Të presim me «pritje të paduruar»
«Pritja e paduruar e krijimit po pret zbulimin e bijve të Perëndisë.»—ROMAKËVE 8:19, BR.
1. Çfarë ngjashmërie ekziston mes situatës së të krishterëve të sotëm dhe asaj të atyre të shekullit të parë?
SITUATA e të krishterëve të sotëm të vërtetë, ngjan me atë të të krishterëve të shekullit të parë. Për të identifikuar se kur duhej të shfaqej Mesia, shërbëtorët e atëhershëm të Jehovait i ndihmoi një profeci. (Danieli 9:24-26) E njëjta profeci paratha edhe shkatërrimin e Jerusalemit, por ajo nuk përmbante fare elemente, me anë të të cilave të krishterët të mund ta dinin paraprakisht se kur do të shkatërrohej qyteti. (Danieli 9:26b, 27) Ngjashëm, nën drejtimin hyjnor, një profeci bëri që studentët e sinqertë të Biblës në shekullin e 19-të të ishin në pritje. Duke i lidhur «shtatë kohët» e Danielit 4:25 me «kohët e johebrenjve», ata parashikuan se Krishti do ta merrte pushtetin mbretëror në vitin 1914. (Luka 21:24, King James Version; Ezekieli 21:25-27) Edhe pse libri i Danielit përmban shumë profeci, asnjëra prej tyre nuk u jep studentëve të sotëm të Biblës mundësinë për të llogaritur saktësisht se kur do të shkatërrohet krejt sistemi i gjërave i Satanait. (Danieli 2:31-44; 8:23-25; 11:36, 44, 45) Megjithatë, kjo do të ndodhë së shpejti, sepse jetojmë në «kohën e fundit».—Danieli 12:4, BR.a
Syhapur gjatë pranisë së Krishtit
2, 3. (a) Ç’gjë përbën provën më të madhe se po jetojmë gjatë pranisë së Krishtit në pushtetin mbretëror? (b) Ç’gjë tregon se të krishterët duhej të qëndronin syhapur gjatë pranisë së Krishtit?
2 Vërtet, një profeci i vuri të krishterët në gjendje pritjeje përpara se Krishti të merrte pushtetin mbretëror në vitin 1914. Por, «shenja» që dha Krishti për praninë e tij dhe për përfundimin e sistemit të gjërave përmbante ngjarje dhe shumica e tyre do të shiheshin pasi të kishte filluar prania e tij. Ngjarje të tilla, si: luftërat, mungesa e ushqimit, tërmetet, murtajat, rritja e paligjshmërisë, persekutimi i të krishterëve dhe predikimi mbarëbotëror i lajmit të mirë të Mbretërisë, shërbejnë si prova më e madhe se tani po jetojmë gjatë pranisë së Krishtit në pushtetin mbretëror.—Mateu 24:3-14; Luka 21:10, 11.
3 Megjithatë, gjithë domethënia e këshillës që u dha Jezui dishepujve të tij, ishte: «Vazhdoni të shikoni, rrini zgjuar, . . . qëndroni syhapur.» (Marku 13:33, 37; Luka 21:36, BR) Një lexim i vëmendshëm i kontekstit të këtyre nxitjeve për të qëndruar syhapur, tregon se Krishti nuk po thoshte kryesisht që të ishin shumë syhapur ndaj shenjës së fillimit të pranisë së tij. Përkundrazi, ai po i urdhëronte dishepujt e tij të vërtetë që të qëndronin syhapur gjatë pranisë së tij. Për çfarë duhej të qëndronin syhapur të krishterët e vërtetë?
4. Cilit qëllim do t’i shërbente shenja që dha Jezui?
4 Jezui e dha profecinë e tij madhështore në përgjigje të pyetjes: «Kur do të ndodhin këto gjëra [ngjarjet që do të çonin në shkatërrimin e sistemit judaik të gjërave] dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:3, BR) Shenja e parathënë do të shërbente për të identifikuar jo vetëm praninë e Krishtit, por edhe ngjarjet që do të çonin në fundin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave.
