BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/3 f. 21-23
  • Mos u mposht nga ankthi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mos u mposht nga ankthi
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ku ta vendosim kufirin?
  • Moisiu para faraonit
  • Mbaj nën kontroll mendimet e tua
  • Ke ndihmë në dispozicion
  • «Prit Perëndinë»
  • Hidheni gjithë ankthin tuaj mbi Jehovain!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Hidhe gjithë ankthin tënd mbi Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • Si mund t’i ndihmojë Bibla burrat që vuajnë nga ankthi
    Tema të tjera
  • Si ta përballoj ankthin?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/3 f. 21-23

Mos u mposht nga ankthi

«MOS jini kurrë në ankth për ditën tjetër, sepse dita tjetër do të ketë ankthet e veta. I mjafton çdo dite ligësia e vet.» (Mateu 6:34, BR) Kjo këshillë e dhënë nga Jezu Krishti është praktike për të gjithë ne që jetojmë në shoqërinë e sotme, e cila ka një ritëm të shpejtë e stresues.

Por, të mendojmë në mënyrë realiste, a ka mundësi të mos jemi në ankth për problemet, vendimet, detyrimet dhe përgjegjësitë tona? Miliona njerëz ndihen të dëshpëruar, të angështuar dhe të rënduar. Ja përse qetësuesit dhe sedativët përbëjnë një biznes prej shumë milionë dollarësh.

Ku ta vendosim kufirin?

Ne duhet të planifikojmë dhe të përgatitemi për të përballuar detyrimet, caktimet, vendimet dhe problemet tona, qofshin këto urgjente ose jo. Bibla na inkurajon të ‘ulemi të llogaritim shpenzimet’ para se t’i hyjmë ndonjë sipërmarrjeje të madhe. (Luka 14:28-30) Kjo përfshin të peshojmë zgjidhjet që kemi në dispozicion, të analizojmë pasojat e mundshme të rezultatit përfundimtar dhe të përcaktojmë koston nga pikëpamja e kohës, energjive dhe parave.

Edhe pse duhet të shqyrtojmë me kujdes atë që mund të ndodhë, nuk është e mundur ose ndërtuese të përpiqemi të mendojmë për çdo ngjarje të mundshme. Për shembull, duke pasur parasysh sigurinë e familjes, ti mund të shqyrtosh se çfarë do të bësh në rast se në shtëpi bie një zjarr. Ndoshta mund të blesh dhe të instalosh sinjalizues tymi dhe bombola zjarrfikëse. Mund të planifikosh dhe të provosh mënyra të ndryshme daljeje nga pjesë të ndryshme të shtëpisë. Por, ku mbaron planifikimi praktik e me kuptim dhe ku fillon ankthi i pajustifikuar? Ky ankth fillon kur ti nis të torturohesh me një numër të pafund situatash të supozuara, shumë prej të cilave mund të jenë produkt i imagjinatës krijuese. Mund të të pushtojnë mendime shqetësuese, të cilat të bindin se padyshim ke lënë pa shqyrtuar ndonjë gjë ose që nuk ke bërë aq sa duhet për të mbrojtur familjen. Kjo angështi që ti e ke shkaktuar vetë mund të të rëndojë kaq shumë në mendje, saqë mund të humbësh edhe gjumin.

Moisiu para faraonit

Perëndia Jehova i dha profetit të tij, Moisiut, një caktim të vështirë. Së pari, Moisiu duhej të dilte para izraelitëve dhe t’i bindte se Jehovai e kishte caktuar për t’i udhëhequr jashtë Egjiptit. Më pas, ai duhej të dilte para faraonit dhe t’i kërkonte që t’i linte izraelitët të iknin. Në fund, Moisiu duhej të udhëhiqte një turmë me miliona njerëz përmes shkretëtirës, për t’i çuar në një vend të banuar nga njerëz armiqësorë. (Eksodi 3:1-10) E gjithë kjo mund të kishte qenë shumë frikësuese, por, a lejoi Moisiu që kjo përgjegjësi ta mbushte mendjen e tij me ankth të panevojshëm?

Qartë, Moisiu ishte i shqetësuar për disa çështje. Ai e pyeti Jehovain: «Ta zëmë se tani kam ardhur te bijtë e Izraelit dhe u them atyre: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju.’ Dhe ata më thonë: ‘Cili është emri i tij?’ Çfarë t’u them?» Jehovai ia dha përgjigjen. (Dalja [Eksodi] 3:13, 14, BR) Moisiu ishte, gjithashtu, i shqetësuar se çfarë mund të ndodhte sikur faraoni të refuzonte ta besonte. Edhe një herë, Jehovai iu përgjigj profetit. Një problem i fundit, të cilin Moisiu e pranoi, ishte se ai nuk qe «njeri i gojës». Si mund të rregullohej kjo gjë? Jehovai caktoi Aaronin që të fliste për Moisiun.—Eksodi 4:1-5, 10-16.

I përgatitur me përgjigje për pyetjet e tij dhe duke pasur besim në Perëndinë, Moisiu bëri pikërisht ashtu siç e kishte urdhëruar Jehovai. Në vend se ta torturonte veten me mendime frikësuese se çfarë mund të ndodhte kur të dilte përballë faraonit, Moisiu ‘bëri pikërisht ashtu’. (Eksodi 7:6) Po t’i kishte lejuar ankthet ta mposhtnin, ato fare mirë mund t’ia kishin dobësuar besimin dhe guximin që nevojitej për të kryer këtë caktim.

Mënyra e ekuilibruar me të cilën Moisiu përballoi caktimin e vet, është një shembull i asaj që apostulli Pavël e quajti «mendje të shëndoshë». (2. Timoteut 1:7; Titit 2:2-6, BR) Nëse Moisiu nuk do të kishte përdorur mendje të shëndoshë, ai mund të ishte mposhtur kaq lehtë nga përmasat e mëdha të caktimit të tij, saqë ka shumë mundësi të mos e kishte pranuar atë.

Mbaj nën kontroll mendimet e tua

Si reagon kur në jetën e përditshme gjendesh përballë sprovave të besimit ose përballë vështirësive të jetës? A ke prirjen të pushtohesh nga paniku, vetëm duke menduar për pengesat dhe sfidat që duken në horizont? Apo i konsideron ato në mënyrë të ekuilibruar? Siç do të thoshin disa: ‘Mos e kapërce urën pa mbërritur tek ajo.’ Në fund të fundit, mund të mos na duhet fare ta kapërcejmë atë urë imagjinare! Prandaj, pse të torturohemi nga diçka që mund të mos ndodhë asnjëherë? Bibla thotë: «Ankthi në zemrën e njeriut është ai që do ta bëjë të përkulet.» (Proverbat [Fjalët e urta] 12:25, BR) Shpesh, rezultati është që një person e zvarrit marrjen e një vendimi, duke i shtyrë gjërat derisa të jetë tepër vonë.

Shumë më serioz është dëmi frymor që mund të shkaktojë ankthi i panevojshëm. Jezu Krishti tregoi se vlerësimi për «fjalën e mbretërisë» mund të mbytet plotësisht nga fuqia mashtruese e pasurisë dhe nga «ankthi i këtij sistemi gjërash». (Mateu 13:19, 22, BR) Ashtu si gjembat mund t’i pengojnë fidanët që të arrijnë zhvillimin e plotë dhe të japin fryte, po ashtu ankthi i pakontrolluar mund të na pengojë të bëjmë përparim frymor dhe të japim fryt në lavdi të Perëndisë. Angështia shkatërrimtare e shkaktuar nga vetë personi, i ka penguar disa edhe për t’iu dedikuar Jehovait. Shqetësimi i tyre është: ‘Po sikur të mos jetoj dot në lartësinë e dedikimit tim?’

Apostulli Pavël na tha se në luftën tonë frymore, ne përpiqemi ta çojmë «në robëri çdo mendim, për ta bërë të bindur ndaj Krishtit». (2. Korintasve 10:5, BR) Armiku ynë kryesor, Satana Djalli, do të ishte shumë i kënaqur të përfitonte nga shqetësimet tona, me qëllim që të na shkurajojë dhe të na dobësojë fizikisht, emocionalisht dhe frymësisht. Ai është mjeshtër në përdorimin e dyshimeve për të zënë në kurth të shkujdesurit. Ja përse Pavli i paralajmëroi, gjithashtu, të krishterët që të mos ‘i jepnin vend Djallit’. (Efesianëve 4:27) Duke qenë «perëndia i këtij sistemi gjërash», Satanai ia ka arritur me sukses të ‘verbojë mendjet e jobesimtarëve’. (2. Korintasve 4:4, BR) Të mos e lejojmë kurrë që ai të kontrollojë mendjen tonë!

Ke ndihmë në dispozicion

Kur ka ndonjë problem, një fëmijë mund të shkojë te babai i vet i dashur dhe të marrë drejtim e ngushëllim prej tij. Në mënyrë të ngjashme, ne mund t’i drejtohemi Atit tonë qiellor, Jehovait, për problemet tona. Në fakt, Jehovai na fton t’i hedhim barrët dhe ankthet tona mbi të. (Psalmi 55:22) Si një fëmijë që, pasi merr siguri nga i ati, nuk shqetësohet më për problemet, ne jo vetëm që duhet t’i hedhim barrët tona mbi Jehovain, por edhe t’ia lëmë ato atij.—Jakovit 1:6.

Si mund t’i hedhim ankthet tona mbi Jehovain? Filipianëve 4:6, 7, na jep përgjigjen: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërim, bashkë me falënderime dhe paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo mendimi do të ruajë zemrat dhe aftësitë tuaja mendore nëpërmjet Krishtit Jezu.» (BR) Po, në përgjigje të lutjeve dhe përgjërimeve tona këmbëngulëse, Jehovai mund të na japë një qetësi të brendshme që e mbron mendjen tonë për të mos u mbërthyer nga ankthet e panevojshme.—Jeremia 17:7, 8; Mateu 6:25-34.

Por për të vepruar në harmoni me lutjet tona, ne duhet të mos izolohemi, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. (Fjalët e urta 18:1) Në vend të kësaj, do të bënim mirë të shqyrtonim parimet dhe direktivat biblike që kanë të bëjnë me problemin tonë, duke shmangur në këtë mënyrë mbështetjen mbi kuptueshmërinë tonë. (Fjalët e urta 3:5, 6) Si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit mund t’i drejtohen Biblës dhe botimeve Watch Tower, për të marrë një bollëk informacionesh lidhur me marrjen e vendimeve dhe trajtimin e problemeve. Përveç kësaj, në kongregacionin e krishterë jemi bekuar me pleq të mençur e me përvojë dhe me të krishterë të tjerë të pjekur, të cilët janë gjithnjë gati për të folur me ne. (Fjalët e urta 11:14; 15:22) Duke mos qenë të përfshirë emocionalisht në atë problem dhe duke pasur mendjen e Perëndisë lidhur me një çështje, ata shpesh mund të na ndihmojnë t’i shohim problemet tona nga një këndvështrim i ndryshëm. Edhe pse nuk marrin vendime në vendin tonë, ata mund të jenë një burim i madh inkurajimi dhe mbështetjeje.

«Prit Perëndinë»

Askush nuk mund ta mohojë se ka mjaft stres në trajtimin e problemeve reale të jetës së përditshme, pa i shtuar shqetësimin për ato imagjinare. Nëse ankthi për atë që mund të ndodhë na bën të ndiejmë frikë dhe parehati, atëherë, le t’i drejtohemi Jehovait me lutje dhe përgjërim. Kërko në Fjalën dhe në organizatën e tij për drejtim, mençuri dhe mendje të shëndoshë. Do të shohim se çfarëdo rrethane të lindë, ka ndihmë në dispozicion për t’ia dalë mbanë.

Duke u ndier i rënduar në zemër dhe i shqetësuar, psalmisti këndoi: «Pse je në dëshpërim, o shpirti im dhe pse je i trazuar brenda meje? Prit Perëndinë, sepse unë do ta lëvdoj ende atë si shpëtimi i madh i personit tim dhe si Perëndia im.» (Psalmi 42:11, BR) Qofshin të tilla edhe ndjenjat tona!

Atëherë, bëj plane në lidhje me atë që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme dhe lërja të papriturat Jehovait! «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.»—1. Pjetrit 5:7, BR.

[Figura në faqen 23]

A i hedh edhe ti, ngjashëm Davidit, barrët dhe ankthet e tua mbi Jehovain?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo