Fjala e Jehovait lartësohet në «Vendin e Shqiponjave»
«VENDI i Shqiponjave.» Kështu e quajnë shqiptarët vendin e tyre. Shqipëria ndodhet në gadishullin e Ballkanit, përballë detit Adriatik, e strehuar mes Greqisë dhe disa vendeve të ish-Jugosllavisë. Ndonëse ka shumë teori rreth prejardhjes së shqiptarëve, shumica e historianëve janë të mendimit se shqiptarët dhe gjuha e tyre e kanë prejardhjen nga ilirët e lashtë, kultura e të cilëve daton në vitin 2000 p.e.s., sipas The Encyclopædia Britannica.
Bukuria natyrore e Shqipërisë përfshin male të thepisura në veri dhe plazhe të gjata me rërë të bardhë në jug, në detin Adriatik e Jon. Por, bukurinë më të madhe ia japin njerëzit, që janë të dashur e mikpritës, të gjallë e shumë shprehës, që mësojnë shpejt dhe i shprehin mendimet e tyre me pasion e me shumë gjeste.
Vizitë nga një misionar i famshëm
Karakteri tërheqës i banorëve dhe peizazhi i bukur me siguri do t’i ketë bërë përshtypje një udhëtari të veçantë, shekuj më parë. Rreth vitit 56 të e.s., apostulli Pavël, që kishte udhëtuar shumë, shkroi: «Deri në Iliri, i kam rënë qark dhe kam predikuar plotësisht lajmin e mirë për Krishtin.» (Romakëve 15:19) Pjesa jugore e Ilirisë përkon me pjesën qendrore dhe veriore të Shqipërisë së sotme. Pavli po shkruante që nga Korinti, Greqi, që ndodhej në jug të Ilirisë. Duke thënë se predikoi plotësisht «deri në Iliri», po thoshte që shkoi ose deri në kufi, ose brenda rajonit. Sido që të jetë, duhet të ketë predikuar në atë pjesë që tani është jugu i Shqipërisë. Pra, në Shqipëri, veprën më të hershme të predikimit të Mbretërisë e ka filluar Pavli.
Kaluan shekuj. Perandori të mëdha lindën e perënduan. Po ashtu, edhe fuqi të huaja erdhën e ikën nga ky cep i vogël i Evropës, derisa Shqipëria u bë shtet i pavarur në vitin 1912. Rreth dhjetë vjet më vonë, në Shqipëri u predikua përsëri për Mbretërinë e Jehovait.
Fillime entuziazmuese në kohët moderne
Në vitet 20 të shekullit të 20-të, disa emigrantë shqiptarë që ishin në Shtetet e Bashkuara filluan të shoqëroheshin me Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Disa prej tyre u kthyen në atdhe për të folur me të tjerët rreth asaj që kishin mësuar. Ndër ta ishte Nasho Idrizi. Disa njerëz reaguan mirë. Në vitin 1924, për t’u kujdesur për interesin që sa vinte e shtohej, u caktua zyra e Rumanisë që të mbikëqyrte veprën e predikimit në Shqipëri.
Thanas Duli (Athanasios Doulis) ishte ndër ata që mësuan për Jehovain në Shqipëri në ato vite. Ai kujtonte: «Në vitin 1925, në Shqipëri kishte tri kongregacione të organizuara, si edhe Studentë të izoluar të Biblës dhe njerëz të interesuar aty-këtu. Dashuria që kishin për njëri-tjetrin, i bënte kaq të ndryshëm nga . . . njerëzit që i rrethonin!»a
Ngaqë s’kishte rrugë të mira, ishte tepër e vështirë të udhëtoje. Megjithatë lajmëtarë të zellshëm morën përsipër këtë detyrë të mundimshme. Për shembull, në Vlorë, në bregdetin jugor, Areti Pina u pagëzua në vitin 1928, në moshën 18-vjeçare. Ajo ngjiste e zbriste male të thepisura, duke predikuar me Bibël në dorë. Bënte pjesë në kongregacionin e zellshëm të Vlorës, që ishte formuar në fillim të viteve 30.
Në vitin 1930, veprën e predikimit në Shqipëri po e mbikëqyrte zyra e degës në Athinë, Greqi. Në vitin 1932, një mbikëqyrës udhëtues nga Greqia vizitoi Shqipërinë, për të inkurajuar e për të forcuar vëllezërit. Shumica e atyre që mësuan të vërtetën biblike në atë kohë, kishin shpresën qiellore. Nami i tyre si njerëz të pastër e të ndershëm bëri që t’i respektonin në të gjithë vendin. Vepra e këtyre vëllezërve besnikë solli shumë fryt. Si në vitin 1935, ashtu edhe në 1936-n, në Shqipëri u shpërndanë nga 6.500 botime biblike.
Një ditë, Nasho Idrizi shkoi në qendër të Vlorës dhe vuri në gramafon një fjalim të Xh. F. Radhërfordit. Njerëzit mbyllën dyqanet dhe vajtën të dëgjonin vëlla Idrizin që përkthente në shqip. Zelli i atyre mësuesve të hershëm e të palodhur të Biblës, u bekua. Në vitin 1940, në Shqipëri kishte 50 Dëshmitarë.
Një shtet ateist
Në vitin 1939 vendin e pushtoi Italia fashiste. Njohja ligjore që u ishte dhënë Dëshmitarëve të Jehovait u hoq dhe vepra e tyre e predikimit u ndalua. Jo shumë kohë më pas, vendin e pushtuan trupat gjermane. Me përfundimin e Luftës II Botërore, erdhi në pushtet Enver Hoxha, një komandant ushtarak me shumë ndikim. Partia e tij Komuniste fitoi zgjedhjet në vitin 1946 dhe ai u caktua kryeministër. Vitet që pasuan, u quajtën vitet pas Çlirimit, por për popullin e Jehovait ishte krejt e kundërta.
Me kalimin e kohës, qeveria sa vinte e bëhej më pak tolerante ndaj fesë. Në përputhje me asnjanësinë e tyre të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri nuk pranuan të merrnin armët dhe të përfshiheshin në politikë. (Isaia 2:2-4; Gjoni 15:17-19) Shumë prej tyre i hodhën nëpër burgje, duke i lënë pa bukë e pa gjërat e nevojshme për të jetuar. Në shumë raste, motrat e tyre frymore që ishin jashtë, u lanin rrobat dhe gatuanin për ta.
Nuk frikësohen nga përndjekjet
Në fillim të viteve 40, Frosina Xheka, që atëherë ishte adoleshente dhe jetonte në një fshat afër Përmetit, dëgjoi se çfarë po mësonin të vëllezërit prej një Dëshmitari që quhej Nasho Dori, i cili punonte si këpucar.b Autoritetet i vëzhgonin nga afër Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, besimi i Frosinës sa vinte e forcohej, edhe pse prindërve nuk u pëlqente kjo. «M’i fshihnin këpucët dhe më rrihnin kur shkoja në mbledhjet e krishtere. Donin të më martonin me një jobesimtar dhe, kur nuk pranova, më nxorën nga shtëpia. Atë ditë binte borë. Nasho Dori i kërkoi vëllait Gole Flloko, në Gjirokastër, që të më ndihmonte. E rregulluan që të jetoja me familjen e tij. Vëllezërit e mi ndenjën dy vjet në burg për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës. Pasi dolën nga burgu, shkova në Vlorë që të jetoja me ta.
Policia u orvat të më detyronte që të merrja pjesë në veprimtaritë politike, por unë s’pranova. Atëherë, më arrestuan, më çuan në një dhomë dhe më rrethuan. Njëri prej tyre m’u hakërrua: ‘A e kupton se ç’mund të të bëjmë?’ Iu përgjigja: ‘Mund të bëni vetëm atë që ju lejon Jehovai.’ Atëherë ma ktheu: ‘Ti je e çmendur! Jashtë!’»
E njëjta frymë besnike karakterizoi vëllezërit shqiptarë gjatë gjithë atyre viteve. Në vitin 1957 u arrit një maksimum me 75 lajmëtarë të Mbretërisë. Në fillim të viteve 60, selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait i kërkoi Nako Markos (Xhon Marks), një emigrant shqiptar që jetonte në Shtetet e Bashkuara, të shkonte në Tiranë për një vizitë, që të ndihmonte në organizimin e veprës së predikimit.c Megjithatë, s’kaloi shumë dhe Luçi Xheka, Mihal Sveci, Leonidha Pope e vëllezër të tjerë përgjegjës u dërguan nëpër kampe pune.
Dritë në fund të tunelit
Deri në vitin 1967, të gjitha fetë në Shqipëri shiheshin me sy të keq. Por, pas atij viti, nuk u lejuan më. Asnjë prift katolik a ortodoks dhe asnjë hoxhë nuk mund të kryente më ritet nëpër ceremoni. Kishat dhe xhamitë u mbyllën dhe u kthyen në palestra, muze ose markata. Asnjë s’duhej të mbante Bibël. As ideja e besimit te Perëndia s’duhej të shprehej.
U bë pothuajse e pamundur të zhvilloheshin predikimi dhe mbledhjet. Dëshmitarët e veçuar bënë çmos që t’i shërbenin Jehovait, edhe pse ishin të ndarë nga njëri-tjetri. Nga vitet 60 deri në vitet 80, numri i Dëshmitarëve u pakësua mjaft. Megjithatë, frymësisht ishin të fortë.
Në fund të viteve 80, në Shqipëri filluan të ndodhnin dalëngadalë ndryshime politike. Ushqimi dhe veshjet ishin shumë të pakta. Njerëzit ishin të pakënaqur. Reformat që ndodhën në Evropën Lindore, arritën edhe në Shqipëri në fillim të viteve 90. Pasi kishin kaluar 45 vjet nën një regjim totalitar, një qeveri e re lejoi përsëri lirinë fetare.
Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, zyra e degës në Austri dhe ajo në Greqi, menjëherë bënë përpjekje për të takuar vëllezërit shqiptarë që ndodheshin në vend. Vëllezër grekë që dinin shqip, çuan në Tiranë e Berat literaturë biblike që sapo ishte përkthyer. Vëllezërit vendës, që më parë kishin qenë të shpërndarë, u mbushën gjithë gëzim kur takuan për herë të parë pas kaq vitesh, Dëshmitarë nga jashtë shtetit.
Pionierë të zellshëm të huaj në ballë të veprës
Në fillim të vitit 1992, Trupi Udhëheqës mori masa që Majkëll e Linda DiGregorio, një çift misionar ku burri kishte prejardhje shqiptare, të transferoheshin në Shqipëri. Ata u takuan me vëllezër e motra të moshuar besnikë, dhe i ndihmuan të mblidheshin përsëri bashkë si pjesë e një familjeje frymore ndërkombëtare. Në nëntor të atij viti, mbërriti një grup me 16 pionierë specialë të zellshëm italianë, së bashku me katër pionierë të zellshëm grekë. U organizua një kurs i gjuhës shqipe, për t’i ndihmuar pionierët që të mësonin gjuhën e vendit.
Për këta pionierë të huaj, jeta e përditshme ishte e vështirë. Nuk kishte gjithnjë energji elektrike. Dimri ishte i ftohtë dhe i lagësht. Njerëzit rrinin në radhë për orë të tëra, që të merrnin ushqime dhe gjërat e nevojshme të jetës. Megjithatë, problemi më i madh që hasën vëllezërit, ishte si të gjenin ndërtesa mjaft të mëdha për të mikpritur turmat e njerëzve që ishin të interesuar për të vërtetën!
Pionierët që po luftonin për të folur shqip, panë se gjuha është thjesht një mjet për të arritur një synim. Një mësues me përvojë i Biblës, u tha: «S’ka nevojë t’i zgjedhosh foljet në mënyrë të përsosur, për të buzëqeshur ose për të përqafuar vëllezërit. Shqiptarët do t’i përgjigjen dashurisë që u shfaqni me gjithë zemër, jo gramatikës së përsosur. Mos kini merak, do t’ju kuptojnë!»
Pas kursit të parë të gjuhës shqipe, pionierët iu futën punës në Berat, Durrës, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë e Vlorë. Shumë shpejt, në këto qytete u formuan kongregacione. Areti Pina, tani në të 80-at, ishte ende në Vlorë. Dy pionierë specialë u dërguan atje, për të predikuar bashkë me Aretinë. Njerëzit mahniteshin kur dëgjonin të huaj që flitnin shqip: «Misionarët e feve të tjera na thonë që duhet të mësojmë anglisht ose italisht, nëse duam të dimë ndonjë gjë. Ju me siguri na doni dhe duhet të keni diçka të rëndësishme për të thënë, përderisa keni mësuar shqip.» Aretia e mbaroi me besnikëri jetën e saj tokësore në janar të vitit 1994, duke qenë aktive në predikim deri muajin e fundit të jetës. Zelli që tregoi ajo dhe pionierët e tjerë, u bekua. Në vitin 1995, në Vlorë u formua një kongregacion. Sot, në këtë qytet bregdetar ka tri kongregacione që po lulëzojnë dhe janë të zellshme në predikim.
Në gjithë vendin, njerëzit kishin etje të madhe për të mësuar për Perëndinë dhe s’kishte shumë paragjykime fetare. Ata e përpinin literaturën biblike që merrnin nga Dëshmitarët. Shumë të rinj filluan të studionin dhe bënë përparim të shpejtë.
Në të gjithë vendin, më shumë se 90 kongregacione e grupe vazhdojnë ‘të bëhen të patundura në besim dhe të rriten ditë për ditë’. (Veprat 16:5) Të 3.513 Dëshmitarët që janë në Shqipëri, kanë ende shumë punë për të bërë. Në mars të vitit 2005, Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e ndoqën 10.144 veta. Bisedat me njerëzit mikpritës në veprën e predikimit, kanë çuar në më shumë se 6.000 studime biblike. Pa diskutim, me mijëra njerëz do të nxjerrin dobi nga Përkthimi Bota e Re që sapo doli në gjuhën shqipe. Po, fjala e Jehovait po lartësohet në «Vendin e Shqiponjave», duke i dhënë lavdi Jehovait!
[Shënimet]
a Për jetëshkrimin e Thanas Dulit, shih Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1968, anglisht.
b Për jetëshkrimin e Nasho Dorit, shih Kullën e Rojës, 1 janar 1996.
c Për jetëshkrimin e bashkëshortes së këtij vëllai, Helenës, shih Kullën e Rojës, 1 janar 2002.
[Kutia në faqen 20]
MERR FUND KONFLIKTI ETNIK NË KOSOVË!
Në fund të viteve 90 të shekullit të 20-të, Kosova u përmend shumë shpesh pasi polemikat për çështje territoriale dhe urrejtja etnike e rrënjosur thellë, çuan në luftë dhe në ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare.
Gjatë luftës në Ballkan, shumë Dëshmitarëve iu desh të iknin në vendet fqinje. Pasi mbaroi lufta, një grup i vogël u kthye në Kosovë, gati për t’iu futur punës me zell. Pionierë specialë shqiptarë e italianë dolën vullnetarë për të shkuar në Kosovë, që të ndihmonin 2.350.000 banorët e atjeshëm. Tani, në këtë territor ka katër kongregacione dhe gjashtë grupe aktive, gjithsej rreth 130 lajmëtarë, që po i shërbejnë Jehovait.
Në pranverën e vitit 2003, në Prishtinë u mbajt një asamble speciale njëditore, me 252 të pranishëm. Mes tyre kishte individë me prejardhje gjermane, italiane, rome, serbe dhe shqiptare. Në fund të fjalimit të pagëzimit, oratori bëri dy pyetje. Tre veta u ngritën në këmbë për t’u përgjigjur po: një shqiptar, një rome dhe një serbe.
Duartrokitje të fuqishme shpërthyen nga auditori, pasi u dëgjuan njëkohësisht dhe me zë të lartë: «Va!» «Da!» dhe «Po!» nga të tre kandidatët për pagëzim, që pastaj përqafuan njëri-tjetrin. Ata kanë gjetur përgjigjen e problemeve etnike të rrënjosura thellë, që e kanë munduar për kaq kohë vendin e tyre.
[Harta në faqen 17]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Deti Mesdhe
ITALI
SHQIPËRI
GREQI
[Figura në faqen 18]
Dëshmitarë të rinj imitojnë zellin e të moshuarve
[Figura në faqen 18]
Areti Pina shërbeu me besnikëri nga viti 1928 deri kur vdiq, në vitin 1994
[Figura në faqen 19]
Grupi i parë i pionierëve të huaj, gjatë kursit të gjuhës shqipe
[Burimi i figurës në faqen 16]
Shqiponja: © Brian K. Wheeler/VIREO