Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju»
NË SHEKULLIN e parë, një grup njerëzish në Efes të dhënë pas «artit të magjisë», iu përgjigjën mesazhit të krishterë duke i djegur haptazi librat e tyre të magjisë. (Veprat 19:19) Çmimi i llogaritur për këto libra ishte 50.000 monedha argjendi. Nëse tregimi biblik do t’i referohej denarëve, një monedhë argjendi romake, shuma do të kapte të paktën 3.5-4 milionë lekë [të reja]!
Sot, ka shumë njerëz të cilët më parë zotëronin libra që kishin lidhje me spiritizmin, por që kanë treguar vendosmëri të ngjashme me atë të efesianëve të lashtë. Shqyrto përvojën vijuese nga Kanadaja.
Rreth pesë vjet më parë, një Dëshmitare e Jehovait po predikonte nga shtëpia në shtëpi, kur në një derë një grua e quajtur Nora e tërhoqi atë brenda në shtëpi. Pas shumë vitesh kërkimi frymor, Nora kishte mbledhur qindra libra fetare dhe spiritiste, por ajo donte të dinte se ç’thoshte Bibla rreth shpresës për të vdekurit. Dëshmitarja i ofroi asaj fletushkën A ka shpresë për të vdekurit tanë? Pyetjet e Norës morën përgjigje dhe ajo pranoi të pajtohej në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Më vonë ajo u transferua dhe i humbi lidhjet me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, vazhdonte të merrte revistat me postë në adresën e re. Porositi, gjithashtu, botime të tjera të bazuara në Bibël, të cilat përmendeshin në revistat. Pas disa kohësh, një Dëshmitare e Jehovait erdhi në derën e saj. E emocionuar se Dëshmitarja i drejtohej Biblës kur jepte përgjigjet, Nora e mirëpriti dhe e ftoi që të kthehej përsëri për diskutime të mëtejshme.
Por Dëshmitarja nuk e pati të lehtë për ta takuar përsëri Norën. Vizitat e vazhdueshme në orë të ndryshme të ditës dhe në ditë të ndryshme të javës, dolën pa sukses. Me kalimin e kohës, këmbëngulja e saj u shpërblye dhe arriti rezultate të mira. Filloi një studim i rregullt biblik, i cili me këmbënguljen e Norës ndonjëherë mbahej edhe tri herë në javë. Gjërat që mësoi, e nxitën atë t’u fliste miqve dhe pjesëtarëve të familjes dhe rezultati: tre prej tyre kërkuan studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait.
Nëpërmjet studimit, ajo kuptoi se ka shumë fe të rreme dhe profetë të rremë por vetëm një rrugë të çon në jetë. Për shumë vite ajo kishte kërkuar përgjigje për pyetjet e saj në fetë e rreme, por kur mësoi se ç’thotë Bibla për demonët, ajo veproi si efesianët e lashtë të përmendur tek Veprat 19:19. E pastroi bibliotekën për disa ditë duke djegur më shumë se një mijë libra që kishin lidhje me spiritizmin dhe me mësimet e feve të rreme. Midis botimeve të djegura, ishte një libër me katër volume i cili kushtonte më shumë se 760 mijë lekë [të reja]!
Demonët të egërsuar nga veprimet e Norës, e shqetësuan atë për rreth dy javë. Megjithatë, këto frymëra të liga nuk ishin në gjendje t’ia kthenin mendjen asaj nga vazhdimi i studimit të Biblës dhe shoqërimit me organizatën e sotme të Jehovait.
Këto përvoja nxjerrin në pah më së miri vërtetësinë e fjalëve biblike: «Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!»—Jakovit 4:7.