Vazhdoni të përparoni në një rutinë të rregullt
1 Apostulli Pavël kishte një dashuri të veçantë për kongregacionin në Filipi, të cilin e kishte formuar. Ai ishte mirënjohës për gjërat materiale që i kishin siguruar dhe fliste për ta si një shembull i mirë.—2. Kor. 1-6.
2 Pavli u kishte shkruar filipianëve i nxitur nga dashuria e madhe. Libri Mendjehollësi (angl.), volumi 2, faqe 631, thotë: «Nëpërmjet letrës, ai e inkurajonte kongregacionin e filipianëve, të vazhdonte në këtë rrugë të mirë—të kishin aftësi më të madhe dalluese dhe të gjenin një siguri të madhe në fjalën e jetës, një besim më të fortë dhe shpresë në lavdinë që po vjen.» Ata iu përgjigjën ngrohtësisht, duke forcuar lidhjen e dashurisë ndërmjet tyre dhe apostullit. Fjalët e Pavlit marrin një kuptim të veçantë për ne sot, na japin një arsye të mirë për të menduar me kujdes mbi paralajmërimin e tij, veçanërisht për atë që është thënë në Filipianëve 3:15-17.
3 Është i rëndësishëm një qëndrim i pjekur mendor: Tek Filipianëve 3:15, Pavli shkroi si një njeri që kishte përvojë me vite. Ai e dinte përparimin frymor të filipianëve, prandaj u bëri thirrje atyre si të krishterë me një qëndrim të drejtë mendor. Derisa qëndrimi i tyre mendor të pasqyronte përulësi dhe dashuri të treguar nga Jezui, ata do të vazhdonin të ishin «të pafajshëm dhe të padjallëzuar, bij të Perëndisë pa njollë . . . , e të kishin një lidhje të ngushtë mbi fjalën e jetës». (Filip. 2:15, 16, BR) Kur lexojmë fjalët e Pavlit, ndiejmë sikur ka folur për ne. Kështu, sinqerisht dëshirojmë të kemi të njëjtin qëndrim mendor që kishte Jezui dhe të shfaqim vlerësim të përulur për privilegjet tona. Ne vazhdimisht duhet ta kërkojmë Jehovain në lutje, për të na ndihmuar për këtë dhe gjëra të tjera.—Filip. 4:6, 7.
4 Ashtu siç tregohet tek Filipianëve 3:16, të gjithë duhet të përpiqemi të përparojmë. Fjala «përparim» do të thotë «të lëvizësh përpara, të shkosh përpara». Njerëzit që janë progresivë «interesohen të përparojnë në ide, zbulime ose mundësi të reja». Pavli dëshironte që filipianët të kuptonin që krishterimi nuk ndalon kurrë dhe se ata që e ndjekin atë, duhet të ecin përpara. Përparimi i tyre frymor, do të tregohej nga gatishmëria për të shqyrtuar veten, për të njohur dobësitë e tyre dhe për të kërkuar mundësinë që të bënin sa më shumë ose për të përmirësuar cilësinë e asaj që bënin. Sot, organizata tokësore e Jehovait, vazhdon të ecë përpara duke përparuar dhe duke zgjeruar gjithmonë veprimtarinë e saj dhe kuptueshmërinë për Fjalën e Perëndisë. Secili prej nesh duhet të jetë në një hap me të, duke përfituar nga përgatitjet e saj dhe duke marrë pjesë plotësisht në veprën e saj.
5 Përparimi kërkon një rutinë të rregullt: Pavli vazhdonte t’i nxiste vëllezërit e tij ‘që të ecnin sipas së njëjtës rregull’. (Filip. 3:16) Rregullsia kërkon nga ne që të vendosim personat dhe gjërat në vendet e duhura, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe për t’u sjellë mirë. Të krishterët në Filipi e vendosën veten në vendet e tyre, duke qëndruar afër me organizatën e Jehovait dhe me njëri-tjetrin. (Gjon. 15:17; Filip. 2:1, 2) Pavli i nxiti ‘të silleshin në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit’. (Filip. 1:27) Nevoja për rregullsi dhe sjellje të mirë është edhe sot po aq me rëndësi për të krishterët.
6 Rutina është një zakon për të kryer një veprim të caktuar. Pra, kjo është e lidhur ngushtë me mënyrën e zakonshme të bërjes së gjërave. Duke pasur një rutinë mund të jetë në dobinë tonë, sepse nuk duhet të pushojmë dhe të vendosim për hapin tjetër kur marrim vendime-ne kemi gati një model që mund ta ndjekim nga forca e zakonit.
7 Një rutinë e rregullt teokratike, përbëhet nga zakone dhe shprehi që janë të shëndetshme, të dobishme, hyjnore-me qëllim që të ndërtojmë veten frymësisht, të ndihmojmë të tjerët dhe nëse është e mundur, të bëjmë sa më shumë në shërbimin e Jehovait. Suksesi për të arritur këto qëllime, kërkon të përcaktohet dhe të përkrahet një rutinë që përfshin studimin personal, ndjekjen e rregullt të mbledhjeve dhe pjesëmarrjen në veprën e predikimit.
8 Gjërat kryesore që përfshihen në një rutinë të rregullt: Një gjë kryesore është «njohuria e saktë dhe aftësia e mirë dalluese». (Filip. 1:9, BR) Studimi personal forcon besimin tonë, shton vlerësimin për të vërtetën dhe na nxit për vepra të mira. Megjithatë, disa e kanë të vështirë të jenë këmbëngulës në zakonet e studimit. Një nga arsyet kryesore është mungesa e kohës.
9 Dobitë e leximit të Biblës përditë nuk mund të mbitheksohen. Këshilla e saj është e «dobishme» nga çdo pikëpamje. (2. Tim. 3:16, 17) Si mund ta gjejmë kohën për studimin e Biblës në rutinën tonë të përditshme? Disa e kanë gjetur duke u çuar disa minuta më herët çdo mëngjes, kur mendja e tyre është e kthjellët. Të tjerë e gjejnë më të arsyeshme kur lexojnë disa minuta natën, përpara se të shkojnë në shtrat. Gratë që janë në shtëpi gjatë ditës mund të jenë në gjendje të gjejnë pak kohë pasdite përpara se të tjerët të kthehen në shtëpi, nga puna ose nga shkolla. Si shtesë të leximit të rregullt të Biblës në rutinën e studimit javor, disa kanë përfshirë edhe leximin e librit Lajmëtarët (ang.).
10 Kur ne vendosim zakone të reja, ka mundësi që të ndeshen me zakonet e mëparshme. Në të kaluarën mund të kemi qenë të prirur për t’u lënë kohë aktiviteteve jo të domosdoshme, për të harxhuar kohën që kishim në dispozicion. Të heqim dorë nga këto modele nuk është e lehtë. Asnjë nuk na imponon zakonet tona të studimit; as kërkohet që të japim llogari se çfarë bëjmë ne për sa i përket kësaj. Këmbëngulja për zakonet tona të studimit, varet kryesisht nga vlerësimi ynë «për gjërat më të rëndësishme» dhe nga gatishmëria jonë për të blerë «kohën e përshtatshme» për të nxjerrë dobi nga to.—Filip. 1:10; Efes. 5:16.
11 Mbledhjet e krishtere luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin tonë frymor, duke siguruar udhëzime të domosdoshme dhe inkurajim. Prandaj, ndjekja e mbledhjeve është një tjetër pjesë e rëndësishme e rutinës së rregullt. Pavli theksoi rëndësinë e kësaj. Kjo nuk është një zgjedhje që përcaktohet sipas dëshirës.—Hebr. 10:24, 25.
12 Si mund të shfaqim rregull kur planifikojmë programin tonë të aktiviteteve? Disa rregullojnë kohë të veçantë për t’u kujdesur për gjërat personale dhe pastaj nëse është e mundur përpiqen të arrijnë në mbledhje, por duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Duhet t’u japim përparësi mbledhjeve tona javore dhe aktivitetet e tjera t’i planifikojmë kur nuk ka mbledhje.
13 Ndjekja e rregullt e mbledhjeve, kërkon një planifikim të mirë dhe bashkëpunim në familje. Gjatë ditëve të javës, shumë nga ne kanë një program të zënë me aktivitete, që shpesh lëmë të na ndikojë në kohë. Kjo do të thotë, se nëse është e mundur, ngrënia të programohet mjaft herët, në mënyrë që familja të ketë kohë të mjaftueshme për t’u ushqyer dhe të jetë gati të arrijë në mbledhje përpara se ajo të fillojë. Si përfundim pjesëtarët e familjes mund të bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme.
14 Shërbimi i rregullt në fushë është i domosdoshëm nëse kemi vendosur të përparojmë në një rutinë të rregullt. Të gjithë ne e njohim mirë përgjegjësinë tonë dhe rëndësinë e predikimit të mesazhit të Mbretërisë. Kjo është ajo që na bën ne si Dëshmitarë të Jehovait. (Isa. 43:10) Meqë kjo sot është vepër shumë urgjente dhe e dobishme, nuk ka arsye që ta shikojmë si një pjesë të rastësishme në rutinën tonë. Siç lajmëroi Pavli: «Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.»—Hebr. 13:15.
15 Kur planifikojmë veprimtaritë tona për çdo javë duhet të lëmë kohë të veçantë edhe për shërbimin në fushë. Në mënyrë të ngjashme kongregacioni ka rregulluar çdo javë disa mbledhje për shërbim dhe kjo është thjesht një çështje, që ne mund të vendosim se në cilën prej tyre do të marrim pjesë. Kjo do të jetë mirë se do të arrijmë të marrim pjesë në çdo fazë të shërbimit, si në veprën shtëpi më shtëpi me revista dhe literaturë tjetër, në rivizita dhe në drejtimin e studimeve biblike. Mund të planifikojmë edhe përpara për të bërë dëshmi joformale, duke mbajtur literaturë dhe duke qenë të gatshëm në çdo rast të fillojmë biseda. Meqë zakonisht në shërbim shkojmë me të tjerë, duhet të pyesim për programin e tyre, në mënyrë që të mund të bëjmë rregullime për të nxjerrë dobi të përbashkëta.
16 Rutina jonë e predikimit, duhet të jetë e qëndrueshme me gjithë indiferencën në territor. Ne e dimë që përpara se vetëm një numër i vogël do të përgjigjet në mënyrë të favorshme. (Mat. 13:15; 24:9) Ezekieli ishte aftësuar për t’u predikuar njerëzve që ishin «rebelë, të paturp dhe urrejtës». Jehovai premtoi se do ta ndihmonte Ezekielin, duke ia bërë atij «ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe» që është «si një diamant, më i fortë se stralli». (Ezek. 2:3, 4; 3:7-9) Prandaj, një rutinë e rregullt për shërbim, kërkon durim.
17 Shembuj të mirë për t’u imituar: Shumë nga ne e kryejnë më mirë shërbimin në fushë kur është dikush që merr drejtimin. Pavli dhe shokët e tij dhanë një shembull të mirë dhe ai i nxiti të tjerët që ta imitonin atë. (Filip. 3:17) Rutina e tij përfshinte të gjitha elementet e nevojshme, për të qëndruar edhe vetë i fortë frymësisht.
18 Sot, ne jemi bekuar me shumë shembuj të shkëlqyer. Tek Hebrenjve 13:7 Pavli nxiti: «Kujtoni të parët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.» Sigurisht, Krishti është Shembulli ynë, por ne mund të imitojmë besimin e ushtruar nga ata që na shpallën fjalën. Ashtu si Pavli edhe pleqtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për nevojën që kanë për të qenë shembuj të mirë për të tjerët. Ndërsa rrethanat e tyre personale mund të ndryshojnë, secili duhet të jetë i aftë të tregojë që është duke qëndruar në një rutinë të rregullt, duke vendosur së pari interesat e Mbretërisë. Megjithë detyrimet e përditshme dhe familjare, pleqtë duhet të kenë përcaktuar mirë zakonin e studimit personal, të ndjekin mbledhjet dhe të marrin udhëheqjen në shërbimin në fushë. Kur pleqtë japin prova «që qeverisin mirë familjen e tyre», të gjithë në kongregacion do të jenë të inkurajuar të ecin në një rutinë të rregullt.—1. Tim. 3:4, 5.
19 Qëllimet për vitin e ri të shërbimit: Fillimi i vitit të ri të shërbimit, është një kohë e përshtatshme për të menduar mbi rutinën tonë personale. Çfarë na tregon rishqyrtimi i aktivitetit tonë për vitin e kaluar? A jemi në gjendje ta mbajmë apo ndoshta duhet përmirësuar niveli ynë i aktiviteteve? Mund të kemi qenë shumë më të plotë në studimin tonë personal. Mund të kemi ndjekur mbledhjet më rregullisht ose mund të kemi rritur aktivitetin tonë në shërbimin në fushë duke u regjistruar si pionierë ndihmës. Ndoshta jemi në gjendje të tregojmë vepra të veçanta të mirësisë së krishterë, që ne kemi kryer për të përkrahur të tjerët në kongregacion ose në familje. Nëse është kështu, mund të gëzohemi se kemi ecur në një rrugë që kënaqim Perëndinë dhe kemi arsye të mira për ta «bërë akoma më plotësisht».—1. Sel. 4:1, BR.
20 Çfarë ndodh nëse në rutinën tonë ka diçka të paqëndrueshme ose sporadike? Si mund të ndikojë tek ne frymësisht? A pengohet progresi ynë për ndonjë arsye? Përparimi fillon duke i kërkuar ndihmë Jehovait. (Filip. 4:6, 13) Diskuto nevojat e tua me familjen, kërko ndihmën e tyre në rregullimin e aspekteve të rutinës sate. Nëse ke probleme, pyet pleqtë për ndihmë. Nëse bëjmë një përpjekje të sinqertë dhe i drejtohemi Jehovait për këshillë, mund të jemi të sigurt që do të shmangim «të bëhemi përtacë ose të pafryt».—2. Pjetr. 1:5-8.
21 Ecja në një rutinë të rregullt, na udhëheq në bekimet të cilat i bëjnë përpjekjet tona të vlefshme. Ndërsa vendosni të ecni duke përparuar në një rutinë të rregullt, «mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë». (Rom. 12:11)—Për më shumë hollësira dhe informacion mbi këtë subjekt, shiko Kullën e Rojës të 1 majit 1985, faqe 13-17 (ang.).