BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bt kap. 21 f. 165-172
  • «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve»
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Mori rrugën drejt Maqedonisë» (Veprat 20:1, 2)
  • «Kurdisën një komplot kundër tij» (Veprat 20:3, 4)
  • Ishin «jashtëzakonisht të ngushëlluar» (Veprat 20:5-12)
  • «Publikisht e shtëpi më shtëpi» (Veprat 20:13-24)
  • «Kushtojini vëmendje vetes dhe tërë kopesë» (Veprat 20:25-38)
  • «Vazhdo të flasësh e të mos heshtësh»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Libri biblik numër 47​—2 Korintasve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Libri biblik numër 44​—Veprat
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • ‘Dha dëshmi të plotë’
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
Shih më tepër
‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
bt kap. 21 f. 165-172

KAPITULLI 21

«Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve»

Zelli i Pavlit në shërbim dhe këshillat që u dha pleqve

Bazuar te Veprat 20:1-38

1-3. (a) Përshkruaj rrethanat në të cilat vdiq Eutiku. (b) Ç’bëri Pavli dhe ç’na tregon për të kjo ngjarje?

PAVLI ndodhej në një dhomë të sipërme plot me njerëz, në Troadë. Po u fliste gjerë e gjatë vëllezërve, pasi ishte mbrëmja e fundit me ta. Zuri mesnata dhe në dhomë kishte mjaft llamba, që e shtonin nxehtësinë dhe ndoshta e mbushnin ambientin me tym. Në një nga dritaret ishte ulur një i ri që quhej Eutik. Ndërsa Pavli fliste, Eutikun e zuri gjumi dhe ra nga kati i tretë.

2 Duke qenë mjek, Luka ishte ndoshta ndër të parët që nxitoi jashtë të shihte djaloshin. Por s’mund të bënin asgjë për të, pasi «e gjetën të vdekur». (Vep. 20:9) Pikërisht në atë çast ndodhi një mrekulli. Pavli u përkul mbi të riun, e pushtoi dhe i tha turmës: «Mos u shqetësoni, sepse është gjallë!» Pavli e kishte kthyer në jetë Eutikun!—Vep. 20:10.

3 Ky rast tregoi qartë fuqinë e frymës së shenjtë të Perëndisë. Nuk ishte faji i Pavlit pse vdiq Eutiku, por ai nuk donte që vëllezërit dhe motrat të largoheshin me një shije të keqe nga ajo mbledhje e rëndësishme dhe as të humbisnin besimin te Jehovai. Duke ringjallur Eutikun, Pavli e ngushëlloi kongregacionin, që mori forcë për të vazhduar shërbimin. Është e qartë se Pavli ndiente një përgjegjësi të madhe për jetën e të tjerëve. Kjo na kujton fjalët e tij: «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve.» (Vep. 20:26) Le të shqyrtojmë si na ndihmon në këtë aspekt shembulli i Pavlit.

«Mori rrugën drejt Maqedonisë» (Veprat 20:1, 2)

4. Ç’peripeci kishte kaluar Pavli?

4 Siç u shqyrtua në kapitullin e mëparshëm, Pavli kishte kaluar peripeci të mëdha. Në Efes, shërbimi i tij kishte shkaktuar mjaft rrëmujë. Në fakt, argjendarët që i nxirrnin fitimet nga adhurimi i Artemisës kishin shkaktuar trazira. Te Veprat 20:1 thuhet: «Kur pushoi trazira, Pavli dërgoi të thërritnin dishepujt dhe, pasi i inkurajoi e u përshëndet me ta, mori rrugën drejt Maqedonisë.»

5, 6. (a) Sa mund të ketë qëndruar Pavli në Maqedoni, dhe ç’bëri për vëllezërit atje? (b) Ç’qëndrim kishte Pavli ndaj bashkëbesimtarëve?

5 Rrugës për në Maqedoni, Pavli ndaloi në qytetin-port të Troadës dhe ndenji ca kohë atje. Ai shpresonte që t’i vinte Titi, të cilin e kishte dërguar në Korint. (2 Kor. 2:12, 13) Mirëpo, kur kuptoi se Titi nuk do të vinte, shkoi në Maqedoni, ku ndoshta ndenji rreth një vit dhe «u dha shumë zemër dishepujve që ishin atje».a (Vep. 20:2) Më në fund, Titi shkoi te Pavli në Maqedoni dhe i çoi lajme të mira për reagimin e korintasve ndaj letrës së tij të parë. (2 Kor. 7:5-7) Kjo e nxiti Pavlin t’u shkruante një letër tjetër, të cilën e njohim si 2 Korintasve.

6 Vlen të përmendet se Luka përdor shprehjet «inkurajoi» dhe «u dha shumë zemër» për të përshkruar vizitën që u bëri Pavli vëllezërve në Efes dhe në Maqedoni. Sa mirë e shprehin këto fjalë qëndrimin që kishte Pavli ndaj bashkëbesimtarëve! Ndryshe nga farisenjtë, që i shihnin me përbuzje të tjerët, Pavli i konsideronte si bashkëpunëtorë delet e Jehovait. (Gjoni 7:47-49; 1 Kor. 3:9) Këtë qëndrim mbajti edhe kur iu desh t’u jepte këshilla të forta.—2 Kor. 2:4.

7. Si mund ta ndjekin shembullin e Pavlit mbikëqyrësit e krishterë?

7 Sot, pleqtë e kongregacionit dhe mbikëqyrësit qarkorë përpiqen të ndjekin shembullin e Pavlit. Edhe kur qortojnë, kanë si synim të forcojnë ata që kanë nevojë për ndihmë. Me empati mbikëqyrësit përpiqen t’u japin zemër të tjerëve, në vend që t’i kritikojnë. Një mbikëqyrës qarkor me përvojë u shpreh kështu: «Shumica e vëllezërve dhe e motrave duan të bëjnë atë që është e drejtë, por shpesh luftojnë me zhgënjimet, pasiguritë dhe ndjenjën se s’mund të bëjnë asgjë për të ndihmuar veten.» Mbikëqyrësit mund të jenë burim force për këta bashkëbesimtarë.—Hebr. 12:12, 13.

LETRAT QË SHKROI PAVLI NË MAQEDONI

Në Letrën e dytë drejtuar korintasve, Pavli tha se, kur mbërriti në Maqedoni, ishte në ankth për vëllezërit në Korint. Por Titi i çoi lajme të mira nga Korinti, kështu që Pavli u ngushëllua. Pikërisht atëherë, rreth vitit 55 të e.s., ai shkroi 2 Korintasve, ku tregonte se ishte ende në Maqedoni. (2 Kor. 7:5-7; 9:2-4) Një nga gjërat që kishte në mendje Pavli gjatë asaj periudhe, ishte mbledhja e kontributit për të shenjtët në Jude. (2 Kor. 8:18-21) Ishte i shqetësuar edhe ngaqë në Korint kishte «apostuj të rremë, punëtorë hileqarë».—2 Kor. 11:5, 13, 14.

Ka mundësi që edhe Letrën drejtuar Titit, Pavli ta ketë shkruar në Maqedoni. Pas burgimit të parë në Romë, Pavli vizitoi ishullin e Kretës mes viteve 61 dhe 64 të e.s. Atje la Titin, që të ndreqte disa probleme e të emëronte pleq në kongregacion. (Titit 1:5) Pavli i kërkoi Titit ta takonte në Nikapoli. Në zonën e lashtë të Mesdheut kishte disa qytete me këtë emër, por ka shumë të ngjarë që Pavli ta kishte fjalën për Nikapolin që ndodhej në veriperëndim të Greqisë. Me sa duket, apostulli po predikonte në atë zonë kur i shkroi Titit.—Titit 3:12.

Edhe Letra e parë drejtuar Timoteut i takon periudhës midis dy burgimeve të Pavlit në Romë, nga viti 61 deri në 64 të e.s. Në hyrje të letrës, Pavli tregon se i kërkoi Timoteut të qëndronte në Efes, ndërkohë që ai vetë shkoi në Maqedoni. (1 Tim. 1:3) Që atje, duket se Pavli i shkroi këtë letër Timoteut për t’i dhënë këshilla atërore, nxitje dhe drejtim rreth disa procedurave që duheshin ndjekur në kongregacione.

«Kurdisën një komplot kundër tij» (Veprat 20:3, 4)

8, 9. (a) Pse Pavlit iu prishën planet për të lundruar me anije për në Siri? (b) Pse judenjtë mund të kenë ushqyer armiqësi ndaj Pavlit?

8 Nga Maqedonia, Pavli shkoi në Korint.b Pasi kaloi tre muaj atje, mezi priste të shkonte në Kenkre, ku mendonte të merrte një anije për në Siri. Që andej, do të shkonte në Jerusalem e të çonte kontributet për vëllezërit e varfër.c (Vep. 24:17; Rom. 15:25, 26) Por, papritur ngjarjet morën një kthesë tjetër dhe ia ndryshuan planet. Te Veprat 20:3 thuhet: «Judenjtë kurdisën një komplot kundër tij.»

9 S’është çudi që judenjtë ushqenin armiqësi ndaj Pavlit, sepse e konsideronin apostat. Para disa kohësh, falë predikimit të Pavlit, Krispi, një njeri i shquar në sinagogën korintase, ishte bërë i krishterë. (Vep. 18:7, 8; 1 Kor. 1:14) Në një rast tjetër, judenjtë në Korint e kishin akuzuar Pavlin para Galionit, prokonsullit të Akaisë. Por Galioni i kishte hedhur poshtë ato akuza, sepse ishin pa baza, vendim ky që i kishte tërbuar armiqtë e Pavlit. (Vep. 18:12-17) Judenjtë e Korintit mund ta kenë ditur ose mund ta kenë marrë me mend se së shpejti Pavli do të nisej me anije nga Kenkrea, e cila ndodhej pranë Korintit, prandaj kurdisën një plan që t’i zinin pritë. Ç’do të bënte Pavli?

10. A u tregua frikacak Pavli që nuk shkoi në Kenkre? Shpjego.

10 Për sigurinë e vet, por edhe për të mbrojtur fondet që i ishin besuar, Pavli vendosi të mos shkonte në Kenkre, por të kthehej mbrapsht përmes Maqedonisë. Është e vërtetë që udhëtimi me rrugë tokësore do të paraqiste rreziqe. Në ato kohë, nëpër rrugë dilnin shpesh banditë. Edhe hanet mund të mos ishin të sigurta. Po gjithsesi, Pavli zgjodhi rreziqet e udhëtimit me rrugë tokësore, në vend të atyre që e pritnin në Kenkre. Sa mirë që nuk udhëtonte vetëm! Në këtë pjesë të udhëtimit misionar e shoqëronin Aristarku, Gaji, Sekundi, Sopatri, Timoteu, Trofimi dhe Tikiku.—Vep. 20:3, 4.

11. Ç’mund të bëjmë sot për të mos rrezikuar në shërbim dhe çfarë shembulli la Jezui në këtë drejtim?

11 Njësoj si Pavli, të krishterët sot bëjnë sa munden për të mos rrezikuar kur janë në shërbim. Në disa zona shkojnë në grup, ose të paktën dy nga dy, jo vetëm. Po kur i përndjekin, si veprojnë? Të krishterët e kuptojnë se nuk mund ta shmangin përndjekjen. (Gjoni 15:20; 2 Tim. 3:12) Gjithsesi, nuk e rrezikojnë veten me qëllim. Mendo për shembullin e Jezuit. Në një rast, kur kundërshtarët në Jerusalem nisën të merrnin gurë që ta goditnin, «Jezui u fsheh dhe doli nga tempulli». (Gjoni 8:59) Më vonë, kur judenjtë po komplotonin ta vritnin, ‘Jezui nuk doli më hapur mes tyre, por u nis për në një vend afër shkretëtirës’. (Gjoni 11:54) Ai bëri aq sa mundej të mos e rrezikonte jetën, e kështu të kryente vullnetin e Perëndisë për të. Sot të krishterët veprojnë njësoj.—Mat. 10:16.

PAVLI ÇON KONTRIBUTET

Në vitet që pasuan Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., të krishterët në Jerusalem patën shumë vështirësi: zi buke, përndjekje dhe plaçkitje të zotërimeve. Si pasojë, disa prej tyre u varfëruan shumë. (Vep. 11:27–12:1; Hebr. 10:32-34) Kështu, rreth vitit 49 të e.s., kur pleqtë në Jerusalem e udhëzuan Pavlin ta përqendronte veprën e predikimit te jojudentjë, e nxitën edhe ‘të mos harronte të varfrit’. Pikërisht këtë bëri Pavli, duke mbikëqyrur mbledhjen e ndihmave në kongregacione.—Gal. 2:10.

Në vitin 55 të e.s., Pavli u tha korintasve: «Mund të ndiqni udhëzimet që u dhashë kongregacioneve në Galati: ditën e parë të çdo jave, secili të vërë diçka mënjanë sipas mundësisë, që kontributet të mos mblidhen kur të vij unë. Dhe kur të mbërrij, burrat që rekomandoni në letrat tuaja, do t’i nis në Jerusalem që të çojnë dhuratën tuaj bujare.» (1 Kor. 16:1-3) Pak më vonë, kur shkroi Letrën e dytë drejtuar korintasve, Pavli i nxiti ta bënin gati dhuratën, dhe përmendi se edhe maqedonasit po kontribuonin.—2 Kor. 8:1–9:15.

Kështu, në vitin 56 të e.s., përfaqësues të kongregacioneve të ndryshme u takuan me Pavlin për të dorëzuar të gjitha fondet që ishin mbledhur. Tetë burrat që udhëtuan me Pavlin, jo vetëm që i jepnin njëfarë sigurie, por edhe e mbronin nga ndonjë akuzë se mund të përfitonte nga fondet e dhuruara. (2 Kor. 8:20) Dorëzimi i këtyre kontributeve ishte qëllimi kryesor i udhëtimit të Pavlit në Jerusalem. (Rom. 15:25, 26) Më vonë, ai u shpreh para guvernatorit Feliks: «Pas shumë vjetësh erdha t’i sjell kombit tim dhurata për të varfrit dhe të ofroj blatime.»—Vep. 24:17.

Ishin «jashtëzakonisht të ngushëlluar» (Veprat 20:5-12)

12, 13. (a) Si ndikoi te kongregacioni ringjallja e Eutikut? (b) Cila shpresë e Biblës i ngushëllon ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur?

12 Pavli dhe shokët e tij udhëtuan së bashku përmes Maqedonisë dhe pastaj me sa duket u ndanë. Grupi u bashkua përsëri në Troadë.d Tregimi thotë: «Brenda pesë ditësh arritëm tek ata në Troadë.»e (Vep. 20:6) Pikërisht këtu u ringjall i riu Eutik, për të cilin folëm në fillim të kapitullit. Përfytyro si u ndien vëllezërit kur shoku i tyre u kthye në jetë! Siç tregohet më tej, ata ishin «jashtëzakonisht të ngushëlluar».—Vep. 20:12.

13 Natyrisht, sot nuk ndodhin mrekulli të tilla. Gjithsesi, ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, janë «jashtëzakonisht të ngushëlluar» nga shpresa e Biblës për ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29) Mendo: me kalimin e kohës Eutiku vdiq përsëri, sepse ishte i papërsosur. (Rom. 6:23) Por kush ringjallet në botën e re të Perëndisë, do të ketë shpresën të jetojë përgjithmonë. Për më tepër, ata që ringjallen për të qeverisur me Jezuin në qiell, bëhen të pavdekshëm. (1 Kor. 15:51-53) Qofshin të mirosur, qofshin nga ‘delet e tjera’, të krishterët sot kanë arsye të fortë që të jenë «jashtëzakonisht të ngushëlluar».—Gjoni 10:16.

«Publikisht e shtëpi më shtëpi» (Veprat 20:13-24)

14. Çfarë u tha Pavli pleqve efesianë kur i takoi në Milet?

