Të çmojmë jetën e vërtetë
A ËSHTË kjo jetë gjithçka që ekziston? Duke na inkurajuar «të mbahemi fort në jetën e vërtetë», Bibla lë të kuptojmë se kjo jetë nuk është gjithçka. (1. Timoteut 6:17-19, BR) Nëse kjo e tanishmja nuk është jeta e vërtetë, cila është atëherë?
Konteksti i shkrimit të lartpërmendur tregon se është «jeta e përjetshme», në të cilën duhet të mbahen fort ata që i frikësohen Perëndisë. (1. Timoteut 6:12) Për shumicën dërrmuese, kjo do të thotë jetë e përhershme në tokë. Njeriu i parë, Adami, kishte perspektivën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. (Zanafilla 1:26, 27) Ai do të vdiste vetëm po të hante «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zanafilla 2:17) Por, për shkak se Adami dhe gruaja e tij, Eva, duke u treguar të pabindur hëngrën nga ajo pemë, Perëndia dha dënimin me vdekje. ‘Ditën që hëngrën prej saj’, ata vdiqën në sytë e Perëndisë dhe morën rrugën e vdekjes fizike. Cilësia e jetës së tyre nuk ishte më si ajo e mëparshmja.
Rruga që të çon në «jetën e vërtetë»
Për ta bërë të mundur «jetën e vërtetë», Perëndia Jehova mori masa për të shpëtuar njerëzimin. Për të kuptuar këtë masë të marrë, le të përfytyrojmë një fabrikë të vogël. Të gjitha makinat në të janë me defekt dhe u hapin telashe punëtorëve, sepse punëtori i parë që i ka përdorur vite më parë, nuk i ka zbatuar udhëzimet e dhëna në manual dhe kështu i ka dëmtuar të gjitha makinat. Punëtorët që janë tani, bëjnë të pamundurën për t’i përdorur në maksimum makinat në gjendjen që janë. Pronari i fabrikës dëshiron t’i riparojë makinat për të ndihmuar punëtorët e tij dhe grumbullon fondet e nevojshme për këtë qëllim.
‘Punëtori’ i parë, Adami, nuk e çmoi jetën që i ishte dhënë. Në këtë mënyrë, ai u dha si trashëgimi pasardhësve të tij një jetë të papërsosur, ngjashëm makinës me defekt. (Romakëve 5:12) Ashtu si punëtorët që erdhën më vonë në fabrikë e që nuk mund ta rregullojnë gjendjen, edhe pasardhësit e Adamit nuk kanë mundur ta fitojnë jetën e vërtetë. (Psalmi 49:7) Për të ndrequr këtë situatë në dukje të pashpresë, Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur për të rifituar jetën e përhershme për njerëzimin. (Luka 1:35; 1. Pjetrit 1:18, 19) Duke vdekur si sakrificë për hir të njerëzimit, Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Jezu Krishti, siguroi fondet—jetën që i përgjigjet asaj që humbi Adami. (Mateu 20:28; 1. Pjetrit 2:22) Me këtë sakrificë të çmuar, Jehovai ka siguruar bazën për jetën e vërtetë.
Për njerëzimin e bindur, sakrifica shpërblerëse e Jezuit do të thotë jetë e përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29) Kjo shpresë është shtrirë tek të gjithë ata që mbijetojnë «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», të quajtur Harmagedon. (Zbulesa 16:14-16) Ajo do të çrrënjosë të gjitha ligësitë nga toka. (Psalmi 37:9-11) Ata që vdesin para asaj kohe dhe që janë në kujtesën e Perëndisë, do të ringjallen në parajsën e vendosur në tokë dhe do të kenë perspektivën për të gëzuar jetën e vërtetë që është rezervuar për të gjithë ata që i binden Atij.—Gjoni 5:28, 29.
Duhet të çmojmë jetën e tanishme
Kjo nuk do të thotë se me të drejtë mund të mos e respektojmë shenjtërinë e jetës së tanishme. A do të harxhonte kohë dhe para pronari i fabrikës për të riparuar një makinë për një punëtor që nuk kujdeset për të? Përkundrazi, a nuk do t’ia besonte punëdhënësi riparimin e makinës një njeriu që ka bërë të pamundurën për ta mbajtur sa më mirë të vjetrën?
Jeta është një dhuratë e çmuar nga Jehovai. Si burimi mirëdashës i kësaj dhurate, ai do që ne ta çmojmë atë. (Psalmi 36:9; Jakovit 1:17) Duke folur për kujdesin e Jehovait për njerëzit në tokë, Jezui tha: «Edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara.» (Luka 12:7) Jehovai i urdhëroi izraelitët të mos vrisnin, gjë që natyrisht përfshinte edhe të mos vrisnin vetveten. (Të Dalët 20:13) Kjo na ndihmon të mos e konsiderojmë vetëvrasjen si një alternativë të mundshme.
Duke njohur kujdesin e dashur të Jehovait për mirëqenien tonë, njerëzit me frikë Perëndie i vlerësojnë praktikat e sotme nën dritën e parimeve biblike. Për shembull, për shkak se të krishterët e vërtetë duhet ‘ta pastrojnë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojnë shenjtërimin e tyre në druajtjen e Perëndisë’, shmangin duhanin dhe drogat adiktive që kanë një ndikim të fortë në mendje.—2. Korintasve 7:1.
Kujdesi i Jehovait për jetën njerëzore duket edhe më tej në këshillën e tij për t’u përmbajtur nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt. (Ligji i përtërirë 21:18-21; Proverbat 23:20, 21) Të krishterët e dinë se lakmitarët dhe pijanecët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë, pra, nuk do ta përjetojnë kurrë jetën e vërtetë. (1. Korintasve 6:9, 10; 1. Pjetrit 4:3) Duke na nxitur të përmbahemi, Jehovai na mëson për të mirën tonë.—Isaia 48:17.
Kur respektojmë normat e Perëndisë, tregojmë se e çmojmë jetën e tanishme. Sigurisht që jeta e vërtetë është më domethënëse. Meqenëse është e përhershme, të krishterët e vërtetë e konsiderojnë atë më të rëndësishme sesa jeta e tanishme. Kur sakrifikoi jetën e tij, Jezu Krishti iu nënshtrua vullnetit të Jehovait. Për të, bindja ndaj Atit vlente më shumë, sesa jeta e tij tokësore. Për shkak të sjelljes së tij, Jezui u ringjall dhe mori jetën e pavdekshme në qiell. (Romakëve 6:9) Vdekja e tij do të thotë, gjithashtu, jetë e përhershme për njerëzimin e bindur, që ushtron besim në sakrificën e tij shpërblerëse.—Hebrenjve 5:8, 9; 12:2.
Ligji jetësor mbi gjakun
Është e kuptueshme që ithtarët e Jezuit pasqyrojnë mënyrën e tij të të menduarit. Ata përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë në çdo gjë, ashtu siç bëri Krishti. Ndër të tjera, kjo shpjegon se përse ata nuk pranojnë të bëjnë transfuzion gjaku, të cilin disa doktorë e quajnë jetëshpëtues. Le të shohim se si një njeri tregoi se e çmonte jetën e vërtetë, duke mos pranuar të bënte transfuzion gjaku.
Ashtu si Jezu Krishti, të krishterët e vërtetë duan të jenë të gjallë në sytë e Perëndisë dhe kjo kërkon bindje të plotë ndaj Tij. Fjala e Perëndisë i urdhëron ithtarët e Krishtit: «Hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.» (Veprat 15:28 29) Përse ky ligj mbi gjakun ishte përfshirë mes urdhrave për të krishterët?
Ligji i dhënë izraelitëve kërkonte që të përmbaheshin nga gjaku. (Levitiku 17:13, 14) Të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, por e kuptojnë se urdhri për të mos ngrënë gjak kishte dalë para Ligjit të Moisiut; kohë më parë i ishte dhënë Noes pas përmbytjes. (Zanafilla 9:3, 4; Kolosianëve 2:13, 14) Ky urdhër u zbatua tek të gjithë pasardhësit e Noes, nga i cili rrodhën të gjitha kombet e tokës. (Zanafilla 10:32) Përveç kësaj, Ligji i Moisiut na ndihmon të kuptojmë arsyen e këmbënguljes së Perëndisë mbi shenjtërinë e gjakut. Pasi i ndaloi izraelitët të hanin gjak të çdo lloji, Perëndia tha: «Jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.» (Levitiku 17:11) Perëndia e kishte lënë gjakun për ta përdorur si sakrificë mbi altar. Ligji mbi shenjtërinë e gjakut, zbulon autoritetin e tij mbi gjithë jetën në tokë. (Ezekieli 18:4; Zbulesa 4:11) Duke e parë jetën nga këndvështrimi i Jehovait, kuptojmë se ajo nuk na përket neve, por vetëm na është besuar nga Perëndia.
Ashtu si punëtori në ilustrimin tonë ishte përgjegjës për makinën, kështu edhe ne na është besuar jeta jonë e tanishme. Çfarë do të bëje sikur të të duhej ta riparoje makinën dhe një mekanik të të sugjeronte që ta riparoje me pjesë veçanërisht të ndaluara në manualin udhëzues? A nuk do të flisje me mekanikë të tjerë për të parë nëse makina mund të riparohet sipas udhëzimeve të manualit? Jeta njerëzore është shumë më e rëndësishme dhe e komplikuar se një makinë. Në Fjalën e tij të frymëzuar, që është udhëzuesi për të mbajtur në jetë njerëzimin, Krijuesi ynë na ndalon që ta mbështesim jetën duke përdorur gjak. (Ligji i përtërirë 32:46, 47; Filipianëve 2:16) A nuk është e arsyeshme të ndjekim udhëzimet e këtij manuali?
Fakti që pacientët e krishterë kërkojnë kura pa gjak, nuk do të thotë se nuk i pranojnë të gjitha kurat mjekësore. Ata thjesht kërkojnë një kurë që tregon respekt për jetën e tyre si të tanishme, ashtu edhe të ardhshme. Mjekët që e respektojnë me guxim qëndrimin e të krishterëve, dëshmojnë për dobitë e kurimit sipas kërkesës së tyre. «Njohja me Dëshmitarët e Jehovait më çoi në adoptimin e një shkalle me vlera të reja»,—thotë një kirurg që e përdorte shpesh transfuzionin e gjakut. Tani ai përpiqet t’i operojë pa gjak edhe ata që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait.
Të çmojmë jetën e vërtetë
Cila ishte shkalla e re e vlerave që mori ky kirurg, duke kuruar Dëshmitarët e Jehovait? Ai kupton tani se kurimi i pacientëve nuk përfshin vetëm pjesën e sëmurë të trupit, por personin në tërësi. A nuk duhet t’i jepet mundësia një pacienti të kërkojë kurën më të mirë për mirëqenien e tij fizike, frymore dhe emocionale?
Kumiko, një vajzë 15-vjeçare e sëmurë me leucemi, e konsideronte transfuzionin e gjakut alternativën më të keqe. Përpjekja për t’ia zgjatur jetën me këtë mjet për pak javë, muaj apo edhe disa vite nuk do të vlente aspak, po ta krahasoje me atë që do t’i kishte kushtuar në të ardhmen. Pasi jetën e saj të tanishme ia kishte dedikuar Perëndisë Jehova si një Dëshmitare e tij, ajo respektoi shenjtërinë e jetës dhe të gjakut. Megjithëse i ati dhe të afërmit e kundërshtuan ashpër qëndrimin e saj, Kumiko qëndroi e patundur. Njëherë mjeku e pyeti: «Kur Perëndia yt fal mëkatet, a nuk do të të falte po të pranoje një transfuzion gjaku?» Kumiko nuk pranoi të kompromentohej dhe kështu të mohonte bindjen e saj të bazuar në Bibël. «Duke qëndruar fort pas fjalës së jetës», ajo u tregua e patundur. (Filipianëve 2:16, BR) Gjyshja e saj që nuk besonte, tha: «Kumiko nuk e braktisi besimin e saj.» Pas pak kohësh, qëndrimi i babait, i gjyshes dhe i mjekëve ndryshoi.
Besimi i fortë i Kumikos se Perëndia Jehova mund ta ringjallte nga të vdekurit, preku zemrat e shumë njerëzve. Kur ishte akoma gjallë, ajo e luste me ngulm të atin: «Edhe sikur të vdes, unë do të ringjallem në parajsë. Por, po të shkatërrohesh ti në Harmagedon, unë nuk do të të shoh më. Prandaj, të lutem, studioje Biblën!» I ati i përsëriste: «Do ta bëj, por kur të shërohesh ti.» Kur Kumiko vdiq nga sëmundja e saj e pamëshirshme, i ati vuri në arkivolin e saj një letër ku shkruhej: «Kumiko, do të të shoh në parajsë.» Pas fjalimit të funeralit, ai u tha të pranishmëve: «I kam premtuar Kumikos se do ta shoh në parajsë. Megjithëse nuk mund ta besoj, sepse nuk kam studiuar aq sa duhet, jam i vendosur të studioj seriozisht. Ju lutem, më ndihmoni.» Edhe pjesëtarë të tjerë të familjes filluan të studionin Biblën.
Kumiko e respektonte më të vërtetë jetën dhe donte të jetonte. Ajo çmoi gjithçka që mjekët bënë për të shpëtuar jetën e saj aktuale. Por, duke iu bindur udhëzimeve në manualin e Krijuesit, ajo tregoi se e çmonte jetën e vërtetë. Për miliona njerëz, jeta do të jetë e përhershme në tokën parajsore. A do të jesh edhe ti mes tyre?