Gëzim për ata që gjejnë të vërtetën
NË HATULLËN e shtëpisë së tij, një burrë nga Finlanda gjeti librin Plani hyjnor i kohërave (The Divine Plan of the Ages). Ai filloi ta lexonte menjëherë dhe pas pak tha me vete: «Kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta.» Duke zbritur nga hatulla, i tha së shoqes: «Kam gjetur fenë e vërtetë.»
Kjo është një përvojë e pazakontë për sa i përket mënyrës se si e gjeti ky burrë të vërtetën, por shumë nga Dëshmitarët e Jehovait mund të kujtojnë një reagim të ngjashëm. Të gjithë ata mund të të tregojnë për gëzimin që sjell gjetja e së vërtetës. Përvoja vijuese nënvizon këtë gjë.
Mësimet e vërteta të Biblës sjellin gëzim
Margarita Këniger u rrit në Mynih të Gjermanisë, gjatë Luftës II Botërore. Shtëpitë e bombarduara e të djegura ishin një pamje e zakonshme. Vëllai i saj vdiq në luftë. Ndërsa ndiqte shërbesat në kishën katolike, ajo dëgjoi lutje të bëra për ushtarët gjermanë dhe Fyhrerin, Hitlerin. Pas luftës, ajo mori të drejtën e studimit në një universitet në Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e një programi për shkëmbimin e studentëve. Ajo pa se njerëzit ishin miqësorë me të, kështu që pyeste veten se çfarë i shtynte njerëzit, dëshira natyrore e të cilëve është të jetojnë në paqe, të mos besonin e të urrenin njëri-tjetrin në kohë lufte. Kur u kthye në Mynih, ajo ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait dhe me anë të një studimi biblik me ta, gjeti përgjigjet e pyetjeve të saj. Ajo thotë: «Nga Bibla pashë se janë të përfshira forcat e liga frymore . . . Bibla i quan ato ‘sundimtarë të botës’ dhe në fakt thotë se Satanai ‘po mashtron gjithë tokën e banuar’. . . . Duke gjykuar veprimet e paperëndishme dhe djallëzore të kombeve e të njerëzve, sa e arsyeshme dhe e kënaqshme është kjo përgjigje!»—Efesianëve 6:12; Zbulesa [Apokalipsi] 12:9.
Margarita vazhdon: «Ndjeva një gëzim të madh kur mësova mbi masat e Perëndisë për të zgjidhur problemet e tokës. Jo, kjo nuk do të bëhej me anë të ndonjë ideologjie apo administrimi njerëzor, siç propozonin dijetarët e botës. Përkundrazi, Bibla tregon se një qeveri e re qiellore do të marrë përsipër punët e tokës. . . . Jezu Krishti i mësoi ithtarët e tij të luteshin: ‘Ardhtë mbretëria jote.’ . . . Fillova të kuptoja se kjo mbretëri është një qeveri e vërtetë dhe se vetëm nëpërmjet saj do të arrihej paqja e vërtetë në mbarë botën.» Pothuajse gjatë 30 vjetëve, Margarita ka shërbyer si një misionare në pesë vende afrikane: 19 vjetët e fundit i ka kaluar në shpalljen e së vërtetës midis banorëve të përulur të Ouagadougou, në Burkina Faso.
Përvoja e Margaritës nuk është e vetme. Shumë të tjerë kanë reaguar po kaq pozitivisht kur kanë zbuluar që kleri i të ashtuquajturit krishterim, në të dyja anët e betejave ka lutur Perëndinë për fitoren. Njerëzit me zemër të sinqertë kuptojnë arsyetueshmërinë e shpjegimit biblik se Perëndia s’ka të bëjë fare me luftërat e njerëzve, por se këto zhvillohen ngaqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». Këta kërkues të së vërtetës mësojnë se të krishterët e vërtetë duhet të mos jenë «pjesë e botës», por duhet të mbeten asnjanës në punët e saj. Duke kuptuar që Dëshmitarët e Jehovait kanë marrë një qëndrim të tillë, këta të interesuar të rinj binden se kanë gjetur të vërtetën. Ata rriten në shpresë e në gëzim, ndërsa rriten në njohurinë se përse Perëndia lejon ligësinë dhe se si ai së shpejti do të sjellë paqen dhe kushte të drejta mbi tokë, me anë të Mbretërisë së tij.—1. Gjonit 5:19; Gjoni 17:16; Mateu 6:9, 10.
Parimet e vërteta të Biblës sjellin gëzim
Daniel Rozero nga Ekuadori mendonte se jeta s’kishte kuptim, prandaj filloi të pinte. Kisha që frekuentonte i mësonte se e vetmja gjë që e priste ishte vdekja dhe ferri i zjarrtë. Ai përgjigjej: «Unë po shkoj të digjem, pra, më lini të pi!» Kishte një familje prej tetë vetash për të mbajtur dhe gjithmonë grindej me të shoqen, Delian. Kthesa ndodhi një të diel paradite, kur u shkuan për vizitë Dëshmitarët e Jehovait dhe filluan të studionin Biblën. Herën e parë që Danieli ndoqi një asamble qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait, e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën. Ai thotë: «Organizimi më mundi. Njerëzit rrinin së bashku, shumë njerëz, së bashku. Mund të ndjesh dashuri midis turmës. Askush nuk pinte duhan. Askush nuk thoshte fjalë të ndyra. . . . Mbaj mend se mendova: ‘Kjo është e vërteta!’ Nuk ishte frika nga vdekja apo frika e fundit të botës ajo që më shtyu. Ishte pastërtia e organizatës.»
Të gjithë pjesëtarët e familjes Rozero u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Jeta e tyre familjare dhe gjendja e tyre ekonomike u përmirësuan, ndërsa ata zbatonin parimet biblike. Delia Rozero thotë: «Gjithçka ia detyroj të vërtetës së Biblës. Kush e di se ku do të ishin fëmijët e mi pa Fjalën e Biblës? Të shtatë janë pagëzuar dhe të ekuilibruar. E vërteta nënkuptoi krejtësisht një jetë të re dhe lumturi të re për mua.»
Përvoja e familjes Rozero nuk është e vetmja. Në kohët tona shumë veta kanë probleme. Një arsye është se standardet morale që siguron Bibla në përgjithësi nuk respektohen më, siç bëhej në brezat e mëparshëm. Shumica e feve kanë ndjekur këtë kurs, për më tepër në emër të tolerancës ose sepse mendojnë që me ndryshimin e kohëve morali i vjetër ka dalë mode. Kështu, si edhe të tjerë, familja Rozero ishte në errësirë pa drejtimin e Biblës. Megjithatë, kur njerëz të tillë të përulur fillojnë të kuptojnë pikëpamjen e Perëndisë mbi moralin dhe jetën familjare, pa vonesë ata zbatojnë ato që mësojnë. Nga historitë e tyre mund të shohim rezultatet e mira që vijnë nëse bëjmë kështu.
Gëzimi duhet kultivuar
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se një i krishterë do të jetë në një gjendje të qëndrueshme euforie. Është e qartë se vështirësitë që përballojnë njerëzit në përgjithësi, të tilla si papunësia, sëmundjet dhe vdekjet, ndikojnë edhe mbi të krishterët. Edhe të krishterët duhet të luftojnë vazhdimisht kundër papërsosmërive dhe dobësive të tyre. Tregimi i Biblës thotë se Loti «helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve» në qytetin e Sodomës. Të kishterët besnikë nuk mund të shmangin ndjenja të tilla, kur shohin që kushtet e liga mbizotërojnë.—2. Pjetrit 2:7, 8.
Megjithatë, ata që kanë gjetur të vërtetën kanë një përparësi. Për shembull, një besimtar i pikëlluar nga vdekja e dikujt, nuk ka pse të ndihet i trishtuar «si të tjerët që nuk kanë shpresë». Hidhërimi i tij nuk do të jetë i pamasë. Kjo është e vërtetë edhe për probleme të tjera. Personi që ka gjetur të vërtetën e di që vështirësitë e tanishme janë vetëm të përkohshme. Shpresa e bën më të lehtë të durojmë nën vështirësi. Një ndihmë mund të jetë, gjithashtu, edhe një mënyrë e ekuilibruar e jetës.—1. Selanikasve 4:13.
Pavli u dha të krishterëve këtë nxitje: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!» (Filipianëve 4:4) Kjo tregon që edhe pse gëzimi mund të gjendet nga të gjithë ne, ka, gjithashtu, mundësi edhe të mos e kemi atë. Ankthet e këtij sistemi të vjetër gjërash mund të dalin si një pengesë. Përveç kësaj, Bibla na thotë se duhet ta kultivojmë gëzimin, njërin prej fryteve të frymës së Perëndisë. (Galatasve 5:22) Nëse vazhdimisht merr njohuri mbi të vërtetën dhe i kujton vetes pasuritë frymore që ajo të ka sjellë dhe që ende të sjellë, gëzimi yt nuk do të zvogëlohet. Ai do të bëhet edhe më i fortë, ndërsa i afrohemi kohës kur Perëndia «do të thajë çdo lot» nga sytë e njerëzve dhe kur s’do të ketë më as «brengë, as klithma, as mundim».—Zbulesa 21:4.
[Figurat në faqen 8]
Shumë vetave u ka bërë përshtypje gëzimi dhe organizimi në asambletë e Dëshmitarëve të Jehovait