5. Si e tregoi Jezui se edhe pse ishte i pranishëm frymësisht, duhej që ende të «vinte»?
5 Jezui tregoi se gjatë «pranisë» së tij (greqisht parousiʹa) do të vinte me fuqi dhe lavdi. Në lidhje me këtë «ardhje» (përcaktuar nga format e fjalës greke erʹkhomai), ai deklaroi: «Atëherë shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të godasin veten duke vajtuar dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. . . . Tani, nga pema e fikut mësoni këtë pikë si ilustrim: Sapo bisku i tij i ri zbutet dhe lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni të gjitha këto gjëra, dijeni se ai [Krishti] është pranë, te dyert. . . . Prandaj qëndroni syhapur, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj. . . . Tregohuni gati, sepse në një orë që nuk e mendoni vjen Biri i njeriut.»—Mateu 24:30, 32, 33, 42, 44, BR.
Pse vjen Jezu Krishti?
6. Si do të ndodhë shkatërrimi i «Babilonisë së Madhe»?
6 Ndonëse i pranishëm si mbret që prej vitit 1914, Jezu Krishti duhet të gjykojë ende sisteme dhe individë përpara se të ekzekutojë gjykimin mbi ata që i gjen të ligj. (Krahaso 2. Korintasve 5:10.) Së shpejti, Jehovai do të futë në mendjen e sundimtarëve politikë shkatërrimin e «Babilonisë së Madhe», perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:4, 5, 16, 17) Apostulli Pavël deklaroi në mënyrë specifike se Jezu Krishti do të shkatërrojë «njeriun e paligjshmërisë», klerin apostat të të ashtuquajturit krishterim, pjesë që bie në sy në «Babiloninë e Madhe». Pavli shkroi: «Do të zbulohet i paligjshmi, të cilin Zotëria Jezu Krisht do ta heqë me anë të frymës së gojës së tij dhe do ta çojë në hiç me anë të shfaqjes së pranisë së tij.»—2. Selanikasve (Thesalonikasve) 2:3, 8, BR.
7. Cilin gjykim do të japë Biri i njeriut, kur të mbërrijë në lavdinë e tij?
7 Në të ardhmen e afërt, Krishti do t’i gjykojë njerëzit e kombeve mbi bazën e mënyrës se si janë sjellë ndaj vëllezërve të tij që janë ende në tokë. Lexojmë: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe të gjithë engjëjt me të, atëherë do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Dhe të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, sikurse ndan një bari delet nga cjeptë. Dhe ai do t’i vendosë delet në të djathtën e tij, por cjeptë në të majtën e tij. . . . Mbreti do t’u thotë [deleve]: ‘Vërtet po ju them, në masën që ia keni bërë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.’ . . . Dhe [cjeptë] do të shkojnë në këputjen e përhershme, por të drejtët në jetën e përhershme.»—Mateu 25:31-46, BR.
8. Si e përshkruan Pavli ardhjen e Krishtit për të ekzekutuar gjykimin mbi të paperëndishmit?
8 Siç tregohet në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve, Jezui ekzekuton mbi gjithë të paperëndishmit gjykimin përfundimtar. Bashkëbesimtarët që vuanin, Pavli i siguroi për «lehtësimin bashkë me ne gjatë zbulimit të Zotërisë Jezu nga qielli me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, kur të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë mbi Zotërinë tonë Jezu. Pikërisht këta do të pësojnë ndëshkimin gjyqësor të shkatërrimit të përhershëm për sa i përket pranisë së tyre përpara Zotërisë dhe lavdisë së forcës së tij, në kohën që do të vijë për t’u lavdëruar në lidhje me të shenjtët e tij». (2. Selanikasve 1:7-10, BR) Me gjithë këto ngjarje emocionuese që na presin, a nuk duhet të ushtrojmë besim dhe me padurim të qëndrojmë syhapur për ardhjen e Krishtit?
Të presim me padurim zbulimin e Krishtit
9, 10. Pse të mirosurit që janë ende në tokë presin me padurim zbulimin e Jezu Krishtit?
9 «Zbulimi nga qielli i Zotërisë Jezu», do të jetë jo vetëm për të sjellë shkatërrimin mbi të ligjtë, por edhe për të shpërblyer të drejtët. Vëllezërit e mirosur të Krishtit që kanë mbetur ende në tokë, mund të vuajnë akoma përpara zbulimit të Krishtit, por ata gëzojnë për shpresën e tyre të lavdishme qiellore. Të krishterëve të mirosur, apostulli Pjetër u shkroi: «Vazhdoni të gëzoheni përderisa jeni pjesëmarrës në vuajtjet e Krishtit, që të gëzoheni dhe të jeni tejet të gëzuar edhe gjatë zbulimit të lavdisë së tij.»—1. Pjetrit 4:13, BR.
10 Të mirosurit janë të vendosur për të qëndruar besimplotë derisa Krishti ‘t’i mbledhë së bashku tek ai’, që «cilësia e sprovuar» e besimit të tyre «të gjendet si shkak për lavdërim, lavdi dhe nder në zbulimin e Jezu Krishtit». (2. Selanikasve 2:1; 1. Pjetrit 1:7, BR) Për sa u përket të krishterëve të tillë besimplotë që janë të lindur nga fryma, mund të thuhet: «Dëshmia për Krishtin është bërë e patundur ndër ju, saqë nuk ju mungon asnjë dhuratë, ndërsa pritni me padurim zbulimin e Zotërisë sonë Jezu Krisht.»—1. Korintasve 1:6, 7, BR.
11. Çfarë bëjnë të krishterët e mirosur, ndërsa presin zbulimin e Jezu Krishtit?
11 Mbetja e të mirosurve ka të njëjtat ndjenja me ato të Pavlit, i cili shkroi: «Unë mendoj se vuajtjet e periudhës së tanishme nuk janë asgjë në krahasim me lavdinë që do të shfaqet në ne.» (Romakëve 8:18, BR) Besimi i tyre nuk ka nevojë për mbështetjen e llogarive kohore. Ata qëndrojnë të zënë në shërbimin e Jehovait, duke dhënë kështu një shembull të mrekullueshëm për shokët e tyre, «delet e tjera». (Gjoni 10:16) Këta të mirosur e dinë se fundi i këtij sistemi të lig është afër dhe ia vënë veshin nxitjes së Pjetrit: «Ngjeshni mendjet tuaja për aktivitet, ruani plotësisht gjykimin; vareni shpresën te dashamirësia e pamerituar që do t’ju sillet në zbulimin e Jezu Krishtit.»—1. Pjetrit 1:13, BR.
«Pritja e paduruar e krijimit»
12, 13. Si i ishte «nënshtruar kotësisë» krijesa njerëzore dhe për çfarë janë të dëshiruara delet e tjera?
12 Po delet e tjera, a kanë diçka, për të cilën të jetojnë në pritje të paduruar? Patjetër që po. Pasi foli për shpresën e lavdishme të atyre që Jehovai i ka adoptuar si «bijtë» e tij të lindur nga fryma dhe si «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin» në Mbretërinë qiellore, Pavli tha: «Pritja e paduruar e krijimit po pret zbulimin e bijve të Perëndisë. Sepse krijimi i ishte nënshtruar kotësisë, jo me anë të vullnetit të vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijimi do të lirohet nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.»—Romakëve 8:14-21, BR; 2. Timoteut 2:10-12.
13 Nëpërmjet mëkatit të Adamit, të gjithë pasardhësit e tij iu «nënshtruan kotësisë», sepse lindën në skllavërinë e mëkatit dhe të vdekjes. Ata nuk kanë mundur të çlirohen nga një skllavëri e tillë. (Psalmi 49:7; Romakëve 5:12, 21) Oh, sa të dëshiruara janë delet e tjera për t’u «çliruar nga skllavërimi ndaj korruptimit»! Por përpara se të ndodhë kjo, duhet të ndodhin disa gjëra të veçanta sipas kohëve dhe stinëve të Jehovait.
14. Çfarë do të përfshihet në «zbulimin e bijve të Perëndisë» dhe si do të rezultojë kjo në ‘çlirimin e njerëzimit nga skllavërimi ndaj korruptimit’?
14 Së pari, duhet të ‘zbulohet’ mbetja e ‘bijve të mirosur të Perëndisë’. Çfarë do të përfshijë kjo? Në kohën e duhur sipas Perëndisë, për delet e tjera do të bëhet e dukshme se të mirosurit janë «vulosur» përfundimisht dhe se u është dhënë lavdi për të mbretëruar me Krishtin. (Zbulesa 7:2-4) ‘Bijtë e ringjallur të Perëndisë’ do të ‘zbulohen’ edhe kur të marrin pjesë bashkë me Krishtin në shkatërrimin e sistemit të lig të gjërave të Satanait. (Zbulesa 2:26, 27; 19:14, 15) Më pas, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, ata do të ‘zbulohen’ më tej si kanale priftërore për t’ia shpërndarë dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit «krijimit» njerëzor. Kjo do të rezultojë në ‘çlirimin e njerëzimit nga skllavërimi ndaj korruptimit’ dhe më në fund ata do të hyjnë në «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21, BR; Zbulesa 20:5; 22:1, 2) Me një të ardhme kaq të mrekullueshme, a është për t’u habitur që delet e tjera po ‘presin zbulimin e bijve të Perëndisë’ me ‘pritje të paduruar’?—Romakëve 8:19, BR.
Durimi i Jehovait do të thotë shpëtim
15. Çfarë nuk duhet të harrojmë kurrë në lidhje me kohën që ka caktuar Jehovai për ngjarje të ndryshme?
15 Jehovai është Llogaritësi i Madh i kohës. Koha që ka caktuar Ai për ngjarje të ndryshme do të provojë se është e përsosur. Mund të duket sikur gjërat nuk ecin gjithmonë ashtu siç i pritnim ne personalisht. Megjithatë, mund të kemi besim absolut se të gjitha premtimet e Perëndisë do të përmbushen. (Josiu [Jozueu] 23:14.) Ndoshta ai po lejon që gjërat të zgjatin më shumë se ç’presin shumë veta. Por le të përpiqemi të kuptojmë udhët e tij dhe të admirojmë mençurinë e tij. Pavli shkroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pavëzhgueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij! Sepse ‘kush ka arritur ta njohë mendjen e Jehovait ose kush është bërë këshilluesi i tij?’.»—Romakëve 11:33, 34, BR.
16. Kush e ka mundësinë të përfitojë nga durimi i Jehovait?
16 Pjetri shkroi: «Të dashur, meqenëse jeni duke pritur këto gjëra [shkatërrimin e ‘qiejve’ të vjetër dhe të ‘tokës’ së vjetër, si dhe zëvendësimin e tyre nga ‘qiejtë e rinj’ dhe nga ‘toka e re’ që ka premtuar Perëndia], bëni çmos që së fundi të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë e në paqe. Për më tepër, shqyrtoni durimin e Zotërisë sonë si shpëtim.» Për shkak të durimit të Jehovait, miliona vetave më shumë po u jepet mundësia për të shpëtuar gjatë «ditës së Jehovait», e cila do të vijë papritur «si një vjedhës». (2. Pjetrit 3:9-15, BR) Durimi i Tij po lejon edhe secilin prej nesh të ‘vazhdojë të mundohet për shpëtimin e vet me druajtje dhe dridhje’. (Filipianëve 2:12, BR) Jezui tha që nëse duam të aprovohemi dhe t’ia dalim të ‘qëndrojmë përpara Birit të njeriut’ në kohën kur ai do të vijë për të gjykuar, duhet t’i ‘kushtojmë vëmendje vetes’ dhe të ‘rrimë zgjuar’.—Luka 21:34-36; Mateu 25:31-33, BR.
Të vazhdojmë të presim me qëndrueshmëri
17. Cilat fjalë të apostullit Pavël duhet të marrim për zemër?
17 Pavli i nxiti vëllezërit e tij frymorë që t’i mbanin sytë «jo në gjërat e para, por në gjërat e papara». (2. Korintasve 4:16-18, BR) Ai dëshironte që asgjë të mos ua mjegullonte shikimin e shpërblesës qiellore që u ishte vënë përpara. Qofshim të krishterë të mirosur ose qofshim nga delet e tjera, le të mbajmë ndër mend shpresën e mrekullueshme që na është vënë përpara dhe të mos dorëzohemi! Le të ‘vazhdojmë të presim me qëndrueshmëri’, duke provuar se «nuk jemi lloji që sprapsemi drejt shkatërrimit, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit»!—Romakëve 8:25; Hebrenjve 10:39, BR.
18. Pse mund t’i lëmë me besim kohët dhe stinët në duart e Jehovait?
18 Me besim, mund t’i lëmë kohët dhe stinët në duart e Jehovait. Përmbushja e premtimeve të tij «nuk do të vonojë» sipas programit të tij kohor. (Habakuku 2:3, BR) Ndërkaq, nxitja që i bëri Pavli Timoteut merr për ne një domethënie më të madhe. Ai tha: «Të urdhëroj solemnisht para Perëndisë dhe Krishtit Jezu, i cili është i paracaktuar të gjykojë të gjallët e të vdekurit, si edhe për shfaqjen e tij e për mbretërinë e tij, prediko fjalën, jepu pas saj urgjentisht në periudha të favorshme dhe në periudha me telashe . . . Bëj veprën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.»—2. Timoteut 4:1-5, BR.
19. Për çfarë është ende koha që të kryhet nga populli i Jehovait dhe pse?
19 Janë në lojë jetë: tonat dhe të të tjerëve. Pavli shkroi: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Qëndro në këto gjëra, sepse duke vepruar kështu do të shpëtosh si veten, ashtu edhe ata që të dëgjojnë.» (1. Timoteut 4:16, BR) Këtij sistemi të lig gjërash i ka mbetur edhe shumë pak kohë. Ndërsa presim me pritje të paduruar ngjarjet emocionuese që shtrihen përpara nesh, le të jemi gjithnjë të vetëdijshëm se është ende koha dhe stina e Jehovait që populli i tij të predikojë lajmin e mirë të Mbretërisë. Kjo vepër duhet kryer deri kur ai të jetë i kënaqur. «Atëherë,—siç tha Jezui,—do të vijë fundi.»—Mateu 24:14, BR.
[Shënimi]
a Shiko kapitujt 10 dhe 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.
Pika për rishikim
◻ Në lidhje me llogaritjet e kohës, si është e ngjashme situata jonë me atë të të krishterëve të shekullit të parë?
◻ Pse të krishterët duhet të «qëndrojnë syhapur» edhe gjatë pranisë së Krishtit?
◻ Pse krijimi njerëzor është në pritje të paduruar të «zbulimit të bijve të Perëndisë»?
◻ Pse mund t’i lëmë me besim kohët dhe stinët në duart e Jehovait?
[Figura në faqen 17]
Të krishterët duhet të rrinë zgjuar në pritje të ardhjes së Krishtit
[Figura në faqen 18]
Mbetja e të mirosurve qëndron e zënë në shërbimin e Jehovait, duke mos e bazuar besimin në llogaritjet e kohës