Arsimi me një qëllim
«Jepi njohuri ndonjë të drejti dhe ai do të rritet në dituri.»—PROVERBAT 9:9.
1. Në lidhje me njohurinë, çfarë pret Jehovai nga shërbëtorët e tij?
JEHOVAI është «një Perëndi i diturisë.» (1. Samueli 2:3) Ai i arsimon shërbëtorët e tij. Moisiu paratha që popujt bashkëkohës të Izraelit do të thoshin në lidhje me të: «Ky komb i madh është me të vërtetë një popull i mençur dhe që ka kuptueshmëri.» (Ligji i përtërirë 4:6) Edhe të krishterët e vërtetë duhet të jenë persona të arsimuar. Duhet të jenë studiues të shkëlqyer të Fjalës së Perëndisë. Duke treguar qëllimin e një studimi të tillë, apostulli Pavël shkroi: «Nuk kemi ndaluar së luturi për ju dhe së kërkuari që të jeni plot me njohuri të saktë nga vullneti i tij në çdo dituri dhe mençuri frymore, për të ecur në mënyrë të denjë ndaj Jehovait dhe në fund t’i pëlqejmë plotësisht ndërsa ecim duke sjellë fryte në çdo vepër të mirë për t’u rritur në njohurinë e saktë të Perëndisë.»—Kolosianëve 1:9, 10, NW.
2. (a) Çfarë duhet të kemi për të fituar njohurinë e saktë të Perëndisë? (b) Si e ka zgjidhur këtë çështje Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait?
2 Studimi me qëllim që të fitojmë njohurinë e saktë të Perëndisë dhe të qëllimeve të tij kërkon të paktën një farë arsimimi. Megjithatë shumë prej atyre që kanë njohur të vërtetën e Fjalës së Perëndisë jetojnë në vende ku mundësia për të fituar një arsim të përshtatshëm është shumë e vogël ose zero. Pra ndodheshin në një gjendje të pafavorshme. Për të kaluar këtë problem, tashmë prej shumë vitesh Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ka vendosur, që në kongregacionet ku është e nevojshme të mbahen kurse për analfabetët. Më tepër se 30 vjet më parë gazeta braziliane Diário de Mogi botoi një artikull të titulluar «Dëshmitarët e Jehovait bëjnë një luftë kundër analfabetizmit», ku thuhej: «Një mësues i kualifikuar bëhet gati t’u mësojë . . . personave të tjerë të shkruajnë dhe të lexojnë. . . . Nxënësit, për shkak të rrethanave të njëjta që i nxisin si shërbëtorë të Perëndisë, duhet të rrisin njohurinë e tyre mbi gjuhën për të mbajtur fjalime.» Mijëra njerëz në të gjithë botën kanë mundur kështu të bëhen studentë të vlefshëm të Fjalës së Perëndisë. Janë gati të marrin këtë arsim themelor të nxitur nga një qëllim fisnik.
Aftësi të nevojshme për të qenë shërbëtorë të efektshëm
3, 4. (a) Përse të krishterët e vërtetë interesohen për arsimimin? (b) Cila situatë ishte në Izrael, dhe cili arsim themelor është i domosdoshëm sot në kongragacionet tona?
3 Të krishterët e vërtetë interesohen për arsimin jo thjesht për t’u arsimuar, por për t’u bërë shërbëtorë më të efektshëm të Jehovait. Krishti i ngarkoi të gjithë të krishterët me detyrën që të «bëjnë dishepuj nga personat e të gjitha kombeve, . . . duke i mësuar atyre të mbanin të gjitha gjërat që ai u kishte urdhëruar». (Mateu 28:19, 20, NW) Për të mësuar të tjerët, duhet të mësojnë ata veta më parë, dhe kjo kërkon metoda të mira studimi. Duhet të jenë në gjendje të shqyrtojnë me kujdes shkrimet. (Veprat 17:11) Për të plotësuar detyrën e tyre, gjithashtu duhet të dinë të lexojnë rrjedhshëm.—Shiko Abakuku 2:2; 1. Timoteut 4:13.
4 Siç kemi parë në artikullin e kaluar, ekzistojnë arsye të vlefshme për të menduar që në Izraelin e vjetër shumica më e madhe e të rinjve dinte të shkruante dhe të lexonte. (Gjykatësit 8:14; Isaia 10:19) Sot të krishterët e vërtetë duhet të marrin shënime të rregullta kur japin dëshmi nga shtëpia në shtëpi. Shkruajnë letra, marrin shënime në mbledhje dhe shënojnë mbi botimet e studimit. E gjithë kjo kërkon një kaligrafi të lexueshme. Regjistrimet që mbahen në kongregacionin e krishterë kërkojnë të paktën një njohuri themelore në aritmetikë.
Favoret e një arsimimi të mirë shkollor
5. (a) Prej nga rrjedh fjala «shkollë»? (b) Cilën mundësi duhet të shfrytëzojnë të rinjtë?
5 Një fakt interesant është se fjala «shkollë» vjen nga greqishtja skholé, që në origjinal do të thotë «kohë e lirë» ose zënie e kohës së lirë për aktivitete të rëndësishme si kuptueshmëria. Me kohë tregoi edhe vendin prej nga vinte kuptueshmëria. Nga kjo kuptojmë që një kohë—në Greqi dhe në pjesën më të madhe të vendeve të tjera—vetëm klasa e privilegjuar kishte kohë të lirë për t’ia kushtuar kuptueshmërisë. Në përgjithësi, klasa e punëtorëve mbetej në padije. Sot, në shumicën e vendeve, fëmijëve dhe të rinjve u është lënë në dispozicion koha e lirë për të mësuar. Të rinjtë Dëshmitarë duhet të blejnë patjetër kohën e përshtatshme për t’u arsimuar e për t’u bërë kështu shërbëtorë të aftë të Jehovait.—Efesianëve 5:15, 16.
6, 7. (a) Cilët janë disa nga favoret e një arsimimi të drejtë shkollor? (b) Përse mund të jetë i dobishëm mësimi i një gjuhe të huaj? (c) Në cilën situatë ndodhen sot të rinjtë pas mbarimit të shkollës?
6 Një njohuri themelore mbi historinë, shkencën, gjeografinë e kështu me rradhë do t’u shërbejë të rinjve Dëshmitarë të bëhen shërbëtorë më të plotë. Arsimi shkollor do t’u shërbejë atyre jo vetëm të mësojnë lëndë të ndryshme, por vetë metodat e studimit. Të krishterët e vërtetë nuk ndalen së mësuari e studiuari me të mbaruar shkollën. Por, megjithatë sasia e asimilimit të asaj që studiojnë do të varet më shumë nga ajo se sa dinë të studiojnë. Si shkolla botërore ashtu edhe ajo e kongregacionit mund t’u ndihmojë për të kultivuar aftësinë e të menduarit. (Proverbat 5:1, 2) Kur të lexojnë do ta kenë më të lehtë të dallojnë cilat janë pikat kryesore që meritojnë të vihen në dukje dhe të kujtohen.
7 Për shembull, mësimi i një gjuhe të huaj nuk do t’i ndihmojë të rinjtë vetëm të zhvillojnë aftësitë mendore, por do t’i bëjë edhe më të dobishëm në organizatën e Jehovait. Në disa degë të Shoqatës Watch Tower, shumë vëllezër të rinj e kanë parë të dobishme të dinë të flasin apo të lexojnë mirë anglisht. Përveç kësaj, të gjithë shërbëtorët e krishterë duhet të shprehen mirë në gjuhën e nënës. Lajmi i mirë i Mbretërisë meriton të paraqitet në mënyrë të qartë dhe gramatikisht të rregullt. Faktet tregojnë që sot në botë shumë të rinj kur mbarojnë shkollën kanë akoma vështirësi për të shkruar dhe për të lexuar në mënyrë korrekte dhe për të bërë veprime të thjeshta aritmetike, për të mos folur mbi njohurinë shumë të përciptë që kanë mbi historinë dhe gjeografinë.
Arsimi i mjaftueshëm
8. Cilat shkrime biblike kanë lidhje me argumentin e arsimit të botës dhe me aftësinë e mbajtjes nga ana ekonomike?
8 Pra, duket që ky është një rast i përshtatshëm për të konsideruar veprimin e të krishterit përballë arsimimit të botës. Cilat parime biblike kanë lidhje me këtë argument? Para së gjithash në shumicën e vendeve nënshtrimi i detyruar ndaj «Çesarit» kërkon që prindërit e krishterë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. (Marku 12:17; Titit 3:1) Në lidhje me detyrimin shkollor, të rinjtë Dëshmitarë duhet të kujtojnë Kolosianëve 3:23, që thotë: «Çdo gjë që bëni bëjeni me gjithë shpirt si Jehovait dhe jo njerëzve.» (NW) Një parim tjetër i lidhur me këtë është që të krishterët duhet të jenë në gjendje të mbahen ekonomikisht, edhe nëse janë pionierë në shërbim të plotë kohor. (2. Selanikasve 3:10-12, NW) Një burrë, nëse është i martuar duhet të jetë në gjendje të sigurojë gjërat e nevojshme për gruan dhe fëmijët e mundshëm, të ketë edhe diçka më tepër për t’i dhënë atyre që kanë nevojë dhe për të mbajtur veprën e predikimit në nivel lokal dhe botëror.—Efesianëve 4:28; 1. Timoteut 5:8.
9, 10. (a) Cila prirje dallohet në shumë vende? (b) Cila pagë për punën mund të konsiderohet e mjaftueshme për një shërbëtor pionier?
9 Çfarë shkalle arsimimi duhet të ketë një i ri i krishterë për të respektuar parimet biblike dhe kryerjen e detyrimeve të veta të krishtere? Kjo ndryshon nga vendi në vend. Megjithatë duket se në shumë vende prirja e përgjithshme është që, për të gjetur një punë me pagë të përshtatshme nevojitet një shkallë arsimi shkollor më e lartë, sesa disa vite më parë. Raportet e marra nga degët e Shoqatës në vende të ndryshme të botës tregojnë se në shumë vende është e vështirë të gjenden vende pune me një pagë të mirë vetëm pas mbarimit të shkollës së detyruar, dhe në disa vende edhe pas mbarimit të shkollës së mesme.
10 Çfarë kuptojmë me «pagë të përshtatshme»? Nuk i referohet një pune të paguar me bollëk. Kështu si është përdorur në këtë kontekst Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe thotë se «të përshtatshme» do të thotë «që i plotëson kërkesat, që mjafton». Për shembull, çfarë mund të përcaktojë shprehja «që mjafton», për ata që dëshirojnë të shërbejnë si pionierë të lajmit të mirë? Në përgjithësi pionierët kanë nevojë për një punë gjysmë ditore për të mos qenë një «barrë e rëndë» për vëllezërit dhe familjen e tyre. (1. Selanikasve 2:9) Në rastin e tyre mund të flasim për një pagë «që mjafton» apo «që i plotëson kërkesat» nëse ajo që marrin i lejon atyre të jetojnë si duhet duke pasur gjithashtu kohë dhe energji të mjaftueshme për të kryer shërbimin e tyre të krishterë.
11. Përse disa të rinj kanë lënë shërbimin si pionierë dhe cila pyetje lind?
11 Cila situatë është e zakonshme sot? Është vënë re që në disa vende shumë të rinj me vetëdije kanë braktisur studimet për t’u bërë pionierë pasi kishin mbaruar shkollën e detyrueshme. Nuk kishin as zanat, as kualifikim shkollor të përshtatshëm. Nëse nuk kishin ndonjë ndihmë nga prindërit duhet të gjenin një punë gjysmë ditore. Për të balancuar peshoren, disa kanë qenë të detyruar të pranonin punë që u merrnin shumë kohë. Të dërrmuar fizikisht, kanë lënë shërbimin si pionierë. Çfarë mund të bëjnë tani për t’u mbajtur ekonomikisht dhe për të rifilluar shërbimin si pionier?
Pikëpamje e dretpeshuar mbi arsimin
12. (a) Në lidhje me arsimimin, cilat janë dy pikëpamjet ekstreme që duhet të shmangë i krishteri? (b) Cili duhet të jetë qëllimi i arsimimit, për shërbëtorët e dedikuar të Jehovait dhe për fëmijët e tyre?
12 Është e dobishme të kemi një pikëpamje të drejtpeshuar mbi arsimin. Për shumë të rinj në botë, arsimimi është një simbol i pozitës, diçka që i ndihmon të ngjisin shkallët shoqërore, çelësi për një jetë me perspektiva dhe materialiste. Për disa të tjerë shkolla është një peshë që duan ta heqin qafe sa më shpejt. Që të dyja këto pikëpamje nuk i përshtaten të krishterëve të vërtetë. Cila është atëherë një «pikëpamje e drejtpeshuar»? Të krishterët duhet ta konsiderojnë arsimimin si një mjet për të arritur një qëllim. Në këto ditë të fundit qëllimi është që t’i shërbejmë Jehovait në mënyrën më të mirë dhe më të gjerë që mundemi. Nëse në vendin ku jetojmë arsimi i shkollës së detyruar ose edhe të mesme nuk ofron një rrugëdalje për punë të përshtatshme me një pagë të mjaftueshme për të vazhduar shërbimin si pionier, atëherë duhet të shqyrtojmë mundësitë për të vazhduar një arsimim plotësues apo të bëjmë një kurs specializimi. Kjo bëhet me qëllimin e saktë për të rifilluar shërbimin e plotë kohor.
13. (a) Çfarë gjëje i dha mundësi një motre filipinase të jetë pioniere dhe në të njëjtën kohë të plotësojë detyrimet e veta familjare? (b) Çfarë njoftimi është i përshtatshëm?
13 Disa, pasi kanë bërë kurse për formim profesional apo specializim, kanë gjetur një punë që i ka lejuar të fillojnë apo të rifillojnë shërbimin e plotë kohor. Në Filipine një motër duhet të punonte për të mbajtur familjen, por dëshironte të ishte edhe pioniere. Dega njoftoi: «Ia doli mbanë në orvajtjet e saja, sepse frekuentoi një kurs studimi plotësues dhe u bë një llogaritare publike e vërtetuar.» I njëjti raport i degës thotë: «Kemi shumë prej atyre që frekuentojnë shkollat dhe në të njëjtën kohë ia dalin mbanë të jenë pionierë. Zakonisht, duke studiuar më shumë bëhen lajmëtarë më të mirë, gjithmonë me kujdes që të mos tërhiqen nga ambicja për të bërë karrierë në botë.» Mbi këtë vërejtje të fundit duhet të mendojmë. Nuk duhet ta heqim nga mendja qëllimin e arsimimit plotësues, kur duket e nevojshme dhe të mos na bëhet një synim materialist.
14, 15. (a) Përse nuk duhet të stabilizohen rregulla të forta në lidhje me arsimimin? (b) Çfarë arsimi kanë marrë disa vëllezër me përgjegjësi, por çfarë kanë bërë si kompensim?
14 Në disa vende shkollat sekondare ofrojnë një specializim profesional që mund të përgatisë të riun e krishterë të ketë një zanat apo një profesion menjëherë pas marrjes së diplomës. Edhe kur nuk është kështu në disa vende të rinjtë plot me iniciativë edhe pse kanë vetëm një arsim shkollor si bazë njëlloj ia dalin mbanë të gjejnë një punë gjysmë ditore që u lejon atyre të fitojnë mjaft sa për të qenë pionierë. Prandaj nuk duhet të vendosim rregulla të forta në favor apo kundër arsimit plotësues.
15 Shumë që tashmë shërbejnë në vende me përgjegjësi si mbikëqyrës udhëtues, në selinë botërore të Shoqatës apo në një prej degëve kanë marrë vetëm një arsim të detyruar. Kanë qenë pionierë besnikë, nuk janë ndalur kurrë së mësuari, janë stërvitur dhe kanë marrë përgjegjësi më të mëdha. Nuk kanë vajtuar. Nga ana tjetër, disa nga moshatarët e tyre që kishin vendosur të merrnin një arsim universitar u kapën rrugës, duke rënë viktima të filozofive shkatërrimtare për besimin dhe «diturinë e kësaj bote».—1. Korintasve 1:19-21; 3:19, 20; Kolosianëve 2:8.
Të llogarisim shpenzimet
16. (a) Kush duhet të vendosë nëse është rasti apo jo që të ndiqen studimet dhe çfarë duhet të kemi parasysh para së gjithash? (b) Çfarë duhet të konsiderojmë?
16 Kush duhet të vendosë nëse një i ri i krishterë duhet të vazhdojë më tej arsimimin apo mësimet? Këtu hyn në diskutim parimi biblik i autoritetit. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 6:1) Mbi këtë bazë prindërit sigurisht duan që t’i udhëheqin fëmijët e tyre në zgjedhjen e një zanati ose të një profesioni dhe si pasojë të shkallës së arsimimit që kjo gjë kërkon. Në shumë vende drejtimi shkollor dhe profesional zgjidhet në fillim të arsimimit të mesëm. Kjo është koha kur prindërit dhe të rinjtë e krishterë duhet të kërkojnë udhëheqjen e Jehovait për të bërë një zgjedhje të mençur, duke mbajtur parasysh para së gjithash interesat e Mbretërisë. Të rinjtë kanë prirje dhe qëndrime të ndryshme. Prindërit e mençur duhet ta kenë parasysh. Cilado punë e ndershme, qoftë si nëpunës apo si punëtor, është e denjë. Megjithëse bota e ngre më lart punën në zyra, sesa atë me krahë, sigurisht kjo nuk është pikëpamja biblike. (Veprat 18:3) Prandaj, sot, kur prindërit dhe të rinjtë e krishterë, pasi t’i kenë peshuar me kujdes ç’është pro dhe kundër, vendosin në favor ose kundër vazhdimit të studimeve pas shkollës së mesme, pjesëtarët e tjerë të kongregacionit nuk duhet t’i kritikojnë.
17. Çfarë vendosin të bëjnë disa prindër Dëshmitarë për fëmijët e tyre?
17 Nëse prindërit me përgjegjësi vendosin që fëmijët e tyre të ndjekin studimet pas shkollës së lartë, është një e drejtë e tyre. Zgjatja e kursit të studimeve do të ndryshojë sipas llojit të profesionit apo punës së zgjedhur. Për arsye ekonomike dhe për t’u lejuar fëmijëve të fillojnë sa më shpejt shërbimin e plotë kohor, shumë prindër kanë preferuar që fëmijët të ndjekin një kurs të shkurtër formimi ose specializimi profesional apo teknik. Në disa raste ka qenë e nevojshme që të rinjtë të punonin si nxënës për të mësuar zanatin por gjithmonë me synimin për të bërë një jetë të kushtuar plotësisht në shërbim të Jehovait.
18. Çfarë duhet të mbajmë parasysh nëse vendosim të vazhdohen studimet?
18 Nëse vendoset të ndiqen studimet, sigurisht arsyeja nuk është që të shkëlqejmë në fushën e arsimit apo të fillojmë një karrierë botërore të rëndësishme. Kurset e studimit duhet të zgjidhen me kujdes. Kjo revistë ka nënvizuar rreziqet e arsimit universitar, dhe me të drejtë, sepse ky i fundit në të shumtën e rasteve bie në kundërshtim me «mësimin e shëndoshë» të Biblës. (Titit 2:1; 1. Timoteut 6:20, 21) Përveç kësaj, duke u nisur nga vitet 1960, shumë universitete janë bërë vatër e paligjshmërisë dhe imoralitetit. «Skllavi besnik dhe i matur» e ka dekurajuar fuqishëm frekuentimin e atij ambjenti. (Mateu 24:12, 45) Megjithatë, duhet të pranojmë që sot për sot të rinjtë ballafaqohen me këto rreziqe në shkollat e larta, në institutet profesionale si dhe në vendet e punës.—1. Gjonit 5:19.a
19. (a) Çfarë masash duhet të marrin ata që vendosin të vazhdojnë studimet? (b) Në ç’mënyrë disa e kanë përdorur arsimin në favor të tyre?
19 Nëse zgjidhet ndjekja e studimeve, është e përshtatshme që i riu Dëshmitar ta bëjë, kur është e mundur, duke vazhduar të jetojë në familje duke ruajtur kështu shprehitë normale të krishtere të studimit, frekuentimit të mbledhjeve dhe predikimit. Përveç kësaj ai duhet të marrë që nga fillimi një pozicion të qartë në mbrojtje të parimeve biblike. Duhet të kujtojmë se Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj ishin të burgosur në robëri kur u detyruan të ndjekin një program studimi të lartë në Babiloni, e megjithatë e ruajtën gjithmonë integritetin. (Danieli, kreu 1) Edhe duke vënë në vend të parë interesat frymore, të rinj Dëshmitarë në vende të ndryshme kanë ndjekur kurse studimi për të gjetur një punë gjysmë ditore si punëtorë tregtie, mësues, përkthyes, llogaritar, apo në vende të tjera që i japin mundësi të mbajnë karrierën e tyre kryesore, atë të pionierit. (Mateu 6:33) Shumë prej këtyre të rinjve më vonë janë bërë mbikëqyrës udhëtues ose punëtorë vullnetarë në shtëpitë Bethel.
Një popull i bashkuar dhe i arsimuar
20. Cili dallim i botës nuk duhet të ekzistojë në mes të shërbëtorëve të Jehovait?
20 Kudo që punojnë, si në zyra, fabrika, bujqësi apo në shërbime të ndryshme të gjithë shërbëtorët e Jehovait duhet të jenë studiues të Biblës dhe mësues të shkathët. Fakti që të gjithë përparojnë në aftësinë e leximit, në studim dhe në mësim ka prirje në zhdukjen e dallimeve që ekzistojnë në botë mes punëtorëve dhe nëpunësve. Kjo ndihmon në bashkimin dhe në respektin reciprok, në mënyrë të veçantë është e dukshme mes vullnetarëve që punojnë në shtëpitë Bethel dhe në skuadrat e ndërtimit të Shoqatës Watch Tower, ku cilësitë frymore marrin rëndësinë maksimale dhe u kërkohen të gjithëve. Këtu personeli ekspert i zyrave punon me gëzim së bashku me punëtorët e shkathët dhe të gjithë tregojnë dashuri dhe vlerësim për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:34, 35; Filipianëve 2:1-4.
21. Çfarë synimi duhet të kenë të rinjtë e krishterë?
21 Prindër, udhëhiqni fëmijët tuaj derisa të arrijnë synimin që të bëhen pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë së botës së re! Të rinj të krishterë, shfrytëzoni mundësitë që ju paraqiten për të pasur një arsim dhe për t’u bërë kështu të aftë për privilegje të mëtejshme në shërbimin ndaj Jehovait! Si persona të arsimuar, të gjithë mund të tregoheni si pjesëtarë të kualifikuar të shoqërisë teokratike, nga tani dhe përgjithmonë në «tokën e re» të premtuar nga Perëndia.—2. Pjetrit 3:13; Isaia 50:4; 54:13; 1. Korintasve 2:13.
[Shënimi]
a Shiko edhe Kullën e Rojës (angl.) të 1 shtator 1975, faqet 542-544.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse të krishterët e vërtetë interesohen për arsimimin?
◻ Cilat pikëpamje ekstreme duhet të evitojnë të krishterët?
◻ Cilat janë rreziqet e arsimit të lartë që duhet të mbajmë parasysh dhe çfarë masash duhen marrë?
◻ Cili dallim i botës nuk duhet të ekzistojë në mes të shërbëtorëve të Jehovait?
[Figura në faqen 26]
Duke studiuar me kujdes, të rinjtë e krishterë mund të bëhen pjesëtarë më të aftë të shoqërisë së botës së re
[Figura në faqen 29]
Vendimi i mundshëm për të vazhduar studimet duhet të jetë i motivuar nga dëshira për t’i shërbyer më mirë Jehovait