Lidia: Adhuruese mikpritëse e Perëndisë
QYSH prej kohëve të lashta, shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë janë shquar për mikpritjen e tyre. (Zanafilla 18:1-8; 19:1-3) E përcaktuar si «dashuri për, dhënie pas, apo mirësjellje ndaj të huajve», mikpritja që buron nga një zemër e sinqertë është edhe sot një shenjë e krishterimit të vërtetë. Në fakt, është një kërkesë për të gjithë ata që duan të adhurojnë Perëndinë në mënyrë të pranueshme.—Hebrenjve 13:2; 1. Pjetrit 4:9.
Një person që tregoi një mikpritje shembullore ishte Lidia. Ajo i «detyroi» misionarët e krishterë që vizitonin Filipinë, të qëndronin në shtëpinë e saj. (Veprat 16:15) Edhe pse Lidia përmendet vetëm shkurtimisht në Shkrimet, ajo pak gjë që thuhet për të mund të jetë inkurajuese për ne. Në ç’mënyrë? Kush ishte Lidia? Çfarë dimë për të?
«Tregtare të purpurtash»
Lidia jetonte në Filipi, qyteti kryesor në Maqedoni. Megjithatë, ajo ishte nga Tiatira, një qytet i rajonit të Lidias, në perëndim të Azisë së Vogël. Për këtë arsye, disa mendojnë se «Lidia» ishte një emër që asaj ia kishin dhënë në Filipi. Me fjalë të tjera, ajo ishte «lidiane», sikundër edhe gruaja, së cilës Jezui i dha dëshmi, mund të quhej «grua samaritane». (Gjoni 4:9) Lidia shiste «të purpurta» apo artikuj të ngjyrosur me këtë bojë. (Veprat 16:12, 14) Ekzistenca e ngjyrosësve në Tiatirë dhe në Filipi është dëshmuar në mbishkrimet e nxjerra nga arkeologët. Ka mundësi që Lidia të jetë transferuar për shkak të punës, qoftë për të vazhduar biznesin e saj privat apo edhe si përfaqësuese e ndonjë shoqërie private të ngjyrosësve tiatiras.
Ngjyra e purpurt mund të vijë nga burime të ndryshme. Më e shtrenjta nxirrej nga disa lloje molusqesh deti. Sipas poetit romak të shekullit të parë, Marciali, një pelerinë me purpur nga më i miri nga Tira (një qendër tjetër ku prodhohej kjo substancë), mund të kushtonte mbi 10.000 sesterca, ose 2.500 denarë, barasvlera e pagës së një punëtori për 2.500 ditë. Është e qartë se veshje të tilla ishin një luks që vetëm pak veta mund ta përballonin. Prandaj, Lidia mund të ketë qenë e kapur nga ana ekonomike. Sidoqoftë, ajo ishte në gjendje t’i ofronte mikpritje apostullit Pavël dhe shokëve të tij, Lukës, Silës, Timoteut e ndoshta edhe të tjerëve.
Predikimi i Pavlit në Filipi
Rreth vitit 50 të e.s., Pali shkeli për herë të parë në Evropë dhe nisi të predikonte në Filipi.a Kur mbërrinte në ndonjë qytet të ri, Pavli e kishte zakon të vizitonte sinagogën, për t’u predikuar së pari hebrenjve dhe prozelitëve që mblidheshin atje. (Krahaso Veprat 13:4, 5, 13, 14; 14:1.) Por sipas disa burimeve, ligji romak i ndalonte hebrenjtë të predikonin fenë e tyre brenda «kufijve të shenjtë» të Filipisë. Prandaj, pasi kaluan «disa ditë» atje, të shtunën misionarët gjetën jashtë qytetit një vend anës lumit, ku «ishte vendi i zakonshëm për lutje». (Veprat 16:12, 13) Me sa duket ky ishte lumi Gangites. Atje misionarët gjetën vetëm gra, njëra prej të cilave ishte Lidia.
«Adhuronte Perëndinë»
Lidia «adhuronte Perëndinë», por ka mundësi të ketë qenë një prozelite në judaizëm, në kërkim të së vërtetës fetare. Edhe pse kishte një punë të mirë, Lidia nuk ishte materialiste. Përkundrazi, ajo rezervonte kohë për çështjet frymore. «Zoti [Jehovai, BR] ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pavli» dhe Lidia pranoi të vërtetën. Në fakt, «ajo u pagëzua me familjen e saj».—Veprat 16:14, 15.
Bibla nuk e përcakton cilët ishin pjesëtarët e tjerë të familjes së Lidias. Meqë nuk përmendet burri, ajo mund të ketë qenë e pamartuar apo e ve. Ndoshta ‘familja e saj’ përbëhej nga kushërinjtë, por termi mund të përfshijë edhe skllevërit ose shërbëtorët. Gjithsesi, Lidia i ndau me zell gjërat që kishte mësuar me ata që jetonin me të. Sa gëzim duhet të ketë pasur, kur ata besuan dhe përqafuan besimin e vërtetë!
«Na detyroi të pranojmë»
Përpara se të takonin Lidian, ndoshta misionarëve u është dashur të kënaqeshin me ndonjë strehim që e gjenin me shpenzimet e tyre. Por ajo ishte e lumtur që kishte mundësi t’u ofronte strehime të tjetra. Megjithatë, fakti që ajo duhej të këmbëngulte, të lë të kuptosh se Pavli dhe shokët e tij kanë bërë njëfarë rezistence. Përse? Pavli dëshironte ‘të ofronte lajmin e mirë pa pagesë, me qëllim që të mos abuzonte me autoritetin e tij’ e të mos i bëhej barrë askujt. (1. Korintasve 9:18; 2. Korintasve 12:14) Por Luka shton: «Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ‘Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit [Jehovait, BR], hyni në shtëpinë time dhe rrini.’ Dhe na detyroi të pranonim.» (Veprat 16:15) Lidia ishe më shumë e shqetësuar për të qenë besnike ndaj Jehovait dhe ofrimi i mikpritjes duket se ishte një dëshmi e besimit të saj. (Krahaso 1. Pjetrit 4:9.) Sa shembull i shkëlqyer! A i përdorim edhe ne ato që kemi, për të nxitur interesat e lajmit të mirë?
Vëllezërit në Filipi
Kur Pavli dhe Sila dolën nga burgu, pas episodit që kishte të bënte me skllaven e demonizuar, ata u kthyen në shtëpinë e Lidias, ku gjetën disa vëllezër. (Veprat 16:40) Besimtarët në kongregacionin e sapoformuar të Filipisë mund ta kenë përdorur shtëpinë e Lidias si një vend të rregullt për mbledhjet. Është e logjikshme të mendojmë se shtëpia e saj vazhdoi të ishte qendër e aktivitetit teokratik në qytet.
Mikpritja e ngrohtë fillestare që tregoi Lidia, doli se ishte një karakteristikë e mbarë kongregacionit. Pavarësisht nga varfëria e tyre, në raste të ndryshme filipianët i dërguan Pavlit gjërat që i nevojiteshin dhe apostulli ishte mirënjohës.—2. Korintasve 8:1, 2; 11:9; Filipianëve 4:10, 15, 16.
Lidia nuk përmendet në letrën që Pavli u shkroi filipianëve, rreth vitit 60-61 të e.s. Shkrimet nuk tregojnë se ç’mund t’i ketë ndodhur asaj pas ngjarjeve në kreun 16 të Veprave. Megjithatë, përmendja e shkurtër e kësaj gruaje dinamike, na shtyn që të dëshirojmë ‘të ushtrojmë mikpritjen’. (Romakëve 12:13, DSF) Sa mirënjohës jemi që mes nesh kemi të krishterë si Lidia! Fryma e tyre bën shumë, për të pasur kongregacione të ngrohta e miqësore, në lavdi të Perëndisë Jehova.
[Shënimi]
a Ndër qytetet më të rëndësishme të Maqedonisë, Filipia ishte një koloni ushtarake relativisht e lulëzuar, që qeverisej nga jus italicum (ligji italik). Ky legjislacion u garantonte filipianëve të drejta të ngjashme me ato që gëzonin qytetarët romakë.—Veprat 16:9, 12, 21.
[Kutia në faqen 28]
Jeta e hebrenjve në Filipi
Në Filipi, jeta s’duhet të ketë qenë e lehtë për judenjtë dhe prozelitët judenj. Mund të kenë ekzistuar disa ndjenja antijudaike, pasi pak pas vizitës së Pavlit, perandori Klaudi i kishte përzënë judenjtë nga Roma.—Krahaso Veprat 18:2.
Është domethënës fakti që Pavli dhe Sila u tërhoqën zvarrë përpara gjykatësve, pasi shëruan skllaven që kishte frymën e fallit. Pronarët e saj, tashmë pa këtë burim të pasur të ardhurash, nxitën paragjykimin e bashkëqytetarëve të tyre, duke pohuar: «Këta njerëz, që janë judenj, e turbullojnë qytetin tonë dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi romakë, nuk është e ligjshme t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë.» Si rrjedhojë, Pavli dhe Sila u rrahën me kamxhik dhe u flakën në burg. (Veprat 16:16-24) Në një klimë të tillë, duhej guxim për të adhuruar hapur Jehovain, Perëndinë e judenjve. Por duket se për Lidian s’kishte rëndësi fakti që ishte e ndryshme.
[Figurat në faqen 27]
Rrënoja në Filipi