Të gëzuar kur nuk kursehemi në shërbim të Jehovait
1 Apostulli Pavël me gëzim ‘u shpenzua deri në fund’ për të përmbushur shërbimin e tij ndaj Perëndisë. (2 Kor. 12:15) Në të njëjtën mënyrë sot, shumë të krishterë shërbejnë me zell si pionierë. Disa të tjerë që mbajnë mbi supe përgjegjësi të rënda familjare, veçojnë kohë në programin e tyre të ngarkuar që të dalin në shërbim çdo javë. Të tjerë akoma, ndonëse me probleme të rënda shëndetësore, e përdorin atë pak fuqi që kanë për të përkrahur interesat e Mbretërisë. Sa zemër marrim kur shohim shërbëtorët e Jehovait, që pavarësisht nga mosha dhe rrethanat, nuk kursehen në shërbim të Jehovait!
2 Dashuria për të afërmin: Kur bëjmë gjithë sa mundemi për t’i shërbyer Jehovait, kur tregojmë dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin, kemi një ndërgjegje të pastër. Pavli që u dha me gjithë shpirt pas përhapjes së lajmit të mirë, tha i lumtur: «Pikërisht sot ju marr si dëshmitarë se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve.» (Vep. 20:24, 26; 1 Sel. 2:8) Pjesëmarrja në shërbim aq sa na e lejojnë rrethanat, do të bëjë që të jemi të larë nga faji i gjakut.—Ezek. 3:18-21.
3 Kur nuk kursehemi për të ndihmuar të tjerët, ndiejmë lumturi. (Vep. 20:35) Një vëlla tha: «Kur vjen mbrëmja e kthehem në shtëpi pas një dite në shërbim të Jehovait, është e vërtetë që ndihem i lodhur. Por, ama, jam i lumtur, dhe falënderoj Jehovain që më fali një gëzim që s’mund të ma heqë askush.»
4 Dashuria për Perëndinë: Arsyeja kryesore pse nuk kursehemi në shërbim të Jehovait, është se kjo i pëlqen Atit tonë qiellor. Dashuria për Perëndinë na nxit të zbatojmë urdhërimet e tij, ku përfshihet edhe urdhri për të predikuar dhe për të bërë dishepuj. (1 Gjon. 5:3) Edhe kur njerëzit janë indiferentë ose kundërshtojnë, ne vazhdojmë me gëzim të punojmë pa u lodhur për Jehovain.
5 Nuk është koha ta marrim shtruar. Po jetojmë në kohën e korrjes. (Mat. 9:37) Bujku punon me orë të zgjatura gjatë korrjes, sepse koha për të mbledhur të korrat para se të prishen, është e kufizuar. Po ashtu, edhe koha për të bërë korrjen frymore është e kufizuar. Duke mbajtur parasysh në ç’kohë po jetojmë, të mos kursehemi, por të vazhdojmë të përpiqemi fuqimisht në shërbim.—Luka 13:24; 1 Kor. 7:29-31.