SELANIKU
Porti kryesor i Maqedonisë ku Pavli themeloi një kongregacion të krishterë rreth vitit 50 të e.s. Sot quhet edhe Thesaloniki. (FIGURA, vëll. 2, f. 749 në botimin anglisht) Selanikun e ndërtoi Kasandri më 316 ose 315 p.e.s, pranë Termës, që do të thotë «burim i nxehtë», një nga 26 qytetet e shkatërruara prej tij. E quajti kështu për nder të gruas, motrës së Aleksandrit të Madh. Ky qytet i ri ndodhej në perëndim të Gadishullit Kalkidik, në Gjirin Termaik (sot gjiri i Selanikut), ku kryqëzohej rruga që shkonte drejt veriut në Danub me Rrugën Egnatia (rrugë kryesore e shtruar dhe e ndërtuar nga romakët), që shtrihej qindra kilometra përmes Maqedonisë deri në Adriatik.
Para mesit të shekullit të dytë p.e.s., Maqedonia ndahej në katër krahina dhe kryeqytet i së dytës ishte Selaniku. Pak vjet më vonë, kur Maqedonia u bë provincë romake, Selaniku u bë qendra administrative e qeverisë së kësaj province. Prandaj, kur apostulli Pavël dhe Sila mbërritën këtu, rreth 120 km në perëndim të Filipisë, panë se ishte metropol i begatë me goxha rëndësi.
Për tri sabate, Pavli predikoi në sinagogën e Selanikut. Si rezultat, disa judenj dhe shumë prozelitë grekë u bënë besimtarë dhe u shoqëruan me Pavlin e Silën. Mes tyre ishin edhe «mjaft gra me emër». (Ve 17:1-4) Nuk thuhet sa qëndroi Pavli këtu, por qëndroi aq gjatë sa ai dhe shoku i shërbimit të gjenin punë për të mbajtur veten. Edhe pse si apostull Pavli kishte të drejtë të ndihmohej materialisht nga ata të cilëve u shërbente me gjëra frymore, ai la shembullin që ‘çdokush duhet të hajë bukën që nxjerr vetë’. (1Ko 9:4-18; 1Se 2:9; 2Se 3:7-12) Ndoshta, deri diku këtë e bëri se ekzistonte prirja që disa të sorollateshin. Kur ishte këtu, Pavli mori nga vëllezërit në Filipi dy dhurata të ndryshme për nevojat e tij.—Fi 4:16.
S’kaloi shumë dhe judenjtë selanikas që e hodhën poshtë mesazhin e Pavlit, mblodhën një turmë që bridhte pazarit dhe sulmuan shtëpinë e Jasonit, ku rrinte Pavli. Por, kur morën vesh se Pavli nuk ndodhej atje, tërhoqën zvarrë Jasonin dhe besimtarë të tjerë e i çuan te krerët e qytetit, domethënë te «politarkët», siç është fjalë për fjalë në greqisht. (Ve 17:5-9; Int) Është veçanërisht domethënëse që disa mbishkrime të asaj periudhe, të gjetura në Selanik dhe përreth tij, u referohen disa zyrtarëve vendës me emrin politarkë.
Vëllezërit selanikas i nisën Pavlin dhe Silën natën për në Bere, që të mos rrezikonin. Këtu Pavli pa se bereasit ishin ‘me mendje më fisnikë se selanikasit, pasi jo vetëm e pranuan fjalën me etje të madhe, por edhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse gjërat që tha apostulli ishin ashtu’. Megjithatë, shpejt lindën probleme kur judenjtë kundërshtarë mbërritën nga Selaniku që të trazonin një turmë, ndaj Pavlit iu desh sërish të ikte pa rënë në sy.—Ve 17:10-15.
Më pak se një vit pasi kishte ikur nga Selaniku, Pavli, i cili tani ndodhej poshtë në Korint, shkroi Letrën e Parë drejtuar Selanikasve. Dërgoi Timoteun që t’i ngushëllonte e t’u jepte zemër dhe mori raporte të mira nga ai. Në letër Pavli i lavdëroi për shembullin e shkëlqyer që kishin lënë te «të gjithë besimtarët në Maqedoni dhe në Akai» dhe i nxiti të mos shkurajoheshin nga përndjekja. (1Se 1:1-8; 3:1-13; 4:1) Kjo letër fare mirë mund të ketë qenë e para nga shkrimet kanonike të Pavlit dhe, ndoshta me përjashtim të Ungjillit të Mateut, libri i parë i shkruar i Shkrimeve të Krishtere Greke. Pak pas kësaj letre, Pavli shkroi të dytën, që selanikasit të mos devijonin nga e vërteta për shkak të mësuesve të rremë.—2Se 1:1; 2:1-3.
Gjatë viteve, pa dyshim që Pavli e ka vizituar sërish Selanikun kur kalonte në Maqedoni teksa udhëtonte si misionar. (Ve 20:1-3; 1Ti 1:3) Disa selanikas që përmenden me emër, si Aristarku dhe Sekundi, ishin shokë udhëtimi të Pavlit. (Ve 20:4; 27:2) Kur Dema e braktisi Pavlin në Romë, shkoi në Selanik, ndoshta në qytetin ku ishte rritur.—2Ti 4:10.