BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Mençuria e Perëndisë shihet te natyra
    Kulla e Rojës—2008 | 1 Maj
    • Mençuria e Perëndisë shihet te natyra

      «Ai na mëson më tepër neve sesa kafshët e tokës, e na bën më të mençur se zogjtë e qiellit.»​—JOBI 35:11.

      ZOGJTË kanë aftësi mahnitëse. Ata kryejnë manovra ajrore që projektuesit e avionëve i kanë zili. Disa lloje zogjsh fluturojnë me mijëra kilometra mbi oqean, edhe pse nuk ka diçka që t’i orientojë, dhe mbërrijnë saktësisht në vendin e duhur.

      Një aftësi e jashtëzakonshme e zogjve, e cila zbulon edhe më shumë mençurinë e Krijuesit të tyre, është aftësia për të komunikuar nëpërmjet tingujve dhe këngëve. Të shqyrtojmë disa shembuj.

      Komunikimi i zogjve

      Disa lloje zogjsh nisin të komunikojnë që para se të dalin nga veza. Për shembull, shkurta bën të paktën tetë vezë, një në ditë. Nëse të gjitha vezët do të zhvilloheshin me të njëjtin ritëm, do të çelnin të gjitha brenda një periudhe tetëditore. Atëherë, nëna do të kishte detyrën e vështirë që të kujdesej për zogjtë e lëvizshëm njëjavësh, ndërkohë që duhej të ngrohte një vezë që nuk kishte çelur ende. Por, të tetë zogjtë e shkurtës çelin brenda gjashtë orësh. Si është e mundur? Sipas studiuesve, një nga arsyet mund të jetë se zogjtë e shkurtave komunikojnë me njëri-tjetrin pa dalë nga veza, dhe në njëfarë mënyre organizojnë çeljen e njëkohësishme.

      Kur zogjtë rriten, zakonisht është mashkulli që këndon. Vepron kështu sidomos gjatë periudhës së çiftimit që të «piketojë» territorin e tij ose që të tërheqë një partnere. Çdonjëri nga mijëra llojet e zogjve ka, si të thuash, gjuhën e vet, dhe kjo i ndihmon femrat të dallojnë partnerët e llojit të tyre.

      Zogjtë këndojnë kryesisht në agim dhe në muzg, e kjo për arsye të vlefshme. Në këto periudha fryn më pak erë dhe ka më pak zhurmë. Studiuesit kanë zbuluar se këngët e zogjve dëgjohen deri 20 herë më mirë në agim dhe në muzg, sesa në mes të ditës.

      Megjithëse shpesh këngëtarë janë meshkujt, edhe femrat, edhe meshkujt nxjerrin një sërë tingujsh ose klithmash të shkurtra që kanë domethënie të ndryshme. Për shembull, zborakësit përdorin nëntë lloje tingujsh. Ata nxjerrin një tingull të caktuar për të paralajmëruar për ndonjë rrezik që vjen nga ajri, si për shembull, një grabitqar në fluturim, por nxjerrin një tingull të ndryshëm për të paralajmëruar për një rrezik që vjen nga toka.

      Një dhuratë edhe më e mrekullueshme

      Pa dyshim, mençuria instinktive e zogjve është mbresëlënëse. Por, kur bëhet fjalë për njerëzit, aftësitë e tyre të komunikimit janë edhe më mbresëlënëse. Te Jobi 35:11 thuhet se Perëndia i ka bërë njerëzit «më të mençur se zogjtë e qiellit». Njerëzit kanë aftësinë e pashoqe që të përcjellin mendime dhe ide abstrakte e të ndërlikuara, nëpërmjet tingujve të prodhuar me anë të kordave të zërit ose nëpërmjet gjesteve.

      Ndryshe nga çdo krijesë tjetër, fëmijët duket se janë programuar që të mësojnë gjuhë të ndërlikuara. Një gazetë në Internet, American Scientist, thotë: «Fëmijët që sapo kanë nisur të ecin, arrijnë të mësojnë një gjuhë, edhe nëse prindërit nuk u flasin drejtpërdrejt. Madje fëmijët e shurdhër shpikin gjuhën e tyre të shenjave, nëse nuk u mësohet në shtëpi.»

  • Mençuria e Perëndisë shihet te natyra
    Kulla e Rojës—2008 | 1 Maj
    • Si ndikoheni?

      Si ndikoheni kur dëgjoni këngët e bukura të zogjve ose një fëmijë që mëson të thotë fjalët e tij të para? A shihni mençurinë e Perëndisë në gjërat që ka bërë?

      Pasi kishte medituar për mënyrën se si ishte krijuar, psalmisti David u nxit t’i thoshte Perëndisë: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.» (Psalmi 139:14) Teksa shqyrtoni me çmueshmëri mençurinë e Perëndisë që shihet qartë në veprat e tij të krijimit, me siguri do t’ju rritet besimi në aftësinë e Tij për t’ju dhënë drejtimin e duhur në jetë.

  • Fuqia e Perëndisë shihet tek yjet
    Kulla e Rojës—2008 | 1 Maj
    • Fuqia e Perëndisë shihet tek yjet

      «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.»​—ISAIA 40:26.

      DIELLI ynë është vetëm një yll me përmasa mesatare. Megjithatë, masa e tij është 330.000 herë më e madhe se masa e Tokës. Shumica e yjeve pranë Tokës janë më të vegjël se Dielli. Por, yje të tjera, si ai që quhet V382 Cygni, kanë një masë të paktën 27 herë më të madhe se Dielli ynë.

      Sa energji çliron Dielli? Imagjinoni sa i nxehtë do të ishte një zjarr sikur të ishit 15 kilometra larg e megjithatë të ndienit nxehtësinë e tij. Dielli është rreth 150 milionë kilometra larg Tokës. Prapëseprapë, në një ditë me diell, nxehtësia e tij mund të na djegë lëkurën. Është e jashtëzakonshme kur mendon se vetëm rreth një e miliardta e energjisë së Diellit arrin në tokë. Por kjo pjesë e vockël mjafton për të mbështetur jetën në planetin tonë.

      Në fakt, shkencëtarët kanë llogaritur se sasia e përgjithshme e energjisë që lëshon Dielli mjafton për 31 trilionë planetë si Toka. Për ta matur në një mënyrë tjetër këtë energji të stërmadhe mund të bëjmë këtë shembull: nëse e gjithë energjia që lëshon Dielli vetëm në një sekondë do të mund të mblidhej, ajo do të mjaftonte për t’u siguruar Shteteve të Bashkuara «për 9.000.000 vjet, atë sasi energjie që po përdorin sot», siç thuhet në faqen e Internetit Space Weather Prediction Center (SWPC).

      Dielli e çliron energjinë nga bërthama—një reaktor bërthamor që shkakton përplasjen e atomeve dhe krijon energji. Dielli është kaq i madh dhe bërthama e tij kaq e ngjeshur, saqë duhen miliona vjet që energjia e prodhuar në bërthamë të dalë në sipërfaqe. Sipas faqes së Internetit SWPC, «nëse që tani Dielli nuk do të prodhonte më energji, do të duhej të kalonin 50.000.000 vjet që të ndiheshin pasoja domethënëse në Tokë».

      Tani, mendoni këtë: kur ngrini sytë lart në një natë të kthjellët, shihni mijëra yje, dhe secili prej tyre çliron sasi të stërmëdha energjie si Dielli. E megjithatë, shkencëtarët llogaritin se në univers ka miliarda e miliarda yje.

      Nga erdhën gjithë këto yje? Shumica e studiuesve besojnë se për arsye që ata ende nuk i kuptojnë, universi erdhi në ekzistencë krejt papritur rreth 14 miliardë vjet më parë. Bibla thjesht thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Pa dyshim, Ai që krijoi yjet, këto burime energjie kolosale, mund të përshkruhet si Dikush me ‘fuqi të madhe’.—Isaia 40:26.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo