Jehovai mund t’ju bëjë të fuqishëm
«Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit.»—ISAIA 40:29.
1, 2. Cilat janë disa dëshmi të fuqisë së pafundme të Jehovait?
JEHOVAI është një Perëndi ‘me fuqi të pamasë’. «Fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij» shihen në madhështinë e krijimit të tij fizik. Ata që nuk e pranojnë këtë dëshmi të ekzistencës së tij si Krijues janë të pafalshëm.—Psalmi 147:5; Romakëve 1:19, 20.
2 Fuqia e Jehovait bëhet gjithnjë e më e dukshme ndërsa shkencëtarët shqyrtojnë thellësisht universin me galaktikat e panumërta që shtrihen në një gjatësi prej qindra milionë vitesh dritë. Vështro qiellin në një natë të errët e të kthjellët dhe vërtet do të ndihesh ashtu si psalmisti, i cili tha: «Kur shikoj qiejtë e tu, vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke krijuar, çfarë është njeriu i vdekshëm të cilin e mban në mend dhe biri i njeriut tokësor për të cilin kujdesesh?» (Psalmi 8:3, 4, BR) Vërtet, Jehovai është kujdesur shumë për njerëzit, për ne! Ai i siguroi burrit dhe gruas së parë një shtëpi të bukur tokësore. Edhe dheu i tokës kishte fuqi të rriste bimësi, të prodhonte ushqim madje të pandotur. Njeriu dhe kafshët morën fuqi fizike nga kjo shfaqje e fuqisë së Perëndisë.—Zanafilla 1:12; 4:12; 1. Samueli 28:22.
3. Ç’gjë tjetër paraqet fuqinë e Perëndisë, përveç gjërave fizike?
3 Qiejt jo vetëm që janë magjepës dhe flora e fauna janë të mrekullueshme, por gjithashtu na tregojnë edhe fuqinë e Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.» (Romakëve 1:20) Por ka edhe një tjetër dëshmi të fuqisë së tij që meriton vëmendjen dhe vlerësimin tonë. «Ç’gjë tjetër mund ta shfaqë më mirë sesa universi fuqinë e Perëndisë»,—mund të pyesësh veten. Përgjigjja është Jezu Krishti. Në fakt, apostulli Pavël i frymëzuar tha se Krishti i shpuar është «fuqia e Perëndisë dhe mençuria e Perëndisë». (1. Korintasve 1:24, BR) «Përse?—mund të pyesësh,—dhe ç’lidhje ka me jetën time tani?»
Fuqia e shfaqur përmes Birit të tij
4. Si u tregua fuqia e Perëndisë në lidhje me Birin e tij?
4 Për herë të parë fuqia e Perëndisë u tregua kur krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij Birin e tij të vetëmlindur. Ky Bir frymor i shërbeu Jehovait si «kryepunëtor», duke përdorur fuqinë e pakufishme të Perëndisë për të krijuar gjithçka tjetër. (Proverbat 8:22, 30, BR) Pavli u shkroi vëllezërve të tij në Kolose: «Me anë të tij u krijuan të gjitha gjërat e tjera në qiell dhe mbi tokë, gjërat e dukshme dhe gjërat e padukshme . . . Gjithçka tjetër u krijua përmes tij dhe për të.»—Kolosianëve 1:15, 16, BR.
5-7. (a) Si ishin përfshirë njerëzit në shfaqjen e fuqisë së Perëndisë në të kaluarën? (b) Ç’arsye kemi për të besuar se fuqia e Perëndisë mund të tregohet edhe në rastin e të krishterëve të sotëm?
5 Ne bëjmë pjesë në ‘gjërat e krijuara mbi tokë’. A mund të shtrihet atëherë deri tek ne njerëzit fuqia e Perëndisë? Në të vërtetë, gjatë gjithë marrëveshjeve të Perëndisë me njerëzit e papërsosur, Jehovai herë pas here u ka zbuluar shërbëtorëve të tij fuqinë e tij të jashtëzakonshme, që të plotësonin qëllimet e tij. Moisiu e dinte se në përgjithësi, njerëzit e papërsosur jetonin 70 deri 80 vjet. (Psalmi 90:10) Po Moisiu? Ai jetoi 120 vjet e megjithatë «shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur». (Ligji i përtërirë 34:7) Megjithëse kjo nuk do të thotë që Perëndia i bën të mundur çdo shërbëtori të tij të jetojë aq gjatë sa Moisiu dhe të mos i venitet fuqia, tregon se Jehovai mund t’u japë fuqi njerëzve.
6 Përveç kësaj, aftësia e Perëndisë për të fuqizuar burra e gra u tregua edhe në rastin e gruas së Abrahamit. «Sara ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.» Ose vëre se si Jehovai u dha fuqi gjykatësve dhe njerëzve të tjerë të Izraelit: «Të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët, të cilët . . . nga të dobët u bënë të fuqishëm.»—Hebrenjve 11:11, 32-34.
7 Kjo fuqi mund të veprojë edhe në rastin tonë. Vërtet, nuk mund të presim që ndonjë mrekulli të na bëjë me pasardhës apo të jemi aq të fuqishëm sa Samsoni. Megjithatë, mund të jemi të fuqishëm, siç u tha Pavli njerëzve të thjeshtë në Kolose. Po, Pavli u shkroi burrave grave dhe fëmijëve, siç janë edhe sot në kongregacion, duke u thënë se ishin «fuqizuar me çdo fuqi».—Kolosianëve 1:11.
8, 9. Si u bë e dukshme fuqia e Perëndisë në shekullin parë lidhur me njerëzit si ne?
8 Gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, Jehovai bëri të qartë se fuqia e tij vepronte përmes Birit të tij. Për shembull, në një rast kur grumbuj njerëzish ishin përreth Jezuit në Kafarnaum, «fuqia e zotit ishte me të, që të kryente shërime».—Luka 5:17.
9 Pas ringjalljes, Jezui i siguroi ithtarët e tij se do të ‘merrnin fuqi kur Fryma Shenjtë të vinte mbi ta’. (Veprat 1:8) Dhe vërtet ashtu ndodhi! Një historian i paraqet ngjarjet që ndodhën pak ditë pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. në këtë mënyrë: «Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus.» (Veprat 4:33) Vetë Pavli ishte një ndër ata që u fuqizuan për veprën që Perëndia u kishte ngarkuar. Pasi u bë i krishterë dhe iu kthye shikimi, ai «bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti».—Veprat 9:22.
10. Në ç’mënyrë ishte e dobishme fuqia e Perëndisë në rastin e Pavlit?
10 Pa dyshim që Pavli kishte nevojë për këtë fuqi të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh qëndrueshmërinë e nevojshme frymore dhe mendore që i duhej për të çuar në fund tri udhëtime misionare duke përshkuar mijëra kilometra. Kapërceu lloj-lloj vështirësish. U burgos dhe u gjend ballë për ballë me torturat e vdekjes. «Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht.»—2. Timoteut 4:6-8, 17; 2. Korintasve 11:23-27.
11. Cilës shpresë iu referua Pavli për shërbëtorët e tij në Kolose lidhur me fuqinë e Perëndisë?
11 Prandaj, nuk na habit fakti që Pavli kur u shkruante «vëllezërve besimtarë në Krishtin» nga Koloseja, i siguronte ata se mund «të forcoheshin me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij [Jehovait] për çdo ngulm e durim me gëzim». (Kolosianëve 1:2, 11) Megjithëse këto fjalë iu drejtuan së pari të krishterëve të mirosur, të gjithë ata që ndjekin gjurmët e Krishtit mund të përfitojnë në një masë të madhe nga ajo që shkroi Pavli.
Të fuqizuar në Kolose
12, 13. Në ç’rrethana u shkrua letra e Kolosianëve dhe ç’përgjigje mori ndoshta ajo?
12 Kongregacioni i Kolosesë, gjendej në provincën romake të Azisë. Ndoshta ai ishte formuar si rezultat i predikimit të Epafrasit, një i krishterë besnik. Me sa duket, kur mori vesh se Pavli ishte burgosur në Romë, rreth vitit 58 të e.s., ai vendosi ta vizitonte apostullin dhe ta inkurajonte me një raport të shkëlqyer të dashurisë dhe besnikërisë së vëllezërve të tij në Kolose. Ndoshta Epafrasi e vuri në dijeni edhe për disa probleme të kongregacionit në Kolose që duheshin vënë në vend. Prandaj, Pavli nga ana e tij u nxit t’i shkruante kongregacionit një letër me inkurajim dhe porosi. Edhe ti mund të marrësh mjaft inkurajim nga kapitulli I i kësaj letre, sepse hedh dritë mbi faktin se si Jehovai mund t’i fuqizojë shërbëtorët e tij.
13 S’mund ta mendosh se si u ndien vëllezërit dhe motrat nga Koloseja kur Pavli i përshkroi si «vëllezër besnikë në bashkësi me Krishtin». Vërtet, e meritonin të lavdëroheshin për ‘dashurinë e tyre ndaj të gjithë shenjtorëve’ dhe për ‘frytet që i kishin sjellë lajmit të mirë’ që nga koha kur ishin bërë të krishterë! A mund të thuhen të njëjtat fjalë për kongregacionin tonë dhe për ne personalisht?—Kolosianëve 1:2-8.
14. Ç’dëshironte Pavli për kolosianët?
14 Pavli ishte aq i prekur nga raporti që mori, sa u tha kolosianëve se nuk kishte pushuar së luturi për ta duke kërkuar që të ‘mbusheshin me njohjen e vullnetit të tij [Perëndisë] me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore, që të ecnin në mënyrë të denjë për Zotin’. Ai lutej që ata ‘të sillnin fryt në çdo vepër të mirë dhe të rriteshin në njohjen e Perëndisë, duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim’.—Kolosianëve 1:9-11.
Të fuqizuar edhe sot
15. Si mund të tregojmë të njëjtin qëndrim që vërehet në letrën e Pavlit drejtuar Kolosianëve?
15 Ç’shembull të shkëlqyer që la Pavli për ne! Vëllezërit tanë në mbarë tokën kanë nevojë për lutjet tona që të qëndrojnë dhe të mbajnë gëzimin megjithë vuajtjet që kanë. Ashtu si Pavli, edhe ne duhet të jemi specifikë në lutjet tona, kur mësojmë se vëllezërit në një tjetër kongregacion apo në një tjetër vend janë në vështirësi. Mund të ndodhë që ndonjë kongregacion i afërt është prekur nga ndonjë fatkeqësi natyrore apo vështirësi frymore. Ose mund të ndodhë që të krishterët e një vendi të vuajnë nga lufta civile apo nga vrasjet ndërmjet fiseve. Duhet t’i kërkojmë Jehovait në lutje që t’i ndihmojë vëllezërit tanë «të ecin denjësisht . . . në Jehovain», të vazhdojnë të sjellin frytet e Mbretërisë gjatë kohës që durojnë dhe të rriten në njohuri. Në këtë mënyrë, shërbëtorët e Perëndisë marrin fuqinë e frymës së tij «duke qenë të fuqizuar me të gjithë fuqinë». Mund të jesh i sigurt se Ati do t’i dëgjojë dhe do të përgjigjet.—1. Gjonit 5:14, 15, BR.
16, 17. (a) Për çfarë duhet të jemi mirënjohës siç shkroi Pavli? (b) Në ç’kuptim populli i Perëndisë është liruar dhe është falur?
16 Pavli u shkroi kolosianëve se duhej ‘ta falënderonin Perëndinë Atë, që i bëri të denjë të kishin pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë’. Le ta falënderojmë edhe ne Atin tonë qiellor për vendin që na ka dhënë në përgatitjen e tij, qoftë në Zotërimet e Mbretërisë së tij qiellore apo asaj tokësore. Në ç’mënyrë i bëri të përshtatshëm në sytë e tij Perëndia njerëzit e papërsosur? Pavli u shkroi vëllezërve të tij të mirosur: «Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në Mbretërinë e Birit të tij të dashur, në të cilën kemi shpengimin me anë të gjakut të tij dhe faljen e mëkateve.»—Kolosianëve 1:12-14.
17 Cilado qoftë shpresa jonë, qiellore apo tokësore, ne falënderojmë Perëndinë çdo ditë që na ka liruar nga ky sistem i lig i errësirës si rezultat i besimit tonë në sigurimin e çmuar të sakrificës shpërblerëse të Birit të shtrenjtë të Jehovait. (Mateu 20:28) Të krishterët e mirosur me frymë kanë përfituar nga shpërblerja që është zbatuar në ta në një mënyrë të veçantë, të tillë që të mund ‘të transferoheshin në mbretërinë e Birit të Perëndisë së dashurisë’. (Luka 22:20, 29, 30, BR) Por edhe «delet e tjera» përfitojnë nga shpërblerja, madje që tani. (Gjoni 10:16) Ato mund të marrin faljen e Perëndisë, në mënyrë që të kenë një qëndrim të drejtë para tij si miqtë e tij. Ata kanë një aktivitet të gjerë në shpalljen «e këtij lajmi të mirë të mbretërisë» në këtë kohë të fundit. (Mateu 24:14, BR) Përveç kësaj, kanë shpresën e mrekullueshme që në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit të bëhen plotësisht të drejtë dhe të përsosur fizikisht. Kur të lexosh përshkrimin e Zbulesës 7:13-17, me siguri do të mendosh se këto kushte do të tregojnë se jemi çliruar dhe bekuar.
18. Cilën vepër pajtimi po bën akoma Perëndia siç shkruhet tek letra drejtuar Kolosianëve?
18 Letrat e Pavlit na ndihmojnë të kuptojmë se sa shumë i detyrohemi njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë. Çfarë plotësoi Perëndia përmes Krishtit? «[Mundi] të pajtonte përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera duke bërë paqe përmes gjakut që ai derdhi në shtyllën e torturës, qofshin ato gjërat në tokë apo gjërat në qiell.» Qëllimi i Perëndisë është që ta çojë gjithë krijimin prapa në harmoni të plotë me të, ashtu siç ishte para kryengritjes në Eden. Ai që u përdor për të krijuar të gjitha gjërat, është po Ai që përdoret për të bërë pajtimin.—Kolosianëve 1:20, BR.
Të fuqizuar për ç’qëllim?
19, 20. Nga çfarë varet të qenët të shenjtë dhe të pafajshëm?
19 Pajtimi me Perëndinë sjell përgjegjësi. Më parë ishim mëkatarë dhe të përjashtuar nga Perëndia. Por tani duke pasur besim në sakrificën e Jezuit dhe duke mos menduar më për veprat e liga, në themel ne jemi «të shenjtë dhe të patëmetë», «të paekspozuar ndaj asnjë akuze përpara [Perëndisë]». (Kolosianëve 1:21, 22, BR) Mendo pak! Ashtu si Perëndia nuk u turpërua për dëshmitarët besnikë të lashtësisë, ashtu nuk turpërohet për ne, që quhet Perëndia ynë. (Hebrenjve 11:16) Sot, askush nuk mund të na akuzojë se e mbajmë në mënyrë të gabuar emrin e tij të shquar dhe as për frikë që ta shpallim atë deri në skajet e tokës!
20 Vëre paralajmërimin që Pavli shton tek Kolosianët 1:23: «Qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar çdo krijese që është në qiell.» Prandaj, është shumë e rëndësishme që t’i mbetemi besnikë Jehovait, duke ndjekur gjurmët e Birit të tij të shtrenjtë. Jehovai dhe Jezui kanë bërë vërtet shumë për ne! Le ta tregojmë dashurinë tonë për ta, duke ndjekur këshillën e Pavlit.
21. Përse kemi shumë arsye për të qenë të emocionuar sot?
21 Të krishterët e Kolosesë duhet ta kenë pritur me entuziazëm haberin se ‘lajmi i mirë të cilin ata dëgjuan’ i ishte predikuar «çdo krijese që është në qiell». Sot, është edhe më emocionuese kur dëgjojmë deri në ç’masë është predikuar lajmi i mirë i Mbretërisë, nga më shumë se katër milionë e gjysmë Dëshmitarë në më shumë se 230 vende. Vetëm mendo! Çdo vit, rreth 300.000 persona nga të gjitha kombet ndihmohen për t’u pajtuar me Perëndinë!—Mateu 24:14; 28:19, 20.
22. Çfarë mund të bëjë Perëndia për ne sot edhe në qoftë se vuajmë?
22 Megjithëse Pavli kur u shkroi këtë letër kolosianëve me sa duket ishte i mbyllur brenda katër mureve të burgut, ai nuk vajtoi që pati këtë fat. Përkundrazi ai tha: «Tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj.» Pavli e dinte mirë se çdo të thoshte «ngulm e durim, me gëzim». (Kolosianëve 1:11, 24) Gjithashtu, e dinte se ajo që bëri nuk ishte nga fuqia e tij. Jehovai e kishte fuqizuar! Edhe sot është e njëjta gjë. Mijëra Dëshmitarë të burgosur dhe të persekutuar nuk e kanë humbur gëzimin e tyre në shërbim të Jehovait. Përkundrazi, kanë kuptuar vërtetësinë e fjalëve të Perëndisë tek Isaia 40:29-31: «Ai i jep forcë të lodhurit . . . Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja.»
23, 24. Cili është sekreti i shenjtë i përmendur tek letra drejtuar Kolosianëve 1:26?
23 Për Pavlin, shërbimi i lajmit të mirë lidhur me Krishtin ishte shumë i rëndësishëm. Ai donte që edhe të tjerët ta çmonin vlerën e rolit të Krishtit në qëllimet e Perëndisë, prandaj e përshkroi atë si «sekretin e shenjtë që ishte mbajtur fshehur që nga sistemi i kaluar i gjërave dhe që nga brezat e kaluar», por që nuk duhej mbajtur fshehur përgjithmonë. Pavli shtoi: «Tani iu shfaq shenjtorëve të tij.» (Kolosianëve 1:26) Kur shpërtheu kryengritja në Eden, Jehovai premtoi se do të vinin gjëra më të mira, duke parathënë se ‘fara e gruas do të shtypte kokën e gjarprit’. (Zanafilla 3:15, BR) Ç’kuptim kishte? Për breza me radhë e për shekuj me radhë kjo gjë mbeti një mister. Pastaj, erdhi Jezui dhe «hodhi dritë mbi jetën dhe pakorruptueshmërinë përmes lajmit të mirë».—2. Timoteut 1:10, BR.
24 Po, «sekreti i shenjtë» përqendrohej tek Krishti dhe Mbretëria Mesianike. Pavli përmendi «gjërat në qiell» duke iu referuar atyre që do të merrnin pjesë në qeverinë Mbretërore me Krishtin. Përmes tyre do të vijnë bekimet e panumërta mbi «të gjitha gjërat mbi tokë», që paraqesin ata që do ta gëzojnë përgjithmonë parajsën këtu mbi tokë. Prandaj, sa e përshtatshme ishte që Pavli t’u referohej «pasurive të lavdishme të këtij sekreti të shenjtë».—Kolosianëve 1:20, 27, BR.
25. Cili duhet të jetë qëndrimi ynë tani siç përmendet tek Kolosianëve 1:29?
25 Pavli e priste me dëshirë vendin e tij në këtë Mbretëri. Megjithatë, ai e kuptoi se nuk ishte diçka, të cilën mund ta priste duke ndenjur duarkryq. «Për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet.» (Kolosianëve 1:29) Vëre se Jehovai përmes Krishtit, i dha fuqi Pavlit që të mund të kryente një shërbim jetëshpëtues. Jehovai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne sot. Por duhet të pyesim veten: «A kam po atë frymë ungjillëzimi që kisha kur mësova për herë të parë të vërtetën?» Si do të përgjigjeshe? Ç’gjë mund ta ndihmojë secilin prej nesh për të vazhduar që ‘të përpiqemi dhe ta ushtrojmë veten në përputhje me veprimin e fuqisë së Jehovait’? Artikulli vijues trajton pikërisht këtë çështje.
A ke vërejtur?
◻ Përse mund të jemi të sigurt se Jehovai mund ta tregojë fuqinë e tij në favor të qenieve njerëzore?
◻ Në ç’rrethana u shkruan fjalët e Pavlit në kapitullin 1 të Kolosianëve?
◻ Në ç’mënyrë po e kryen Perëndia pajtimin e përmendur tek Kolosianëve 1:20?
◻ Çfarë mund të kryejë Jehovai përmes nesh me anë të fuqisë së tij?
[Harta dhe figura në faqen 8]
KOLOSEJA