Një dilemë teologjike
«IDEJA e pavdekësisë së shpirtit dhe besimi në ringjalljen e të vdekurve . . . janë dy koncepte në plane krejtësisht të ndryshme, ndërmjet të cilave duhet bërë një zgjedhje.» Këto fjalë të thëna nga Filip Menud, përmbledhin dilemën që përballojnë teologët protestantë e katolikë lidhur me gjendjen e të vdekurve. Bibla flet për shpresën e ringjalljes «në ditën e fundit». (Gjoni 6:39, 40, 44, 54) Por shpresa e shumë besimtarëve, thotë teologu Gisbert Gresheik, «qëndron në pavdekësinë e shpirtit, i cili ndahet nga trupi në vdekje dhe kthehet te Perëndia, ndërsa shpresa e ringjalljes, nëse jo plotësisht një pjesë e mirë e saj është zhdukur».
Por në këtë rast lind një problem i mprehtë, shpjegon Bernard Sesbue: «Cila është gjendja e të vdekurve gjatë ‘intervalit’ ndërmjet vdekjes së tyre trupore dhe ringjalljes përfundimtare?» Kjo pyetje duket se ka qenë në qendër të debatit të teologëve në këto pak vitet e fundit. Ç’gjë çoi drejt tij? Dhe ç’është më e rëndësishmja, cila është shpresa e vërtetë për të vdekurit?
Origjina dhe zhvillimi i një dileme
Të krishterët e parë kishin ide të qarta mbi këtë çështje. Ata e dinin nga Shkrimet se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, sepse Shkrimet Hebreje thonë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu 9:5, 10) Ata të krishterë shpresonin në një ringjallje që do të ndodhte gjatë «pranisë së Zotërisë» në të ardhmen. (1. Selanikasve 4:13-17) Në pritje të asaj ngjarjeje, nuk shpresonin të vazhdonin një ekzistencë të vetëdijshme gjetkë. Jozef Ratsinger, i cili është tashmë Prefekt i Kongregacionit të Vatikanit për doktrinën e besimit, thotë: «Në kishën e lashtë nuk ekzistonte asnjë pohim doktrinal për pavdekësinë e shpirtit.»
Megjithatë, një fjalor shpjegon se duke lexuar shkrimet e etërve të Kishës, të tillë si Augustin ose Ambros, «vihet re diçka e re në lidhje me traditat biblike: shfaqja e një eskatologjie greke, krejtësisht e ndryshme nga ajo judeo-e krishtere». (Nuovo dizionario di teologia) Ky mësim i ri bazohej në «pavdekësinë e shpirtit, në gjykimin individual me shpërblim apo ndëshkim menjëherë pas vdekjes». Prandaj, lindi një pyetje lidhur me «gjendjen e ndërmjetme»: Nëse shpirti mbijeton vdekjen e trupit, çfarë i ndodh atij, gjatë kohës që pret ringjalljen në «ditën e fundit»? Kjo është një dilemë që teologët janë përpjekur shumë për ta zgjidhur.
Në shekullin e gjashtë të e.s. , papa Gregori I argumentoi se pas vdekjes shpirtërat shkojnë menjëherë në vendin që u është paracaktuar. Papa Gjoni XXII i shekullit të 14-të ishte i bindur se të vdekurit e merrnin shpërblimin e tyre përfundimtar në Ditën e Gjyqit. Kurse, papa Benedikti XII i hodhi poshtë pararendësit e tij. Me vulën e papëve Benedictus Deus (1336), ai dekretoi se «menjëherë pas vdekjes, shpirtërat e të vdekurve hyjnë në një gjendje lumturie [qiell], shlyerjeje [purgator] ose mallkimi [ferr], vetëm për t’u bashkuar me trupat e tyre të ringjallur në fund të botës».
Pavarësisht nga kundërshtimet dhe debatet, për shekuj me radhë ky ka qenë opinioni i kishave të të ashtuquajturit krishterim, megjithëse Kisha protestante e ortodokse në përgjithësi nuk besojnë në purgatorin. Por nga fundi i shekullit të kaluar, një numër dijetarësh gjithnjë në rritje e ka drejtuar vëmendjen e njerëzve drejt origjinës jo biblike të doktrinës së pavdekësisë së shpirtit e si pasojë «teologjia moderne tani përpiqet shpesh ta shikojë njeriun si një bashkim që shpërbëhet plotësisht në vdekje». (The Encyclopedia of Religion) Prandaj, për komentuesit e Biblës është e vështirë të justifikojnë ekzistencën e një «gjendjeje të ndërmjetme». A flet Bibla për këtë ose a ofron një shpresë të ndryshme?
A besonte Pavli në një «gjendje të ndërmjetme»
Katekizmi i Kishës Katolike thotë: «Për t’u ringjallur me Krishtin, duhet të vdesim me Krishtin: duhet të ‘ikim nga trupi dhe të banojmë me Zotërinë’. [2. Korintasve 5:8] Në atë ‘nisje’ që është vdekja, shpirti ndahet nga trupi. [Filipianëve 1:23] Ai do të bashkohet përsëri me trupin në ditën e ringjalljes së të vdekurve.» Në tekstin e cituar këtu, mos ndoshta apostulli Pavël thotë se shpirti mbijeton vdekjen e trupit e pastaj pret «Gjyqin e fundit» për t’u bashkuar përsëri me trupin?
Në 2. Korintasve 5:1, Pavli i referohet vdekjes së tij dhe flet për një ‘vendbanim tokësor’ që «prishet». Mos ndoshta mendonte për trupin e lënë nga shpirti i pavdekshëm? Jo. Pavli besonte se njeriu është një shpirt dhe jo se ka një shpirt. (Zanafilla 2:7; 1. Korintasve 15:45) Pavli ishte një i krishterë i mirosur me frymë, shpresa e të cilit ashtu si edhe e vëllezërve të tij të shekullit të I të e.s. ishte ‘ruajtur për ta në qiej’. (Kolosianëve 1:5; Romakëve 8:14-18) Prandaj, ‘ai dëshëronte fort’ të ringjallej në qiell si një krijesë frymore e pavdekshme në kohën e caktuar nga Perëndia. (2. Korintasve 5:2-4) Duke folur për shpresën e tij, ai shkroi: «Të gjithë do të shndërrohemi . . . në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi.»—1. Korintasve 15:51, 52.
Në 2. Korintasve 5:8, Pavli thotë: «Jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin e të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.» Disa besojnë se këto fjalë i referohen një gjendjeje të ndërmjetme pritjeje. Këta i referohen, gjithashtu, premtimit të Jezuit dhënë ithtarëve të tij besnikë se ai po shkonte të përgatiste një vend në të cilin ‘do t’i merrte me vete’. Por, kur do të realizoheshin këto perspektiva? Krishti tha se do të ndodhte kur ai ‘të kthehej’ në praninë e tij të ardhshme. (Gjoni 14:1-3) Ngjashëm, në 2. Korintasve 5:1-10, Pavli tha se shpresa e përbashkët e të krishterëve të mirosur ishte trashëgimi i një vendbanimi qiellor. Kjo gjë do të realizohej jo përmes pavdekësisë së supozuar të shpirtit, por përmes ringjalljes gjatë pranisë së Krishtit. (1. Korintasve 15:23, 42-44) Interpretuesi kritik, Sharl Mason, përfundon se 2. Korintasve 5:1-10 «mund të shpjegohet fare mirë pa ndërfutur hipotezën e një ‘gjendjeje të ndërmjetme’».
Në Filipianëve 1:21, 23, Pavli thotë: «Për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki [lirohem, BR] nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë.» A i referohej Pavli këtu një «gjendjeje të ndërmjetme»? Disa mendojnë se po. Megjithatë, Pavli thotë se ishte nën shtrëngim nga dy mundësi: jeta ose vdekja. «Kam dëshirë,—shton ai, duke përmendur një mundësi të tretë,—të iki [lirohem, BR] nga kjo çadër e të jem bashkë me Krishtin.» ‘Lirim’ për të qenë me Krishtin menjëherë pas vdekjes? Siç shihet tashmë, Pavli besonte se të krishterët e mirosur besnikë do të ringjalleshin gjatë pranisë së Krishtit. Prandaj, ai duhet të ketë pasur ndër mend ngjarjet e asaj periudhe.
Kjo gjë mund të shihet nga fjalët e tij në Filipianëve 3:20, 21 dhe 1. Selanikasve 4:16. Ky ‘lirim’ gjatë pranisë së Krishtit Jezu do t’i jepte mundësi Pavlit të merrte shpërblimin që Perëndia kishte përgatitur për të. Fakti që kjo ishte shpresa e tij, shihet në fjalët e tij drejtuar të riut Timote: «Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.»—2. Timoteut 4:8.
Ringjallja: Një e vërtetë e mrekullueshme biblike
Të krishterët e parë e konsideronin ringjalljen si një ngjarje që do të fillonte gjatë pranisë së Krishtit dhe u forcuan e u ngushëlluan nga kjo e vërtetë e mrekullueshme biblike. (Mateu 24:3; Gjoni 5:28, 29; 11:24, 25; 1. Korintasve 15:19, 20; 1. Selanikasve 4:13) Ata pritën me besnikëri atë gëzim të ardhshëm, duke hedhur poshtë mësimet apostate mbi një shpirt të pavdekshëm.—Veprat 20:28-30; 2. Timoteut 4:3, 4; 2. Pjetrit 2:1-3.
Pa dyshim, ringjallja nuk është kufizuar vetëm për të krishterët me shpresë qiellore. (1. Pjetrit 1:3-5) Patriarkët dhe shërbëtorët e tjerë të Perëndisë në lashtësi ushtruan besim në aftësinë e Jehovait për t’i sjellë të vdekurit në jetë këtu në tokë. (Jobi 14:14, 15; Danieli 12:2; Luka 20:37, 38; Hebrenjve 11:19, 35) Edhe miliarda të tjerë që gjatë shekujve nuk e kanë njohur kurrë Perëndinë, kanë mundësi të kthehen në jetë në një parajsë tokësore, pasi «do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve». (Veprat 24:15; Luka 23:42, 43) A nuk është kjo një perspektivë emocionuese?
Në vend se të na bëjë të mendojmë se vuajtjet dhe vdekja do të ekzistojnë përgjithmonë, Jehovai e ka drejtuar vëmendjen tonë drejt kohës kur «armiku i fundit, vdekja», do të zhduket përgjithmonë dhe njerëzit besnikë do të jetojnë përjetë në një tokë të kthyer në parajsë. (1. Korintasve 15:26, BR; Gjoni 3:16; 2. Pjetrit 3:13) Ç’gjë e mrekullueshme do të jetë, kur të shohim njerëzit tanë të dashur të kthehen në jetë! Patjetër që kjo shpresë është shumë më e mirë, sesa hipoteza e pavdekësisë së shpirtit njerëzor, një doktrinë që bazohet jo në fjalën e Perëndisë, por në filozofinë greke! Nëse e bazon shpresën tënde në premtimin e sigurt të Perëndisë, edhe ti mund të jesh i sigurt se së shpejti «vdekja nuk do të jetë më»!—Zbulesa 21:3-5.
[Figura në faqen 31]
Ringjallja është një e vërtetë e mrekullueshme biblike