BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • rs f. 200-f. 205
  • Judenjtë (hebrenjtë)

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Judenjtë (hebrenjtë)
  • Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • A i referohen profecitë biblike shtetit të sotëm të Izraelit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Dëshmitarë të krishterë me qytetari qiellore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Bekime më të mëdha nëpërmjet besëlidhjes së re
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Të arsyetojmë nga Shkrimet
rs f. 200-f. 205

Judenjtë (hebrenjtë)

Përkufizimi: Siç përdoret zakonisht sot, ky term u referohet njerëzve me prejardhje hebraike dhe të tjerëve që janë kthyer në judaizëm. Gjithashtu, Bibla e drejton vëmendjen te fakti që ka të krishterë që janë judenj në kuptimin frymor dhe që përbëjnë ‘Izraelin e Perëndisë’.

A janë hebrenjtë e sotëm natyrorë populli i zgjedhur i Perëndisë?

Shumë hebrenj besojnë kështu. Një enciklopedi thotë: «POPULLI I ZGJEDHUR, emërtimi i zakonshëm për popullin e Izraelit, shpreh idenë se ky popull ka një marrëdhënie të veçantë dhe të pashoqe me Perëndinë e universit. Kjo ka qenë ideja kryesore gjatë gjithë historisë së mendimit hebraik.»​—Encyclopaedia Judaica (Jerusalem, 1971, vëll. 5, kol. 498.) Shih Ligjin e përtërirë 7:6-8; Daljen 19:5.

Shumë veta në të ashtuquajturin krishterim kanë pikëpamje të ngjashme. Në një botim u tha: «Në kundërshtim me mësimet shekullore të kishave se Perëndia ‘e hodhi poshtë popullin e tij Izraelin’ dhe e zëvendësoi me ‘një Izrael të ri’, ai [Pol M. Van Bureni, teolog në universitetin «Tempëll» në Filadelfia] thotë se fetë e krishtere tani pohojnë që ‘besëlidhja mes Perëndisë dhe popullit hebre është e përjetshme. Ky ndryshim mahnitës është bërë nga protestantët dhe katolikët në të dyja anët e Atlantikut’.» [Seksioni «Feja» në botimin Journal and Constitution (22 janar 1983, f. 5-B)] Gazeta The New York Times (6 shkurt 1983, f. 42) shtoi: «‘E djathta evangjeliste është e tërhequr nga Izraeli dhe beson se gjithçka që bën Izraeli, duhet mbështetur, sepse Perëndia është me Izraelin’​—tha Timothi Smith, profesor teologjie në universitetin «Xhons Hopkins» dhe evangjelist ueslejan.» Disa në të ashtuquajturin krishterim presin kthimin në krishterim dhe, së fundi, shpëtimin e gjithë Izraelit natyror. Të tjerë janë të mendimit se gjithnjë ka pasur një lidhje të pandashme midis Perëndisë dhe Izraelit, prandaj ata arsyetojnë se vetëm johebrenjtë duhet të pajtohen nëpërmjet Krishtit.

Të mendojmë për këtë: pas mërgimit babilonas, kur Izraeli u rikthye në tokën e vet, populli duhej të rivendoste adhurimin e vërtetë në vendin që i kishte dhënë Perëndia. Një nga projektet e para që u ndërmorën, ishte rindërtimi i tempullit të Jehovait në Jerusalem. Megjithatë, që prej shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët, në vitin 70 të e.s., tempulli nuk u rindërtua më. Përkundrazi, në zonën e ish-tempullit ndodhet një shenjtërore islamike. Sikur hebrenjtë, që thonë se janë nën Ligjin e Moisiut, të ishin sot në Jerusalem si pjesëtarët e popullit të zgjedhur të Perëndisë, a nuk do ta kishin rindërtuar tempullin kushtuar adhurimit të Tij?

Mat. 21:42, 43: «Jezui u tha [krerëve të priftërinjve dhe pleqve të judenjve në Jerusalem]: ‘Nuk e keni lexuar kurrë në Shkrime: “Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes. Këtë gur e bëri vetë Jehovai, dhe është i mrekullueshëm në sytë tanë.” Prandaj po ju them se Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.’»

Mat. 23:37, 38: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.»

A garanton besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin, se hebrenjtë vazhdojnë të jenë populli i zgjedhur i Perëndisë?

Gal. 3:27-29: «Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, keni veshur Krishtin. Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër, sepse ju jeni të gjithë një person në unitet me Krishtin Jezu. Prandaj, nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet fara e Abrahamit, trashëgimtarë sipas një premtimi.» (Pra, sipas pikëpamjes së Perëndisë, nuk është më prejardhja natyrore nga Abrahami ajo që përcakton se cilët janë fara e Abrahamit.)

A do ta ndryshojnë besimin të gjithë hebrenjtë dhe të besojnë te Krishti, duke fituar kështu shpëtimin e përjetshëm?

Rom. 11:25, 26: «Nuk dua, o vëllezër, të jeni në padije për këtë sekret të shenjtë, që të mos ju duket vetja si të matur: një pjese të Izraelit u janë ngurtësuar ndjenjat, derisa të hyjë numri i plotë i njerëzve të kombeve, dhe në këtë mënyrë [«kështu», Dio; greqisht hoútos] gjithë Izraeli do të shpëtojë.» (Vër re se shpëtimi i ‘gjithë Izraelit’ nuk arrihet me kthimin në krishterim të të gjithë hebrenjve, por nëpërmjet ‘hyrjes’ së njerëzve të kombeve pagane. Disa përkthyes e përkthejnë vargun 26: «Dhe atëherë, pas kësaj, do të shpëtohet e gjithë pjesa tjetër e Izraelit.» Por, sipas një botimi, fjala hoútos ka kuptimin «në këtë mënyrë, kështu». [A Manual Greek Lexicon of the New Testament, Edinburg, 1937, Xh. Abot-Smith, f. 329].)

Për të kuptuar saktë atë që është shkruar te Romakëve 11:25, 26, duhet të marrim parasysh edhe këto pohime të mëparshme te Romakëve: «Nuk është jude kush është i tillë nga jashtë, e as është rrethprerje ajo që është nga jashtë, në mish. Por është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.» (2:28, 29) «Jo të gjithë që vijnë nga Izraeli, janë vërtet ‘Izrael’.»​—9:6.

A është e domosdoshme që, për të shpëtuar, hebrenjtë të kenë besim te Jezu Krishti?

Isaia 53:1-12 paratha vdekjen e Mesisë, me qëllim që ai ‘të mbante mëkatin e shumë vetave dhe të ndërhynte në favor të shkelësve’. Danieli 9:24-27 e lidhi ardhjen e Mesisë dhe vdekjen e tij me ‘dhënien fund të mëkatit, dhe shlyerjen e paudhësisë’. (Dio) Që të dyja pjesët nga Shkrimet tregojnë se hebrenjtë kishin nevojë për ndërhyrjen e dikujt dhe për falje. A mund të pritnin ata që, pasi të hidhnin poshtë Mesinë, të kishin miratimin e Atij që e dërgoi?

Vep. 4:11, 12: «[Në lidhje me Jezu Krishtin, apostulli Pjetër u nxit nga fryma e shenjtë t’u thoshte sundimtarëve judenj dhe pleqve të Jerusalemit] Ai është ‘guri që ju ndërtuesit e quajtët të pavlerë dhe që u bë guri i qoshes’. Për më tepër, nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse mes njerëzve nën qiell Perëndia nuk ka dhënë emër tjetër, me anë të të cilit të shpëtojmë.» (Ndonëse kombi i Izraelit natyror nuk gëzon më miratimin e Perëndisë, për individët hebrenj, ashtu si edhe për njerëz nga të gjitha kombet, është hapur udha për të nxjerrë dobi nga shpëtimi që Jezui, Mesia, bëri të mundur.)

Ngjarjet që po ndodhin sot në Izrael, janë përmbushje e profecisë biblike?

Ezek. 37:21, 22, Dio: «Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj përsëri në vendin e tyre, dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata.» (Sot, Izraeli nuk është një komb nën mbretërimin e një mbreti nga linja mbretërore e Davidit. Është një republikë.)

Isa. 2:2-4, Dio: «Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ . . . Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Në Jerusalemin e sotëm, atje ku ndodhej dikur tempulli, nuk ka ‘shtëpi të Perëndisë së Jakobit’, por në vend të saj ndodhet një shenjtërore islamike. E nga ana e Izraelit ose e fqinjëve të tij nuk është bërë asnjë përpjekje ‘për t’i farkëtuar shpatat e tyre duke i kthyer në plugje’. Ata e varin shpresën për të mbijetuar te fuqia ushtarake.)

Isa. 35:1, 2, Dio: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili; do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.» (Në Izrael janë përmbushur me sukses projekte të jashtëzakonshme pyllëzimi dhe ujitjeje. Mirëpo, udhëheqësit e Izraelit nuk ia japin Perëndisë meritën për këtë. Siç tha ish-kryeministri David Ben-Gurion: «Izraeli është i vendosur . . . ta pushtojë shkretëtirën dhe ta bëjë të lulëzojë, nëpërmjet fuqisë së shkencës e të frymës së pionierit, dhe ta shndërrojë vendin në një fortesë të demokracisë.»)

Zak. 8:23, Dio: «Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Për cilin Perëndi e ka fjalën profecia? Në gjuhën hebraike emri i tij [יהוה, që zakonisht është përkthyer Jehova] shfaqet më tepër se 130 herë vetëm në këtë libër të Shkrimeve të Shenjta. Kur dikush e përdor sot këtë emër, a mendojnë njerëzit se ai duhet të jetë hebre? Jo. Madje, për shkak të besëtytnisë, prej shekujsh, populli hebre në tërësi as që e shqipton emrin e Perëndisë. Zgjimi i interesit fetar për Izraelin natyror sot, nuk përputhet me këtë profeci.)

Atëherë, si duhen parë ngjarjet në Izraelin e sotëm? Thjesht, si pjesë e zhvillimeve botërore të parathëna në Bibël. Këto përfshijnë: luftërat, paligjshmërinë, ftohjen e dashurisë për Perëndinë dhe dashurinë për para.​—Mat. 24:7, 12; 2 Tim. 3:1-5.

Te cilët po përmbushen sot profecitë për rivendosjen e Izraelit?

Gal. 6:15, 16: «As rrethprerja s’është gjë, as parrethprerja, por një krijesë e re është diçka. Paqja dhe mëshira qofshin mbi të gjithë ata që do të ecin në mënyrë të rregullt sipas kësaj norme të sjelljes, po, mbi Izraelin e Perëndisë!» (Pra, identiteti i «Izraelit të Perëndisë» nuk përcaktohet më nga fakti nëse është në përputhje me kushtin që iu vu Abrahamit, që gjithë meshkujt e shtëpisë së tij të rrethpriteshin. Përkundrazi, siç thuhet te Galatasve 3:26-29, ata që i përkasin Krishtit e që janë bij të Perëndisë të lindur nga fryma, ‘janë vërtet fara e Abrahamit’.)

Jer. 31:31-34: «Ja, po vijnë ditët,​—thotë Jehovai,​—kur unë do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës . . . Ata nuk do të mësojnë më secili shokun e vet dhe vëllanë e vet: ‘Njihni Jehovain!’ Sepse të gjithë ata do të më njohin, të vegjël e të mëdhenj,​—thotë Jehovai.» (Kjo besëlidhje e re nuk u bë me kombin e Izraelit natyror, por me ithtarët besnikë të Jezu Krishtit, të cilëve po u ofrohej shpresa për jetën në qiell. Kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, Jezui u dha atyre një kupë me verë dhe u tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.» [1 Kor. 11:25])

Zbul. 7:4: «Dëgjova numrin e të vulosurve, dhe ishin njëqind e dyzet e katër mijë, nga çdo fis i bijve të Izraelit. (Por, në vargjet vijuese nuk përmenden «fisi i Levit» dhe «fisi i Jozefit». Ato nuk u përfshinë në listat e 12 fiseve të Izraelit. Është interesant fakti që, edhe pse thuhet se ‘të vulosurit do të ishin nga çdo fis’, fisi i Danit dhe i Efraimit nuk përmenden. [Krahaso Numrat 1:4-16.] Këtu duhet të bëhet fjalë për Izraelin frymor të Perëndisë, për të cilët Zbulesa 14:1-3 tregon se do të marrin pjesë me Krishtin në Mbretërinë qiellore.)

Hebr. 12:22: «Ju i jeni afruar një mali Sion dhe një qyteti të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor dhe mijëra e mijëra engjëjve.» (Pra, të krishterët e vërtetë nuk e presin përmbushjen e premtimeve të Perëndisë nga Jerusalemi tokësor, por nga ‘Jerusalemi qiellor’.)

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo