BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/5 f. 8-12
  • Do të ketë një ringjallje të të drejtëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Do të ketë një ringjallje të të drejtëve
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mbledhja e deleve
  • Shpresa e ringjalljes
  • Besimtarët «u shpallën të drejtë»
  • Ringjallja në tokë
  • Një shpresë që ngushëllon
  • Ringjallja​—Një mësim që të prek personalisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Fuqia e shpresës së ringjalljes
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • Shpresa e ringjalljes ka fuqi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Çfarë nënkupton për ty shpresa e ringjalljes?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/5 f. 8-12

Do të ketë një ringjallje të të drejtëve

«Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje si për të drejtët dhe për të padrejtët.»​—VEPRAT 24:15, BR.

1. Cilën situatë kanë përballuar njerëzit që nga rënia e Adamit dhe Evës?

«TËRË ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu 9:10) Me këto pak fjalë të zgjedhura mirë, mbreti i ditur, Solomoni, përshkruan situatën që ka përballuar çdo brez i njerëzimit që nga rënia në mëkat e prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Në fund, vdekja i gllabëroi të gjithë pa përjashtim​—të pasur e të varfër, mbretër e njerëz të thjeshtë, besnikë e të pabesë. Vërtet, vdekja ka «sunduar si mbret».​—Romakëve 5:17, BR.

2. Përse disa besnikë mund të kenë mbetur të zhgënjyer gjatë kësaj kohe të fundit?

2 Pavarësisht nga përparimet e fundit të shkencës mjekësore, vdekja akoma edhe sot sundon si mbret. Edhe pse kjo nuk është çudi, disa mund të kenë mbetur disi të zhgënjyer kur në fund të fundit janë ndeshur ballë për ballë me këtë armike të vjetër. Përse? Në vitet ’20, Shoqata Watch Tower shpalli mesazhin: «Miliona që tani jetojnë, kurrë nuk do të vdesin». Kush do jenë këta miliona? «Delet» për të cilat foli Jezui në shëmbëlltyrën e deleve dhe dhive. (Mateu 25:31-46) Sipas profecisë, ata ngjashëm deleve do të shfaqeshin gjatë kohës së fundit dhe shpresa e tyre do të ishte jeta e përhershme në një tokë parajsore. Me kalimin e kohës, populli i Perëndisë e kuptoi më mirë pozitën e këtyre ‘deleve’ në qëllimin e Jehovait. U kuptua se delet e bindura do të ndaheshin nga «dhitë» kokëforta dhe pas shkatërrimit të këtyre të fundit, delet do të trashëgonin zotërimet tokësore të Mbretërisë së përgatitur për ta.

Mbledhja e deleve

3. Në cilën vepër është përqendruar populli i Perëndisë që nga viti 1935?

3 Duke filluar nga viti 1935, ‘skllavi besnik’ është përqendruar më tepër në përcaktimin e atyre ngjashëm deleve dhe mbledhjen e tyre në organizatën e Jehovait. (Mateu 24:45; Gjoni 10:16) Këta të krishterë që pranojnë të mësohen e kanë kuptuar se Jezui tani është duke mbretëruar në Mbretërinë qiellore të Jehovait, se po afrohet me hapa të shpejtë përfundimi i këtij sistemi të lig gjërash dhe se po vjen një botë e re në të cilën do të mbretërojë drejtësia. (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 12:10) Në atë botë të re do të përmbushen fjalët inkurajuese të Isaisë: «Do të shkatërrojë përgjithmonë vdekjen.»

4. Çfarë u ka ndodhur shumë prej atyre deleve të tjera, edhe pse mezi prisnin të shihnin shfajësimin e sovranitetit të Jehovait në Harmagedon?

4 Meqë fundi i botës së Satanait është shumë afër, të krishterët ngjashëm deleve do të dëshironin shumë të jetonin derisa të shihnin shfajësimin e sovranitetit të Jehovait gjatë mjerimit që po vjen mbi Babiloninë e Madhe dhe mbetjen e botës së Satanait. (Zbulesa 19:1-3, 19-21) Për një numër të madh personash, gjërat nuk po shkojnë kështu. Shumë nga ata që shpresonin të ishin mes «milionave» që nuk do të vdisnin kurrë, në të vërtetë kanë vdekur. Disa janë martirizuar për të vërtetën nëpër burgje dhe në kampet e përqendrimit ose nga dora e fetarëve fanatikë. Të tjerë kanë vdekur në aksidente ose nga të ashtuquajturat shkaqe natyrore, si sëmundjet dhe plakja. (Psalmi 90:9, 10; Eklisiastiu 9:11) Është e qartë se të tjerë do të vdesin para se të vijë fundi. Si do ta shikojnë ata plotësimin e premtimit për një botë të re, në të cilën do të sundojë drejtësia?

Shpresa e ringjalljes

5, 6. Ç’e ardhme ekziston për ata që kanë shpresë tokësore e që vdesin para Harmagedonit?

5 Apostulli Pavël u përgjigj, kur po fliste para guvernatorit romak, Feliksit. Siç është shkruar tek Veprat 24:15, Pavli deklaroi me guxim: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje si për të drejtët dhe për të padrejtët.» (BR) Shpresa e ringjalljes na jep kurajë përballë mjerimeve më të mëdha. Për shkak të kësaj shprese, miqtë tanë të dashur që sëmuren dhe e ndiejnë se po shkojnë drejt vdekjes nuk i lëshon zemra. Çfarëdo që të ndodhë, ata e dinë se do të korrin shpërblimin për besnikërinë e tyre. Për shkak të shpresës së ringjalljes, vëllezërit dhe motrat tona të guximshme që gjenden përballë vdekjes kur janë në duart e persekutuesve, e dinë se nuk ka mënyrë që këta të fundit të korrin fitoren. (Mateu 10:28) Kur dikush në kongregacion vdes, humbja na trishton, por në të njëjtën kohë, në qoftë se ai apo ajo bën pjesë në delet e tjera, ne gëzohemi që shoku ynë i besimit u tregua besnik deri në vdekje dhe tani është duke pushuar, i sigurt për një të ardhme në botën e re të Perëndisë.​—1. Selanikasve 4:13.

6 Po, shpresa e ringjalljes është një veçori e domosdoshme e besimit tonë. Por, përse besimi ynë në ringjalljen është kaq i fortë dhe kush merr pjesë në këtë ringjallje?

7. Çfarë është ringjallja dhe cilat janë disa shkrime që shprehin sigurinë e saj?

7 Fjala greke për «ringjalljen» është a·naʹsta·sis, që fjalë për fjalë do të thotë «ngritje». Në themel i referohet një ngritjeje nga vdekja. Fakt interesant është që fjala «ringjallje» nuk shfaqet në Shkrimet Hebreje, kurse shpresa e ringjalljes është shprehur qartë në to. Duket, për shembull, nga fjalët e shqiptuara nga Jobi në kulmin e vuajtjeve të tij: «Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, . . . të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!» (Jobi 14:13) Ngjashëm, tek Hozea 13:14, lexojmë: «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj; nga vdekja do t’i shpëtoj. Ku janë thumbat e tua, o vdekje? Ku është shkatërrueshmëria jote, o Sheol?» (BR) Në 1. Korintasve 15:55, apostulli Pavël citoi këto fjalë dhe tregoi se fitorja e profetizuar mbi vdekjen realizohet përmes ringjalljes. (Pa dyshim, në këtë shkrim Pavli flet për ringjalljen qiellore.)

Besimtarët «u shpallën të drejtë»

8, 9. (a) Si munden njerëzit e papërsosur të kenë pjesë në ringjalljen e të drejtëve? (b) Cila është baza e shpresës sonë për një jetë që nuk do të marrë fund nga vdekja?

8 Në deklaratën e tij dhënë Feliksit, të cituar në paragrafin 5, Pavli tha se do të kishte një ringjallje për të drejtët dhe për të padrejtët. Kush janë të drejtët që do të ringjallen? Në fakt, asnjë njeri nuk është i drejtë nga natyra. Të gjithë jemi mëkatarë që nga lindja dhe gjatë gjithë jetës sonë mëkatojmë: dy arsye për të cilat meritojmë vdekjen. (Romakëve 5:12; 6:23) Megjithatë, në Bibël gjejmë termin «të shpallur të drejtë». (Romakëve 3:28) Kjo i referohet njerëzve, të cilët megjithëse të papërsosur, marrin nga Jehovai faljen e mëkateve.

9 Shprehja është përdorur në mënyrë më të dukshme, kur i referohet të krishterëve të mirosur, që kanë shpresë qiellore. Në Romakëve 5:1, apostulli Pavël tha: «Tani që jemi shpallur të drejtë falë besimit, le të gëzojmë paqe me Perëndinë përmes Zotërisë tonë Jezu Krisht.» (BR) Të gjithë të krishterët e mirosur janë shpallur të drejtë falë besimit. Besim në çfarë? Siç shpjegoi me hollësi Pavli në librin e Romakëve, është besimi në Jezu Krishtin. (Romakëve 10:4, 9, 10) Jezui vdiq si njeri i përsosur dhe pastaj u ringjall nga të vdekurit e u ngrit në qiell për të ofruar vlerën e jetës së tij njerëzore në favorin tonë. (Hebrenjve 7:26, 27; 9:11, 12) Kur Jehovai pranoi atë sakrificë, Jezuin, në fakt ribleu racën njerëzore nga skllavëria e mëkatit dhe vdekjes. Ata që ushtrojnë besim në këtë rregullim, përfitojnë shumë prej tij. (1. Korintasve 15:45) Në bazë të kësaj, burrat dhe gratë besnike kanë shpresë për të trashëguar një jetë që nuk do të marrë fund nga armikja e pamëshirshme, vdekja.​—Gjoni 3:16.

10, 11. (a) Ç’ringjallje i pret të krishterët e mirosur besnikë? (b) Në cilën ringjallje shpresonin adhuruesit e parakrishterë?

10 Falë sakrificës shpërblerëse të Jezuit, besnikët e mirosur duke qenë se u shpallën të drejtë, kanë shpresën e sigurt për t’u ringjallur si krijesa të pavdekshme frymore, ngjashëm Jezuit. (Zbulesa 2:10) Ringjallja e tyre është përmendur në Zbulesën 20:6, e cila thotë: «I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.» Kjo është ringjallja qiellore. Vëre, megjithatë, se Bibla e quan atë ‘ringjallja e parë’, gjë që të lë të kuptosh se nuk është e vetmja.

11 Në kapitullin 11 të Hebrenjve, Pavli iu referua një vargu të gjatë shërbëtorësh të Perëndisë të epokës së parakrishterë, që kanë treguar besim të fortë tek Perëndia Jehova. Edhe ata besonin tek ringjallja. Në vargun 35 të këtij kapitulli, Pavli flet për ringjalljet e mrekullueshme që kanë ndodhur gjatë historisë së Izraelit, duke thënë: «Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.» Këta dëshmitarë besnikë të lashtësisë mundën të shikonin përpara në një ringjallje më të mirë se ato të kryera, për shembull, nga Elija dhe Eliseu. (1. Mbretërve 17:17-22; 2. Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21) Shpresa e tyre ishte ringjallja në një botë, ku shërbëtorët e Perëndisë nuk do të torturoheshin për besimin e tyre, në një botë ku gratë nuk do t’i humbnin të dashurit e tyre në vdekje. Po, ata shikonin përpara në ringjalljen e të vdekurve në të njëjtën botë të re që shpresojmë edhe ne sot. (Isaia 65:17-25) Jehovai nuk ua kishte zbuluar atyre gjithë atë që dimë ne për këtë botë të re. Megjithatë, e kishin të qartë se ajo do të vinte dhe donin të ishin në të.

Ringjallja në tokë

12. A u shpallën të drejtë besnikët që jetuan para të krishterëve? Shpjego.

12 A duhet të mendojmë se zgjimi në botën e re i këtyre burrave e grave besnike para të krishterë bën pjesë në ringjalljen e të drejtëve? Duket se po, sepse Bibla u referohet atyre si të drejtë. Për shembull, dishepulli Jakov përmendi një burrë dhe një grua nga kohët e lashta, të cilët u shpallën të drejtë. Burri ishte Abrahami, stërgjyshi i racës hebreje. Për të lexojmë: «‘Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi’; dhe u quajt miku i Perëndisë.» Gruaja ishte Rahaba, një joizraelite, e cila ushtroi besim tek Jehovai. Ajo «u shpall e drejtë» (BR) dhe u bë pjesë e kombit hebre. (Jakovit 2:23-25) Kështu, burra dhe gra të lashtësisë, të cilët ushtruan besim të fortë tek Jehovai e premtimet e tij dhe qëndruan besnikë deri në vdekje, u shpallën të drejtë nga Jehovai në bazë të besimit të tyre dhe pa dyshim do të marrin pjesë në ‘ringjalljen për të drejtët’.

13, 14. (a) Si e dimë se të krishterët me shpresë tokësore mund të shpallen të drejtë? (b) Çfarë do të thotë kjo për ta?

13 Megjithatë, ç’mund të thuhet për ata persona të sotëm ngjashëm deleve, ata të cilët kanë një shpresë tokësore, që i janë dedikuar Jehovait dhe vdesin besnikë gjatë kësaj kohe të fundit? A do të marrin pjesë ata në ringjalljen e të drejtëve? Duket se po. Apostulli Gjon ka parë në vizion një shumicë të madhe të këtyre besnikëve. Vëre se si i përshkruan ai ata: «Pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: ‘Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.’»​—Zbulesa 7:9, 10.

14 Vëre se këta persona të butë janë plotësisht të bindur për shpëtimin e tyre dhe këtë ia atribuojnë Jehovait dhe Jezuit, «Qengjit». Përveç kësaj, ata qëndrojnë përpara Jehovait dhe Qengjit, të gjithë të veshur në të bardha. Përse në të bardha? Një krijesë qiellore i thotë Gjonit: «I kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» (Zbulesa 7:14) Në Bibël, e bardha është simbol i pastërtisë e i drejtësisë. (Psalmi 51:7; Danieli 12:10; Zbulesa 19:8) Fakti që turma e madhe është parë e veshur me të bardha, do të thotë që Jehovai e shikon atë si të drejtë. Si është e mundur? Sepse ata në kuptimin simbolik i kanë larë rrobat e tyre me gjakun e Qengjit. Ata ushtrojnë besim në gjakun e derdhur të Jezu Krishtit e për këtë arsye janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë, me perspektivën për të mbijetuar mjerimin e madh. Kështu, çdo i krishterë besnik i dedikuar që tani është pjesë e «turmës së madhe» e që vdes përpara mjerimit të madh, mund të jetë i sigurt se do të ketë pjesë në ringjalljen tokësore të të drejtëve.

15. Meqenëse do të ringjallen si të drejtët ashtu edhe të padrejtët, çfarë përparësie do të kenë të ringjallurit e drejtë?

15 Në librin e Zbulesës në kapitullin 20, vargun 13, kjo ringjallje përshkruhet me këto fjalë: «Deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.» Kështu, gjatë Ditës së madhe mijëvjeçare të Gjyqit të Jehovait, të gjithë ata që janë në kujtesën e Perëndisë do të ringjallen, si të drejtët ashtu edhe të padrejtët. (Veprat 17:31) Sa mirë do të jetë për të drejtët! Ata tashmë kanë jetuar në besim. Kanë tashmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe kanë besim se ai do t’i përmbushë qëllimet e tij. Dëshmitarët e drejtë të epokës para të krishterëve, do të zgjohen nga vdekja të etur për të mësuar se si u plotësuan premtimet e Jehovait në lidhje me Farën. (1. Pjetrit 1:10-12) Delet e tjera që Jehovai i shikon si të drejta në ditët tona, kur të dalin nga varri do të jenë të dëshiruar për të parë tokën parajsore, për të cilën flisnin kur shpallnin lajmin e mirë në këtë sistem gjërash. Çfarë lumturie do të jetë atëherë!

16. Çfarë mund të thuhet për ringjalljen e atyre që vdesin sot në Ditën e Gjyqit?

16 Por, saktësisht në ç’pikë të Ditës mijëvjeçare të Gjyqit do të ringjallen ata që vdesin besnikë në këto vite të fundit të këtij sistemi gjërash të Satanait? Bibla nuk e thotë. Megjithatë, a nuk do të ishte e arsyeshme të mendonim se ata që janë shpallur të drejtë dhe që vdesin në kohën tonë, do të ringjallen në tokë që kështu të marrin pjesë bashkë me shumicën e madhe të të mbijetuarve të Harmagedonit, në veprën e mirëpritjes së brezave të mëparshëm që do të ngrihen nga të vdekurit? Po, patjetër!

Një shpresë që ngushëllon

17, 18. (a) Çfarë ngushëllimi na jep shpresa e ringjalljes? (b) Çfarë jemi nxitur të deklarojmë për Jehovain?

17 Shpresa e ringjalljes i ngushëllon dhe u jep forcë të gjithë të krishterëve sot. Po të mbetemi besnikë, asnjë ngjarje e paparashikuar e asnjë armik nuk mund të na privojë nga shpërblimi! Për shembull, në faqen 177 të Librit vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1992, tregohen foto të të krishterëve të guximshëm në Etiopi, të cilët vdiqën për të mos e kompromentuar besimin e tyre. Diçitura thoshte: «Fytyra që presim t’i shohim në ringjallje.» Ç’privilegj do të jetë t’i njohim ata dhe persona të tjerë të panumërt, që kanë treguar të njëjtën besnikëri përballë vdekjes!

18 Çfarë mund të themi për njerëzit tanë të dashur apo miqtë, të cilët për shkak të moshës apo të ndonjë sëmundjeje nuk e mbijetojnë mjerimin e madh? Falë shpresës së ringjalljes, ata kanë një të ardhme të mrekullueshme, nëse mbeten besnikë. Edhe ne kemi një të ardhme të mrekullueshme, në qoftë se ushtrojmë besim me guxim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit. Përse? Sepse ashtu si Pavli, ne shpresojmë në ‘ringjalljen e të drejtëve dhe të padrejtëve’. E falënderojmë me gjithë zemër Jehovain për këtë shpresë, që patjetër na nxit t’i bëjmë tonat fjalët e psalmistit: «Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë tij midis tërë popujve. Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë.»​—Psalmi 96:3, 4.

A mund të shpjegosh?

◻ Cilat shkrime na ndihmojnë të përforcojmë shpresën tonë në një ringjallje tokësore?

◻ Mbi cilën bazë të krishterët sot janë shpallur të drejtë?

◻ Në ç’mënyrë shpresa e ringjalljes na jep kurajë dhe vendosmëri?

[Figura në faqen 9]

Ashtu si Pavli, të krishterët e mirosur shpresojnë në ringjalljen qiellore

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo