VEJUSHA
Grua së cilës i ka vdekur burri dhe nuk është martuar më. Vdekja e burrit i jep fund lidhjes martesore dhe gruaja është e lirë të martohet përsëri, po të dojë. (Ru 1:8-13; Ro 7:2, 3; 1Ko 7:8, 9) Në shoqërinë patriarkale dhe, më pas, nën Ligjin e Moisiut, kur një burrë vdiste pa lënë fëmijë, vëllai duhej të martohej me gruan e të ndjerit e të bënte një djalë me të, që të mos shuhej familja e burrit të saj të vdekur.—Zn 38:8; Lp 25:5-10; Ru 4:3-10; shih DETYRA QË I TAKON KUNATIT.
Po t’i vdiste bashkëshorti, vejusha mund të kthehej në shtëpinë e të atit. (Zn 38:11) Në këto raste, Ligji kishte një rregull specifik për bijën e priftit që mbetej vejushë ose divorcohej. Meqë prifti merrte të dhjeta që të mbante familjen, e bija mund të përfitonte nga ky rregull. Kështu, ajo nuk përballej me varfërinë dhe shmangte poshtërimin që, në të kundërt, mund të binte mbi priftërinë. (Le 22:13) Vejushave që s’kishin këtë lloj mbështetjeje ose mbrojtjeje, Ligji u jepte të drejtën të mblidhnin ato që kishin mbetur nëpër ara, ullishte dhe vreshta (Lp 24:19-21), të merrnin pjesë çdo vit në festat e bollshme që kremtoheshin (Lp 16:10-14) dhe, çdo tre vjet, të merrnin pjesën e tyre nga të dhjetat që jepte kombi (Lp 14:28, 29; 26:12, 13).
Kujdesi i Jehovait dhe i Krishtit për vejushat. Jehovai foli për vete si për Atë që «i jep të drejtën jetimit e vejushës». (Lp 10:18) Ligji kishte kërkesa të forta për ushtrimin e plotë e të barabartë të drejtësisë në rastin e vejushave. (Da 22:22-24; Lp 24:17) Ata që shtrembëronin vendimin gjyqësor për vejushat, mallkoheshin (Lp 27:19), dhe në shkrimet e profetëve nxitej trajtimi i drejtë i vejushave.—Is 1:17, 23; 10:1, 2; Jr 22:3; Ezk 22:7; Za 7:9, 10; Ma 3:5.
Jezui merakosej për mirëqenien e vejushave në Izrael dhe e tregoi këtë kur i dënoi skribët si njerëz që ‘gllabëronin shtëpitë e vejushave’.—Mr 12:38-40; Lu 20:46, 47.
Ndihma e kongregacionit për vejushat. Pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur lindi një situatë urgjente në kongregacionin e krishterë, vejushat që flitnin greqisht po liheshin pas dore kur bëhej shpërndarja e përditshme e ushqimit. Ngjarjen e morën vesh apostujt, të cilët e konsideruan çështjen aq të rëndësishme, saqë emëruan ‘shtatë burra për të cilët flitej mirë, . . . plot frymë dhe mençuri’, që të mbikëqyrnin shpërndarjen e ushqimit në mënyrë të barabartë.—Ve 6:1-6.
Te 1 Timoteut 5:3-16, apostulli Pavël dha udhëzime të plota për kujdesin e dashur që u duhej treguar vejushave në kongregacionin e krishterë. Kongregacioni duhej të kujdesej për vejushat që ishin në skamje. Por, nëse vejusha kishte fëmijë ose nipa e mbesa, këta duhej të merrnin përsipër përgjegjësinë për t’u kujdesur për nevojat e saj ose, siç udhëzoi Pavli, «nëse ndonjë grua besimtare ka të afërme që janë vejusha, le t’u vijë atyre në ndihmë, që të mos i bëhen barrë kongregacionit. Kështu, ky mund t’u vijë në ndihmë atyre që janë vërtet vejusha [domethënë, që janë vërtet fillikat, pa asnjë ndihmë]». Në listë për të marrë ndihmë materiale nga kongregacioni, futej një vejushë që ‘nuk ishte më pak se gjashtëdhjetë vjeçe’, me reputacion të mirë për sa i përket moralit, përkushtimit me besnikëri e dashuri ndaj Jehovait dhe mikpritjes e dashurisë për të tjerët. Nga ana tjetër, apostulli këshillon që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë e të jenë amvisa, duke shmangur kështu grackën e nxitjeve seksuale dhe rrezikun që u kanoset po «të rrinë pa bërë gjë, . . . të merren me thashetheme, [e] t’i futin hundët në punët e të tjerëve».
Kur përmendi kërkesat për një adhurim të pastër e të pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, theksoi se të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësi është po aq e rëndësishme sa të ruash veten të panjollë nga bota.—Jk 1:27.
Disa nga vejushat me besim të spikatshëm janë: Tamara (Zn 38:6, 7), Naomi dhe Rutha (Ru 1:3-5), Abigaila (1Sa 25:37, 38, 42), vejusha nga Zarefati (1Mb 17:8-24) dhe Ana, profetesha (Lu 2:36, 37; krahaso përshkrimin që Luka i bën Anës, me cilësitë e një vejushe të denjë që përmend Pavli te 1Ti 5:3-16). Po ashtu, një vejushë së cilës nuk i përmendet emri, u lavdërua së tepërmi nga Jezui ngaqë hodhi në tempull tërë atë që kishte për të jetuar.—Mr 12:41-44.
Përdorimi i figurshëm. Qytetet e braktisura e të shkretuara janë krahasuar me vejushat. (Va 1:1; krahaso Jr 51:5.) Babilonia e Madhe, ‘qyteti i madh që mbretëron mbi mbretërit e tokës’, ashtu si modeli i saj, Babilonia e lashtë, mburret se nuk do të jetë kurrë vejushë. Mirëpo, pikërisht ashtu si u bë «vejushë» Babilonia e lashtë, ashtu do të bëhet edhe Babilonia e Madhe e ditëve tona.—Is 47:8, 9; Zb 17:18; 18:7, 8.