‘Shërbim i shenjtë me aftësinë tënde të të arsyetuarit’
«Paraqitini trupat tuaj si sakrificë e gjallë, e shenjtë, e pëlqyeshme për Perëndinë, shërbim të shenjtë me aftësinë tuaj të të arsyetuarit.»—ROMAKËVE 12:1, BR.
1, 2. Në ç’kuptim të mësosh të zbatosh parimet biblike është sikur të mësosh një gjuhë të re?
A JE përpjekur ndonjëherë të mësosh një gjuhë tjetër? Nëse po, patjetër do të jesh i mendimit se nuk është e lehtë. Në fund të fundit, nuk do të thotë thjesht të mësosh fjalë të reja. Përdorimi me aftësi i një gjuhe kërkon, gjithashtu, zotësi në gramatikë. Duhet të dallosh se si lidhen fjalët me njëra-tjetrën dhe se si kombinohen për të formuar mendime të plota.
2 Ngjashëm është edhe me marrjen e njohurisë së Fjalës së Perëndisë. Nuk do të thotë thjesht të mësohen vargje të caktuara në Bibël. Si të themi, duhet mësuar gjithashtu edhe gramatika biblike. Duhet të kuptojmë se si lidhen Shkrimet me njëra-tjetrën dhe si mund të shërbejnë si parime për t’u zbatuar në jetën e përditshme. Kështu, mund të bëhemi ‘të përkryer, tërësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.—2. Timoteut 3:17.
3. Çfarë ndryshimi ndodhi në vitin 33 të e.s., për sa i përket shërbimit ndaj Perëndisë?
3 Në kodin e Ligjit të Moisiut, mund të tregohej besnikëri në një masë të madhe duke ndjekur me rreptësi rregullat e përcaktuara mirë. Megjithatë, në vitin 33 të e.s., Jehovai e fshiu Ligjin, «duke e gozhduar në shtyllën e mundimeve», në të cilën Biri i tij ishte ekzekutuar. (Kolosianëve 2:13, 14, BR) Paskëtaj, popullit të Perëndisë nuk i është dhënë një listë e gjerë dhe e gjatë me sakrifica për t’u ofruar dhe me rregulla për t’u ndjekur. Përkundrazi, atyre iu tha: «Paraqitini trupat tuaj si sakrificë e gjallë, e shenjtë, e pëlqyeshme për Perëndinë, shërbim të shenjtë me aftësinë tuaj të të arsyetuarit.» (Romakëve 12:1, BR) Po, të krishterët duhej të ushtronin veten me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën e tyre në shërbim të Perëndisë. (Marku 12:30; krahaso Psalmin 110:3.) Por, çfarë do të thotë të ofrosh ‘shërbim të shenjtë me aftësinë tënde të të arsyetuarit’?
4, 5. Çfarë përfshin shërbimi i Jehovait me aftësinë për të arsyetuar?
4 Fraza ‘aftësi e të të arsyetuarit’ përkthehet nga fjala greke lo·gi·kosʹ, e cila do të thotë «racional» ose «inteligjent». Shërbëtorët e Perëndisë janë thirrur për të përdorur ndërgjegjen e tyre të stërvitur sipas Biblës. Në vend që t’i mbështesin vendimet e tyre në rregullat e shumta të paracaktuara, të krishterët duhet të vlerësojnë me kujdes parimet biblike. Ata duhet të kuptojnë «gramatikën» e Biblës ose se si lidhen me njëra-tjetrën parimet e ndryshme. Në këtë mënyrë, mund të marrin vendime të ekuilibruara me aftësinë e tyre të të arsyetuarit.
5 A do të thotë kjo se të krishterët nuk kanë asnjë ligj? Sigurisht që jo. Shkrimet e Krishtere Greke e ndalonin me qartësi idhujtarinë, imoralitetin seksual, vrasjen, gënjeshtrën, spiritizmin, keqpërdorimin e gjakut dhe mëkate të tjera të ndryshme. (Veprat 15:28, 29; 1. Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8) Megjithatë, ne duhet ta përdorim aftësinë tonë të të arsyetuarit për të mësuar dhe zbatuar parimet biblike, në një masë shumë më të madhe se ç’kërkohej nga izraelitët. Pak a shumë ashtu si mësimi i një gjuhe të re, kjo gjë kërkon kohë dhe përpjekje. Si mund të kultivohet aftësia e të arsyetuarit?
Kultivimi i aftësisë së të arsyetuarit
6. Çfarë përfshin studimi i Biblës?
6 Së pari, duhet të jemi studentë të zellshëm të Biblës. Fjala e frymëzuar e Perëndisë është «e dobishme për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi». (2. Timoteut 3:16) Nuk duhet të pretendojmë ta gjejmë gjithmonë përgjigjen e një problemi në një varg të vetëm të Biblës. Përkundrazi, do të na duhet të arsyetojmë mbi disa Shkrime, që hedhin dritë mbi një situatë të veçantë apo mbi një problem. Na duhet të bëjmë me zell një kërkim për të kuptuar mendimin e Perëndisë lidhur me çështjen. (Proverbat 2:3-5) Na nevojitet, gjithashtu, kuptueshmëri, sepse «njeriu me kuptueshmëri, është ai që fiton drejtim të aftë». (Proverbat 1:5, BR) Një person me kuptueshmëri, mund të ndajë faktorët individualë të një çështjeje dhe më pas të dallojë marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin. Ngjashëm një mozaiku, personi me kuptueshmëri i bashkon të gjitha pjesët për të parë kuadrin e plotë të pikturës.
7. Si mund të arsyetojnë prindërit mbi parimet biblike lidhur me disiplinën?
7 Për shembull, le të marrim çështjen e rolit prindëror. Proverbat 13:24 thotë se babai që e do birin e tij «e kërkon me disiplinë». (BR) E marrë vetëm, kjo pikturë mund të keqpërdoret për të justifikuar ndëshkimin e rëndë dhe të rreptë. Por, Kolosianëve 3:21 jep një këshillë të ekuilibruar: «Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» Prindërit që e përdorin aftësinë e tyre të të arsyetuarit dhe i harmonizojnë këto parime, nuk përdorin disiplinën që mund të quhet «abuzive». Ata i trajtojnë fëmijët e tyre me ngrohtësi, kuptueshmëri dhe dinjitet. (Efesianëve 6:4) Prandaj, në rolin prindëror apo në çdo çështje tjetër të përfshirë në parimet biblike, mund të zhvillojmë aftësinë tonë të të arsyetuarit, duke vlerësuar të gjithë faktorët që lidhen me të. Në këtë mënyrë, mund të dallojmë «gramatikën» e parimeve të Biblës, cili ishte qëllimi i Perëndisë dhe si ta zbatojmë atë.
8. Si mund të shmangim pikëpamjet e rrepta dogmatike, kur bëhet fjalë për zbavitjen?
8 Një mënyrë e dytë në të cilën mund ta kultivojmë aftësinë tonë të të arsyetuarit është shmangia e pikëpamjeve të rrepta dogmatike. Një pikëpamje joelastike pengon rritjen e aftësisë sonë të të arsyetuarit. Le të marrim çështjen e zbavitjes. Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) A do të thotë kjo se të gjithë librat, filmat dhe programet televizive nga bota janë korruptuese dhe satanike? Një pikëpamje e tillë vështirë se do të ishte e arsyeshme. Pa dyshim, disa mund të vendosin të qëndrojnë plotësisht larg nga televizioni, filmat dhe letërsia botërore. Kjo është e drejta e tyre dhe nuk duhen kritikuar për këtë. Por, edhe ata nga ana e tyre nuk duhet të përpiqen të ndikojnë tek të tjerët për të pasur të njëjtin qëndrim të rreptë. Shoqata ka botuar artikuj që trajtojnë parime biblike që mund të na ndihmojnë të zgjedhim me mençuri zbavitjen dhe dëfrimin. Kur shkojmë përtej këtij drejtimi dhe e ekspozojmë veten ndaj mendimeve imorale, dhunës së madhe apo spiritizmit që është shumë i pranishëm në zbavitjen e kësaj bote nuk është aspak e mençur. Në të vërtetë, zgjedhja e mençur e zbavitjes kërkon që ta përdorim aftësinë tonë të të arsyetuarit për të zbatuar parimet biblike për të pasur një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe njeriut.—1. Korintasve 10:31-33.
9. Çfarë nënkuptohet me «mendjemprehtësi e plotë»?
9 Qartë, pjesa më e madhe e zbavitjes sot është e papërshtatshme për të krishterët.a Prandaj, duhet ta stërvitim zemrën tonë të ‘urrejë të keqen’ në mënyrë që të mos bëhemi si ata që në shekullin e parë kishin «tejkaluar çdo kuptim moral». (Psalmi 97:10; Efesianëve 4:17-19, BR) Për të arsyetuar mbi çështje të tilla, na nevojitet «njohuria e saktë dhe mendjemprehtësia e plotë». (Filipianëve 1:9, BR) Fjala greke e përkthyer «mendjemprehtësi» do të thotë «dallim i ndjeshëm moral». Fjala i referohet ndjenjave të vërteta njerëzore si shikimit. Kur është fjala për zbavitjen apo për çdo çështje tjetër që kërkon vendim personal, ndjenja jonë morale duhet të përqendrohet, në mënyrë që të dallojmë jo vetëm çështjet e përcaktuara mirë, gjërat bardhë e zi, por edhe ato që janë disi të hijezuara. Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’i zbatojmë parimet biblike në një masë të paarsyeshme dhe të insistojmë që të gjithë vëllezërit të bëjnë të njëjtën gjë.—Filipianëve 4:5.
10. Si mund të arrijmë të kuptojmë personalitetin e Jehovait, siç pasqyrohet në Psalmin 15?
10 Mënyra e tretë për të kultivuar aftësinë tonë të të arsyetuarit është gatishmëria për të përvetësuar mendimin e Jehovait dhe për ta rrënjosur atë thellë në zemër. Në Fjalën e tij, Jehovai na zbulon personalitetin dhe normat e tij. Për shembull, në Psalmin 15 lexojmë se çfarë lloj personash fton Jehovai për të qenë mysafirë në tendën e tij. Një person i tillë praktikon drejtësinë, thotë të vërtetën që ka në zemër, është besnik ndaj premtimeve të tij dhe nuk përfiton me egoizëm nga të tjerët. Gjatë leximit të këtij psalmi, pyet veten: «A më njohin me këto cilësi? A do të më ftonte Jehovai të isha mysafir në tendën e tij?» Aftësitë tona dalluese përforcohen, ndërsa harmonizohemi me rrugët dhe mendimet e Jehovait.—Proverbat 3:5, 6; Hebrenjve 5:14.
11. Në ç’mënyrë farisenjtë ‘linin pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë’?
11 Pikërisht në këtë aspekt, farisenjtë dështuan sa s’ka më keq. Farisenjtë e dinin ndërtimin teknik të Ligjit, por nuk mund të dallonin «gramatikën» e tij. Ata mund të recitonin mijëra hollësi të Ligjit, megjithatë, nuk arrinin të kuptonin personalitetin e Jehovait, Autorit të Ligjit. Jezui u tha atyre: «Ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë.» (Luka 11:42) Me mendjen e rreptë dhe zemrat e ashpra të tyre, farisenjtë nuk mundën ta përdornin aftësinë e tyre të të arsyetuarit. Arsyetimi i tyre i paqëndrueshëm u shfaq qartë kur kritikuan dishepujt e Jezuit, pse kishin këputur grurë dhe i kishin ngrënë kokrrat të shtunën; megjithatë, më vonë po atë ditë ata nuk i breu aspak ndërgjegjja, kur komplotuan vrasjen e Jezuit!—Mateu 12:1, 2, 14.
12. Si mund të harmonizohemi më shumë me Jehovain si Person?
12 Nuk duam të jemi si farisenjtë. Njohuria jonë mbi Fjalën e Perëndisë duhet të na ndihmojë të harmonizohemi më shumë me Jehovain si Person. Si mund ta bëjmë këtë? Pas leximit të një pjese nga Bibla apo nga literatura e bazuar në Bibël, disa janë ndihmuar duke i bërë vetes pyetje si këto: «Çfarë më mëson ky informacion për Jehovain dhe cilësitë e tij? Si mund t’i shfaq cilësitë e Jehovait në marrëdhënien time me të tjerët?» Meditimi mbi këto pyetje mund të zhvillojë aftësinë tonë të të arsyetuarit dhe mund të na mundësojë të bëhemi «imitues të Perëndisë».—Efesianëve 5:1.
Skllevër të Perëndisë dhe Krishtit dhe jo të njerëzve
13. Në ç’mënyrë farisenjtë vepruan si diktatorë në fushën morale?
13 Pleqtë duhet t’u japin mundësi atyre që i janë besuar kujdesit të tyre të përdorin aftësinë e tyre të të arsyetuarit. Anëtarët e kongregacionit nuk janë skllevër njerëzish. «Po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve,—shkroi Pavli,—nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.» (Galatasve 1:10; Kolosianëve 3:23, 24) Ndërsa farisenjtë donin që njerëzit të besonin atë që ishte më e rëndësishme për të fituar miratimin e njerëzve dhe jo atë të Perëndisë. (Mateu 23:2-7; Gjoni 12:42, 43) Farisenjtë e bënin veten diktatorë në fushën morale, duke vendosur rregullat e tyre dhe më pas duke i gjykuar të tjerët, në bazë të masës në të cilën i përshtateshin. Ata që i ndoqën nga pas farisenjtë ishin të dobët në përdorimin e ndërgjegjes së tyre të stërvitur nga Bibla, duke u bërë në fakt skllevër të njerëzve.
14, 15. (a) Si mund të tregojnë pleqtë se janë bashkëpunëtorë me kopenë? (b) Si duhet t’i trajtojnë pleqtë çështjet e ndërgjegjes?
14 Pleqtë e krishterë sot e dinë se kopeja pikë së pari nuk u jep llogari atyre. Çdo i krishterë duhet të mbajë barrën e vet. (Romakëve 14:4; 2. Korintasve 1:24; Galatasve 6:5) Kështu duhet të jetë. Në të vërtetë, nëse anëtarët e kopesë duhet të bëhen skllevër njerëzish e të binden thjesht për faktin se janë nën mbikëqyrje, çfarë duhet të bëjnë ata kur këta njerëz të mos jenë përreth? Pavli kishte arsye për t’u gëzuar për filipianët: «Ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje.» Ata ishin vërtet skllevër të Krishtit dhe jo të Pavlit.—Filipianëve 2:12.
15 Prandaj, në çështjet e ndërgjegjes, pleqtë nuk marrin vendime për ata që janë nën kujdesin e tyre. Ata shpjegojnë parimet biblike që lidhen me një çështje dhe më pas u japin mundësi individëve të përfshirë të përdorin aftësinë e tyre të të arsyetuarit për të marrë një vendim. Kjo është një përgjegjësi serioze, megjithatë është e atillë të cilën vetë individi duhet ta mbajë.
16. Çfarë sistemi për zgjidhjen e problemeve ekzistonte në Izrael?
16 Le të shohim periudhën kur Jehovai përdori gjykatësit për të drejtuar Izraelin. Bibla thotë: «Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.» (Gjykatësit 21:25) Por Jehovai siguroi mjete që populli i tij të merrte udhëheqje. Çdo qytet kishte burra të moshuar që mund të siguronin ndihmë të pjekur për çështjet dhe problemet. Përveç kësaj, priftërinjtë levitë ushtronin një ndikim për mirë, duke e edukuar popullin në Ligjet e Perëndisë. Kur lindnin çështje veçanërisht të vështira, prifti i lartë mund të konsultonte Perëndinë përmes urimit dhe tumimit. Libri Mendjehollësi mbi Shkrimet (angl.) komenton: «Individët që i përdornin këto sigurime, që fitonin njohuri mbi ligjet e Perëndisë dhe i zbatonin ato, kishin një udhëheqje të shëndoshë për ndërgjegjen e tyre. Bërja ‘e asaj që ishte e drejtë për sytë e tyre’ në këtë rast do të përfundonte keq. Jehovai i jepte mundësi popullit të tregonte një qëndrim ose drejtim gatishmërie ose mosbindjeje.»—Vëllimi 2, faqet 162-163.b
17. Si mund të tregojnë pleqtë se këshillojnë sipas normave të Perëndisë dhe jo të vetave?
17 Ngjashëm priftërinjve dhe gjykatësve izraelitë, pleqtë e kongregacionit japin ndihmë të pjekur dhe këshilla të vlefshme për problemet. Nganjëherë, ata edhe ‘kritikojnë dhe qortojnë, këshillojnë me çdo durim e doktrinë’. (2. Timoteut 4:2) Veprojnë kështu sipas normave të Perëndisë dhe jo të vetave. Sa e efektshme është kjo, kur pleqtë lënë një shembull dhe përpiqen të arrijnë zemrat!
18. Përse është veçanërisht e efektshme për pleqtë të arrijnë zemrat?
18 Zemra është «motori» i aktivitetit tonë të krishterë. Prandaj, Bibla thotë: «Nga ajo dalin burimet jetës.» (Proverbat 4:23) Pleqtë që i bëjnë thirrje zemrës kuptojnë se pjesëtarët e kongregacionit nxiten në këtë mënyrë për të bërë aq sa është e mundur në shërbim të Perëndisë. Kështu, do të jenë ata iniciatorët dhe s’do të kenë gjithmonë nevojë të shtyhen nga të tjerët. Jehovai nuk do bindje me detyrim. Ai kërkon bindje që vjen nga një zemër plot me dashuri. Pleqtë mund të inkurajojnë këtë shërbim të nxitur nga zemra, duke i ndihmuar pjesëtarët e kopesë të zhvillojnë aftësinë e tyre të të arsyetuarit.
Të kultivojmë «mendjen e Krishtit»
19, 20. Përse është e rëndësishme për ne që të kultivojmë mendjen e Krishtit?
19 Siç vërehet, nuk mjafton vetëm t’i njohim ligjet e Perëndisë. «Më bëj të kuptoj,—u lut psalmisti,—që të mund të ruaj ligjin tënd dhe që ta ruaj me gjithë zemër.» (Psalmi 119:34, BR) Jehovai ka zbuluar «mendjen e Krishtit» në Fjalën e tij. (1. Korintasve 2:16) Jezui si person që i shërbeu Jehovait me gjithë aftësinë e tij të të arsyetuarit, la një model të përsosur. Ai i kuptoi ligjet dhe parimet e Perëndisë dhe i zbatoi në mënyrë të përsosur. Duke studiuar shembullin e tij do të «kuptoni . . . cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri». (Efesianëve 3:17-19) Po, ajo që mësojmë nga Bibla lidhur me Krishtin, shkon përtej njohurisë akademike, ajo na jep një kuadër të qartë të personalitetit të vetë Jehovait.—Gjoni 14:9, 10.
20 Prandaj, ndërsa studiojmë Fjalën e Perëndisë mund të dallojmë mendimin e Jehovait lidhur me çështjet dhe të marrim vendime të ekuilibruara. Kjo kërkon përpjekje. Duhet të jemi studentë të zellshëm të Fjalës së Perëndisë dhe të bëhemi të ndjeshëm ndaj personalitetit dhe normave të Jehovait. Si të themi, po mësojmë një gramatikë të re. Megjithatë, ata që veprojnë kështu ndjekin këshillën e Pavlit për ‘t’i paraqitur trupat e tyre si sakrificë e gjallë, e shenjtë dhe e pëlqyeshme për Perëndinë, një shërbim i shenjtë me aftësinë [e tyre] të të arsyetuarit’.—Romakëve 12:1.
[Shënimet]
a Kjo duhet të përjashtojë zbavitjen me përmbajtje demonike, pornografike dhe sadiste, si dhe zbavitjet e ashtuquajtura familjare që mbështesin idetë me nënkuptim dhe të prafrenueshme, të cilat të krishterët nuk mund t’i miratojnë.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Çfarë mësove?
◻ Çfarë ndryshimi lidhur me shërbimin ndaj Perëndisë ndodhi në vitin 33 të e.s.?
◻ Si mund ta kultivojmë aftësinë tonë të të arsyetuarit?
◻ Si mund t’i ndihmojnë pleqtë pjesëtarët e kopesë të bëhen skllevër të Perëndisë dhe të Krishtit?
◻ Përse duhet të kultivojmë «mendjen e Krishtit»?
[Figura në faqen 23]
Pleqtë i ndihmojnë të tjerët të përdorin aftësinë e tyre të të arsyetuarit