharak e të shtrembër. Duke vepruar kështu e duke vazhduar të mendojmë për gjëra që vlerësohen si serioze, mund të jemi burim gëzimi për vëllezërit, njësoj si filipianët u bënë një kurorë gëzimi për apostullin Pavël.​—1:27; 2:15; 4:1, 8.

13. Në cilat fusha mund ta imitojmë Pavlin të gjithë ne?

13 «Bëhuni së bashku imituesit e mi»,—thotë Pavli. Në cilat fusha ta imitojmë? Një fushë është të kënaqemi me aq sa kemi në çdo rrethanë. Edhe kur kishte bollëk, edhe kur ishte në nevojë, Pavli mësoi të përshtatej me rrethanat pa u ankuar, që të vazhdonte t’i shërbente Perëndisë me zell e me gëzim. Veç kësaj, të gjithë duhet të jenë si Pavli kur është fjala për të treguar përzemërsi të butë ndaj vëllezërve besnikë. Me sa gëzim e përzemërsi foli ai për shërbimin e Timoteut dhe të Epafroditit! Sa i afërt ndihej me vëllezërit e tij filipianë, të cilët i quajti «të dashur e fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime».​—3:17; 4:1, 11, 12; 2:19-30.

14. Ç’këshilla të shkëlqyera jep letra drejtuar Filipianëve në lidhje me synimin për të arritur jetën dhe Mbretërinë, dhe cilëve u drejtohet në mënyrë të veçantë kjo letër?

14 Në ç’tjetër fushë mund ta imitojmë Pavlin? Duke ‘u sulur drejt qëllimit’! Të gjithë ata që e mbajnë mendjen te ‘gjërat që vlerësohen si serioze’ interesohen thellësisht për masat e mrekullueshme që ka marrë Jehovai në qiell dhe në tokë, ku ‘çdo gjuhë do të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit’. Këshillat e shkëlqyera që gjejmë te letra drejtuar Filipianëve i nxitin të gjithë ata që shpresojnë të fitojnë jetën e përhershme në Mbretërinë e Perëndisë ta ndjekin atë qëllim. Megjithatë, kjo letër iu drejtua në radhë të parë atyre ‘qytetaria e të cilëve gjendet në qiej’ dhe që presin me dëshirë të zjarrtë ‘të bëhen si trupi i lavdishëm i Krishtit’. ‘Duke i harruar gjërat që lanë pas, e duke synuar drejt atyre që kanë para’, të gjithë ata le të imitojnë apostullin Pavël që ‘u sul drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore’, trashëgiminë e lavdishme në Mbretërinë e qiejve.​—4:8; 2:10, 11; 3:13, 14, 20, 21.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo