Të zënë me punë të vdekura apo në shërbimin e Jehovait?
«MË VJEN keq, por jam i zënë.» Ky është një nga kundërshtimet që takojnë Dëshmitarët e Jehovait ndërsa predikojnë publikisht lajmin e mirë mbi Mbretërinë. (Mateu 24:14) Megjithëse shprehja «Jam i zënë» disa herë është thjesht një shfajësim, është e vërtetë se shumë njerëz janë të zënë. Ata pothuajse janë të gllabëruar nga «ankthi i këtij sistemi të gjërave»: sigurimi i jetesës, pagesa, shpenzimet, vajtjet dhe ardhjet nga puna, rritja e fëmijëve, të zënët në punët e shtëpisë, makina dhe gjëra të tjera që zotërojnë.—Mateu 13:22, NW.
Sidoqoftë, edhe pse njerëzit realisht mund të jenë të zënë, pak merren me veprat që me të vërtetë janë të frytshme apo produktive. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Ç’fiton njeriu për punën e tij të rëndë, dhe për mundimin e zemrës së tij me të cilën punon fortësisht nën diell? Sepse të gjitha ditët e tij shkaktojnë mundime dhe brenga: madje edhe natën nuk pushon zemra e tij. Kjo është kotësi.»—Eklisiastiu 2:22, 23, NW.
Bibla këto aktivitete të kota i quan edhe «punë të vdekura» (Hebrenjve 9:14) A kanë punë të tilla përparësi në jetën tënde? Ti, si një i krishterë, duhet të interesohesh shumë për këtë sepse Perëndia «do të paguajë secilin sipas veprave të tij.» (Psalmet 62:12, NW) Meqënëse «koha e mbetur është e zvogëluar», veçanërisht duhet të interesohemi që të mos humbim kohë në punët e vdekura. (1. Korintasve 7:29) Por, çfarë janë punët e vdekura? Si duhet t’i konsidërojmë? Dhe si mund të sigurohemi se jemi të zënë me punë që me të vërtetë janë të vlefshme?
Të identifikojmë punët e vdekura
Në Hebrenjve 6:1, 2, Pavli shkroi: «Prandaj, tani që e kemi lënë doktrinën e parë mbi Krishtin të përparojmë drejt pjekurisë, duke mos vënë përsëri një themel: d.m.th. pendimin nga punët e vdekura dhe besimin ndaj Perëndisë; mësimin mbi pagëzimet dhe mbi vënien e duarve, ngjalljen nga të vdekurit dhe gjyqin e përjetshëm.» (NW) Vëre, se «doktrina e parë» përfshinte «pendimin nga punët e vdekura.» Si të krishterë, lexuesit mbi të cilët Pavli shkroi, tashmë ishin penduar nga punët e tilla të vdekura. Në ç’mënyrë?
Para se të pranonin Krishtin, disa në shekullin e parë kishin praktikuar «punët e vdekura të mishit» d.m.th. «kurvërinë, papastërtinë, sjelljet e shfrenuara, idhujtarinë, spiritizmin dhe punë të tjera të urryera. (Galatasve 5:19-21, NW) Në qoftë se nuk do t’i braktisnin, këto punë do t’i çonin deri tek vdekja e tyre frymore. Por për hir të Perëndisë, këta të krishterë ishin larguar nga sjellja e tyre shkatërruese, ishin penduar dhe «ishin larë». Kështu ishin në një gjendje të pastër para syve të Jehovait.—1. Korintasve 6:9-11.
Por jo të gjithë të krishterët kishin nevojë të pendoheshin nga punët e liga apo imorale. Letra e Pavlit në rradhë të parë i drejtohej besimtarëve hebrenj, shumica prej të cilëve pa dyshim i mbaheshin rreptësisht Ligjit të Mojsiut para se të pranonin Krishtin. Prandaj, nga cilat punë të vdekura ishin penduar? Me siguri, nuk ka pasur asgjë të keqe nëse kanë ndjekur ritualet dhe normat dietike të Ligjit. A nuk ishte Ligji «i shenjtë, i drejtë dhe i mirë»? (Romakëve 7:12, NW) Po, por në Romakëve 10:2, 3, Pavli tha në lidhje me hebrenjtë: «Jap dëshmi për ta se kanë zell ndaj Perëndisë; por jo sipas njohurisë së saktë; sepse, meqenëse nuk e njihnin drejtësinë e Perëndisë, por kërkonin të themelonin të vetën, ata nuk i janë nënshtruar drejtësisë së Perëndisë.»
Po, hebrenjtë në mënyrë të gabuar besonin se përmes ndjekjes me përpikmëri të Ligjit, mund ta fitonin shpëtimin e tyre. Por, Pavli shpjegoi se «njeriu është shpallur i drejtë, jo për shkak të punëve të ligjit, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin.» (Galatasve 2:16, NW) Meqenëse ishte siguruar shpërblimi i Krishtit, punët e Ligjit—pa marrë parasysh sa besimtare apo fisnike—ishin punë të vdekura dhe pa asnjë vlerë për arritjen e shpëtimit. Prandaj, hebrenjtë e sinqertë kërkuan të merrnin pëlqimin e Perëndisë, duke u penduar nga punë të tilla të vdekura dhe duke u pagëzuar që të simbolizojnë pendimin e vet.—Vepra 2:38.
Ç’mësojmë nga kjo? Se punët e vdekura mund të përfshijnë jo vetëm veprat e liga apo imorale; ato përmbledhin çfarëdo pune që në kuptimin frymor është e vdekur, e kotë apo e pafrytshme. Por a nuk pendohen të gjithë të krishterët nga punë tilla të vdekura para se të pagëzohen? Po, por disa të krishterë në shekullin e parë në vazhdim kanë rënë në sjellje imorale. (1. Korintasve 5:1) Ndërsa, në mes të të krishterëve hebrenjë ka ekzistuar tendenca që të kthehen në praktikimin e punëve të vdekura të Ligjit të Mojsiut. Pavli duhet t’i përkujtonte ata që të mos ktheheshin në punët e vdekura.—Galatasve 4:21; 5:1.
Të ruhemi nga punët e vdekura
Prandaj, populli i Jehovait sot duhet të jetë i kujdesshëm që të mos bierë në grackën e punëve të vdekura. Në të vërtetë, nga çdo drejtim mbi ne ushtrohen presione, për të na shtyrë që të bëjmë kompromis moral, të jemi të pandershëm dhe të bëjmë vepra të gabuara në fushën seksuale. Mjerisht, me mijëra të krishterë për çdo vit bien nën presione të tilla dhe nëse nuk pendohen përjashtohen nga kongregacioni i krishterë. Pra, një i krishterë më shumë se kurrë duhet të dëgjojë këshillën e Pavlit në Efesianëve 4:22-24: «Hiqeni personalitetin e vjetër që i përshtatet mënyrës suaj të mëparshme të sjelljes dhe që është i prishur sipas dëshirave të veta mashtruese; por . . . duhet të përtëriheni në forcën që nxit mendjen tuaj dhe vishni personalitetin e ri që qe krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri.»—NW.
Natyrisht, efesianët të cilëve u shkruante Pavli, e kishin veshur personalitetin e ri në përmasa të mëdha. Por, Pavli i ndihmoi të kuptojnë se ky është një proces i vazhdueshëm! Pa përpjekje të vazhdueshme të krishterët mund t’i ktheheshin punëve të vdekura nën ndikimin e dëshirave shkatërruese që vazhdonin të ushtronin një influencë korruptuese. Kjo vlen edhe për ne sot. Vazhdimisht duhet të luftojmë që të veshim personalitetin e ri, duke mos lejuar që të jetë i njollosur nga ndonjë veçori e fituar nga mënyra jonë a vjetër e jetesës. Duhet që patjetër të evitojmë—të urrejmë—çfarëdolloj forme të punëve të liga të trupit. «O ju, që doni Jehovain, urreni atë që është e keqe», na nxit psalmisti.—Psalmi 97:10.
Është e lavdërueshme që sot pjesa më e madhe e popullit të Jehovait e ka dëgjuar këtë këshillë dhe ka mbetur e pastër moralisht. Megjithatë, disa e kanë lënë veten të tërhiqen nga veprat që nuk duken të gabuara në vetvete, por që janë krejtësisht të kota dhe të pafrytshme. Për shembull, disa ishin të përfshirë nga mania për fitimin e parave apo e akumulimit të të mirave materiale. Por, Bibla paralajmëron: «Ata që kanë vendosur të pasurohen bien në tundime dhe në një grackë e në shumë dëshira të pakuptueshme dhe të dëmshsme, të cilat i zhysin njerëzit në shkatërrim dhe rënie.» (1. Timoteut 6:9, NW) Për të tjerë, arsimimi i botës ka qenë si një grackë. Është e vërtetë se për të gjetur punë është e nevojshme të kesh një shkallë arsimimi. Por duke dedikuar shumë kohë, për të arritur një nivel të lartë arsimor, botëror, disa kanë dëmtuar veten në kuptimin frymor.
Po, shumë vepra mund edhe të mos jenë në vetvete moralisht të gabuara. Por, ato megjithatë janë të vdekura nëse nuk i shtojnë asgjë jetës sonë tani apo nuk na sjellin pëlqimin e Perëndisë Jehova. Vepra të tilla harxhojnë shumë kohë dhe energji, por nuk japin asnjë dobi frymore, asnjë gjallërim të qëndrueshëm—Krahaso Eklisiastiu 2:11.
Padyshim, po bën përpjekje të mëdha për të qenë i zënë në aktivitetet e vlefshme frymore. Megjithatë, është i dobishëm ekzaminimi i rregullt i vetvetes. Kohë pas kohe, mund t’i bësh vetes pyetje si këto: «A çalon pjesëmarrja ime në shërbim dhe në mbledhje, për shkak se kam pranuar punë të panevojshme nga bota?» «A kam kohë për dëfrim, kur për studim personal dhe familjar gjej shumë pak?» A shpenzoj mjaft kohë dhe energji, duke u kujdesur për pasurinë materiale në një kohë që nuk kujdesem për ata që kanë nevojë në kongregacion, si për të sëmurët dhe më të moshuarit?» Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mund të të zbulonin se ke nevojë që t’i japësh përparësi më të madhe veprave frymore.
Qëndroni të zënë në shërbim të Jehovait
Si thotë 1. Korintasve 15:58, ka «shumë për të bërë në punën e Zotërisë.» (NW) Puna kryesore është ajo e predikimit të Mbretërisë dhe e bërjes së dishepujve. Në 2. Timoteut 4:5, Pavli nxit: «Bëje predikimin e Lajmit të Mirë veprën tënde të jetës, në shërbimin tënd rrënjësor.» (Jerusalem Bible) Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës gjithashtu kanë shumë punë për t’u kujdesur mbi nevojat e kopesë. (1. Timoteut 3:1, 5, 13; 1. Pjetrit 5:2) Kryefamiljarët, shumë prej të cilëve janë prindër, kanë gjithashtu përgjegjësi të rënda, në kujdesjen e familjes dhe për të ndihmuar fëmijët që të forcojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Vepra të tilla mund të jenë rraskapitëse, ndonjëherë madje dërrmuese. Por, larg nga ajo se janë të vdekura, ato sjellin kënaqësi të vërtetë.
Problem është: Si mund të gjej ndokush kohë që të kryej të gjitha këto vepra të vlefshme të domosdoshme? Me rëndësi esenciale janë vetdisiplina dhe organizimi personal. Në 1. Korintasve 9:26, 27, Pavli ka shkruar: «Unë, prandaj, ashtu vrapoj—jo si pa qëllim, ashtu grushtoj—jo si të gjuaja ajrin, por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke qenë se u kam predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vet.» Një mënyrë për aplikimin e kriterit të këtij teksti është shqyrtimi periodik i programit tënd personal dhe i mënyrës tënde të jetës. Nuk është e vështire të zbulosh se mund të eleminohen shumë gjëra të panevojshme që marrin kohë dhe energji.
Për shembull, a harxhon shumë energji dhe kohë duke parë televizor, në dëfrim, në leximin e literaturës nga bota apo në zbavitje? Sipas një artikulli të The New York Times, një njeri me moshë mesatare në Shtetet e Bashkuara shikon më tepër se 30 orë në jave televizor.» Me siguri, kjo kohë mund të përdorej më mirë! Gruaja e një mbikëqyrësi udhëtues raporton: «I kam eleminuar pothuajse të gjitha gjërat që humbin kohë si shikimi i televizorit.» Rezultati? Ajo ka mundur ta lexojë gjithë enciklopedinë biblike prej dy volumesh Insight on the Scriptures!
Mund të shqyrtosh edhe se deri në ç’masë mund ta bësh më të thjeshtë mënyrën tënde të jetesës. Solomoni tha: «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, pa marrë parasysh se a hanë pak apo shumë; por, bollëku që i përket të pasurit nuk e lejon të flejë.» (Eklisiastiu 5:12) A i kushton shumë kohë dhe energji kujdesit për të mirat e panevojshme materiale? Sa më tepër gjëra që zotërojmë aq më tepër duhet të mirëmbajmë, sigurojmë, riparojmë dhe të ruajmë. A do të ishte në dobinë tënde lirimi i vetes nga disa gjëra të caktuara?
Pasja e një programi real është një mënyrë tjetër që të shfrytëzosh më mirë kohën tënde. Një program i tillë duhet të marrë parasysh nevojat personale për pushim dhe dëfrim. Por, interesave frymore duhet t’u jepet përparësi. Duhet ndarë kohë për ndjekjen e rregullt të të gjitha mbledhjeve të kongregacionit. Gjithashtu, qysh më parë mund të caktosh se cilat ditë apo mbrëmje do t’ia kushtosh veprës së ungjilltarisë. Duke programuar me kujdes kohën tënde ndoshta mund të jesh në gjendje të marrësh pjesë më shumë në shërbim, ndoshta kohë pas kohe, duke shërbyer si pionier ndihmës. Por, mos harro të rezervosh kohë për studimin personal dhe familjar, duke përfishirë edhe përgatitjet e kujdesshme për mbledhjet. Nëse je i përgatitur, po vetëm do të përfitosh më shumë nga mbledhjet, por do të jesh më shumë në gjendje që «të nxitësh të tjerët në dashuri dhe në vepra të mira» përmes komenteve të tua.—Hebrenjve 10:24, NW.
Gjetja e kohës për studim mund të kërkojë sakrifica. Për shembull, familjet e Bethelit në mbarë botën zgjohen herët çdo mëngjes që të diskutojnë mbi tekstin e ditës. A mund të kursesh pak kohë çdo mëngjes për studim personal? Psalmisti tha: «Ngrihem herët në muzg të mëngjesit, që të thërras për ndihmë. I kam pritur fjalët e tua.» (Psalmi 119:147) Natyrisht, zgjimi herët do të kërkojë një planifikim mbi fjetjen në një orë të arsyeshme, për të filluar kështu ditën vijuese i gatshëm dhe i çlodhur.
Dobitë nga zënia në shërbimin e Jehovait
Të kesh «sa më shumë punë të Zotërisë për të bërë», kërkon programim, disiplinë dhe frymë sakrifice. Por, dobitë janë të panumërta. Qëndro, pra, i zënë, jo në punët e vdekura apo të kota që sjellin vetëm pakënaqësi dhe dhembje, por në shërbim të Jehovait. Sepse me punë të tilla shpreh besimin tënd, fiton aprovimin e Perëndisë dhe merr më në fund shpërblimin e jetës së përhershme!
[Figura në faqe 31]
Përgatitja e një plani real e ndihmon një të krishterë që ta përdorë kohën e vet në mënyrë më të mençur