14 Pavli me grupin udhëtuan nga Troada në Asos, pastaj në Mitilenë, Kios, Samo dhe Milet. Ai donte të arrinte në Jerusalem në kohë për Festën e Ditës së Pesëdhjetë. Kjo shpjegon pse për t’u kthyer mori një anije që nuk ndalonte në Efes. Por donte të fliste me pleqtë efesianë, prandaj u kërkoi ta takonin në Milet. (Vep. 20:13-17) Kur mbërritën, Pavli u tha: «Ju e dini mirë si jam sjellë mes jush që nga dita e parë që vura këmbë në provincën e Azisë, duke shërbyer si skllav për Zotërinë gjithë përulësi e me lot, si edhe me sprovat që kalova nga komplotet e judenjve. E ndërkohë nuk ju fsheha asgjë, por ju thashë gjithçka dobiprurëse dhe ju mësova publikisht e shtëpi më shtëpi. Madje u dhashë dëshmi të plotë si judenjve, edhe grekëve, që të pendohen e të kthehen te Perëndia, dhe të kenë besim te Zotëria ynë Jezu.»—Vep. 20:18-21.

15. Cilat janë disa përparësi të predikimit shtëpi më shtëpi?

15 Sot ka shumë mënyra se si mund t’u çojmë lajmin e mirë njerëzve. Ashtu si Pavli, përpiqemi të shkojmë atje ku janë: në stacionet e autobusit, në rrugët me shumë lëvizje ose në tregje. Megjithatë, metoda kryesore e predikimit që përdorin Dëshmitarët e Jehovait mbetet ajo shtëpi më shtëpi. Përse? Pikësëpari, predikimi shtëpi më shtëpi u jep mundësi të gjithëve ta dëgjojnë rregullisht mesazhin e Mbretërisë, dhe kjo tregon paanësinë e Perëndisë. Gjithashtu, u jep mundësi njerëzve me zemër të sinqertë të marrin ndihmën që u nevojitet për të njohur Perëndinë. Veç kësaj, predikimi shtëpi më shtëpi u forcon besimin dhe qëndrueshmërinë atyre që marrin pjesë në të. Në fakt, një shenjë dalluese e të krishterëve të vërtetë sot është zelli me të cilin predikojnë «publikisht e shtëpi më shtëpi».

16, 17. Si tregoi Pavli guxim të vërtetë, dhe si e ndjekin shembullin e tij të krishterët sot?

16 Pavli u tregoi pleqve efesianë se nuk e dinte ç’rreziqe e pritnin kur të kthehej në Jerusalem. «Sidoqoftë,—u tha atyre,—nuk e konsideroj të shtrenjtë jetën time, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që më caktoi Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të mirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (Vep. 20:24) Pavli tregoi guxim të vërtetë. Ai nuk lejoi asnjë rrethanë, qoftë shëndetin e dobët, qoftë kundërshtimin e egër, ta ndalte që të plotësonte caktimin.

17 Edhe sot të krishterët përballojnë lloj-lloj rrethanash të vështira. Disa përjetojnë ndalime qeveritare dhe përndjekje. Të tjerë me guxim luftojnë me sëmundje fizike ose emocionale. Të rinjtë e krishterë hasin presion nga moshatarët në shkollë. Në çfarëdolloj rrethane, Dëshmitarët e Jehovait shfaqin qëndrueshmëri, ashtu si Pavli. Janë të vendosur ‘të japin dëshmi të plotë për lajmin e mirë’.

«Kushtojini vëmendje vetes dhe tërë kopesë» (Veprat 20:25-38)

18. Si mbeti i pastër nga gjaku i të tjerëve Pavli, dhe si mund ta imitonin pleqtë efesianë?

18 Më tej Pavli u dha këshilla të drejtpërdrejta pleqve efesianë, duke marrë veten si shembull. Fillimisht i informoi se kjo mund të ishte hera e fundit që e shihnin. Pastaj tha: «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve, sepse jua tregova gjithë vullnetin e Perëndisë.» Si mund ta imitonin Pavlin pleqtë efesianë, duke mbetur të pastër nga gjaku i të tjerëve? Ai i nxiti: «Kushtojini vëmendje vetes dhe tërë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Vep. 20:26-28) Pavli i paralajmëroi se në kope do të hynin «ujqër grabitqarë» dhe do të thoshin «mësime të shtrembëruara për të tërhequr pas vetes dishepujt». Ç’duhej të bënin pleqtë? «Rrini zgjuar,—i paralajmëroi ai,—e mos harroni se për tre vjet, natë e ditë, e kam këshilluar pa pushim secilin me lot.»—Vep. 20:29-31.

19. Ç’apostazi u zhvillua në fund të shekullit të parë, dhe çfarë lindi si pasojë në shekujt e mëvonshëm?

19 ‘Ujqërit grabitqarë’ u shfaqën aty nga fundi i shekullit të parë. Rreth vitit 98 të e.s., apostulli Gjon shkroi: «Tashmë kanë dalë shumë antikrishtër. . . . Ata u larguan nga gjiri ynë, sepse nuk ishin nga tanët; po të kishin qenë tanët, do të kishin qëndruar me ne.» (1 Gjon. 2:18, 19) Aty nga shekulli i tretë, si pasojë e apostazisë, kishte lindur klasa e klerit të krishterimit dhe, në shekullin e katërt, perandori Kostandin e njohu ligjërisht këtë formë të korruptuar «krishterimi». Duke adoptuar rite pagane dhe duke i bërë të dukeshin «të krishtere», udhëheqësit fetarë thanë vërtet «gjëra të shtrembëruara». Pasojat e kësaj apostazie shihen ende sot në mësimet dhe zakonet e kishave.

20, 21. Si tregoi Pavli një frymë vetëmohuese, dhe si mund të bëjnë të njëjtën gjë pleqtë e krishterë sot?

20 Pavli ishte kryekëput ndryshe nga ata që më vonë do të shfrytëzonin kopenë. Ai punonte për të mbajtur veten financiarisht, që të mos i bëhej barrë kongregacionit. Ai nuk u shërbente bashkëbesimtarëve për përfitim personal. I nxiti pleqtë efesianë të shfaqnin një frymë vetëmohuese: «Duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu: ‘Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.’»—Vep. 20:35.

21 Ashtu si Pavli, edhe pleqtë e krishterë sot janë vetëmohues. Ata e përmbushin me altruizëm përgjegjësinë ‘për të kullotur kongregacionin e Perëndisë’, ndryshe nga kleri i krishterimit apostat që e shfrytëzon kopenë. Krenaria dhe ambicia nuk kanë vend në kongregacionin e krishterë, sepse ata që kërkojnë «lavdinë e vetes», në fund dështojnë. (Prov. 25:27) Arroganca çon vetëm në çnderim.—Prov. 11:2.

Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit në anije. Pleqtë e kongregacionit të Efesit e përqafojnë përzemërsisht dhe qajnë.

«Të gjithë shpërthyen në lot.»—Veprat 20:37

22. Pse Pavli u bë kaq i dashur për pleqtë e Efesit?

22 Vëllezërit e donin shumë Pavlin ngaqë tregonte dashuri të sinqertë për ta. Kështu, kur erdhi koha të ndaheshin, «të gjithë shpërthyen në lot, iu hodhën Pavlit në qafë dhe e puthën me përzemërsi». (Vep. 20:37, 38) Të krishterët i vlerësojnë dhe i duan vërtet ata që shpenzohen me altruizëm për kopenë, ashtu si Pavli. Pasi ke shqyrtuar shembullin e tij të jashtëzakonshëm, a nuk je dakord se ai as po mburrej, as po e tepronte kur tha: «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve.»—Vep. 20:26.

a Shih kutinë «Letrat që shkroi Pavli në Maqedoni».

b Ndoshta gjatë kësaj vizite në Korint, Pavli shkroi Letrën drejtuar romakëve.

c Shih kutinë «Pavli çon kontributet».

d Te Veprat 20:5, 6 Luka përdor vetën e parë shumës, duke lënë të kuptohet se ai dhe Pavli u takuan përsëri në Filipi, ku Luka kishte ndenjur ca kohë.—Vep. 16:10-17, 40.

e Udhëtimi nga Filipia në Troadë zgjati pesë ditë. Ndoshta i kishin erërat kundër, pasi më përpara i njëjti udhëtim ishte bërë për dy ditë.—Vep. 16:11.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo