BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w11 1/9 f. 7-9
  • Demaskohet sundimtari i fshehtë i botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Demaskohet sundimtari i fshehtë i botës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Sundimtari i kësaj bote» zbulon vetveten
  • Sundimtari i botës u jep fuqi bashkëpunëtorëve
  • Sundimtari i botës tregon fytyrën e vërtetë
  • Grahma e fundit e Djallit
  • Një armik i jetës së përhershme
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
  • Çfarë thotë Bibla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2016
  • ‘T’i kundërvihemi Djallit’ siç bëri Jezui
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Djalli—Më shumë se thjesht një besëtytni
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
w11 1/9 f. 7-9

Demaskohet sundimtari i fshehtë i botës

«SUNDIMTARI i kësaj bote do të dëbohet»,—u tha Jezui njerëzve në një rast. Më vonë, shtoi se ‘sundimtari i kësaj bote nuk kishte pushtet mbi të’ dhe se «sundimtari i kësaj bote është gjykuar». (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Për kë po fliste Jezui?

Po të mbajmë parasysh se çfarë po thoshte Jezui për ‘sundimtarin e kësaj bote’, duket qartë se nuk po fliste për Atin e tij, Perëndinë Jehova. Atëherë, kush është «sundimtari i kësaj bote»? Si «do të dëbohet» dhe si «është gjykuar»?

«Sundimtari i kësaj bote» zbulon vetveten

Ashtu si një kriminel i zoti shpesh krenohet për fuqinë e tij, kështu bëri edhe Djalli kur tundoi Jezuin, Birin e Perëndisë. Pasi i tregoi Jezuit «gjithë mbretëritë» e botës, Satanai i bëri këtë ofertë: «Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë, dhe unë ia jap kujtdo që dua. Prandaj, nëse bën një akt adhurimi përpara meje, do të jetë i gjithi yti.»​—Luka 4:5-7.

Nëse Djalli do të ishte thjesht e keqja në përgjithësi, siç kanë thënë disa veta, si mund të shpjegohet ky tundim? A po tundohej Jezui nga ndonjë dëshirë ose luftë e brendshme që ndoshta i lindi pas pagëzimit? Nëse po, si mund të thuhet se «tek ai nuk ka mëkat»? (1 Gjonit 3:5) Jezui as që e mohoi fuqinë që Djalli ushtron mbi njerëzit, por faktikisht e konfirmoi këtë duke e quajtur ‘sundimtar të kësaj bote’ dhe duke e përshkruar si «vrasës» e «gënjeshtar».​—Gjoni 14:30; 8:44.

Më se 60 vjet pasi Krishti u përball me Djallin, apostulli Gjon u kujtoi të krishterëve ndikimin e fuqishëm të Djallit, duke thënë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». Gjithashtu, Gjoni tha se ai «mashtron gjithë tokën e banuar». (1 Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9) Qartë, Bibla thotë se «sundimtari i kësaj bote» është një krijesë e padukshme frymore. Por, deri në ç’masë ndikon te njerëzimi?

Sundimtari i botës u jep fuqi bashkëpunëtorëve

Kur apostulli Pavël shkroi për luftën e besimit që kanë të krishterët, i identifikoi qartë armiqtë më të rrezikshëm. Ai e pranoi hapur: «Nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Kështu, kjo luftë i kalon kufijtë e botës njerëzore, pasi nuk bëhet «me gjakun e mishin», por «me forcat e liga frymore».

Sipas shumë përkthimeve të Biblës sot, «forcat e liga frymore» nuk i referohen së keqes në përgjithësi, por personave frymorë të fuqishëm e të ligj. Disa versione bëjnë këtë përkthim: «turmat e liga frymore në vendet qiellore» (Revised Standard Version); «ushtria e ligë frymore në qiej» (The Jerusalem Bible) dhe «forcat e liga mbinjerëzore në qiej» (The New English Bible). Kështu, Djalli e ushtron fuqinë nëpërmjet engjëjve të tjerë rebelë, të cilët e braktisën «vendbanimin e tyre të duhur» në qiell.​—Juda 6.

Libri profetik i Danielit që ndodhet në Bibël, tregon si kanë ushtruar kontroll «sundimtarët botërorë» mbi botën, që në kohët e lashta. Danieli ishte në merak të madh për bashkëkombësit judenj që ishin kthyer në Jerusalem nga mërgimi në Babiloni, në vitin 537 p.e.s. Prandaj u lut tri javë për ta. Një engjëll që Perëndia e dërgoi për t’i dhënë siguri profetit, i tha pse ishte vonuar. Ai tha: «Princi i mbretërisë së Persisë m’u kundërvu për njëzet e një ditë.»​—Danieli 10:2, 13.

Kush ishte ‘princi i Persisë’? Sigurisht që engjëlli s’po fliste për mbretin Kir të Persisë, i cili i kishte me sy të mirë Danielin dhe popullin e tij. Për më tepër, si ishte e mundur që një mbret njerëzor t’i rezistonte për tri javë një krijese frymore, ndërkohë që një engjëlli iu desh vetëm një natë të vriste 185.000 luftëtarë të fuqishëm? (Isaia 37:36) Ky ‘princ i Persisë’ që ishte armiqësor, s’ishte gjë tjetër veçse një përfaqësues i Djallit; demon të cilit i ishte dhënë kontroll mbi Perandorinë Perse. Në vazhdim të tregimit, engjëlli i Perëndisë tha se duhej të luftonte sërish «me princin e Persisë» dhe me një princ tjetër demonik, ‘princin e Greqisë’.​—Danieli 10:20.

Ç’përfundim nxjerrim nga kjo? E thënë thjesht, ekzistojnë vërtet ‘sundimtarë [të padukshëm] botërorë’, princa demonikë që kanë në dorë botën, nën autoritetin e kreut të tyre, Satana Djallit. Por, ç’synim kanë pasur deri tani?

Sundimtari i botës tregon fytyrën e vërtetë

Në librin e fundit të Biblës, te Zbulesa, apostulli Gjon tregon në ç’mënyrë Jezui, si kryeengjëlli Mikael, mundi Djallin bashkë me demonët. Gjithashtu flet për pasojat shkatërrimtare që solli dëbimi i tyre nga qielli. Atje lexojmë: «Mjerë ti tokë . . . , sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»​—Zbulesa 12:9, 12.

Si ka shfaqur Djalli zemërim të madh? Shumë kriminelë të pashpresë ndjekin politikën «nënshtro ose shkatërro». Po kështu, Djalli me demonët janë të vendosur ta rrënojnë tokën dhe banorët e saj, teksa rrënohen edhe vetë. Duke ditur se ka një kohë të shkurtër, Djalli përdor një nga elementet kyç të shoqërisë njerëzore, të cilin e ka nën kontroll: biznesin e madh. Këtë e përdor që të nxitë një frymë të shfrenuar për të konsumuar, e cila i shteron burimet natyrore dhe e shkatërron mjedisin në mbarë botën, dhe kështu kërcënohet mbijetesa e njerëzimit.​—Zbulesa 11:18; 18:11-17.

Që në fillim të historisë njerëzore, etja e Djallit për pushtet është pasqyruar edhe në politikë e në fe. Libri i Zbulesës i përshkruan fuqitë politike si bisha, të cilave Djalli u ka dhënë «autoritet të madh». Gjithashtu, ai e përshkruan aleancën e paturp të politikës me fenë si jobesnikëri të neveritshme ndaj Perëndisë. (Zbulesa 13:2; 17:1, 2) Mendoni për shtypjen, skllavërinë, luftërat dhe konfliktet etnike ndërshekullore që kanë marrë miliona jetë. A mund të thotë me ndershmëri dikush se ngjarjet tronditëse dhe të tmerrshme që kanë njollosur faqet e historisë njerëzore, ishin veprimtari normale të njerëzve? Apo ishin rezultat i manipulimit nga frymëra të liga e të padukshme?

Bibla e identifikon me saktësi dhe ia çjerr maskën atij që i ka manovruar udhëheqësit njerëzorë dhe fuqitë botërore. Me vetëdije ose jo, shoqëria njerëzore pasqyron tiparet e sundimtarit të saj dhe të politikës «nënshtro ose shkatërro» që ndjek ai. Por, për sa kohë do të vuajë njerëzimi nga sundimi i Djallit?

Grahma e fundit e Djallit

Veprimtaria që Krishti kreu në tokë gjatë shekullit të parë ishte si këmbanat e vdekjes për Djallin dhe për demonët. Kur dishepujt e Jezuit treguan si i kishin dëbuar demonët e padukshëm, ai u tha: «Unë nisa ta shihja Satanain tashmë të rënë si rrufe nga qielli.» (Luka 10:18) Me këto fjalë, Jezui po gëzonte për fitoren e ardhshme mbi sundimtarin e botës. Kjo do të ndodhte pasi të kthehej në qiell si kryeengjëlli Mikael. (Zbulesa 12:7-9) Një studim i hollësishëm i profecive biblike tregon se fitorja e tij ndodhi në qiell më 1914-n ose pak pas këtij viti.a

Që nga ai vit, Djalli e di se koha që i ka mbetur, derisa të shkatërrohet, është e shkurtër. Ndonëse ‘e gjithë bota dergjet nën pushtetin e tij’, miliona veta sot nuk mashtrohen nga përpjekjet e tij të pashpresa që t’i ketë nën kontroll. Bibla ua ka hapur sytë që t’ia dallojnë identitetin e vërtetë dhe intrigat. (2 Korintasve 2:11) Atyre u japin shpresë fjalët që u tha Pavli të bashkëkrishterëve: «Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë së shpejti Satanain nën këmbët tuaja.»b​—Romakëve 16:20.

Së shpejti Djalli do të japë grahmën e fundit. Nën sundimin e dashur të Krishtit, të drejtët do ta kthejnë tokën në parajsë. Dhuna, urrejtja dhe lakmia do të zhduken përgjithmonë. Bibla thotë: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje.» (Isaia 65:17) Ç’lehtësim do të jetë ky për të gjithë ata që çlirohen nga sundimtari i fshehtë i kësaj bote dhe nga autoriteti i tij!

[Shënimet]

a Për më shumë hollësi në lidhje me këtë datë, shih shtojcën e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 215 deri 218, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

b Këto fjalë të Pavlit i bëjnë jehonë profecisë së parë biblike që gjendet te Zanafilla 3:15, që flet për shkatërrimin përfundimtar të Djallit. Sipas një fjalori, fjala greke që përdori Pavli për të përshkruar atë ngjarje, do të thotë «të shkatërrosh, të thërrmosh, të bësh copë-copë duke dërrmuar».​—Vine’s Complete Expository Dictionary of Old and New Testament Words.

[Diçitura në faqen 9]

Nën sundimin e dashur të Krishtit, njerëzit e drejtë do ta kthejnë tokën në parajsë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo