Inkurajimi
Përkufizimi: Diçka që të jep zemër ose shpresë. Të gjithë kemi nevojë për inkurajim. Të inkurajojmë të tjerët, kërkon që t’i ndihmojmë personalisht ose t’u shprehim vlerësimin tonë. Shpesh, kjo përfshin që ta ndihmojmë dikë të kuptojë se si të përballojë një rrethanë të vështirë ose të shqyrtojmë së bashku arsyet përse jemi të sigurt se do të kemi një të ardhme më të mirë. Bibla është burimi më i mirë për të dhënë një inkurajim të tillë dhe shkrimet që përmenden më poshtë, janë të dobishme për të inkurajuar njerëz që po hasin rrethana të ndryshme. Disa herë mund të bëjmë shumë, edhe thjesht duke treguar ndjenja të përbashkëta.—Rom. 12:15.
Për ata që po hasin sprova për shkak të SËMUNDJEVE:
Zbul. 21:4, 5: «‘[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’ Ai që rri ulur në fron, tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’ Gjithashtu, tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’»
Mat. 9:35: «Tani Jezui nisi të shkonte përqark nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, të mësonte . . . , të predikonte lajmin e mirë për mbretërinë dhe të shëronte çdo lloj lëngate e sëmundjeje.» (Duke i shoqëruar këto shërime me predikimin për Mbretërinë, Jezui tregoi një pamje paraprake të mrekullueshme të asaj që do të bëjë për njerëzit gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar.)
2 Kor. 4:13, 16: «Edhe ne tregojmë besim . . . Prandaj, ne nuk dorëzohemi, por, edhe pse njeriu i jashtëm [trupi ynë] po tretet, sigurisht që njeriu i brendshëm po përtërihet [ose po merr forca të reja] nga dita në ditë.» (Ndoshta në kuptimin fizik po tretemi. Por, nga ana frymore po përtërihemi, ndërsa vazhdojmë të freskohemi nga premtimet e çmuara të Perëndisë.)
Shih edhe Lukën 7:20-23.
Për ata, që u kanë VDEKUR njerëzit e dashur:
Isa. 25:8, 9: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë. . . . Atë ditë do të thuhet: ‘Ja, ky është Perëndia ynë! Tek ai kemi shpresuar, dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Jehovai! Tek ai kemi shpresuar. Le të gëzojmë e të ngazëllojmë për shpëtimin që vjen prej tij!’»
Gjoni 5:28, 29: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.»
Gjoni 11:25, 26: «Jezui i tha: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë. Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës. A e beson këtë?’»
Psal. 146:5, 9: «Lum ai . . . që i mban shpresat te Jehovai, Perëndia i tij, Jehovai . . . i çliron jetimët dhe vejushat.» (Që tani, Perëndia interesohet me dashuri për ata që u kanë vdekur njerëzit e dashur.)
Shih edhe Lukën 7:11-16; 8:49-56.
Për ata që po hasin PËRNDJEKJE ngaqë bëjnë vullnetin e Perëndisë:
Psal. 27:10: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.»
1 Pjet. 4:16: «Por, nëse vuan si i krishterë, le të mos e ketë për turp, por të vazhdojë t’i japë lavdi Perëndisë, duke mbajtur këtë emër.»
Prov. 27:11: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Nëpërmjet besnikërisë sonë, i përgjigjemi akuzës së rreme të Satanait se askush nuk do të vazhdojë t’i shërbejë Perëndisë kur të gjendet në vështirësi të mëdha.)
Mat. 5:10-12: «Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve! Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.»
Vep. 5:41, 42: «Atëherë [apostujt] ikën nga Sinedri të gëzuar, sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e tij. Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, ata mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.»
Filip. 1:27-29: ‘Ju veç silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë rreth Krishtit dhe mos u trembni në asgjë nga kundërshtarët tuaj. Kjo gjë për ta është provë shkatërrimi, kurse për ju provë shpëtimi; dhe kjo është nga Perëndia. Sepse juve ju dha privilegji që jo vetëm të tregoni besim te Krishti, por edhe të vuani për të.’
Për ata që janë të shkurajuar për shkak të PADREJTËSIVE:
Psal. 37:10, 11: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
Isa. 9:6, 7: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, që ajo të vendoset patundshmërisht dhe të qëndrojë me anë të drejtësisë dhe veprave të drejta që tani e në përjetësi. Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.»
Dan. 2:44: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»
Shih edhe Isainë 32:1, 2; 2 Pjetrit 3:13.
Për ata që vuajnë nga PROBLEMET EKONOMIKE:
Isa. 65:21, 22: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. . . . Të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.»
Psal. 72:8, 16: «[Mbreti mesianik] do të ketë nënshtetas nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skajet e tokës. Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»
Mat. 6:33: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera [gjërat materiale, të nevojshme për jetën] do t’ju shtohen.»
Rom. 8:35, 38, 39: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngimi, vuajtja, përndjekja, uria, të zhveshurit, rreziku apo shpata? Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»
Shih edhe Hebrenjve 13:5, 6.
Për ata që janë të shkurajuar nga TË METAT e tyre:
Psal. 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»
Psal. 103:13, 14: «Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.»
Neh. 9:17: «Ti je një Perëndi që fal, hirmadh e i mëshirshëm, që nuk zemërohesh shpejt e plot me dashamirësi.»
2 Pjet. 3:9, 15: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin. Veç kësaj, konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim.»