-
Gjej siguri mes popullit të PerëndisëNjohuria që të çon në jetën e përhershme
-
-
«VISHNI DASHURINË»
9. Çfarë shembulli ka lënë Jehovai në shfaqjen e dashurisë?
9 Pavli, gjithashtu, shkroi: «Vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.» (Kolosianëve 3:14) Me mirësi Jehovai na ka siguruar këtë veshje. Në ç’mënyrë? Të krishterët mund ta pasqyrojnë dashurinë, sepse ajo është një nga frytet e frymës së shenjtë që jep Jehovai. (Galatasve 5:22, 23) Vetë Jehovai ka treguar dashurinë më të madhe, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur, që ne të mund të kemi jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Kjo shfaqje kaq e lartë e dashurisë, është një model për ne në tregimin e kësaj cilësie. «Në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë,—shkroi apostulli Gjon,—edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.»—1. Gjonit 4:11.
10. Si mund të përfitojmë nga «e gjithë shoqëria e vëllezërve»?
10 Pjesëmarrja në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, do të të japë një mundësi të shkëlqyeshme për të treguar dashuri. Atje mund të takohesh me shumë lloj personash. Pa dyshim, shumë prej tyre do të të tërheqin menjëherë. Natyrisht, personalitetet ndryshojnë edhe midis atyre që i shërbejnë Jehovait. Ndoshta në të kaluarën, thjesht u shmangeshe atyre që nuk kishin të njëjtat interesa apo veçori si të tuat. Por të krishterët duhet «të kenë dashuri për të gjithë shoqërinë e vëllezërve». (1. Pjetrit 2:17, BR) Prandaj, vër si synim që të njihesh me ta në Sallën e Mbretërisë, madje edhe me ata individë që mund të kenë moshë, personalitet, racë apo nivel arsimimi të ndryshëm nga i yti. Ka të ngjarë, që të zbulosh se secili prej tyre shquhet për disa cilësi që të bëjnë për vete.
11. Përse nuk duhet të shqetësohemi nga shumëllojshmëria e personaliteteve në popullin e Jehovait?
11 Shumëllojshmëria e personaliteteve në kongregacion, nuk duhet të të shqetësojë. Për ta ilustruar këtë, përfytyro sikur automjete të shumta udhëtojnë përbri teje në një rrugë. Jo të gjitha lëvizin me të njëjtën shpejtësi dhe janë në kushte të ndryshme mekanike. Disa kanë përshkuar shumë kilometra, por ashtu si edhe ti, të tjerët sapo e kanë filluar udhëtimin. Megjithatë, pavarësisht nga këto ndryshime, të gjithë po udhëtojnë në të njëjtën rrugë. Kjo mund të krahasohet me individët që përbëjnë një kongregacion. Jo të gjithë i zhvillojnë cilësitë e krishtere me të njëjtën shpejtësi. Për më tepër, jo të gjithë kanë të njëjtat kushte fizike apo emocionale. Disa kanë qenë adhurues të Jehovait për shumë vjet; të tjerët sapo kanë filluar. Por, të gjithë po udhëtojnë në rrugën e jetës së përhershme, «duke pasur një mendje dhe një vullnet». (1. Korintasve 1:10) Prandaj, përqendrohu në cilësitë e mira të pjesëtarëve të kongregacionit dhe jo në dobësitë e tyre. Duke bërë kështu do të të ngrohet zemra, sepse do të kuptosh se Perëndia është me të vërtetë midis këtyre njerëzve. Dhe sigurisht, këtë gjë dëshiron edhe ti.—1. Korintasve 14:25.
12, 13. (a) Nëse të ofendon dikush në kongregacion, çfarë mund të bësh? (b) Përse është e rëndësishme të mos mbash inat?
12 Pasi të gjithë njerëzit janë të papërsosur, nganjëherë dikush në kongregacion mund të thotë apo të bëjë diçka që të fyen. (Romakëve 3:23) Dishepulli Jakov, në mënyrë të qartë shkroi: «Të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur.» (Jakovit 3:2) Si do të reagosh nëse dikush të ofendon? Një proverb i Biblës thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» (Proverbat 19:11) Të kesh mendjemprehtësi do të thotë të shohësh thellë në brendësi të një situate, të kuptosh faktorët e brendshëm që e bëjnë personin të flasë apo të veprojë në një mënyrë të caktuar. Shumë nga ne përdorin mjaft mendjemprehtësi për të shfajësuar gabimet që bëjnë. Përse të mos e përdorim atë, edhe për të kuptuar dhe mbuluar papërsosmërinë e të tjerëve?—Mateu 7:1-5; Kolosianëve 3:13.
13 Kurrë mos harro se duhet t’i falim të tjerët, nëse duam që Jehovai të na falë edhe neve. (Mateu 6:9, 12, 14, 15) Nëse praktikojmë të vërtetën, do t’i trajtojmë të tjerët në një mënyrë të dashur. (1. Gjonit 1:6, 7; 3:14-16; 4:20, 21) Prandaj, nëse ndesh një problem me dikë në kongregacion, lufto kundër mbajtjes së inatit. Nëse je veshur me dashuri, do të përpiqesh që ta zgjidhësh problemin dhe nuk do të ngurosh për të kërkuar të falur nëse ke shkaktuar një fyerje.—Mateu 5:23, 24; 18:15-17.
14. Me çfarë cilësish duhet të vishemi?
14 Veshja jonë frymore duhet të përfshijë edhe cilësi të tjera që lidhen ngushtë me dashurinë. Pavli shkroi: «Vishuni, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin.» Këto veçori, të përfshira në dashurinë, janë pjesë e «personalitetit të ri». (Kolosianëve 3:10, 12, BR) A do të bëje përpjekje për t’u veshur me këto cilësi? Veçanërisht, nëse vishesh me dashurinë vëllazërore, do të dallohesh se je dishepull i Jezuit, sepse ai tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
-
-
Gjej siguri mes popullit të PerëndisëNjohuria që të çon në jetën e përhershme
-
-
[Figura që zë gjithë faqen 165]
-