Të rinjtë pyesin . . .
A mund të shkoj më mirë me mësime?
«Notat janë gjithçka për prindërit e mi. ‘Çfarë note more në provimin e matematikës? Çfarë note more në hartim?’ I urrej këto gjëra!»—Semi 13-vjeçar.
SEMI nuk është i vetmi në këtë gjendje. Në fakt, autorët e librit «A mund të shkoj më mirë?» (“Could Do Better”) shkruajnë: «Nuk kemi takuar akoma një prind që mendon se fëmija e tij po bën maksimumin e tij ose të saj në mësime.» Por shumë të rinj, ashtu si Semi, mendojnë se prindërit e tyre janë duke u bërë tej mase presion që të përmirësohen në mësime, ndoshta edhe të shkëlqejnë. Këta të rinj mund të përballojnë presione të mëtejshme në klasë. «Mësuesit nuk kanë mjaft durim,—ankohet një adoleshent.—Ata duan që ti të mbash mend gjërat menjëherë dhe nëse nuk e bën këtë, të bëjnë të ndihesh si budalla. Prandaj, unë as që përpiqem.»
Të rinjtë që nuk bëjnë aq sa pritet prej tyre nga prindërit dhe mësuesit, shpesh quhen neglizhentë. Dhe pothuaj të gjithë studentët neglizhojnë në ndonjë pikë. Përse? Është interesant fakti se jo gjithmonë arsyeja është dembelizmi ose paaftësia për të mësuar.a
Përse disa neglizhojnë?
Kuptohet që kur bëhet fjalë për mësimet e shkollës, ka disa të rinj të cilët duken se kënaqen me pak, pa e lodhur shumë mendjen. «Nëse mund të bëj minimumin sa për të kaluar klasën,—pohon Hermani 15-vjeçar,—vetëm atë bëj.» Megjithatë, për të qenë të ndershëm, jo të gjithë këta të rinj janë indiferentë në lidhje me mësimet. Mund të ndodhë që atyre thjesht nuk u duket tërheqëse një lëndë e caktuar. Pastaj ka nga ata që kanë vështirësi të shohin anën praktike të asaj që po mësojnë. Rubeni, që është 17 vjeç, u shpreh në këtë mënyrë: «Ka disa lëndë, të cilat jam i sigurt se nuk do t’i përdor më kurrë përsëri pasi të kem mbaruar shkollën.» Mungesa e interesit ose e nxitjes mund të çojë me lehtësi në neglizhim.
Ka edhe faktorë të tjerë. Për shembull, në qoftë se ritmi i një mësuesi është tepër i shpejtë për ty, atëherë do të shkurajohesh. Po të jetë tepër i ngadaltë, do të mërzitesh. Presioni i bashkëmoshatarëve mund të ndikojë, gjithashtu, mbi ecurinë tënde në mësime. Libri Fëmijët që neglizhojnë (Kids Who Underachieve) shpjegon: «Nëse një fëmijë i shkëlqyer, i aftë nga ana akademike, dëshiron të pranohet nga një grup bashkëmoshatarësh të orientuar nga ana joakademike, ai mund të ndihet i detyruar të neglizhojë në mësime.» Kështu, një adoleshent u ankua se kur kishte punuar shumë në vitet e tij të hershme në shkollë, të tjerët kishin qenë xhelozë dhe ishin tallur me të. Po, një i ri mund të ballafaqohet me realitetin e parimit të Fjalëve të urta 14:17, BR: «Njeriu me aftësi të menduari urrehet.»
Disa herë, rrënjët e neglizhimit shkojnë edhe më thellë. Në mënyrë të trishtueshme, disa të rinj rriten me një përfytyrim negativ për veten. Kjo gjë mund të vijë si rezultat kur një fëmijë bombardohet vazhdimisht me nofka të pakëndshme, si për shembull: breshkë, budalla ose dembel. Mjerisht, epitete të tilla mund të bëhen profeci që përmbushin veten. Siç e interpretoi një mjek, «po të të thonë budalla dhe të fillosh ta besosh ti vetë, do të veprosh në përputhje me të».
Shumë shpesh nxitjet e prindërve dhe të mësuesve janë me qëllim të mirë. Megjithatë, edhe në ato raste të rinjtë mund të mendojnë se prej tyre po kërkohet tepër. Nëse kjo gjë duket e vërtetë në rastin tënd, të jesh i sigurt se prindërit dhe mësuesit e tu nuk po përpiqen të të acarojnë. Ka të ngjarë se ata duan vetëm që ti të arrish potencialin tënd të plotë. Megjithatë, ankthi i arritjes së kualifikimeve të duhura mund të të bëjë të mendosh që është më thjesht të dorëzohesh. Por merr zemër: ti mund të shkosh më mirë me mësime.
Motivohu
Hapi i parë është të motivohesh. Për të bërë këtë, ke nevojë të shohësh një qëllim në atë që po mëson. Bibla thotë: «Kush lëvron, në shpresë duhet të lëvrojë dhe kush shin, duhet të shpresojë se do ta marrë pjesën.» (1. Korintasve 9:10, DSF) Të shohësh vlerën e «lëvrimit» në disa lëndë nuk është gjithnjë e lehtë. Për shembull ti mund të thuash: ‘Unë dua të jem një programues kompjuterësh. Prandaj, pse duhet ta studioj historinë?’
Kuptohet, jo të gjitha lëndët e shkollës mund të të duken me vlerë, të paktën jo tani për tani. Por përpiqu të kesh një kënd më të gjerë vështrimi. Një arsimim i përgjithshëm në një numër lëndësh do të pasurojë kuptueshmërinë tënde mbi botën që të rrethon. Shumë të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait kanë parë se një arsimim i gjithanshëm i ka ndihmuar që ‘ta bëjnë veten gjithçka për të gjithë’, duke u dhënë një elasticitet më të madh për t’ua prezantuar mesazhin e Mbretërisë njerëzve të shtresave të ndryshme shoqërore. (1. Korintasve 9:22) Edhe sikur një lëndë të të duket se ka pak vlerë praktike, ti nxjerr vetëm dobi duke e zotëruar atë. Së paku do të rritësh «aftësinë e të menduarit», diçka që do të të jetë dobiprurëse në fund të fundit.—Fjalët e urta 1:1-4.
Shkolla mund të shërbejë, gjithashtu, për të zbuluar talentet e tua të fshehura. Apostulli Pavël i shkroi Timoteut: «Ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty.» (2. Timoteut 1:6) Me sa duket, Timoteu u emërua në një shërbim të veçantë në kongregacionin e krishterë. Por aftësia e tij, të cilën ia kishte dhënë Perëndia, «dhuntia» e tij, duhej kultivuar që të mos tulatej e të humbiste kot. Sigurisht aftësitë që ke në mësime nuk të janë dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Perëndia, si në rastin e dhuntisë së Timoteut. Sidoqoftë, aftësitë e tua, qofshin këto në art, muzikë, matematikë, shkencë ose në fusha të tjera, janë të veçanta dhe shkolla mund të të ndihmojë që t’i zbulosh dhe t’i zhvillosh këto dhunti.
Zakone të mira studimi
Megjithatë, për të nxjerrë dobinë maksimale nga shkolla do të të duhet një rutinë e mirë studimi. (Krahaso Filipianëve 3:16.) Programo kohë të mjaftueshme për të studiuar një sasi të konsiderueshme materiali, por lër pauza të vogla pushimi që të mund të freskosh trurin. Nëse studimi përfshin leximin, së pari hidhi një sy materialit për të pasur një ide të përgjithshme të tij. Pastaj ndërto pyetje të bazuara në titujt e kapitujve ose në nëntemat kryesore. Më pas, lexoje, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve të tua përgjatë leximit. Së fundi, përpiqu ta tregosh me fjalët e tua atë që ke mësuar.
Lidhe atë që mëson me atë që tashmë di. Për shembull, një lëndë shkencore mund të jetë një dritare, përmes së cilës «cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë». (Romakëve 1:20) Lënda e historisë mund të të ndihmojë që të provosh vetë vërtetësinë e pohimit: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Ndërsa e aplikon veten ndaj studimit, ka të ngjarë që të shohësh se mësimet bëhen më të lehta, madje më të kënaqshme! Solomoni vërejti: «Për personin me kuptueshmëri njohuria është një gjë e lehtë.»—Fjalët e urta 14:6, BR.
Mbaj një qëndrim pozitiv
Megjithatë, disa herë neglizhimi i një personi lidhet me zgjedhjen e shokëve nga ana e tij. A inkurajojnë shokët e tu suksesin apo janë edhe ata vetë neglizhentë? Një proverb biblik thotë: «Ai që ecën me persona të mençur do të bëhet i mençur, por ai që ka të bëjë me të pamendët do të shkojë keq.» (Fjalët e urta 13:20, BR) Prandaj zgjidhi me mençuri shoqëritë e tua. Mbaj shoqëri me ata që kanë një qëndrim pozitiv ndaj shkollës. Mos ngurro të flasësh me mësuesin tënd personalisht rreth synimit që ke për të përmirësuar notat e tua. Pa dyshim, mësuesi yt do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të të ndihmuar.
Kur të sulmojnë mendime negative rreth aftësive të tua, shqyrto shembullin e apostullit Pavël. Kur njerëzit kritikuan aftësinë e tij të të folurit, ai iu përgjigj: «Edhe në qofsha i paaftë në gojtari, nuk jam në dije.» (2. Korintasve 10:10; 11:6, DSF) Po, Pavli u përqendrua në aftësitë në vend se në dobësitë e tij. Cilat janë aftësitë e tua? Nëse nuk mund t’i veçosh ato, përse të mos flasësh me një të rritur që mund të të mbështetë? Një mik i tillë do të të ndihmojë të identifikosh aftësitë e tua dhe t’i përdorësh ato në maksimum.
Të përparojmë pavarësisht nga problemet
«Jepu të gjithë vëmendjen tënde, të gjitha energjitë e tua këtyre gjërave, në mënyrë që përparimi yt të jetë i qartë për t’u parë nga të gjithë.» (1. Timoteut 4:15, Phillips) Si një baba që flet me birin e tij, Pavli e inkurajoi Timoteun tashmë të suksesshëm që të bënte akoma më shumë përparim në shërbimin e tij. Në kohët biblike folja greke «përparim» fjalë për fjalë kishte kuptimin «duke çarë përpara», duke i sjellë në mend dikujt çarjen e rrugës përmes shkurreve. Disa herë të vazhdosh përpara me mësime mund të duket një gjë e ngjashme. Por do të jetë shumë më e lehtë të ecësh përpara në shkollë po të mendosh se shpërblimi që të pret në fund ia vlen.
Përpjekjet, motivimi dhe mësimi shkojnë dorë për dore. Le ta ilustrojmë: mendo për dikë që i bie një instrumenti muzikor. Nëse kënaqet me të, ai vazhdon edhe më shumë. Sa më shumë t’i bjerë instrumentit, aq më mirë do ta mësojë, gjë që nga ana tjetër e rrit gëzimin e tij. Sa më shumë që mësojmë, aq më e lehtë është të mësojmë edhe më tepër. Prandaj mos u shkurajo me mësimet e tua. Bëj përpjekjet e nevojshme, shoqërohu me ata që do të të ndihmojnë të shkëlqesh dhe merr për zemër fjalët e Azarias drejtuar mbretit të lashtë Asa: «Mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.»—2. Kronikave 15:7.
[Shënimi]
a Të rinjtë që kanë çrregullim në aftësinë e të mësuarit mund të hasin sfida të veçanta në lidhje me këtë. Për informacion të mëtejshëm, shiko Zgjohuni!, 22 qershor 1996, faqet 11-13, anglisht.
[Figura në faqen 21]
Mos ngurro të flasësh me mësuesin tënd rreth synimit që ke për të përmirësuar notat
[Figura në faqen 22]
Edhe sikur një lëndë të të duket se ka pak vlerë praktike, ti nxjerr vetëm dobi duke e zotëruar atë