BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Bëni që përparimi juaj të duket qartë!
    Kulla e Rojës—2001 | 1 Gusht
    • Të shfaqim ‘frytin e frymës’

      12. Përse shfaqja e frytit të frymës është e rëndësishme në përpjekjet tona për të bërë përparim frymor?

      12 Ndërkohë që arritja e ‘njëjësisë në besim dhe në njohurinë e saktë’ është e rëndësishme, po aq e rëndësishme është të shfaqim frytin e frymës së Perëndisë në çdo fushë të jetës sonë. Përse? Sepse, siç e kemi parë, pjekuria nuk është e padallueshme ose e fshehur, por karakterizohet nga tipare që dallohen qartë, të cilat mund t’u sjellin dobi dhe t’i ndërtojnë të tjerët. Natyrisht, kërkimi ynë për të bërë përparim frymor nuk është vetëm një përpjekje për t’u dukur të rafinuar ose për t’u kapardisur. Në vend të kësaj, ndërsa rritemi frymësisht duke ndjekur udhëheqjen e frymës së Perëndisë, do të ndodhë një transformim i mrekullueshëm në qëndrimet dhe veprimet tona. Apostulli Pavël tha: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»—Galatasve 5:16.

      13. Cili ndryshim është një tregues i qartë i përparimit?

      13 Pavli vazhdoi duke radhitur «veprat e mishit», të cilat janë të shumta dhe «duken qartë». Para se një person të arrijë të kuptojë vlerën e kërkesave të Perëndisë, jeta e tij është e modeluar sipas udhëve të botës dhe mund të jetë e mbushur me disa nga gjërat që përmendi Pavli: «Kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika e spiritizmit, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, smirat, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto.» (Galatasve 5:19-21) Por, dora-dorës që personi bën përparim frymor, dalëngadalë i mposht këto ‘vepra të mishit’ të padëshirueshme dhe i bën vend ‘frytit të frymës’. Ky ndryshim, që është i dukshëm nga jashtë, është një tregues i qartë se personi po përparon drejt pjekurisë së krishterë.—Galatasve 5:22.

      14. Shpjegoni dy shprehjet «veprat e mishit» dhe «fryti i frymës».

      14 Duhet të vëmë re dy shprehjet «veprat e mishit» dhe «fryti i frymës». «Veprat» janë përfundimi i asaj që bën një njeri, prodhimi i veprimeve të tij. Me fjalë të tjera, veprimet që Pavli i renditi si vepra të mishit janë përfundimi ose i përpjekjeve të vetëdijshme të një personi, ose i ndikimit të natyrës së papërsosur njerëzore. (Romakëve 1:24, 28; 7:21-25) Nga ana tjetër, shprehja «fryti i frymës» tregon se cilësitë e renditura këtu nuk vijnë si pasojë e përpjekjeve në të ashtuquajturin formim të karakterit ose përmirësim të personalitetit, por si pasojë e veprimit të frymës së Perëndisë te një person. Ashtu si një pemë jep fryt kur i tregohet kujdesi i duhur, po ashtu një person shfaq frytin e frymës kur fryma e shenjtë rrjedh lirisht në jetën e tij.—Psalmi 1:1-3.

      15. Përse është e rëndësishme t’u kushtojmë vëmendje të gjitha cilësive të ‘frytit të frymës’?

      15 Një pikë tjetër për t’u shqyrtuar është përdorimi që i bën Pavli fjalës «fryti» për të përfshirë të gjitha cilësitë e dëshirueshme që përmendi. Fryma nuk prodhon një shumëllojshmëri frytesh që ne të zgjedhim atë që na pëlqen më shumë. Të gjitha cilësitë që renditi Pavli—dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli—janë njësoj të rëndësishme dhe së bashku bëjnë të mundur personalitetin e ri të krishterë. (Efesianëve 4:24; Kolosianëve 3:10) Prandaj, ndonëse mund të shohim që disa nga këto cilësi janë më të dukshme në jetën tonë, për shkak të personalitetit ose të prirjeve që kemi, është e rëndësishme që t’u kushtojmë vëmendje të gjitha cilësive që përmendi Pavli. Duke bërë kështu, mund të pasqyrojmë në mënyrë më të plotë në jetën tonë një personalitet ngjashëm atij të Krishtit.—1 Pjetrit 2:12, 21.

      16. Cilin synim kemi në përpjekjet për të arritur pjekurinë e krishterë dhe si mund të arrihet ai?

      16 Mësimi i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga diskutimi i Pavlit është se, në përpjekjet për të arritur pjekurinë e krishterë, synimi ynë nuk është as të marrim shumë njohuri e mësime, as të kultivojmë tipare të rafinuara të personalitetit. Synimi është që fryma e Perëndisë të rrjedhë lirisht në jetën tonë. Në masën që mendimet dhe veprimet tona i përgjigjen udhëheqjes së frymës së Perëndisë, në atë masë bëhemi të pjekur frymësisht. Si mund ta arrijmë këtë synim? Duhet ta hapim zemrën dhe mendjen ndaj ndikimit të frymës së Perëndisë. Kjo përfshin që të ndjekim dhe të marrim pjesë rregullisht në mbledhjet e krishtere. Gjithashtu, duhet ta studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë rreth saj, duke i lejuar parimet e saj të na udhëheqin në marrëdhëniet me të tjerët dhe në zgjedhjet që bëjmë e në vendimet që marrim. Atëherë, me siguri përparimi ynë do të duket qartë.

  • Bëni që përparimi juaj të duket qartë!
    Kulla e Rojës—2001 | 1 Gusht
    • • Në cilat mënyra mund të bëjmë që të duket qartë pjekuria frymore?

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo