Ji shembull në të folur dhe në sjellje
1 Apostulli Pavël e nxiti Timoteun që të bëhej një shembull në të folur dhe në sjellje. (1. Tim. 4:12) Edhe ne duhet të shfaqim një të folur dhe një sjellje shembullore, sidomos kur jemi në shërbim, sepse bërja apo mosbërja e kësaj gjëje mund të përcaktojë nëse e arrijmë apo jo zemrën e atyre që takojmë.
2 Ne duhet të shfaqim të gjitha aspektet e mirësjelljes, duke përfshirë konsideratën, dashamirësinë, njerëzillëkun dhe taktin. Duke pasqyruar këto cilësi, tregojmë se jemi të vetëdijshëm për faktin se si ndikojnë veprimet tona mbi ndjenjat e të tjerëve. Mirësjellja në shërbim mund të krahasohet me hedhjen e erëzave në gjellë, të cilat përdoren për t’i dhënë shije ushqimit. Pa to, ushqimi i shëndetshëm mund të ketë shije bajate dhe s’të hap oreksin. Mosshfaqja e mirësjelljes në marrëdhëniet tona me të tjerët mund të ketë një ndikim të ngjashëm.—Kolos. 4:6.
3 Ji shembull në të folur: Një buzëqeshje miqësore dhe një përshëndetje e ngrohtë janë elementë jetësorë për prezantimin e lajmit të mirë. Kur e lezetojmë hyrjen e bisedës me ngrohtësi dhe sinqeritet, i bëjmë të ditur të zotit të shtëpisë se jemi vërtet të interesuar për të. Kur ai flet, dëgjo me kujdes dhe trego respektin e duhur për opinionin e tij. Kur e merr fjalën ti, fol me takt dhe me hir.—Krahaso Vep. 6:8.
4 Në ndonjë rast takojmë persona që mund të mos jenë miqësorë, madje që tregojnë një frymë ndërluftuese. Si duhet të reagojmë? Pjetri na nxiti të flasim në atë mënyrë që tregon «butësi dhe respekt të thellë». (1. Pjet. 3:15, BR; Rom. 12:17, 18) Jezui tha se nëse i zoti i shtëpisë e hedh poshtë me ashpërsi mesazhin e Mbretërisë, ne thjesht duhet ‘të shkundim pluhurin nga këmbët tona’. (Mat. 10:14) Sjellja shembullore në këto rrethana në fund mund ta zbutë zemrën e kundërshtarit.
5 Ji shembull në sjellje: Të predikosh lajmin e mirë në rrugët plot njerëz dhe në vende publike, kërkon nga ne që të tregojmë konsideratë për të tjerët, të mos flasim asnjëherë me zë të lartë apo të mos insistojmë dhe të mos ndërhyjmë në rrjedhën e kalimtarëve. Kur gjendemi në shtëpinë e personave të interesuar, duhet të mbajmë dinjitetin e duhur dhe të sillemi si mysafirë të hirshëm, duke treguar çmueshmëri për mikpritjen e tyre. Fëmijët që na shoqërojnë duhet të tregojnë respekt për të zotin e shtëpisë dhe për gjërat që i përkasin dhe duhet të jenë të sjellshëm e të vëmendshëm kur bisedojmë. Nëse fëmijët janë të pabindur, kjo gjë do të lërë një përshtypje jo të mirë.—Prov. 29:15.
6 Pamja jonë e jashtme duhet t’u tregojë qartë të tjerëve se jemi shërbëtorë të Fjalës së Perëndisë. Nuk duhet të jemi as të çrregullt dhe të pakrehur, as të veshur për të rënë në sy dhe në mënyrë ekstravagante. Pamja jonë e jashtme duhet të jetë gjithmonë e denjë për lajmin e mirë. (Krahaso Filipianëve 1:27.) Duke i kushtuar vëmendje të kujdesshme pamjes sonë të jashtme dhe pajisjeve, nuk do t’u japim të tjerëve shkas për t’u penguar apo për të gjetur të meta në shërbimin tonë. (2. Kor. 6:3, 4) Të folurit dhe sjellja jonë shembullore i shtojnë mesazhit të Mbretërisë një cilësi tërheqëse, duke i sjellë nder Jehovait.—1. Pjet. 2:12.